BREAKING NEWS

‘Koha nuk pret’, Jozefina Topalli prezanton “Lëvizjen për Ndryshim”: Ka vetëm dy mundësi në jetë!

‘Koha nuk pret’, Jozefina Topalli prezanton “Lëvizjen
x

Opinion / Editorial

Pranimi nga BE dhe vlerat e shqiptarëve

Pranimi nga BE dhe vlerat e shqiptarëve

(Vijon nga numri i kaluar)

Një detaj tjetër: Kushdo i huaj që ka shkuar në shtëpinë e shqiptarit, ka hasur, jo vetëm në një mikpritje shembullore e tepër bujare, por dhe në një ceremonial pritjeje, që pa frikë, mund ta quajmë të barazvlefshëm me pritjet e europianëve në sallonet mondane. Siç e dimë, në Azi e në Afrikë, ku dominon feja e “qytetërimi” islamik, siç po duan të thonë, pritjet, qerasjet, urimet, përcjelljet etj., bëhen kryesisht duke u përkulur me gjithë trup përpara tjetrit, mysafirit, apo eprorit. Shqiptari, mysliman qoftë epo katolik e ortodoks, përveç faljes në xhami, në asnjë rast tjetër nuk përshëndet e uron duke u përkulur përpara tjetrit, por duke “Ngjatjetuar” me fjalë e me dorën tek balli, ose në zemër. Në çdo shtëpi shqiptari, kur qerasin mikun me kafe, apo raki, marrin edhe vetë filxhanin e kafes e gotën e rakisë dhe shoqërojnë mikun. Dhe kjo, edhe nëse ata e kanë pirë kafen dhjetë minuta para. Kush europian e bën këtë? Dhe ky, mendojmë se nuk është zakon e veprim “arkaik”, “prapanik” apo “anakronik”, por një sjellje e kulturuar, një sjellje mondane do të thonim, që tregon kulturë dhe edukatë të lartë njerëzore e qytetare.

Dikush mendon se qytetërimi vjen vetëm nga arsimi, nga shkolla. Sigurisht arsimi, shkolla, shkenca janë levat kryesore, që e çojnë zhvillimin dhe kulturën përpara. Por nuk janë të mjaftueshme. Duhet dhe edukata familjare, e cila trashëgohet brez pas brezi. Jeta e shqiptarit në familje e fise të mëdha, ka ndikuar në transmetimin e traditës më të mirë të krijuar në shekuj, pra dhe të kulturës qytetare, gjë që ka kompensuar në një farë mase edhe mungesën e plotë të arsimit, të shkollës e të dijeve shkencore, në periudhën e mesjetës e gjer në fillim të shekullit të njëzetë.

Kanuni i Lek Dukagjinit, por dhe Kanunet e Kurbinit, të Labërisë, të Malësisë së Madhe etj., për kohën kur u shkruan e u zbatuan, ishin treguesi më i gjallë e më sinjifikativ i identitetit tonë europian. Anglezët e Robin Hudit, apo europianët e Shekullit të 14 e 15, kishin mbret e mbretëri, e megjithatë kacafyteshin me njëri-tjetrin me shtiza e hunj, të nxjerra direkt nga pylli. Ndërsa shqiptarët edhe në mungesë të plotë të shtetit, kishin rregulla të përcaktuara qartë, me të cilat rregullonin jetën dhe veprimtarinë e përditshme. Këto rregulla që u përfshinë në kanunet tona të famshme, studiohen edhe sot nga profesionistët, gjer në Japoni, jo thjeshtë për kureshtje historike, por sepse shumë prej nomeve të tyre, mund të ndihmojnë në formulimin e korpusit të ligjeve moderne të shoqërisë së sotme.

4- “T’i japim Çezarit atë që i takon Çezarit”!

