BREAKING NEWS

GJKKO merr vendimin për drejtorin e Kadastrës, u arrestua pas hetimit prej 9 muajsh nga SPAK në bashkëpunim me Policinë

GJKKO merr vendimin për drejtorin e Kadastrës, u arrestua pas hetimit
x

Opinion / Editorial

“Prilli i thyer” dhe “Gjorgët” opozitarë!

“Prilli i thyer” dhe “Gjorgët” opozitarë!

Që kërkojnë të “thyejnë” prillin e sivjetëm të zgjedhjeve e ta sjellin atë më 20 shkurt! Romani “Prilli i thyer” i shkrimtarit të madh Ismail Kadare, ka në themel të tij gjakmarrjen një ves ky që vjen nga thellësia e shekujve. Ky roman fillon me personazhin kryesor Gjorgun që ka zënë pritë dhe pret hasmin të shfaqet për t'ia marrë gjakun vëllait. Në Prillin e sivjetëm dhe jo vetëm të sivjetëm, opozita shfrytëzon përsëri një ves, të themi po aq i vjetër në “moshë” sa gjakmarrja, siç është vjedhja e votës, pra vjedhja e pushtetit qysh në themel. Edhe sivjet, ata do të zënë shtegun më 25 Prill që të realizojnë qëllimin e tyre e tyre atë të marrjes së pushtetit me ç’do mjet e me ç’do çmim. Në prillin e sivjetëm, sikurse në prillet e tridhjetë viteve të fundit, të mos e themi vetëm opozita, por edhe mazhoranca qeverisëse sot, kanë patur në “axhendat” e tyre, që vesin e vjedhjes së votës ta shfrytëzojnë si shkak për t’u hakmarrë ndaj kundërshtarit që “vodhi” votat në mënyrë që sherri të vazhdojë në pafundësi slogani për “zgjedhje të lira e të ndershme” vazhdon akoma edhe sot e kësaj dite, bile me një intensitet më të lartë. Na duhet të pranojmë që, këtu, në këtë vend, në këta tridhjetë vite asnjëherë nuk janë bërë zgjedhje të lira e të ndershme, me përjashtim deri diku në vitin 1992, kur frika e diktaturës, vazhdonte për inerci dhe më pas, nga “komunistët” që u vendosën në krye të lëvizjes demokratike, (prandaj edhe demokracia po ecën kaq bukur dhe Diktatura e djeshme, është kthyer sot në “katrahurë”), injektuan në gjak vjedhjen e votës me qëllimin e vetëm shporrjen (një fjalë kjo mjaft e përdorur në radhët e opozitës) e komunistëve dje dhe të Edi Ramës nga pushteti sot. Që t’i vëmë pikë këtyre dy prilleve, opozita e sotme, as më shumë e as më pak ashtu si Gjorgu tek “Prilli i thyer” edhe opozitarët sot, në protestat e shumta që janë bërë e vazhdojnë të bëhen, as më shumë e as më pak, i përdorin si “pusi” kërkojnë të gjejnë një “mana për trahana” të gjejnë një shkak për të provokuar kundërshtarin e më pas të sulen e të përleshen sepse këtu nuk mund të kuptohen pa përleshje për ta marrë apo për të mos e lëshuar pushtetin. Këtë e treguan edhe protestat e shumta të fundit, duke shfrytëzuar humbjen e jetës të një të riu nga arma e policisë. Nuk ishte aq shumë që opozitës i vinte keq që një i ri humbi jetën në moshë të re, por për të patur në dorë edhe një “gur” më shumë për të goditur maxhorancën qeverisëse, duke e provokuar atë me adoleshentë e minorenë e megjithatë, nuk mundën të gjenin dot një shkak për të marrë pushtetin me dhunë apo në tavolinë sepse nuk mundën dot të futnin kundërshtarin në “grackë”! Po të ishin këta kaq “bamirës” dhe jo vetëm këta, por edhe mazhoranca kur kanë qenë në opozitë, do të ishin treguar po kaq të dhembshur edhe kur kanë humbur jetën dhjetëra e dhjetëra të tjerë jo nga