BREAKING NEWS

‘Koha nuk pret’, Jozefina Topalli prezanton “Lëvizjen për Ndryshim”: Ka vetëm dy mundësi në jetë!

‘Koha nuk pret’, Jozefina Topalli prezanton “Lëvizjen
x

Opinion / Editorial

Premtimi utopik i Bashës për rroga 1 milionëshe

Premtimi utopik i Bashës për rroga 1 milionëshe

Basha ka premtuar se rrogat për shëndetësinë do jenë 1 milion lekë dhe ka theksuar se kjo bën pjesë në prioritetet e PD-së për krijimin e shtresës së mesme! Ky është një truk i pastër elektoral me një efekt trullosës për një elektorat me nivel inteligjence nën mesataren. Sepse populli thotë “Shtriji këmbët sa ke jorganin”, dhe mos fol për hava. Jo në pak raste në situata të ngjashme kur është pyetur nga gazetarët se nga do dalin këto lekë, Basha është përgjigjur se “do kufizojmë korrupsionin, do jua marrim oligarkëve, do zhdukim monopolet etj.”. Pra ka folur për konfiskime dhe rishpërndarje të pasurisë. Indirekt, në mënyrë të njëanshme aludon se oligarkët janë vetëm në mazhorancë dhe opozita është e pastër. Por tekefundit rritja e rrogave është diçka në proces që ka të bëj me atraktivitetin e ekonomisë, me zhvillimin e sektorëve kyç, si bujqësia, turizmi, industria nxjerrëse-përpunuese, me rritjen e vëllimit të shkëmbimeve tregtare të mallrave, me uljen drastike të borxhit të brendshëm dhe e gjitha kjo do kohën e vetë dhe nuk bëhet apriori me urdhëra dhe dekrete. Kësisoj edhe me krijimin e shtresës së mesme. Nuk është vetëm sasia e të ardhurave (mbi një milion të vjetra) që përcakton ekzistencën, statusin e kësaj kategorie shoqërore. Kjo së pari meriton një këndvështrim historik. Shtresa e mesme më herët ka qenë aliazhi, amortizatori, lubrifikanti midis asaj të lartë dhe të ulët; garante e ruajtjes së kushtetutshmërisë, e lirive themelore njerëzore duke aplikuar të drejtën e votës, të protestës dhe “revolucioneve” në rastet më ekstreme që kanë riformatuar vetë sistemin shoqëror. Karakteristikë e saj ka qenë vetëdija, prirjet idealiste, solidariteti, një rend pa shfrytëzues dhe të shfrytëzuar, ku hierarkia krijohet si raport vlerash dhe jo trashëgimie; teza këto të revolucionit borgjez francez. Në këtë shtresë një masë të konsiderueshme nga pikëpamja numerike zinte inteligjenca e mirëfilltë, njerëz që i dhanë hov ekspansionit të kapitalit dhe revolucionit teknologjik, përfaqësues të sindikatave dhe organizatave të ndryshme civile me një spektër shumë të gjerë dhe demokratik për kohën. Por sot fatkeqësisht kjo shtresë pothuaj nuk ekziston ose ka mbetur një relike e së shkuarës. Vendin e saj e ka zënë injoranca, mediokriteti, mungesa e meritokracisë, një frymë e përgjithshme shthurjeje dhe individualizmi vrasës, ku qëllimi justifikon mjetin. Ishte e vetmja mënyrë që kapitalizmi i shndërruar në autarki të mos lejonte humbjen e privilegjeve, të ruante statuskuo-në, të ndalte dhe ndryshonte rrjedhën e historisë. Dhe shpikja e globalizmit është “thembra e Akilit”. Pra, për të mos u zgjatur me teorizime, si mund të premtosh të krijosh shtresën e mesme në një vend me demokraci jofunksionale si i yni, ku akoma diskutojmë mbajtjen e një palë zgjedhjeve të drejta e të ndershme në prani të arbitrit ndërkombëtar; me një ekonomi të brishtë ku me gjithë masat e marra vitet e fundit informaliteti dhe invazioni fiskal mbetet prapë i lartë, me emigracion masiv të të rinjve dhe trurit për shkak të pamundësisë të krijimit të një jete në kufijtë e normales europiane! Si fillim duhet të ndryshojmë mendësinë, të analizojmë të shkuarën dhe të tashmen, të ndërtojmë një strategji, një program realist bazuar në mundësitë dhe kapacitetet dhe jo në të thatë, si një “shoë” televiziv për ca vota më shumë në përballjen elektorale të radhës.