Kur flitet për identitetin dhe dinjitetin e shqiptarit të Shqipërisë “londineze”, një pjesë e intelektualëve tanë, periudhën gjysmë shekullore të socializmit, e quajnë një periudhë, e cila paska dëmtuar, jo vetëm dinjitetin, por edhe identitetin e shqiptarit. Tek periudha e socializmit, që padrejtësisht e quajnë “komunizëm”, pseudointelektualët tanë “depozitojnë” të gjitha minuset që na pengojnë hyrjen në BE. Po, si qëndron e vërteta? Historia është e shkruar. Dhe kjo histori ka një të vërtetë të pamohueshme: Asnjë sistem shoqëror i gjertashëm në Shqipëri dhe, asnjë periudhë historike e dymijë viteve të fundit të ekzistencës sonë si komb, nuk ka dhënë kontribut më të madh se 45 vitet e periudhës socialiste të Enver Hoxhës, në europianizimin e popullit shqiptar. Të gjitha fushat e jetës dhe veprimtarisë shoqërore kanë patur në bosht, shikimin nga Perëndimi. Ky shikim nuk ka qenë për nostalgji, por i diktuar nga aspirata e shqiptarëve. Sistemi socialist dhe lideri i këtij sistemi E. Hoxha, vërtet e ka ushqyer popullin me një urrejtje të pakufishme kundër kancelarive europiane, sepse siç e ka dëshmuar historia, këto kancelari kanë qenë gjithnjë të tipit “Bismark” në relacion me popullin shqiptar dhe Shqipërinë. Por nga ana tjetër, në asnjë rast nuk ka ushqyer urrejtje tek të vetët për qytetarët europianë. “Enver Hoxha, - thotë Piter Prifti,-mund të pikturohej fare mirë, duke mbajtur në njërën dorë shpatën e diktaturës së proletariatit dhe në tjetrën “llambën e arsimit” perëndimor”! (Jon Halliday, “Shqiptari dinak”, faqe 20). Enver Hoxha, megjithëse rrethanat e detyruan të mbështetej politikisht, ekonomikisht e disa kohë edhe ushtarakisht nga Lindja, ai mendjen e kishte nga Perëndimi. Paçka se Perëndimi asnjëherë nuk e hapi dritën jeshile për Shqipërinë. Dritën jeshile Europa zyrtare e hapi për Shqipërinë, vetëm mbasi ne “reformuam” çdo gjë të vendit tonë gjer në shkatërrim. E këtë, lideri i socializmit shqiptar nuk e pranonte. Dhe ne besojmë se bëri mirë. Profesor Frashëri, duke debatuar me mohuesit e vlerave të socializmit, për “europianizimin” e shqiptarëve, perifrazon me të drejtë shprehjen e njohur “Jepini Çezarit atë që është e Çezarit”.

 

5- Varfëria ekonomike dhe mungesa e shtetit ligjor, dy pengesat për në BE

BE-ja mund të mos na pranojë në gjirin e saj thjesht për dy gjëra: Për varfërinë ekonomike dhe për mungesën e një shteti serioz e të konsoliduar. Por kurrsesi për mungesën e qytetërimit katolik, me të cilën qenka gatuar Europa! Këto janë dy arsyet themelore, që e pengojnë vendin tonë të bëhet anëtare e BE-së, e jo besimet e religjionet fetare. Këtu duhet të përqendrohet dhe puna e intelektualëve tanë dhe e gjithë shoqërisë. Por që kjo punë të ketë sukses, duhet të analizojmë drejt shkaqet e prapambetjes në këto dy tregues. Po mundohemi të argumentojmë shkaqet në mënyrë telegrafike.

            Për varfërinë ekonomike: Disa thonë dhe përsërisin me të madhe, se varfërinë na e la në derë sistemi socialist. Kjo është një e pavërtetë shumë e madhe. Qysh nga pushtimi romak e gjer më sot, shqiptarët kanë qenë më të varfrit e rajonit, ndonëse kishin dhe kanë pasuritë më të mëdha se çdo vend i këtij rajoni. Pushtimi romak dhe pushtimet e mëvonshme sllave e veçanërisht ai otoman, jo vetëm zhdukën çdo gjurmë zhvillimi e civilizimi të dikurshëm të vendit tonë, por morën masa që populli të mbetej plotësisht në errësirë, sa arriti puna që edhe historinë, shqiptarët e shkruan vetëm me këngë, si dikur Odiseja historinë e grekëve të lashtë. E njëjta punë ndodhi edhe në kohët moderne. Shqipëria për fatin e saj të keq, e të mirë, u ndodh në parajsën e Mesdheut (Mesi i Dheut, mesi i “sofrës” së të mirave të natyrës), por edhe në “Udhëkryqin” e rrugëve të botës. Dhe kur shtëpinë e bukur e ke në udhëkryq, të gjithë kalimtarët ta lakmojnë. Kjo ka ndodhur me shqiptarët gjatë dymijë e kusur viteve. Dhe lakmia e “udhëtarëve”, nuk është mjaftuar me këputjen e një kokrre në “pemën tonë të begatë”, por me shkuljen nga rrënjët të saj.

Në datën 29 nëntor 1944, kur fillon koha e socializmit, Shqipëria prodhonte vetëm litar kërpi, dhe objekte të artizanatit. Ndërkohë fqinjët, si p.sh. Jugosllavia prodhonte avionin. Për 45 vjet, a mund të barazoheshim ne me fqinjët? Kurrsesi, edhe sikur fqinjët të binin në gjumin dimëror të Ariut. Socializmi 45-vjeçar shqiptar, mund të kritikohet për mënyrën e shpërndarjes së pasurisë, por kurrsesi për varfërim të vendit. Viti 1990, që shënon fundin e atij sistemi, e gjeti Shqipërinë më një pasuri kapitale shumë të fuqishme, por nga që ishte “made-in socialiste”, demokratikasit tanë, së bashku me fqinjët që “na donin e na duan” shumë, e shkatërruan dhe e grabitën pa mëshirë, duke e katandisur në një vend, ku dhe gjërat më elementare duhet t’i blejë nga kopshti i komshiut.