shkaqet natyrale, por si rrjedhojë e keqqeverisjes. Këtë, të mos e harrojmë. Midis shumë shembujve dua të përmend protestat e vitit të kaluar njëzet apo tridhjetë të tilla, s’ka rëndësi, kur policia ndaloi ata që shkatërruan me dhunë pronën publike, pra për shkeljen e ligjit, deputetët apo ish-deputetët e opozitës, përlesheshin me policinë sipas të cilëve ata “Mbaheshin në izolim pa të drejtë”! E sa e sa raste të tjera të cilat këto për opozitën janë bërë normale. Tridhjetë vjet që këtu, nuk diskutohet ligji dhe shteti ligjor, por “Duam Babën”! Lexojmë në një gazetë të “pavarur” kryetitullin e saj me gërma kapitale, por që varet vetëm nga Presidenti: “Rama, kërkon mandatin e tretë që të shkatërrojë kombin” shkruar nga një ish-ambasador në SHBA që Presidenti e ka shumë për zemër sepse “ka parë botë me sy”! Ky fare soji, del vazhdimisht në disa ekrane televizionesh dhe ja ka mirë dorën për të qenë i besueshëm i opozitës, sepse qëllimi i tij përputhet me qëllimin e opozitës që është marrja e pushtetit me çdo kusht e me çdo çmim. Është e drejta e tij që të hidhet sa në njërin krah në tjetrin dhe nuk ia vlen të merresh me tipa të tillë, por fjalën e kam tek kjo media e shkruar që pasohet edhe tek tjetra e “pavarur” duke mos i mjaftuar faqet e saj të shumta që të bëjë propagandë vetëm për Ilir Metën dhe Monikën e tij. Sikur këta të dy të ishin njerëzit më të ditur të planetit në një kohë që të gjithë i njohin se kush janë dhe çfarë kanë bërë për këtë vend e këtë popull që i “qajnë” aq shumë hallin. Dijet e këtij çifti presidencial “nuk kanë fund” prandaj edhe vazhdojnë në një tjetër media të shkruar, me qëllim që kur lexuesit, jo vetëm t’i lexojnë e t’i kuptojnë, por edhe t’i zbërthejnë e t’i propagandojnë derisa ata që i stërlexojnë të mbeten me “gojë hapur”. E si të mos e dëgjosh e të bëhesh kurioz për të shfletuar këtë gazetë tek sheh titullin kryesor me gërma kapitale: “Groevski, u arratis, Gjykanovic, gjithashtu, tani, e ka radhën Rama të shporret”! Mbasi ta bëjnë mendjen “top” dhe “bindesh” tek këto gazeta të “pavarura” dëgjojmë “kryeprokurorët”, “gjykatësit”, avokatët, analistët e opozitës që me tërë “seriozitetin”, mbasi shkruajnë, trillojnë e sajojnë “fakte” me “këmka e me doçka” në gazetat e tyre dhe çirren nëpër podiume, në fund, japin “pretencën”: “Edi Ramën, më 26 qershor, do ta shihni prapa hekurave”! A thua të gjitha këto media, të shkruara apo vizive, të bëjnë punën e “diktatorit” Rama, i cili i ka ato “nën kontroll”? Pra, opozitarët, e paskan vendosur Edi Ramën, “prapa hekurave” edhe sikur votuesit të ishin “nuse me tel” e të votonin me ndershmërinë më të madhe (që në këtë vend ato mund të bëhen në shek. e njëzet e shtatë)!. A e shihni juve votues që nuk ka fare rëndësi që zgjedhjet edhe po të jenë të ndershme edhe po të mos jenë, ato nuk do të quhen të vlefshme dhe duhet ta “marri pushtetin e djathta” që ato të jenë të vlefshme. Që zgjedhjet nuk do të jenë “të ndershme” e thotë një ish-kryeministër, që është i të nëntëdhjetë e nëntave, është nga ata që “e bën dobiçin dhe ta lë në derë”, ai që tërë jetën e tij vetëm ka provokuar, ka shpifur dhe si synim të tij ka “shporrjen e Edvin