Lajme të tjera
BREAKING NEWS

Vizita në Gjermani për të takuar kancelaren Merkel? Ja çfarë thotë kryeministri Rama  

Vizita në Gjermani për të takuar kancelaren Merkel? Ja
x

Opinion / Editorial

Prag sigurie për dijet

Prag sigurie për dijet

Në këto kohë kaq të turbullta dhe të pasigurta, i vetmi “liman” i qetë dhe i sigurtë ku sot dërgoj fëmijët e mi të fitojnë dije është gjimnazi “Petro Nini Luarasi”. Po pse? Ç’ka ky gjimnaz, kjo shkollë publike ndryshe nga të tjerat? Vjet kjo shkollë elitë mbushi 60 vjetorin dhe po vjet renditi 36 maturantë me mesataren e notave 10.00. Për merita të jashtëzakonshme në pajisjen me dije bashkëkohore e cilësore të brezit të ri, u nderua nga Presidenti i Republikës me titullin “Kalorës i Urdhrit të Flamurit”. Po nuk është vetëm ky nderim i lartë. Gjimnazi “Petro Nini Luarasi” zë vendin e parë në Kartën e Performancës së Gjimnazeve, të publikuar nga Ministria e Arsimit, e cila përdor një sërë treguesish për të klasifikuar institucionet arsimore. Dhe kryesorja, ky gjimnaz ia doli të kalojë sfidën e jashtëzakonshme me koronavirusin deri tani. Fillimisht, që në 12 mars 2020, sapo u mbyllëm si Republikë, krijoi grupe të mësuesve në WhatsApp. Drejtoresha e shkollës ishte e pranishme në të gjitha grupet e krijuara në WhatsApp dhe ndiqte performancën e mësuesve dhe nxënësve. Rifillimi i mësimit online 72 orë pas mbylljes pati një efekt pozitiv psikologjik të menjëhershëm tek të gjithë: mësues, nxënës dhe prindër. U vendos një orar me 3 orë mësimi në ditë me kohëzgjatje 90 minuta dhe pushim 30 minuta midis tyre. Drejtoresha bënte apelin e mësuesve në orën 8:00 në mëngjes, ku përshëndetja online u bë e përditshme. Pas saj, stafi mësimor diskutonte në WhatsApp për organizimin e ditës dhe respektimin e udhëzimeve që vinin nga strukturat drejtuese të Ministrisë së Arsimit. Në orën 9 të mëngjesit mësuesit kujdestarë lidheshin me klasat e tyre në kujdestari dhe bënin zgjimin e nxënësve, kujtesën rreth orarit të mësimit, por edhe një përshëndetje, ku në radhë të parë siguroheshim për shëndetin dhe problemet që mund të kishin. Mësuesit e fizkulturës dërgonin video nga interneti, por edhe të realizuara nga vetë ata, për gjimnastikën e mëngjesit, e cila kishte një kohëzgjatje prej 30 minutash. Në orën 10:00 fillonte mësimi. Nxënësit ishin pjesëmarrës në të gjitha grupet e mësuesve të lëndëve shkencore dhe sociale. Mësuesit në fillim përdorën WhatsApp për të përcjellë mësimin me foto ose audio, por më vonë, të trajnuar online nga mësuesit e teknologjisë së informacionit, ngritën klasa virtuale në internet, gjë e cila solli një risi në mënyrën e përcjelljes së njohurive. Gjimnazi Petro Nini Luarasi ka 65 mësues të moshave të ndryshme. Mësuesit më të vjetër në moshë realizuan video në kushtet e shtëpisë, me letër dhe stilolaps, për të ruajtur kontaktin me nxënësit. Shumë mësues përdorën programin online ZOOM, për të pasur një kontakt të drejtpërdrejtë pamor me nxënësit, gjatë mësimit virtual. Pothuajse të gjithë krijuan platforma Googleclassrooms dhe shumë të tjerë realizuan kanale të tyre në Youtube, në të cilat kalonin mësimet e regjistruara më parë. Mësimi, duke llogaritur edhe pushimet midis orëve, mbaronte në orën 16:00. Duke qenë se kishte një kohëzgjatje të madhe, shkolla reduktoi orët e mësimi me 60 minuta dhe pushimet 10 minuta midis orëve. Kjo solli ndjekje më efektive të mësimit online nga nxënësit. Këto ditë, shkolla bëri publike në adresën e saj në internet Udhëzuesin për “Qëndrimin dhe Lëvizjen në Shkollë (Covid-19)”, me rregulla të qarta për mbajtjen e maskave si nga mësuesit dhe nxënësit, dezinfektimin me hyrjen në mjediset e shkollës, distancimin fizik gjatë mësimit në klasë, si dhe larjen e duarve me dezinfektantë në klasë, nëpër korridore, në hyrje dhe në dalje të shkollës ( https://petroniniluarasi.edu.al/ëp-content/uploads/2020/05/RREGULLORE-COVID-19.pdf). Në adresën e saj në Facebook, shkolla ka publikuar edhe një video ku shpjegohet si duhet të respektohen këto rregulla (https://www.facebook.com/55vjetPNL/videos/360439714984007). Ja përse dërgoj i qetë të dy fëmijët e mi në këtë shkollë. Gjimnazi Petro Nini Luarasi nuk përbën vetëm një djep profesional dijesh, pse reflekton investimet e kryera në të, duke ngritur ndër vite e dekada laboratorë mësimorë model për kohën, këndin sportiv më të mirë në Republikë, duke rregulluar estetikisht mjediset brenda dhe jashtë shkollës, për ta kthyer institucionin në një eksperiencë aq të pashlyer e të bukur jete. Sot ky mjedis përbën dhe një prag të mirë sigurie për kohët që jetojmë, për t’i besuar shkollës jetën dhe të ardhmen e fëmijëve tanë.