            Akoma më keq ndodhi e po ndodh me shtetin. Dihet historikisht se shqiptari ka patur alergji për shtetin. Kjo ka ndodhur sepse në shumicën e kohës shteti ka qenë i huaj për të, ka qenë shtet i pushtuesit. Në shtetin e krijuar nga Zogu, shqiptarët morën elementët e parë të shtetformimit. Në 45 vjetët e socializmit shteti shqiptar mori formë të plotë, duke krijuar një administratë sa moderne, aq dhe efikase. Në të dy rastet, por veçanërisht për periudhën e socializmit, thuhet se shteti u ngrit e u mbajt me dhunë! Po, kush mund të thotë se ku është ngritur gjer tani një shtet, që të mbahet pa violencë, pa dhunë? Asnjeri nuk mund ta thotë, sepse kjo nuk ka ndodhur gjer tani në asnjë vend të globit.

Në fillimet e viteve nëntëdhjetë, ithtarët e “demokracisë” hodhën parullën “Shtet i dobët, individ i fortë”. Kjo gjoja për mbrojtjen e të drejtave të individit nga dhuna e shtetit. Sikur të gjithë individët të bëheshin të fortë, kjo do të ishte mrekulli. Por ndodhi që vetëm disa “kokrra” u bënë të fortë dhe këto kokrra i kërcyen në qafë shtetit, e përmbysën në tokë, duke na lënë fare pa shtet. Tri dekada me vite dhe shteti i shqiptarëve është jo thjeshtë në spital, por në reanimacion. Kur do të dalë prej andej? “Kokrrat” e individëve të fortë nuk e lënë. Përgjegjësia për këtë është e politikanëve tanë, por nuk janë pa përgjegjësi dhe zyrtarët europianë. Dakord, nuk e shihnin dot me sy shtetin socialist dhe e përmbysën. Po çfarë i dhanë shqiptarit? Kaosin? Përçarjen? Çoroditjen? Të gjitha. Mund të thuhet se “I zoti e nxjerr gomarin nga balta”. Dakord! Por edhe miku ta jep një dorë për ta nxjerrë. Aq më tepër kur ky “mik” të ka këshilluar, e të ka ndihmuar për ta hedhur gomarin në baltë…

Shteti është administrator e mbrojtës i të gjithë qytetarëve, pavarësisht nga gjatësia, aftësia e mundësia e tyre. Dhe që marrëdhëniet midis qytetarëve me diferenca në fizik, në mendje, në mundësi etj. të jenë korrekte, është e nevojshme që shteti të jetë më i fortë se çdo individ. Shteti fillon e dobësohet dhe shkon në shuarje, atëherë kur sistemi shoqëror arrin parametrat më të lartë të demokracisë dhe nuk ka asnjë rrezik që sistemi të kthehet në regres. A i kemi arritur ne parametrat e duhura të demokracisë? Jo ne, po as vetë Europa nuk i ka arritur. Shteti ligjor i europianëve ka në dispozicion të gjitha mjetet e violencës, për të “disiplinuar” kokrrat e individëve të fuqishëm. Këtë duhet të kemi edhe ne.

Në mbyllje: BE-ja nuk është përfaqësuese e identitetit europian, por një institucion politik e shtetëror, që synon të bashkojë në një organizëm të përbashkët interesat politike dhe ekonomike të shteteve, me afërsi gjeografike e zhvillime kulturore e qytetare të përafërta. Në këtë kuptim, nëse BE-ja nuk e pranon Shqipërinë apo shqiptarët, se frikohet nga “besimi mysliman”, atëherë ky bashkim bën dy gabime themelore: Paragjykon padrejtësisht një popull që, në thelb është më europian se europianët dhe së dyti, nxjerr në pah ndjenjën e hershme të nënvleftësimit gjer në injorim, të brezit të Bismarkut, për popujt dhe vendet e vegjël.

Vonesa në pranimin e vendit tonë në BE, nuk është përgjegjësi e shqiptarëve dhe identitetit të tyre, por e politikanëve dhe pushtetarëve që mbahen në pushtet me “yzmin” e vet BE. Shqiptarët e kanë formësuar identitetin europian, qysh se kontinenti i tyre ka marrë këtë emër dhe nuk e kanë ndryshuar asnjëherë, pavarësisht nga dallgët, rrebeshet dhe kryqëzatat që kanë kaluar mbi ta. Është detyrë e intelektualëve, politikanëve dhe veçanërisht e pushtetarëve, që këtë identitet europian të shqiptarëve, ta zyrtarizojnë në institucionet e Europës.