BREAKING NEWS

Ilir Demalia zbardh kulisat: Ju tregoj kurthin që Edi Rama po i ngre ‘Rithemelimit’, arsyet e vërteta të distancimit të grupit të Bardhit nga Lulzim Basha, panikun që ka shpërthyer brenda tyre dhe lajmet e hidhura që e presin Sali Berishën

Ilir Demalia zbardh kulisat: Ju tregoj kurthin që Edi Rama po i ngre
x
BREAKING NEWS

Idajet Beqiri: Kanë mbaruar hetimet për dosjen ‘CEZ-DIA’, përveç Metës, Berishës dhe Shkëlzenit rrezikon prangat një juriste amerikane, ish-presidenti po përgatitet për ditët e zeza në SPAK, ja strategjia që po ndjek për të shpëtuar nga arresti me burg...

Idajet Beqiri: Kanë mbaruar hetimet për dosjen ‘CEZ-DIA’,
x
BREAKING NEWS

Rama-Meta-Berisha ulen bashkë në tryezën e pazarit për të monitoruar SPAK dhe përmbysur reformën në drejtësi, ja pse është alarmuar “Treknëdëshi i Bermudës”

Rama-Meta-Berisha ulen bashkë në tryezën e pazarit për
x
BREAKING NEWS

Gati të fundoset grupi organizator i biznesit të armëve në Gërdec, prokurorët pritet të marrin në duar faktet nga Drejtësia Amerikane, nisen letër-porositë në SHBA, informacione do të merren edhe për Patrick Henryn, ja lidhja e tij me Delijorgjin dhe S...

Gati të fundoset grupi organizator i biznesit të armëve në
x
BREAKING NEWS

Daut Gumeni: Ja pse socialistët dhe Gentiana Sula bllokuan hapjen e dosjes së spiunit të Ilir Metajt, presim që ‘shiringa me ujë deti’ që u injektoi zyrtari i lartë i DASH prokurorëve të SPAK të sjellë arrestimin e ‘peshave të rënda’

Daut Gumeni: Ja pse socialistët dhe Gentiana Sula bllokuan hapjen e dosjes
x
BREAKING NEWS

Plas skandali, Kuvendi i Shqipërisë vihet nën akuzë për votimin pa kuorum të ligjit për Investimet Strategjike, ja si u shkallmua Kushtetuta nga mazhoranca, zbardhet mashtrimi

Plas skandali, Kuvendi i Shqipërisë vihet nën akuzë për
x
BREAKING NEWS

Pasuria e dyshimtë e “sheikut” të Kuvendit Laert Duraj që sfidon “ujqërit” e vjetër në politikë, banesë 200 mijë euro, 11 llogari bankare, fitime marramendëse nga qeratë, 180 mijë euro shitje pasurish, si i ka justifikuar milionat nga puna si emigrant,...

Pasuria e dyshimtë e “sheikut” të Kuvendit Laert Duraj
x
BREAKING NEWS

Ja pazaret e PS dhe Rithemelimit, si po mbrojnë korrupsionin e Klodian Allajbeut dhe Vilma Nushit, vjedhjet me “Hemodializën”, “Check Up”-in, “Laboratorët” dhe “Sterilizimin” janë të faktuara, priten arrestimet nga SPAK

Ja pazaret e PS dhe Rithemelimit, si po mbrojnë korrupsionin e Klodian
x

Opinion / Editorial

Presidenti ynë, sa i vonuar për t’u bindur!

Presidenti ynë, sa i vonuar për t’u bindur!

