Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Premtimet e politikanëve dhe mburrjet e gjahtarëve pas gjahut...!

Postuar: 15/11/2019 - 07:11

...Nuk kanë asnjë ndryshim bile muhabetet e gjahtarëve pas gjahut sikur plagosin arinj, ujq, çakej e derra me shumicë, janë më të besueshëm pavarësisht që kafshët e egra, askush nuk mund t'i kontrollojë. Pavarësisht që gjahtarëve ua ndalon monitorimi të gjuajnë në pyll, nuk do të thotë që ata nuk vazhdojnë të mburren e të premtojnë që herën tjetër do të trefishojnë vrasjen e derrave. Por, në "mexhlis" nuk llafosin shumë sepse rruhen nga ndonjë "bilbilfryrës" dhe i hap telashe. Nuk është vështirë që kompetentët e shtetit të kapin ata që shkelin monitorimin sepse edhe rrugës të kalosh do të dëgjohen krismat e çifteve. Por problemi, nuk është këtu. Problemi është që llafet "pësh pësh" dëgjohen shumë herë më larg nga krismat e çifteve dhe këtë gjahtarët e dinë prandaj edhe rruhen nga "bilbilfryrësat"! Megjithatë, mburrjet dhe premtimet e politikanëve ja kanë kaluar shumë herë gjahtarëve, jo vetëm para dhe pas votimeve, por gjatë tërë mandatit. Kemi vite që dëgjojmë do të bëjmë "Shqipërinë që duam", por çdo ditë e më tepër shohim dhe dëgjojmë gjithçka që Shqipërisë nuk ja duam. Shqipëria, ka një "Zot", ka një "Kumbar" që administron pasuritë e saj, që u vjen në ndihmë qytetarëve të saj, pra ka një shtet. Por as ky shtet, nuk është ai që duam. Nuk kërkoj "qiqra ne hell" jo, sepse jam shumë realist që edhe tre pjestarë të të njëjtës familje nuk janë në të njëjtën mendje dhe secili prej tyre, vetëm kërkon dhe ankohet! Nuk e kam fjalën më tepër tek mangësitë e shumta për mënyrën se si funksionon shteti, sesa tek premtimet e krerëve të shtetit apo edhe politikanëve të veçantë për të ndërtuar ura edhe atje ku nuk ka lumë! Kur them që ky nuk është shteti që duam, kam njëmijë e një arsye të them jo vetëm unë, por çdo qytetar që vuan mbi kurriz pasojat e tij. Jo gjysma e të keqes, por nuk do të ishte fare fajtor shteti nëqoftëse pavarësisht mangësive, disa më kryesoret do t'i shihte me përparësi. Duke mos qenë shteti që duam, nuk ka se si të jetë kjo administratë që kemi, ajo që duam. Nuk dua të them se me çfarë është mbushur administrata, ku disa punonjës apo punonjëse që punësohen për "mbijetesë" punojnë me ndershmëri dhe disa drejtorë e shefa që marrin pesëfishin e pagave të punonjëseve të thjeshta "tundin derën" gjithë ditën dhe më keq akoma nuk paraqiten fare në punë sepse kanë "ngrohtësinë" e shtetarëve. Nga kjo anë, nuk dua të hyj në brendësi sepse nuk kam kohë dhe dua të zgjidh një hall. Një miku im më thotë që meqë jam në Tiranë, kërkonte një numër matrikulli për djalin e tij që ishte diplomuar në një nga universitet private ku kishte bërë edhe masterin. Duke menduar që tani kemi të bëjmë me një "administratë që duam" shkoj drejt e tek Ministria e Arsimit. "Jeni gabim", më thonë, do të shkoni tek "qëndra e shërbimit arsimor" diku afër Ministrisë së Jashtme. Sapo hyj në ambientet e saj, më del përpara një tabelë e madhe "Shqipëria që duam". Me siguri, thashë që edhe administrata, do të jetë ajo që duam. "Bëj një kërkesë", më thonë. E bëra kërkesën dhe prita disa ditë. Shkova përsëri. "Do të bëni një tjetër kërkesë" më thonë. Shumë i bindur, bëra një kërkesë tjetër duke pritur edhe përgjigjen por.... Shkova përsëri, dhe këtë radhë më adresuan tek Universiteti Europian. Nga Universiteti Europian më adresojnë tek gjimnazi Qemal Stafa tek Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë!

