Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Populli si burim i demokracisë

Postuar: 26/06/2019 - 07:13

Idetë për një shoqëri demokratike, mbeten lokomotiva e zhvillimit të shoqërisë njerëzore nga primitiviteti, deri në epokën e shoqërisë tonë moderne. Trajtimi i lirisë dhe i demokracisë kushtëzohet nga marrëdhënie të ngushta reciproke, ku liria është habitati që ushqen dhe përcakton nivelin e zhvillimit të demokracisë. Nocionet e demokracisë dhe të lirisë janë të lidhura ngushtë me problemet e qeverisjes së popullit, me ndarjen dhe kategorizimet e saj, deri tek përzgjedhja e formës dhe e përmbajtjes së demokracisë më të mirë për shoqërinë njerëzore. Përmbajtja e demokracisë duhet të mishërojë rolin dhe kuptimin që i ka dhënë Abraham Linkolni: “Një qeverisje e popullit, nga populli dhe për popullin”, e cila përqendrohet në qeverisjen e popullit, vlerat e të cilës mbeten për shoqërinë njerëzore si energjia diellore për universin. Në këtë kuptim, do të pohonim se të gjitha sistemet politiko - shoqërore duhet të kalojnë domosdoshmërisht në “skanerin” e standarteve të kërkesave për liri dhe demokraci të popujve që dallohen nga njëri-tjetri nga shkalla e zotërimit të tyre.

Një nga parimet bazë të demokracisë është barazia politike, gjë që nënkupton kërkesën mbi pushtetin politik i cili duhet t’i shpërndahet popullit gjerësisht dhe në mënyrë sa më të barabartë. Po çfarë duhet të kuptojmë me termin “popull”? Duke iu referuar filozofëve të lashtë grek, bie në sy veçoria se me nocionin e fjalës “Popull” ata i referoheshin shumicës së njerëzve të pafavorizuar dhe që jetonin në kushte të përafërta. Në të vërtetë, në konceptin e tyre vihet re edhe një ngjyrim negativ ndaj nocionit popull, si bie fjala, Platoni dhe Aristoteli, të cilët, duke e konceptuar demokracinë si sundimin e masës popullore, pra, si një sundim të turmës, që, për pasojë dhe sipas tyre, ajo vepronte në dëm të urtësisë dhe të pronës. Këtej buron edhe mendimi i tyre që vendi dhe populli ishte shumë herë më mirë të qeverisej nga filozofët, njerëzit më të ditur të vendit. Çuditërisht, edhe pse demokracia ka pësuar ndryshime thelbësore, ende ruan vlerësimin se, ajo përfaqëson nevojën e popullit për t’u qeverisur, meqenëse ai nuk i ka aftësitë qeverisëse, ndaj dhe zgjedh përfaqësuesit e partive dhe grupimeve politike në organet drejtuese ligjbërëse.

Duke i hedhur një vështrim të shpejtë koncepteve të hershme mbi demokracinë dhe regjimeve të aplikuara në qytetet - shtete të Greqisë së lashtë, vëren me lehtësi ndryshimet thelbësore që ka pësuar në formë dhe përmbajtje koncepti i demokracisë. Sot Demokracia është pasuruar dhe përpunuar në përputhje me kërkesat e kohës dhe të vetë popujve. Sot termi demokraci përdoret jo vetëm për të karakterizuar marrëdhëniet politike në një shoqëri të caktuar, por edhe për të gjykuar dhe për të përcaktuar formën e qeverisjes, karakteristikat dhe sistemin politik të saj, etj. Pra nocioni demokraci ngrihet mbi parimin, se njerëzit në tërësinë e tyre përbëjnë bazën, themelin mbi të cilin ngrihet e tërë jeta politike e shoqërisë. Ata janë burimi i vetëm i pushtetit, ndërsa interesat dhe mirëqenia e tyre përbëjnë qëllimin përfundimtar të qeverisjes. Në demokraci, pushteti politik bëhet i ligjshëm vetëm kur ai buron nga populli. Pushteti mund të jetë rrjedhojë e vullnetit të lirë të popullit si një i tërë, ku çdo individ është i lirë të bëjë zgjedhjet politike që i interesojnë. Pra, liria është kushti i domosdoshëm i konceptit të demokracisë. Nga kjo pikëpamje, demokracia mund të përkufizohet si një sistem idesh, praktikash dhe mënyrash veprimi që çojnë drejt institucionalizimit të lirisë.