Për dekretimin e Helidon Bendos kryetar të SHISH-it, Presidentit Ilir Meta iu desh plot një vit të krijonte bindjen se kandidatura e tij është e përshtatshme dhe i ka kualitetet dhe garancitë për të qenë në krye të institucionit të inteligjencës. Biografia profesionale, intelektuale dhe veprimtaria e tij gjatë 21 vjetëve nis me punën si specialist i thjeshtë pas përfundimit të Fakultetit të Matematikës në vitin 1993 dhe vijon me funksione graduale deri në zëvendës kryetar i këtij institucioni të rëndësisë së veçantë. Një funksion i tillë edhe në vendet e tjera shumë më të zhvilluara e me tradita të spikatura demokratike, kalon përmes filtrave të posaçëm dhe verifikimeve shteruese, duke vendosur në lupë jo vetëm aftësitë, besnikërinë, inteligjencën, figurën, po së pari garancitë që jep për një post kaq delikat. Kjo më shumë për rastet kur kandidatura vjen nga sektorë që nuk ka lidhje me një funksion të tillë. Ndryshe është kur kemi të bëjmë me një individ që është rritur e formuar në këtë shtëpi, e njeh atë së brendshmi deri në poret më të imta dhe ka një përvojë që është lehtësisht e verifikueshme. Bendo ka qenë i skanuar, pasi ai nuk u emërua në një ditë. Edhe pas disa investigimeve formale, aq më shumë pas njohjes së rezultateve në punë që për Presidentin dhe Kryeministrin është fare e lehtë për të mësuar se cili është personi i propozuar. Mjaftojnë vetëm disa ditë, e shumta një muaj, që radiografinë ta kesh të plotë mbi tavolinë kur je Presidenti i vendit. Natyrisht kur e ke me gjithë mend dhe nuk ke ndonjë hall tjetër aq më pak nuk nisesh nga qëndrime subjektive apo përpjekje për të krijuar bindje në koshiencën tënde si dekretues e miratues të një posti të tillë kaq të rëndësishëm. Ajo që ndodhi me Bendon nuk është punë e tij. Aq më pak faji i tij. Nga dita e propozimit kanë kaluar kaq kohë dhe kjo është një histori që e njohim të gjithë. Pothuaj është harruar refuzimi i Presidentit nga koha e propozimit të Kryeministrit, i cili e ka të drejtë dhe detyrim kushtetues të propozojë kandidaturën që gjykon se mund ta kryejë më me efektivitet dhe kompetencë një detyrë kaq të rëndësishme. Detyrë që nuk është vetëm me rrezatim kombëtar, po edhe ndërkombëtar për vetë interferencat dhe lidhjet që ka ky institucion me homologët në lëmin e shkëmbimit të informacioneve të rezervuara dhe top sekret. Shtet pa sekrete nuk ka. Sisteme politike pa organet e inteligjencës janë të detyruara të bien pre e veprimeve agjenturore dhe akteve terroriste. Dhe shtetet e zhvilluara dihet se kanë një vlerësim të jashtëzakonshëm për forcimin e e institucioneve të tilla që janë garant të paprekshmërisë nga aktet që cënojnë sigurinë kombëtare. Po kështu fondet që përdoren për forcimin e tyre janë nga më të lartat pasi siguria qëndron mbi gjithçka. Pa to nuk ka as zhvillim, as liri, as përparim. Dhe për të forcuar e ngritur këto institucione kërkohet që në krye të tyre të vendosen individë me integritet të spikatur, atdhetarë, të specializuar, të ndershëm, të pakorruptuar. Shkurt, individë elitë, me tërë kualitetet kulturore dhe shoqërore. Praktikat e emërimit të kryesuesve të CIAS që është edhe modeli më i përkryer i funksionimit të këtyre institucioneve kalojnë nëpër një kalvar të gjatë dhe filtrave të shumtë deri sa të arrihet në figurën më të pranueshme, jo vetëm për forcën politike që drejton, po për tërë spektrin politik, pasi ai është garanti për vetë shtetin.

