Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Premisat e reciprocitetit shqiptaro-grek

Postuar: 15/11/2017 - 07:06

Pavarësisht natyrës diskrete të ecurisë së takimit, e mirëkuptueshme kjo në kontekstin ballkanik ku fjala “tradhtar” lakohet e para, Kreta mbetet sukses. Palët u ulën “vendçe” në tryezë. Nëse ka shtet ku duhet të ndjehesh si në shtëpi, është Greqia për ne dhe Shqipëria për ta. Jemi bërë mijra vjet ndaj dhe kufiri sot, as që nuk duhet kuptuar se po e kalon. Para se të “bashkohemi” në BE, të bëhemi bashkë siç kemi qenë në mijëra vjet.

Por që kjo të ndodhë, duhet “zhbërë” 1913. Jo në kufij, se ai zventitet mes fqinjësh të mirë, por në mentalitet. Duke reflektuar të dyja palët por më së pari Greqia. Nisur nga 1821 kur ajo bëhet shtet dhe paradoksalisht i kundërvihet fqinjit mijëravjeçar verior që luftoi edhe për të dhe hoqi më shumë se çdo komb nën zgjedhën osmane në rajon. 200 vjet mëri historike që kurrsesi nuk duhet të zhbëjë mijëra vite harmoni.

Tryezat ecin ngadalë por, më mirë tryezë pas tryeze sesa sherr pafund. Palët duhet të mos diskriminojnë asnjë tematikë, sado intimiduese mund të paraqitet ajo. Asgjë nuk duhet të jetë më tabu mes nesh.

Kryefjala e tryezës

Kryefjalë në marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë gjithnjë presupozohen reciprociteti dhe tolerimi i ndërsjelltë. Kjo vlen edhe për këtë tryezë por paraprakisht dhe si garanci njëkohësisht për ecurinë e saj, mbetet plotësimi i disa premisave që janë “kusht” për vetë reciprocitetin më pas. Ato nuk janë as presion apo tolerim ndaj palës tjetër por thjesht detyrim historik dhe shprehje e vullnetit të mirë.

E para, palët duhet të ulen në tryezë të zhveshur nga komplekset e së shkuarës dhe presioni populist respektiv duke dëshmuar një sens realist empatie (apo shihi gjërat me sytë e tjetrit). Greqia ka abuzuar e ka përfituar padrejtësisht shumë këto 200 vjet. Nga zgjerimi me troje të tjetrit, përpjekja për asimilim e shuarje identiteti shqiptar atje, genocidi zervist etj. Nëse vërtet Greqia e krishterë beson në urtësinë biblike “mos i bëj tjetrit atë që nuk dëshiron të të bëjnë ty”.

E dyta, palët duhet të pranojnë faktin historik dhe logjikën që buron prej tij. Greqia duhet të pranojë pa ekuivok se kombi shqiptar në Ballkan ka paradoksalisht fqinj vetveten, se ai bëri qëndresë unike ndaj invazionit turk edhe pse fqinjët rrotull nuk i dolën krah, duke u bërë mburojë e vetme e krishtërimit për dekada me rradhë, se në Çamëri ndodhi genocid, se Shqipëria nuk e sulmoi Greqinë, se Himara është lule Labërie etj. Nëse vërtet Greqia e krishterë beson në urtësinë biblike “jepi Cezarit, çfarë i takon Cezarit” .

Greqia duhet të pranojë se nuk mund të pritet reciprocitet mes pretendimeve të paqena dhe të vërtetave historike dhe se ndonëse kufiri nuk ndryshon, shqiptarët matanë duhet të kenë shansin të ndjehen po aq shqiptarë saç ndjehen grekë minoritarët grekë në Shqipëri etj.

Këto dy premisa nuk e intimidojnë tryezën; e bëjnë realiste atë. Sa më shpejt të pranohen unilaterisht premisat e reciprocitetit, aq më efektive do të jenë dhe tryezat dhe zgjidhja që shpresojmë, që e ratifikuar në referendum popullor në të dyja anët e kufirit, do të rrënjosë fqinjësinë e duhur vëllazërore mes nesh.

E ardhmja “kalon” nga e shkuara

Reciprociteti e toleranca si frymë, vlen kur palët nuk i kanë hyrë në hise njëra-tjetrës. Nuk mund të quhet reciprocitet ndarja në mes e “plaçkës” së vjedhur me hajdutin “tolerant” që ta ka rrëmbyer më parë (njëlloj si propozimi serb për shkëmbim territoresh Mitrovicë Veriore me Luginën e Preshevës kur realisht janë të dyja troje shqiptarësh).

Aplikimi i reciprocitetit në zgjidhjen e problemit më së pari presupozon pranimin e tij. Jo si lëshim por si detyrim. Me Greqinë, përpara se të flasim për reciprocitet të drejtash minoritetesh, duhet që pala greke të pranojë e njohë minoritetet matanë. Jo si favor ndaj nesh por si detyrim ndaj ligjit ndërkombëtar. Deri dhe duke i njohur çamëve dhe arvanitasve, statusin e kombit shtet-formues sikurse shqiptarët në Maqedoni.