Për Spinozën, liria ishte racionalizëm i përsosur. Për Lajbnicin, spontanitet i inteligjencës. Për Kantin, autonomi. Për Hegelin, pranim i së domosdoshmes. Për Kroçen, shtrirje e përjetshme e jetës. Për Hobesin liri do të thoshte; mungesë e pengesave të jashtme për të lëvizur. Ndërsa për Rusoin në Francë: Liria ka të njëjtin fat si ligjet; ajo sundon ose shembet bashkë me to. Ekonomisti dhe politologu i njohur Fridrih Fon Hajek, në vend të fjalës demokraci shoqërore, përdori termin “kushtetuta e lirisë”. Me këtë ai nënkuptonte një sërë elementesh të cilët bënin të mundur bashkë - ekzistencën e individit me shoqërinë.

Demokracia ka një lidhje organike me lirinë dhe të drejtat tona. Por çdo liri, ka hapësirën e vet jetike të organizuar në drejtim horizontal dhe vertikal. “Liritë”, janë të ndryshme, ndonëse në thelb ato mbeten “të drejta kushtetuese”, për çdo individ (qytetar). Xhon Loku i takon një vend i veçantë për nga mënyra se si e trajtoi konceptin e lirisë. Për atë, liria ndahet në liri që vepron nën vullnetin e unit për të vendosur dhe në liri që i nënshtrohet vullnetit të paqëndrueshëm të pasigurtë të panjohur dhe arbitrar.

Demokracia përfshin sundimin e shumicës dhe respektimin e pakicave për faktin, që ato janë pjesë e popullit dhe për këtë arsye nuk duhet të trajtohen në mënyrë të pabarabartë. Nga kjo pikëpamje, demokracia shihet si forma e organizimit politik, që siguron sundimin e shumicës dhe respektimin e pakicës, duke krijuar dhe hapësirat për konkurencën e lirë të alternativave politike. Gjithashtu, demokracia është ajo formë e organizimit politik, që mundëson konkurencën politike për alternativat e ndryshme të zhvillimit ekonomik, që siguron nismën e lirë dhe pronën private. Por mjaft qarqe të caktuara me koncepte të një sundimi diktatorial e përdorin konceptin e demokracisë për të maskuar qëllimet e tyre të mbrapshta duke goditur apo reduktuar të drejtat themelore të njeriut, për të shtrembëruar thelbin e demokracisë me anë të zbatimit vetëm të disa elementëve të saj, për të keqinterpretuar interesat e një pjese si interesa të të gjithë shoqërisë.

Demokracia është një konstitucion shtetëror i shteteve të vogla dhe të mëdha, ku pushteti del drejtpërsëdrejti ose jo drejtpërsëdrejti nga shtetasit në bazë të lirisë dhe të barazisë politike si dhe të drejtave të gjëra politike për pjesëmarrjen e të gjithë shtetasve në moshë madhore. Në thelb demokracia është një sundim i cili është një simbol i një rendi laik, populli është prejardhja e tij, e vetmja gjë e autorizuar. Pronësia dhe ushtrimi i pushtetit duhet të rrjedhë nga qytetarët.

Perikliu nënvizonte se demokracia lidhej me tolerancën, por nuk bënte fjalë për sundimin e shumicës. Platoni dhe Aritoteli ishin të dy kundër demokracisë. Platoni vinte në dukje se demokracia kontrollin e qeverisjes e realizonte nga ata që dinin të qeverisnin, pra tek demagogët populist, kurse Aristoteli shprehej se qeverisja nga populli në fakt donte të thoshte qeverisje nga të varfërit, nga të cilët frikësohej se mund të shpronësonin të pasurit. Hobsi dhe Loku nënkuptojnë barazinë politike të qytetarëve, por asnjëri nuk nxjerr shprehimisht konkluzione në favor të demokracisë. Përkufizimi i Lincolnit, më tepër shpreh embrionin fillestar të idealit për demokraci, se sa qenien reale të saj. Demokracia nuk mund t'i imponohet asnjë shoqërie. Ajo nuk është as dhuratë që mund të bëhet pronë e përhershme e dikujt. Për atë duhet luftuar për ta mbrojtur çdo ditë.

