BREAKING NEWS

Miratohet nisma e opozitës parlamentare: Hapen listat dhe ndalohen koalicionet parazgjedhore. Zbardhen emrat e deputetëve që votuan pro

Miratohet nisma e opozitës parlamentare: Hapen listat dhe ndalohen
x

Opinion / Editorial

Premtim surprizë, gjithë maturantët në universitet, secili për qejf të vet!

Premtim surprizë, gjithë maturantët në universitet, secili

Të rinjtë shqiptarë, kanë gjithë të drejtën të arsimohen. Të vijojnë shkollat e larta. Të diplomohen. Të vazhdojnë specializimet, atje ku kanë prioritet,objektivat e veta dhe mundësitë për punësim. Në këto tri dekada post pluralizmit politik, numri i të rinjve që kanë mbaruar shkollat e larta, është pafund. Nuk janë të paktë ata që kanë nga tre e katër diploma në xhep. Kanë ndjekur, jo pak prej tyre, studimet në universitete fantazëm të palicensuara. Në përfundim, kanë mbetur të patitulluar pasi universiteti ka rezultuar i palicensuar ose kanë fituar një karton pa vlerë. Dihet se cilësia në shumicën e universiteteve të vendit lë për të dëshiruar. Fakti që shumë prej studentëve mbeten pa punë dhe gjenden përball hezitimit për t`iu ofruar një vend pune, flet për mangësi në kualifikimin e tyre shkencor dhe aftësinë për të përballur një mision të vështirë, siç është i zbatimi në jetë i atyre që kanë përvetësuar në vitet e gjatë të studimeve. Nuk është fjala për të errësuar përpjekjet e të rinjve shqiptarë për dije e kulturë, për t`u specializuar dhe përfituar përvojë të domosdoshme për të konkurruar në sektorë të ndryshëm të ekonomisë, administratën shtetërore apo në kompani private. Këtu nuk përjashtohet edhe subjektivizmi në përzgjedhje sipas bindjeve dhe jo aftësive individuale në punësim. Në jo pak raste të aftët lihen pas liste dhe në vend të parë vihen ata që kanë bindje politike,tesër partie apo forumi rinor. Mes të shkolluarve në shkollat tona nuk mund të vihet shenja e barazimit dhe as të futen të gjithë në një thes, si mall skarco. Nuk janë të paktë studentët që kanë shkëlqyer, jo vetëm në Shqipëri, po edhe në vende të tjera, ku janë dalluar për devocion, përkushtim, intelekt, vullnet, këmbëngulje, kompetencë për t`u kualifikuar. Shumë prej të rinjve shqiptarë, kanë arritur rezultate të larta krahasuar me studentët në universitetet më prestigjoze të botës, duke nisur nga Harvardi, Kembrixhi, Oksfordi, në pesë kontinentet, ku gjenden studentët tanë. Ata janë ngjitur në piedestal dhe kanë fituar tituj e grada shkencore, kanë marrë medalje si studentë të shkëlqyer, kanë ngritur flamurin e shtetit ku studiojnë. Kjo pjesë elitare, është kurora e lavdisë së talenteve shqiptare, arritur me mund e djersë, orë pa gjumë, vullnet të hekurt, përgjegjshmëri ekstreme. Është puna, ajo që i ka ngjitur këta studentë në këto maja. Pa asnjë mbështetje, influenca, miqësi apo ndërhyrje politike. Atje ku hyn politika dhe mbisundon e komandon logjika se studentët duhen, llogariten baras me vota, shkenca ka marrë fund, profesionet janë deformuar, ardhmëria ka vdekur. Produkti është barazuar me zero. I riu ose e reja, vetëm sa ka kaluar një uikend të gjatë, është relaksuar në kryeqytet apo qytetet e tjera. Dy vite më parë, studentët shqiptarë me protestat e tyre dhe pse brenda skenarit kishte zënë vend politika dhe subjektivizmi, i dhanë një leksion ekstra shtetit shqiptar. Ishte lëvizje paqësore, ndryshe nga ato të dhunshmet në krye të të cilave janë partitë politike të Shqipërisë. Megjithatë edhe protestës së studentëve i mungoi tërësisht përpjekja dhe kërkesa për rritjen e cilësisë në arsim. Përsosjen e programeve, lidhjen e tyre me jetën e përditshme, nevojat e ekonomia tonë kombëtare. Jo më kot, në vendin tonë, të punësuarit në profesione, si kamarier, bodyguard, kuzhinierë, agjentë sigurimesh, parukierë,etj., kanë në xhep diplomë të studimeve të larta, juristë, shkenca sociale, gjuhë të huaja, arkitektë. Cilësia e dobët në krye të katër viteve studime, është për t`u shqetësuar. Ka shumë anekdota për këtë kategori. Një i ri në një nga universitetet e vendit, ndiqte studimet për gjuhën angleze, po në fund të katër viteve nuk fliste fare anglisht. Në një nga shkollat e qytetit tonë, mësuesi i matematikës kur shkruante një