Greqia duhet të përballohet me atavizmat e saj, pa të diskutohet për reciprocitet. Është një qorrsokak ku është futur vetë (me kufirin të shtyrë drejt trojeve shqiptare, minoritetet u vetme janë në Greqi) dhe dalja prej tij nuk ka pse të prezantohet si “tolerancë” duke kërkuar qiqra në hell si këmbim duke filluar nga Himara, varreza vend e pa vend etj.

Po kështu, edhe anullimi i ligjit të luftës nuk ka pse prezantohet e pranohet si lëshim sepse ne ishim po aq “pushtues”, aq sa ishte dhe Greqia kur trupat gjermane hynë në Shqipëri prej saj.

Përpara se të kërkojë varreza ushtarësh, Greqia ka detyrimin historik të nxjerrë jashtë ligjit shoqatat vorio-epiriote, të heqë dorë nga varrezat në vija imagjinare, të kërkojë ndjesë për masakrën e Zervës e syrgjynimin e qindra-mijra shqiptarëve në Turqi, të lejojë ngritjen e memorialeve përkujtimore në zonat shqiptare në Greqi etj.

Përpara se të flasë për prona minoriteti, Greqia duhet të kërkojë ndjesë për pengmarrjen e pronave shqiptare në Greqi, të lejojë rikthimin tek i zoti historik, të ndryshojë kuadrin ligjor të saj që u mohon pronësinë të huajve në zona kufitare etj.

Para se të kërkojë revizionim tekstesh historie, Greqia duhet të reflektojë rreth arbitraritetit e manipulimit dyqind vjeçar ndaj historisë nga legjendat e heronjtë antik pellazg, Epiri, Aleksandri Madh, zakonet dhe traditat arbërore nga fustanella tradicionale, toponimet shqiptare, deri dhe banalitete si kos e djathë “stil grek” etj që monopolizojnë traditat në rajon etj.

Greqia duhet të reflektojë në shumë “tabu” që t’i hapet rruga reciprocitetit më pas. E ka detyrim ndaj të ardhmes por dhe borxh ndaj arvanitasve të revolucionit që dhanë gjithçka për të. Se për reciprocitet për vula apostile apo statuse qytetarësh e emigrantësh, nuk ka nevojë për Kretë.

Nga Kreta e të tjerat pas saj, pritet shansi për vëllazërinë e munguar në rajon. Dhe kjo nuk ngjizet me arsyetime “ta shtyjmë çështjen çame që të përgatisim opinionin në Greqi” etj! Është larje duarsh, si Tito me Enverin dikur kur ishte “dakord” për Kosovën por duhej pritur sa Serbia të binte dakord për të!

Sa për unisonin tonë, paradoksalisht, ndërkohë që theksojmë tapitë historike tek greku, me 7501 i zhbëmë ato. Ndërkohë që llafosim kundër ligjit të luftës, bëjmë luftë “partizane” nga 44 e marria 28 apo 29 vazhdon, ndërkohë që bërtasim për 1913, japim det si pa të keq etj. E sa për detin, PD bën mirë të ndajë mendjen me kë është. Me interesin kombëtar nuk luhet dhe nuk është punë sedre. Ndryshe, se mos i mbetet hatri Esadit, esadizmi nuk ka brirë.

Nga Artan Xh. DUKA

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 6

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 21/11/2017 - 07:26

Sigurisht që është përmendur shpesh (në këto tre dekada) herë “cleptocracy-a” e cila në fakt, është hajdutëria e pushtetit, ose qeveria e vjedhjeve, por dikush akoma më shumë, ka përmendur dhe “plutocracy-në” apo më mirë – pushteti të pasurve në sundim të shtetit!

Postuar: 21/11/2017 - 07:25

Njoftimi nga ana e repartit komando mbi dezertimin apo arratisjen e 4 ushtarëve që po trajnoheshin në një qendër stërvitore në Angli na befasoi, na çuditi dhe revoltoi së tepërm

Postuar: 21/11/2017 - 07:15

Partia Demokratike lëshoi tullumbacen e radhës.

Postuar: 19/11/2017 - 07:07

Ndër veçoritë e spikatura të diskursit politik në Shqipëri është ngjyrimi i fortë emocional.

Postuar: 19/11/2017 - 07:05

Onufri (Piktor i shekullit XV)

Postuar: 19/11/2017 - 07:00

Shqiptarët nuk çuditen më për asgjë, në këtë vend ku çudirat janë bërë të zakonshme, ku edhe më budallai thotë: unë jam më i mençuri.

Postuar: 18/11/2017 - 07:20

Shqiptarët janë shquar ndër shekuj për mirënjohjen që kanë treguar ndaj gjithë atyre personaliteteve të fushave të ndryshme, politikanë, studiues, artistë, arkeologë, etnografë,