BREAKING NEWS

GJKKO merr vendimin për drejtorin e Kadastrës, u arrestua pas hetimit prej 9 muajsh nga SPAK në bashkëpunim me Policinë

GJKKO merr vendimin për drejtorin e Kadastrës, u arrestua pas hetimit
x

Opinion / Editorial

Prilli i zgjedhjeve dhe drejtësia e vonuar

Prilli i zgjedhjeve dhe drejtësia e vonuar

Në prill do të mbahen zgjedhjet. Të ndarë në kampe kundërshtish, disa shpresojnë se do të ketë ndryshim pushteti, të tjerë se do të mbeten po ato që janë në pushtet. Ditët ikin me shpejtësi, pandemia sillet rrotull duke marrë jetë njerëzish, vaksina thuhet se do të vijë shpejt. Të gjithë shpresat e qytetarëve rrotullohen tek 2021 i cilësuar edhe prej astrologëve një vit i mbarë për njerëzimin. Në këtë situatë të turbullt, janë harruar ose bëhet loja e harresës për bëmat e politikës dhe shoqërisë civile në këto vite. Korrupsion, politikanë që “notojnë” në pasuri të bëra publike gjatë gjithë kësaj periudhe, gjyqtarë dhe avokatë të shndërruar në sekserë, gjithologë të shoqërisë civile dhe të medias që deri dje s’kishin çati mbi kokë, sot milionerë etj. Diktatorët e “demokratizuar” dhe udhëheqësit shpirtërorë të krimit dhe korrupsionit po bëjnë gjithçka për pasurimin e familjes dhe brezave. Të tjerë që vuajnë se nuk kanë të ardhura për të jetuar, sepse janë të papunë, që vuajnë për një rrugë që të dërgojnë fëmijët e tyre në shkollë, që vuajnë për ujë, dhe për nevoja të tjera minimale, në malësi apo në fushë. Tashmë është vërtetuar se lëvizjet politike, aleancat mes partive nuk kanë qenë gjë tjetër veçse përmbushja e detyrimeve të ndërsjellta mes palëve. Për ironi të fatit, loja vazhdon të marrë përmasa të frikshme sepse fitimi i asaj që humbet gjatë rrugës politike, mbetet qëllim thelbësor dhe i pazëvendësueshëm. E keqja vazhdon të "lundrojë" e ndarë në fronte të ndryshme vetëm e vetëm për të përfituar sa më shumë nga ky tranzicion i tejzgjatur i shqiptarëve. Megjithëse objekt i denoncimit publik dhe mediatik politikanët me ose në karrierë sa herë që e kanë parë veten të rrezikuar nuk e kanë patur shumë të vështirë të rrezikojnë të tjerët për interesa të ngushta klanore dhe farefisnore. Dikur kolegë të një aspirate të madhe qytetare dhe publike, sot miq jo më për kauzë sociale dhe ekonomike, por për interesa të ngushta të çastit. Farsa sa vjen dhe shtohet teksa shikon opozitarët apo oponentët e vjetër të qëndrojnë bashkë në llogoren e sulmit apo të pritjes për të fundmen e artë. I gjithë zhargoni i tyre i fyerjes publike shfaqet në ekranet televizive apo faqet e gazetave, shumë besojnë, ndërsa të tjerë janë mosbesuesit sepse gjithnjë e më shumë shikojnë lojën e pistë për përfitim. Në këta muaj deri në zgjidhje, për shkak të pandemisë, nuk do të ketë më takime të mëdha me elektoratin. Do të shfrytëzohet çdo mundësi, që do të thotë të mbajnë njerëzit të karikuar, secila palë për interesat politike. Kësaj i shtohet dhe doza e goditjes publike të kundërshtarit për aferat korruptive. Këtu shpresohet se do të bashkohen njerëzit, sepse ata janë të ndjeshëm veçanërisht tek drejtësia. Po ashtu dhe premtimet për paga dhe mirëqenie nuk do të mungojnë, sepse ata janë pjesë e shumë fushatave politike. Kanë kaluar shumë vite. Të rinjtë e demokracisë, sot janë familjarë që jetojnë me shqetësimin se si do të jetë e nesërmja. Kanë parë shumë, dëgjuar shumë dhe nuk mund të manipulohen më. Pavarësisht se kategoria përfituese do të bëjë ç’është e mundur të thyejë vullnetin e tyre me premtimin e radhës. Premtime që janë thënë e stërthënë që nuk janë realizuar në të shumtën e rasteve. Dialogu mes qytetarit të zhgënjyer dhe politikanit premtues dhe jo fjalëmbajtur nuk do të jetë i lehtë. Këtu do futet në lojë “pendesa” sa për sy e faqe dhe “ndjesa” për gabimet të cilat bëhen shpesh nga politika në kohë fushatash. Sërish do të vazhdojnë premtimet për një të ardhme më të mirë, për më shumë punë dhe mirëqenie. Pra, avazi i vjetër. E vetmja shpresë që kanë sot qytetarët e ndershëm është SPAK. Kjo shpresë shumëfishohet, sepse janë ndërkombëtaret ata që e mbështesim fort këtë strukturë, veçanërisht SHBA. Mesa kuptohet ndonëse e vonuar, drejtësia po vjen.