Përfundoi edhe java e tretë dhe filloi java e katërt e muajit të mesëm të vjeshtës. Ende pa shkuar atje më marrin në telefon nga QSHA-ja, Qëndra e Shërbimit Arsimor. “Më në fund po zgjidhet” thashë me vete dhe ngre telefonin. "Do të shkoni tek Ministria e Arsimit, më thonë. Atje do t'ju adresojnë ku do të shkoni". Mora rrugën për në Ministrinë e Arsimit, duke menduar që këta administratorë, nuk kanë ndërmend të më zgjidhin hallin që më ka zënë, por kërkojnë nga unë që të vërtetoj nëse është Toka e rrumbullakët apo jo! Frymën e mbaj tek ministria. Mbasi më dëgjoi punonjësja më thotë: "Dëgjo Zotëri, do të shkoni tek Arkivi Qendror, atje do të pajiseni me një formular dhe do ta plotësoni. Më duket se po ja arrij qëllimit thashë me vete, sepse tek Arkivi Qendror duket se mbyllet cikli i plotë"! Gjatë rrugës për në Arkiv, mendova të shkoj njëherë tek gjimnazi Qemal Stafa, ku më adresoi punonjësja e Universitetit Europian dhe me këtë rast, bëj edhe një pushim...Të them të drejtën punonjëset atje, jo vetëm që ishin kompetente, por edhe kishin një mënyrë komunikimi të admirueshme. Do të kenë ardhur këtu vetëm në sajë të aftësive të tyre, mendova, sepse po të ishin si shoqet e tyre të shumta të ardhura me urdhër nga lart, do të ma kishin mbyllur derën... "Sa të shkoni juve të paguani një 2000 lekëshe të vjetër tek Banka Kombëtare e Tiranës, ne, e kemi përfunduar punën", më thotë punonjësja. Kisha lënë një punë përgjysmë dhe frymën e mbajta tek banka, rreth treqind metra më larg. Kisha dëgjuar kryeministrin nja dy ditë më parë që tha: "Sot, vetëm njëzet minuta duhet që ambulanca të vijë në vendin e ngjarjes". "Domosdo, thashë me vete, kur bëhet fjalë për jetët njerëzore, kurse për të paguar një dy mijë lekëshe në bankë them që për një orë mbaroj"! Hyj në bankë dhe si kudo, polic privat në hyrje, polic privat brenda. Në çdo pavijon në spital, policë, në çdo hyrje Banke grumbuj policë që rrinë me gishtin në këmbëz! Polici më bën me shenjë me anën e shkopit.."Nuk jam element i dyshimtë", i thashë. "Jo, jo, u thashë të qëndroni atje në fund”! Sa të ha ndonjë shkop, thashë, po bindem dhe qëndroj në fund të radhës duke pyetur kush ishte i fundit. Një punonjëse ma bën me shenjë që të shkoj pranë saj. "Uluni këtu, më thotë dhe më thuaj si e keni hallin"! "Do të paguaj një dy mijë lekëshe për Ministrinë e Arsimit", i them. "Atëherë të fillojmë procedurat. Më jepni një dokument identifikimi”. Unë nuk e mbaj me vete i them dhe do të shkoj ta marr. Ata që nuk kanë kokë, kanë këmbë, si puna ime.! Shkoj dhe e marr në shtëpi duke marrë edhe drekën me vete sepse, ku i dihet, kush e di se kur më vinte radha të mbaroja punë, të paguaja një dy mijë lekëshe. Paraqitem pranë punonjëses dhe tani si i njohur u ula në karrigen përballë saj. “Duhet të regjistroheni më parë”, më thotë! Dakord, i them, si janë procedurat? "Do të paguani edhe pesë mijë lekë, komision”, më thotë. "Po pse? Unë vetëm dy mijë lekë do të paguaj, kjo dy mijë lekëshe paska trefish komision? -"Po, po kështu janë procedurat"! Mu kujtua skena e para tre viteve, kur pagova paratë e gruas për të plotësuar vitet e punës dhe mbi dyqind mijë lekët e vjetra, pagova edhe dhjetë mijë lekë të tjera. "Po pse", i them. “Janë për komisionin”. Pak më tutje tre gra në një tavolinë, hanin kumbulla të freskëta që sapo kishin dalë, ishte muaji maj. "Mos janë ato gra Komisioni që shfrytëzojnë kohën e pushimit duke ngrënë kumbulla i them. “Zotëri, kështu janë procedurat”! Një klient aty pranë që e dëgjoi bisedën më thotë: "Nuk paskeni vuajtur byrazer, pa më pyet mua që kisha ca para në bankë dhe i kanë nxjerrë e i kanë futur disa herë për të marrë komisionin dhe mua më thoshin që vetë ti i ke marrë! Paska edhe më keq, thashë. Nuk kisha ç'të bëja tjetër dhe unë firmos e punonjësja vulos jo një e dy, por disa karta. Mbasi i mbledh të gjitha i them. "Paskeni të drejtë zonjë, me pesëmijë lek komision për të paguar dymijë lekë. Duhej që komisioni të ishte pesëdhjetëmijë lekë sepse kaq shkon kostoja e tërë këtyre kartave, që bëhet një vandak. Nën vështrimin e "vëngër" të saj, largohem për të mos më zënë të tjerët radhën e re, mbasi radha e parë kishte kaluar. Desha sikur të shkoja prapa atij që kisha radhën para dy orëve, por polici, ngriti shkopin dhe unë u binda menjëherë duke shkuar në fund. Doja sikur të haja drekë, por nuk shihja njeri që kryente këtë aktivitet. U mbushën plot gjashtë orë që unë qëndroja brenda ambienteve të bankës duke "mallkuar" dymijë lekëshin që mbaja në dorë dhe pesëmijë lekëshin në dorën tjetër. Më në fund, çasti i shumëpritur erdhi dhe unë mora frymë lirisht duke u paraqitur pranë sportelit. I lashë përpara punonjëses shtatëmijë lekë dhe prisja përgjigjen. “Ku e keni numrin e kartës së identitetit të personit”, më thotë punonjësja e re. E keni në fotokopjen e saj, i them. "Jo, jo ka edhe një tjetër numër ajo", më thotë. Nuk ka rrugë tjetër? “Jo, më thotë, sepse shkon kontrolli në Thesar, dhe e quajnë shkelje e më pas ne, ku të futemi”? -Po mirë a nuk e keni kartën e identitetit përpara? -Po sikur të dali edhe ndonjë tjetër me emër të njëjtë? Hajde shtet hajde, them me vete, me këto procedura dhe kërkesa të rrepta, me siguri edhe mizave duhet t'ja kenë marrë shenjat dhe ngjyrën e krahëve e jo më njerëzve. Po, mos o Zot, sikur kontrolli të gjejë këtë dymijë lekëshe në thesar pa numrin e kartës së identitetit? Nuk janë pak, janë 200 miliardë lekë! Këto janë rregulla dhe këtu ka të tilla kërkesa që nuk ke nga ja mban. -Ta marr në telefon i them. Largohem për të marrë në telefon dhe tjetri sipas radhës zuri vendin tim. Lavdi Zotit që polici privat u ndërrua dhe erdhi një tjetër më i moshuar, por edhe më human dukej. Ai, u njoh me hallin e dymijë lekëshit tim dhe ju lut një klienti që të vazhdoja para tij që edhe ai u tregua i arsyeshëm, për të mos më zënë nata. Dielli tashmë kishte perënduar dhe unë u largova duke mbaruar punë, në vend të shtatëmijë lekëve, tani mbaja në dore qesen me bukën e drekës. Ecja dhe mendoja. Ja edhe administratën e arsimit që nuk e kisha provuar e provova. U njoha edhe me procedurat e bankave. Lum si ne, e lum si ti, Shqipëri që s'njeh pleqëri, s'njeh mërzi, por vetëm entuziazëm dhe rini. Këto ikën, thashë, por të shoh tek cila administratë do të degdisem herën tjetër....

