Lajme të tjera
BREAKING NEWS

Vizita në Gjermani për të takuar kancelaren Merkel? Ja çfarë thotë kryeministri Rama  

Vizita në Gjermani për të takuar kancelaren Merkel? Ja
x

Opinion / Editorial

Prania e Shqipërisë- domosdoshmëri në takimin e 4 shtatorit Kosovë-Serbi në Washington

Prania e Shqipërisë- domosdoshmëri në takimin e 4 shtatorit

Pas anulimit të takimit të planifikuar Kosovë-Serbi më 27 korrik 2020, për shkak të deklaratës së Zyrës së Prokurorit të specializuar me seli në Hagë duke paraqitur një akt-akuzë për “krime lufte” ndaj Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe kryetarit të PDK Kadri Veseli, më në fund “Këshilltari i Sigurisë Kombëtare Robert O’Brien ka ftuar liderët e Serbisë dhe Kosovës në Uashington në 4 shtator. Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, John Ullyot është shprehur se: “Shtetet e Bashkuara shpresojnë në këto diskutime të rëndësishme me Presidentin Vuçiç dhe kryeministrin Hoti. Ne besojmë se përparimi në çështjet ekonomike, përfshirë krijimin e vendeve të punës dhe përshpejtimin e rritjes ekonomike, është hapi i parë në përparimin e procesit të paqes” (https://www.syri.net/syri_kosova/politike-lajme/155493/takimi-kosove-serbi-me-4-shtator/). Në fillim ishte caktuar 2 shtatori për këtë takim, por shtyrja dhe konfirmimi për datën 4 shtator i takimit Hoti-Vuçiç, u bë sepse në këtë takim do të marrë pjesë edhe presidenti Trump. Interesant është fakti se Presidenti i Serbisë Vuçiç deklaroi: “Ka shumë njerëz në Serbi që teorikisht mund t’i zgjidhin lehtë problemet dhe mund të shajnë presidentin e Shteteve të Bashkuara, por shtoi se ai nuk mund ta bëjë një gjë të tillë, sepse do të rrezikonte interesat e Serbisë. Kjo, sidomos për faktin se Trump është në favor të Serbisë më shumë se disa presidentë të tjerë të SHBA-së”, tha Vuçiç (https://shqiptarja.com/lajm/bisedimet-kosoveserbi-vucic-do-te-jete-nje-nate-e-furishme-dhe-e-veshtire-ne-washington). Shtyrja për 1 muaj e ca e bisedimeve në Washington midis Serbisë dhe Kosovës, përveçse deklaratës së zyrës së Prokurorisë me seli në Hagë mesa duket ka patur edhe një shkak tjetër thelbësor – atë të përplasjes së interesave midis BE dhe SHBA, ku roli i BE sipas drejtuesve të këtij Unioni do të nënvlerësohej nëse do të mbahej takimi i 27 korrikut. Dihet se BE për të treguar interesimin e madh që ka për Kosovën pas një sërë “mosmbajtje premtimesh” ndaj këtij shteti, ka nënshkruar marrëveshje me Kosovën, ku Kosova do të përfitojë 138 milionë euro nga Bashkimi Europian, për programet IPA 2019, pjesa 2 dhe IPA 2020. Sipas informacionit të dt. 25 gusht 2020, procedurat për hyrjen në fuqi të këtyre marrëveshjeve do të nisin sa më parë që të jetë e mundur, kurse me hyrjen e tyre në fuqi, “Kosova do të përfitojë në total 138 milionë euro nga BE-ja. Këto fonde do të zbatohen të kombinuara me më shumë se 40 milionë euro fonde të tjera në formë huamarrjeje nga institucionet financiare ndërkombëtare, për projekte të mëdha infrastrukturore nga fusha e mjedisit, energjisë dhe bujqësisë, si dhe bashkëfinancim nga ana e Qeverisë së Kosovës për disa nga projektet", ka shkruar Kryeministri Hoti në Facebook (https://ëëë.syri.net/syri_kosova/politike-lajme/156286/hoti-e-jep-lajmin-kosova-do-te-perfitoje-138-milione-euro-nga-bashkimi-evropian/). Po kështu 16 korrik, kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç zhvilluan takimin e parë pas 20 muajsh të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian. Të dy udhëheqësit diskutuan për çështjen e personave të zhdukur gjatë luftës, zhvillimin ekonomik dhe me pajtimin që të vazhdojnë bisedimet me 7 shtator. Shihet qartë përplasje e heshtur midis BE dhe SHBA për Kosovën ku interesi i BE është integrimi në BE i Kosovës dhe i Serbisë sëbashku, ku BE do të jetë ndërmjetësuesi kryesor. Ndërsa interesi i SHBA është jo vetëm futja e Kosovës dhe Serbisë në BE, por largimi i Serbisë nga influenca ruse dhe gjeopolitika e saj dhe krijimi i një korridori proamerikan në Ballkan, qoftë edhe jashtë kontrollit të BE, duke patur parasysh edhe interesat ekonomike të SHBA.

Po Shqipëria? Politika e shtetit shqiptar ndaj Kosovës ka qënë deri tani në plan të dytë madje edhe të tretë duke patur parasysh, orientimet e qeverisë dhe shtetit shqiptar për t’u integruar në BE ashtu si edhe Kosova dhe duke u rezervuar në kërkesat e saj për bashkim me Kosovën në formën e një Federate Shqiptaro-Kosovare, e cila ashtu si dhe opsioni tjetër i heqjes së kufijve qoftë nëpërmjet integrimit direkt në BE qoftë nëpërmjet integrimit me “dy hapa”: atë të krijimit të një zone “Shengen ballkanik”, e cila në një etapë të dytë do të integrohej “en block” në BE.

