BREAKING NEWS

Miratohet nisma e opozitës parlamentare: Hapen listat dhe ndalohen koalicionet parazgjedhore. Zbardhen emrat e deputetëve që votuan pro

Miratohet nisma e opozitës parlamentare: Hapen listat dhe ndalohen
x

Opinion / Editorial

Problemi i "angullitjes" (qarjes) në "day after"!

Problemi i "angullitjes" (qarjes) në "day after"!

Partia Demokratike, duket se po shkon në një përgatitje dhe frymë entuziazmi të madh drejt arritjeve të saj në përgatitjet për zgjedhje. Sigurisht i quan fitore bashkëpunimet marrëveshje, me PS-në dhe sigurisht Ramën, për Kodin Zgjedhor. I quan fitore të madhe komisionet e dikurshme mjafton që të mos jenë ato që propozoi Rama. Po pra ato që ishin të "depolitizuara" sipas tij dhe që janë më keq se ato të politizuarat si zakonisht nga të dy bashkë. Pastaj fitore biometrinë "off line" që do të përcaktojë më drejt kush voton. Nuk kanë filluar akoma të thonë se "mund të manipulohet" sepse me sa duket kanë fituar tenderin. Po kryesisht arritjen e propozimit të tyre mbi KQZ-në e madhe. E kështu shumë teknalitete të tjera që asaj i duken një fitore për zgjedhjet e ardhshme, të cilat duhet të jenë kësisoj - të drejta, të lira dhe të barabarta! Bukur shumë! Lum si ato dhe ne bashkë me to! Nuk luajtën (ndryshuan) sistemin sepse "nuk e ka fajin ai sipas tyre", nuk luajtën listat e kandidatëve të cilat sërish do të jenë pothuaj ashtu si kanë qenë dhe sigurisht me një diçka të tillë mbeten të kënaqur përballë socialistëve. Nuk duan dhe janë kundër pikërisht ndryshimit të sistemit dhe nuk duan me sa duket të largohen koalicionet, sepse mendojnë me sa duket se "janë të dytët" në renditjen kombëtare dhe kështu që ballë përballë me Ramën e Rilindjen me mbas tyre socialistët, nuk dalin dot as tani si parti e parë. Po pra dhe ju duhen dhe votat e të tjerëve që të bëhen shumicë. Pastaj kryetarët e përjetshëm të partive të vogla do futen në listat e PD-së - koalicioniste "par exelance"! Si gjithmonë! Por janë të lumtur se Lulzim Basha po "hap" partinë. Kështu i thonë ata jashtë, por Basha thotë se do të jetë një zhvillim i paparë. E kush është kjo? Sigurisht votimi që tashmë është një moment grotesk "i votimit një anëtar një votë" në partitë ku vota e anëtarit është një model ose eufemizëm demokracie dhe statuti. Do afrohen disa të vjetër që janë sërish ata që humbën dikur, por që kishin ndonjë ide të tyre dhe kështu do të bëhen një "demokraci" e brendshme "fantastike" ku realisht asnjëherë kryetari i partisë nuk ka dalë nga demokracia, por nga urdhri dhe detyrimi. Megjithatë bukur, po bukuri fare ama. A janë të lumtur ata, a ju duket se kanë arritur fitore? A ju duket se nuk kanë nevojë kaq shumë për rregulla demokracie të vërtetë për të krijuar dhe alternativë reale? Shumë mirë, kur janë të lumtur në PD dhe vetë Basha, ne të tjerëve si me to dhe kundër tyre, nuk kemi pse të jemi të hidhëruar. Bukur shumë, po e përsëris sepse është një "ngushëllim" i madh për të gjithë se në PD janë të lumturuar dhe kënaqur. Ja vlen për t’u gëzuar. Por ka diçka! Problemi i tyre është "day after" ose dita më pas! Ky ka qenë gjithmonë problemi i madh i Bashës, Berishës dhe PD-së së modelit të tyre! Një ditë mbas zgjedhjeve, fillojnë të qajnë dhe lebetiten, ulërijnë dhe angullijnë se - na vodhën, na grabitën, fituam, por na manipuluan zgjedhjet! Rama na vodhi dhe bleu vota, droga dhe krimi na devijuan votën dhe sunduan me shit-blerjen e popullit! "Shoqëria u shit te Rama" sepse ai me lekët e drogës e bleu atë. Ja ky është problemi dhe ky problem sigurisht tani, nuk mund të thuhet, sepse jemi në euforinë e "sukseseve" që kanë bërë me bashkëpunimin e tyre me Ramën, me firmat mbas ambasadave dhe pastaj transformimet rrugës, me marrëveshjet që bëjnë me atë që pastaj - ju grabit fitoren këtyre që nuk e dinë asnjëherë veten e tyre në opozitë dhe kur realisht janë në opozitë. Ky është problemi dhe pastaj fillojnë e shajnë më shumë ato që paralajmërojnë një diçka të tillë, se sa vetë kundërshtarin e tyre (që nën rrogoz e kanë shumë xhan) që i ka mundur paq. Pastaj hakërrehen kundër të vetëve më shumë se sa atyre përballë. Më shumë spastrojnë dhe sulmojë të vetët që parakuptojnë (paralajmërojnë) se çfarë po ndodh se sa atyre që bënë marrëveshjet shpesh herë të turpit në demokraci! Sigurisht që besojnë se "populli" do t’iu dali me shumicë sepse Rama e ka tepruar. E ky është dhe çelësi sipas tyre i suksesit. Po pra "bërja baltë e ekonomisë, demokracisë dhe ligjeve" nga Rama. Kësaj i besojnë dhe këtu mbështetet e gjithë teoria e praktikat e tyre zgjedhore. Tashmë me gjithë këtë entuziazëm të krijuar mbas marrëzive me dalje nga Kuvendi, molotovëve, mbas mos hyrjes në zgjedhje dhe mbas lejimit të krijimit të shtetit tiranid pa opozitë demokratike në institucione - duan të fitojnë sepse sipas tyre e meritojnë! Të shikojmë dhe të presim muajt e ardhshëm. Mjafton të arrijnë të futen në demokraci dhe institucione. Po po, të marrin pjesë! Pastaj "day after" është sigurisht një problem i përsëritur i tyre dhe nuk mund të jetë kaq shumë "surprizë" politike dhe filozofike. Kushedi dhe nuk ndodh! Por gjithsesi deri atëherë, ky është problemi më i madh që ka demokracia në Shqipëri. Të tjerat sipas tyre janë – teknikalitete.