Nga Pandeli Bardhi

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 08/12/2019 - 07:54

Pas leximit të librit “Blloku” njerëz të fushës së letrave, mes të tjerave vunë në dukje sidomos faktin që libri lexohej me interes ngaqë ishte i shkruar mjaft bukur, pra të jepte një shije të mirë leximi.

Postuar: 08/12/2019 - 07:50

Në këto tri dekada që pas përmbysjes së sistemit komunist, për herë të parë ndodh një rokadë norm

Postuar: 08/12/2019 - 07:48

Tërmeti i 26 nëntorit krijoi jo pak viktima, trauma që zor se kanë për t’u harruar, por gji

Postuar: 07/12/2019 - 07:15

Është praktika më normale që një kryeministër dhe çdo qeveritar të takohet me qytetarët nga më i

Postuar: 07/12/2019 - 07:14

Kaluam një tragjedi të madhe, me humbje jetësh e materialesh, që nuk përshkruhen dhe as nuk harro

Postuar: 07/12/2019 - 07:12

Sipas vlerësimit nga shkencëtarët, në botë për çdo ditë ndodhin mijëra tërmete të intensiteteve t

Postuar: 07/12/2019 - 07:08

Vazhdon të rezultojë si një pyetje e rëndësishme ajo që tundon të gjithë: A mund të riparojnë dëm