Megjithatë pas ardhjes në pushtet të maxhorancës së majtë, e cila ka ide më të sofistikuara për afrimin me Kosovën pa shkelur rekomandimet dhe udhëzimet e BE dhe SHBA, ashtu dhe të miqve të Shqipërisë, afrimi me Kosovën është bërë më real, qoftë me turizmin, qoftë me realizimin e takimeve të përbashkëta bilaterale dhe private, heqjen e doganave, ri-rregullimin e rrugës së kombit, vendosjen e ministrave kosovarë në qeverinë e Shqipërisë. Sidoqoftë, në Kosovë pas pavarësisë së 17 Shkurtit të 2017, kanë lindur dy influenca kryesore politike, të cilat kanë mendime të ndryshme për afrimin dhe bashkimin me Shqipërinë. Njëra palë ajo proamerikane, e cila e kërkon këtë bashkim, sepse një shtet i madh shqiptar është një forcë e madhe ose faktor i rëndësishëm ekonomiko-politik në Ballkan ashtu si e do edhe SHBA, nga ana tjetër lobi i fshehtë prolindor ose më mirë pro turko-islam ose nacional-islamik, kërkon një Kosovë jashtë Shqipërisë me lidhje të mira me Turqinë, pa harruar SHBA (të paktën formalisht i detyrohen për çlirimin e vendit), kërkojnë një shtet me etni kosovare, me gjuhë të veçantë shqipe gegërishte madje edhe me flamur dhe himn tjetër. Të dyja këto grupime kanë një pikë të përbashkët përsa i përket Serbisë: njohjen nga Serbia dhe kërkesë për falje nga ana e Serbisë.

Realiteti është ashtu si e kemi shpjeguar edhe në shkrimet e tjera, se Kosova iu shkëput Shqipërisë pas Traktatit të Shën Stefanit në 2 Mars 1878, pas Kongresit të Berlinit në qershor 1878 dhe përfundimisht në Takimin e Ambasadorëve në 1913, sepse fuqitë e mëdha të asaj kohe nuk deshën një shtet shqiptar të madh mysliman, duke ua dhënë një pjesë të trojeve shqiptare shteteve të krishtera: Serbisë, Greqisë dhe Malit të Zi. Popullsia e Kosovës e ka ruajtur fizionominë shqiptare dhe shqipfolëse gjatë gjithë sundimit osman megjithë konvertimin në islamë nëpërmjet dhënies së titujve dhe gradave drejtuesve të komuniteteve shqiptare, por edhe me dërgimin në trojet shqiptare, kryesisht në fushat të bujkrobërve dhe komuniteteve të ardhur nga Anadolli, Abhazia, Siria, Egjipti, Persia, gjatë shekujve XVI-XVII, XVIII, XIX. Sidoqoftë patriotizmi dhe dëshira për të qenë të pavarur e popullit shqiptar dhe e shqiptarëve të Kosovës është shprehur vazhdimisht, me kryengritje e luftra, por edhe me pjesmarrjen e drejtuesve kosovarë në Pavarësinë e Shqipërisë dhe kërkesat e tyre për bashkim me tokën amë. Kjo i përket të kaluarës. Sot, kjo çështje e korrigjimit të fajeve të së kaluarës nga fuqitë e mëdha ka ardhur drejt zgjidhjes. Megjithatë, lënia në skalion të dytë e shtetit shqiptar kur po bëhet fjalë për një marrëveshje Kosovë-Serbi, me ndërmjetësimin e SHBA (dhe të BE, e cila është hedhur në sulm për të luajtur violinën e parë në këto bisedime, duke vënë një takim të dytë me 7 shtator Kosovë Serbi në Bruksel), kërkon nga ana e shtetit shqiptar që të ngrejë zërin dhe të kërkojë nga SHBA praninë e Shqipërisë në këtë takim si pala më e interesuar dhe më e shqetësuar për të ardhmen e vëllezërve të tyre. Do të ishte më e mira që qeveria shqiptare të kërkonte pjesëmarrjen në çdo takim midis Kosovës dhe Serbisë, si pala e interesuar krahas Kosovës në këtë çështje. Besojmë që edhe pala kosovare duhej të kishte bërë një kërkesë për pjesmarrjen e Shqipërisë në bisedime. Kjo nuk është bërë deri tani, qoftë për shkak të ngutjes, ndoshta edhe për shkak të miopisë të politikës kosovare për këtë problem. Por, i takon qeverisë shqiptare të ngrejë këtë argument, në mënyrë që edhe pala kosovare nëse do të kuptojnë rëndësinë dhe ardhmërinë e Kosovës, duhet ta ngrejë këtë problem. Kjo mendoj, duhet të jetë strategjia e politikës shqiptaro-kosovare për të ardhmen. Le të shpresojmë se dëshirat e çastit për të qenë veç e veç e për të shfrytëzuar ato copa përfitimesh që u jepen momentalisht, -të mos dalin mbi qëllimin e madh të bashkimit të trojeve shqiptare në mënyrë që të bëhemi një shtet i përbashkët, i respektuar dhe me të ardhme.