thyesë, në vend të vizës, vendoste fjalën përmbi, dmth, shtatë, vizë tetë, shkruante, shtatë përmbi tetë dhe eliminonte fare vizën, e cila është shenja e raportit thyesor duke e zëvendësuar me fjalë. Po xhevahiret e jo pak prej atyre që mbarojnë studimet, janë pa fund. Shoqëria jonë vuan për specialistë të mirëfilltë, pa kualifikimet e nevojshme. Jo pak studentë nuk mbajnë fare libra. Shkojnë në auditore me duar në xhepa, pa laps dhe letër. Homologët e tyre në universitetet e vendeve të zhvilluara, kalojnë në vrimë të gjilpërës. As prindërit e tyre nuk ndërhyjnë. Politika qëndron larg arsimit. Shembujt janë me mijëra. Një studente e Oksfordit, pasi përfundoi shkollën e mesme të përgjithshme “Hasan Tahsini” në Sarandë pas përpjekjeve titanike, përfundoi shkëlqyeshëm studimet trevjeçare për financa. Për rezultate të larta, masterin e kreu në Kembrixh. Në përfundim, universiteti i dha të drejtën për të vijuar doktoraturën, duke i paguar shkollimin dhe banesën në të cilën do të jetojë. Kur vinte në pushimet verore në qytet, më shumë i peshonin librat në çantën e shpinës se vetë ajo. Shembuj të tillë, secili mund të sjellë për studentët tanë në të gjitha universitetet e botës. Ashtu siç mund të përmendin edhe studentë në vendin tonë që punojnë ditë e natë për të arritur përvetësimin e dijeve për t`u aftësuar e shërbyer kudo që u krijohet mundësia pasi janë të aftë dhe të ditur. Po fatkeqësisht në këto tri dekada në shkollimin e të rinjve shqiptarë, politika ka zgjatur duart rëndshëm, duke ndërhyrë në universitete për të diktuar notën, diplomimin, specializimet, emërimet, zgjedhjet. Detyra e politikanëve tanë është t`i përgatitin studentët shqiptarë për të studiuar me pasion e këmbëngulje, vullnet e objektiva të mirëpërcaktuara. Është vrasje e jetës, dijes, vdekje e profesionalistëve kur dikton politika, si në hapjen e universiteteve të reja edhe në lehtësimin e marrjes së diplomave, të cilat në shumë raste janë kartona me ngjyra, pa peshë, pa perspektivë që nuk u hapet asnjë portë për të dhënë dijet dhe përvojën në zhvillimin e shoqërisë. Politika mbi të gjitha edhe në shkollimin e fëmijëve tanë. Kthimi i auditorëve në salla ku bëhet politika e partisë, ku liderëve të politikës u duket se janë në selitë e partive. Është një e keqe nga e cila kemi vuajtur në tërë këto vite të tranzicionit të zgjatur shqiptar. Kështu kanë vepruar në tërësi liderët tanë politikë, të cilët i kanë konvertuar auditoret në salla të konferencave partiake. Këto ditë pas provimit të Letërsisë, një lëvizje spontane e maturantëve në rrugë, ulur drejt në asfalt me pretendimin se testi ishte i ngatërruar dhe ata kanë dalë dobët në letërsi, flet pikërisht për mos thellimin në studime dhe parjen e shkollës si vendi ku mund të relaksohen. Familjet shqiptare, bëjnë përpjekje të mëdha që fëmijët e tyre të arrijnë të përvetësojnë dijet. Po politika shumë herë këto pagesa ekstra nga portofolat e varfër të familjeve shqiptare i bëjnë hi, i djegin dhe i flakin në koshin e mbetjeve. Kështu edhe me studentët të cilët janë parë si ushtri votash. Ndaj tyre bëhen përpjekjet për të krijuar iluzionin se me ta në krye të shtetit do ta kenë shkollimin garant. Lideri i PD-së, Lulzim Basha në takimet me maturantët, pretendentë për vijimin e shkollës së lartë, në Berat, u premtoi se, me të kryeministër do ta kenë fare të lehtë shkollimin. Opinioni ynë qytetar skandalizohet kur dëgjon pretendentin për kryeministër të inkurajojë studentët që ta shohin universitetin si vend pushimi. Mesazhi i tij duhet t`i nxis studentët të studiojnë, të punojnë seriozisht për t`ia mbërritur. Po Basha sillet me maturantët si me fermerët, biznesmenët, barinjtë, këpucëbërësit, rrobaqepësit, shitësit e domateve, agjentët turistikë, duke u premtuar qiejt dhe siguruar se me atë kryeministër nuk ka nevojë për asgjë. Shkollimin do ta kenë garant. Diplomimin pa probleme. Punën të garantuar. Nuk kanë vojë për libra. Studime. Punë, duke u gdhirë mbi libra. Mjafton që Basha të jetë krye të qeverisë dhe do dalin të superfituar. Të gjithë maturantët në universitet. Të gjithë, jo për të hapur librat, për të studiuar e kulturuar, po për qejf. Të tjerat i di Lulzim Basha vetë!