Nuk dimë së paku në këtë shekull që shtetet më demokratike të kenë mbetur një vit pa kryesues të institucionit të inteligjencës. Vetëm në Shqipëri u eksperimentua një mungesë e tillë. Për hir të së vërtetës, zoti Bendo u propozua sapo Ajazi u largua me dorëheqje. Asnjë minutë nuk u prit. Dhe kjo ishte e domosdoshme. SHISH nuk mund të priste pa fund deri sa Presidenti të krijonin bindjen për kryetarin e ri. Deri sa Presidenti të bindej. Për ne qytetarët, veç respektit për institucionet e sigurisë asgjë tjetër nuk dimë dhe nuk ka përse të pyesim për punën dhe aktivitetin e tyre. Ato janë organe që shërbejnë në interes të atdheut si gjymtyrë integrale të funksionimit të shtetit. Kaq na mjafton. Po Presidenti dhe Kryeministri e kanë detyrë të mos krijojnë boshllëk me miratimin e dekretimin e kryesuesit të radhës, duke humbur nëpër tunelin pa fund të verifikimit dhe krijimit të bindjes se është personi i duhur apo jo. Presidenti e ka për detyrë të qëndrojë me ditë e net pa gjumë deri sa të gjejë më të mirin e mundshëm, njeriun e përshtatshëm e adapt që mund të kryejë këtë detyrë në perfeksion. Neve nuk na duhet se kush pengon. As pse. Nëse ka arsye në një shtet demokratik janë të gjithë hallkat që të zhbllokohet ngërçi dhe të gjenden modalitetet për t’i hapur udhë emërimit të kreut të ri. Por, arsye mosdekretimi për Bendon nuk ka pasur. Prapavija politike e pritje për kompensime po. Nëse do kishte atëherë Presidenti, edhe pas një viti nuk do vendoste ta miratonte po atë kandidat, që e mbajti në ajër për një vit. Nuk besoj se ai e krijoi bindjen kur kandidati në pritje të mbushte 22 vjet pune në këtë sektor dhe të vrojtonte se si e sa ka punuar nëse ka ecur dhe ka qenë i suksesshëm. Gjykimi ynë është se të tjera janë arsyet e mosdekretimit. Dhe këto i di Presidenti. Po i dimë edhe ne njerëzit e zakonshëm. Ai është ndjerë i papërfillur që nuk iu mor dora dhe nuk u bënë takime në Presidencë. Deri sa nuk ka dhënë për një vit asnjë argument atëherë me të drejtë themi se i ka bërë karshillëk qeverisë. Ka dashur të mbajë nën tension Kryeministrin. Ti thotë: -Këtu jam unë! Unë jam shteti. Jam njëshi! Jam Presidenti! Se nuk mund të drejtohet me sekretar të parë siç deklaroi me mosdekretimin e ministrit të ri të Brendshëm. Po në realitet, Ilir Meta po bën sekretarin e parë. Për Bendon, Presidentit Ilir Meta iu desh një vit të mendohet. U mendua e u mendua, u lodh e u stërmundua, gjykoi e gjykoi. Studioi e shfletoi. Mori informacione nga tërë bota. Vëzhgoi vetë personalisht ditë- natë se ku shkonte Bendo. Ku drekonte. Çfarë ngjyre i mbante këmishat. Cilin kostum pëlqente. Kur shkon në punë, kur kthehet në familje. Cilat janë shijet estetike? Si i ka marrëdhëniet me vartësit? Është vendimmarrës apo vedimprishës? Shkurt, një vit në filtër. Plot 12 muaj në vështrimin e rreptë të Presidencës. Dhe në përfundim për të mos u bërë dy dekrete të rrëzuara vendosi: “Zoti Helidon Bendo emërohet kryetar i SHISH-it” Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

Unë them se Bendo ka qenë me fat. Ngelja e Lleshit i dha suport Bendos. E keqja e Sandrit rezultoi e mira e Bendos. Presidenti më në fund i hapi dritën jeshile, dekreti që priti plot 365 ditë më në fund doli në dritë. Po një fund me bindje veç. Edhe pse një bindje e vonuar, tmerrësisht e vonuar. Dekreti presidencial priti deri në plakje, zuri myk në sirtare. Nëse ecet me këtë hap në krijimin e bindjes kaq të vonuar, sigurinë tonë kombëtare e kemi lënë në duar të rastësisë. Po pas mosdekretimit të Sandër Lleshit, ministër i Brendshëm me argumentin për moskrijim bindje meqenëse ky post është i një rëndësie edhe më të madhe, të gjithë jemi me gjak të ngrirë dhe shtrojmë pyetjen: -Për Bendon, Ilir Metës iu deshën plot 12 muaj, po për Lleshin sa vite do marri për gatimin e bindjes? Një, dy, një jetë apo tërë kohën që do jetë në Presidencë? Ashtu si SHISH u drejtua një vit me zëvendës edhe Ministria e Brendshme fillon të jetojë të njëjtin fat. Edhe pse Lleshi mund të kryejë funksionet e ministrit, mosdekretimi i tij sipas tërë konstitucionalistëve më të njohur të Shqipërisë, ky qëndrim vlerësohet antikushtetues. Mungesa e argumentave për rrëzimin e propozimit e mosdekretimin e tij në krye të ministrisë është veprim që cënon interesat e shtetit, sigurinë e qytetarëve. Me këtë praktikë, me sa duket Ilir Meta pëlqen të komandohen punët e shtetit me zëvendës, pasi nuk lë shteg tjetër. Zëvendës Bendo. Zëvendës Lleshi. Të gjithë zëvendës. Po bëhemi shteti i zëvendësve! Deri sa ti mbushet mendja Presidentit se x-si është i duhuri, Bendo kaloi një vit. Po për Lleshin sa vite do i duhet të krijojë bindjen? A do ti mjaftonin dy vjet e ca muaj? A do e shterrojë Presidenti ynë informacionin e kërkuar? Sa fakte dhe prova ka siguruar që nuk e lejojnë të dekretojë ministrin? Disa thonë se ai ia mblodhi qeverisë. Ia bëri dy me zero! E theu Ramën! Ia futi qeverisë! Të tjerë se është krye burrë! Dikush e cilëson dënim për Ramën. Se Lleshi është ushtar i kryeministrit. Po mirë, nëse Rama do dërgonte në këtë ministri një tjetër kandidat, njeriun më politik që ka PS se kështu do e gjykonte, cili do ishte qëndrimi presidencial? Sa vite do i duheshin të bindej për ta dekretuar? Sa kohë do i duhej të krijonte bindjen se ishte njeriu i duhur apo ta refuzonte? Po sikur kryeministri nesër të dërgojë një tjetër propozim për një ministër të një ministrie, që i duket se duhet ta revokojë duke zëvendësuar me dikë më të kompletuar sa kohë do i duhej të krjojë bindjen për ta dekretuar? Me këtë logjikë të bindjes së vonuar i bie që Presidenti ynë ka shumë kohë dhe është vërtetë i vonuar. Tani këta ministrat të qëndrojnë të qetë, të bëjnë qejf, të tundin zinxhirin, të bëjnë korrupsion, trafiqe se nuk i prek askush se ndryshe mbeten në ministri vetëm zëvendësit. Se Presidentit i duhet kohë për t’u bindur. Ai do vite të mendohet. Nëse larg qoftë dikush nga ministrat ndërron jetë edhe ajo ministri do mbetet pa titullar se Presidentit i duhen vite të krijojë bindje për një ministër të ri! Po në rast të një fitore të tretë të mazhorancës së sotme ç’do bëjë Presidenti ynë me një dyzinë ministra? Sigurisht, po nuk krijoi bindjen, Shqipëria do mbetet pa qeveri. Në këtë mënyrë, Presidenti u dërgon ministrave edhe një sinjal: Bëni si të doni. Punoni e mos punoni, askush nuk mund t’u trazojë! Dhe miqve opozitarë: - Bini qeverisë. Shani, denigroni, revoltohuni!