Duke mishëruar një numër kuptimesh të përafërta vërejmë se termi demokraci ngërthen kuptimet që kanë të bëjnë me “popullin” dhe magjinë që ai zotëron në jetën ekonomike, politike dhe kulturore, si prodhues dhe konsumues i të të mirave materiale, ndërtues dhe zbatues i të gjitha pushteteve të një shoqërie të qytetëruar. Në vështrimin e parë nocioni demokraci paraqet një përputhje të harmonishme me nocionin popull dhe sundimin e tij. Por, ashtu siç ky nocion, pra, demokracia, nuk përfshinte në demokracitë greke gratë dhe skllevërit, edhe sot përjashtohen të miturit dhe të sëmurët mendorë.

Por termi dhe kuptimi i demokracisë, pra i sundimit të shumicës, duhet të kalojë edhe shtigje” të vështira kur bëhet fjalë për nocionin e shumicës absolute e cila gëzon edhe të drejtën e vendimmarrjes. Por nga ana tjetër, asnjë e drejtë e asnjë shumice nuk mund të jetë absolute. Mjaft filozofë të mëvonshëm, njëri prej të cilëve është Xhon Loku, vunë në dukje rrezikun që i vjen pakicës nga “diktatura e shumicës”. Të pranosh të drejtën absolute të shumicës për t’ia imponuar vullnetin e saj pakicës do të thotë të vendosësh një rregull që me kalimin e kohës kthehet kundër parimeve të vetë demokracisë.

Në kushtet e një shoqërie moderne demokracia mishëron tipare të ndryshme nga ajo që u realizua në shoqërinë e Athinës, duke ruajtur karakteristikat e një demokracie përfaqësuese, pluraliste dhe që bazohet mbi konceptin e shtetësisë. Ndryshimi themelor me demokracinë e drejtpërdrejtë qëndron në faktin se, vendimet politike ndërmerren nga organet përfaqësuese dhe vetëm në disa raste të veçanta nga populli, siç është rasti i referendumeve. Por, me gjithë nevojën për ndryshime dhe përsosje të demokracisë, nuk mund të mos vëmë në dukje se, themeli bazë i saj mbetet kërkesa për të realizuar përfaqësimin dhe mbrojtjen e interesave të popullit edhe në kushtet kur të zgjedhurit ushtrojnë pushtetin në emër të tij. Demokracia është sistemi që garanton dhe harmonizon detyrat dhe të drejtat e individit me ato të shoqërisë. Të drejtat përbëjnë elementet më themelor dhe ndërtues të një qeverisjeje demokratike.

Në zbatimin e demokracisë përfaqësuese shtetasit që votojnë, nuk marrin vendime për organizimin e jetës së tyre, por ua delegojnë këto të drejta përfaqësuesve të tyre. Megjithë avantazhet e mëdha që paraqet demokracia përfaqësuese, ajo nuk i ka shpëtuar vërejtjeve të Rusoit, që vinte në dukje me dëshpërim: “Sido që të jetë, nga ai çast kur një popull i dorëzohet përfaqësuesve nuk është më i lirë”.

Nga: Ferit BAÇA

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 20/11/2019 - 07:17

Do të vinte ajo ditë kur pjesa më e inkriminuar, më agresive dhe më në hall e politikës, t’i shpallte "non grata ndërkombëtarët", të pështynte mbi ta, shante me mllef dhe të "merrte fatet e vendit

Postuar: 20/11/2019 - 07:16

Vetëvrasjet janë shtuar shumë këto kohët e fundit.

Postuar: 20/11/2019 - 07:14

Të gjithë jemi të përgjuar. Shqiptarë e ndërkombëtarë.

Postuar: 20/11/2019 - 07:13

Për t’u treguar sa më modernë e europianë, ne shqiptarët na ka përfshirë edhe një mani deri

Postuar: 19/11/2019 - 07:17

(17 nëntor 1944-17 nëntor 2019: 75-vjetori i çlirimit të Tiranës)

Postuar: 19/11/2019 - 07:15

Shoqëria jonë ka një mangësi të jashtëzakonshme në trashëgiminë e saj të sotme, të ardhur deri më

Postuar: 19/11/2019 - 07:13

Tani që u shua, ndoshta për një periudhë të caktuar kohe, mundësia e hapjes së negociatave me BE,