Kristaq, kriminel, Surrel, Maduro, Noriega, drogës”! Kot thonë që ai “e ka kullotur luadhin dhe nuk merret me politikë”! Me gojën e tij flet e gjithë opozita pra që të jenë të përgatitur të “rrëmbejnë armët” të “thyejnë” prillin dhe ta sjellin më 20 shkurt, një datë kjo, për tërheqjen zvarrë të Edi Ramës, si dikur diktatorin. Eksperienca e tyre, është mëse e mjaftueshme tashmë për të “qëlluar me pesë snajpera në lule të ballit” kreun e ish-opozitës, për të “thyer kafka”, për të “tërhequr zvarrë” për të “varur kundërshtarët tek palma e Kryeministrisë”, me litarë, e me çdo mjet, me armë të rënda apo të lehta dhe këtë e kanë treguar në praktikë. Të flasësh për një “mëkëmbës” të ish-kryetarit të PD-së, përveç “pjellorisë” së partisë së tij në “bijëza”, në “rudka”, “xhezska”, “syska”, “murrizka”, etj asgjë tjetër nuk ka bërë përveç se është diskredituar. Për hir të së vërtetës, Rama, duhet të largohet, por duke qënë se edhe ai i është qepur pushtetit si “gërthëla” nuk mund ta detyrosh që të iki përveçse me votë dhe këtë votuesit e dinë mirë. Halli më i madh këtu, nuk është ajo që Rama nuk e ka bërë borxh, por binduni juve votues se çfarë alternativa ka opozita. Asnjë, asnjë, alternativë bindëse, vetëm ajo për të “shporrur” Ramën. Na duhet të pranojmë që Rama qëndron shumë më lart nga këta, sepse në fund të fundit diçka ka bërë për të bërë shtet, pa pretenduar për më shumë, është “lule” përpara këtyre që janë të “hurit e të litarit”. Po çfarë bën opozita? As më shumë e as më pak, bën “vetëvrasje” sepse Rama, nuk hiqet duke e mallkuar e duke e sharrë si e “keqja” më e madhe, por që nuk e “kafshojnë dot”. A mund të imagjinoni, kur të shan ai që është i “sharrë” me dhjetëra e qindra herë, e kur të “qesh” ai që është i “qeshur” me dhjetëra e qindra herë se cili është më i besueshëm? Por kemi edhe një tjetër po aq përçarës, po aq provokator sa edhe “ishi” si ai. Ai iu drejtohet të rinjve të “marrin fatet e kombit në dorën e tyre”. Kështu duhet, këtë mision ua “ngarkon minorenëve, si dikur Mao Ce Duni ua ngarkoi gardistëve të kuq! Midis të tjerave thotë: “Tridhjetë e tetë ligje, janë antikushtetuese”. Po mirë more President juve, pse nuk jepni dorëheqjen përderisa nuk ju pyet kush? Njëherë do të mbledh popullin thotë, sikur të justifikohej kur e thirri në shesh Stresi “simbolin e unitetit”, vetëm atëherë kur të rrëzoj këtë mazhorancë! Shumë “bindëse” për një President. Iu deshën tre vjet, thotë, që mazhoranca të zhbllokonte Gjykatën Kushtetuese. Ja edhe ky është nga ata që “e bën e ta lë në derë”! Vetë e bllokoi reformën në drejtësi dhe ia lë në derë mazhorancës. Duket që e njoh mirë ligjin themelor, Kushtetutën kur atë e mban natën si “jastëk” e ditën në “xhep” që ecën vetëm me Kushtetutë! Por Presidenti edhe kërcënon: “Në qoftë se Gjykata Kushtetuese, nuk i quan të pavlefshme, zgjedhjet e 30 qershorit, është jashtë funksionit”! Të gjitha shkallët e sistemit gjyqësor, duhet t’i binden vetëm këtij Presidenti. Të gjithë “Gjorgët” në pritë e në provokime, për të marrë pushtetin me manovra me “prita” duke zënë “pusi” me provokime etj. etj. sepse me votë, me ndershmëri asnjëherë nuk kanë fituar! Kjo është një e vërtetë e pamohueshme!