Bindja me shumë vonesë e Presidentit, jo se ai është i vonuar në të menduar, mund të aplikohet edhe për emërime të tjera. Për mobilizim të përgjithshëm si kyekomandant mund t’i duhet shumë kohë për vendimmarrje. Dhe atëherë në rast agresioni jemi të pushtuar. Për sigurinë kombëtare duhet të presi sa të bindet të veprojë. Nëse bindet me vonesë si në të kaluarën edhe kur nuk ishte President atëherë ne do jetojmë në ankth e do mbetemi të pashpresë. Kujtojmë sa kohë kaloi, që të linte kryetarin e LSI-së edhe pas miratimit në kuvend e të bënte Presidentin. Si na kërcënoi se do i bënte thirrje popullit për t’u armatosur nga Lezha. Sa shumë u vonua për t’u bindur për ndryshimet kushtetuese! Sa pengesa vendosi për reformën në drejtësi. Sa pak nxiti faktorët politikë për të miratuar reformën në drejtësi në tërë elementët e saj. Si u mendua e u mendua për koalicionin e para zgjedhjeve 2017 dhe nxori pullën e kuqe në fund. Po të gjitha këto ishin në kuadrin e vendimmarrjeve politike dhe ishte në të drejtën e vet edhe pse bindjet i krijonte me vonesë. Tani kohët kanë ndryshuar. Ilir Meta është në krye të piramidës shtetërore. Atje kur bëhet politika e madhe. Dhe ai është jo vetëm Presidenti ynë, po edhe Komandanti i Përgjithshëm, Kryetari i Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Shpresoj që në tërë këto detyra madhore të mos humbasë nëpër labirintet e mosbindjes kur duhen vendime të shpejta. Se ndonjëherë duhen edhe vendimmarrje ekstra. Jo se i mungon përvoja. Shembujt janë. Siç ishte ajo e miratimit të lejes prindërore për Gjin Gjonin në KLD, që u deshën vetëm pak minuta për të thënë po. Në këtë miratim, bindja u formësua në një minutë. Në ditët që vijnë, në zyrën e Presidentit do të shkojnë shumë ligje. Propozime. Vendime. Kërkesa për emërime. Shteti kështu funksionon. Do duhet bindja e Presidentit për organet e reja të drejtësisë. Bindja t`i hapi rrugën miratimit të marrëveshjeve ndërkombëtare. Dekretimi i ligjeve të rëndësisë kombëtare. Lutemi për të gjitha këto, të mos i duhen vite për të krijuar bindjen për t’i dekretuar. Do zoti të mos jetë shumë i vonuar Presidenti ynë në krijimin e bindjeve dhe ndërgjegjësimin për miratimin e dekreteve në muajt e vitet që vijnë!

Nga Bardhyl BEJKO