Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Profesor, hulumto jetëgjatësinë, harroje pavdekshmërinë!

Postuar: 14/05/2019 - 07:16

(Pak debat dashamirës rreth shkrimit të dr. Bardhyl Çipi)

1. Analiza me temën Plakja e njeriut dhe koncepti i pavdekshmërisë i këtij mjeku, botuar në gazetën SOT të 24 prillit 2019, me siguri, është lexuar me interes dhe kërshëri, se kush nuk e dëshiron jetëgjatësinë, pale më ëndrrën e parealizueshme të pavdekshmërisë, që teologjia e ka për perënditë, po e ka bërë dhe dogmë boshtore, me të cilën prej shekujsh po josh dhe turbullon mendjen e miliona besimtarëve. Autori simpatik, që edhe me shikimin e tij të ëmbël sugjestionon psikoterapikisht, spikat qartë, sidomos, si një intelektual hulumtues e kërkues, e ka kapur demin për brirësh, na kumton arritjet e fjalën e fundit të shkencës për zgjatjen e jetës, si mund të rrjedh ajo nëpër hullinë e një pleqërimi pozitiv e të shëndetshëm, “me këmbë e me dorë”, siç thuhet në urtësinë popullore. Përcakton gerontologjinë, e cila studion aspektet e plakjes, përmend dhe geriatrinë, që bën parandalimin apo kurimin e të moshuarve; flet për faktorët aktualë të plakjes së popullsisë në vend. T’i zgjatësh jetën njeriut, të lehtësosh gjendjen e të moshuarve, të shmangësh dhe faktorët, që kushtëzojnë plakjen e popullsisë së një vendi të tërë, ky është misioni i lartë i mjekësisë, i shkencës dhe i politikave qeverisëse. Këtyre aspekteve i mëshon autori, temën e jetëgjatësisë ka për bosht e strumbullar të asaj faqeje gazete, këtu qëndron vlera dhe lezeti i shkrimit. Por vendin më të konsiderueshëm në atë koment e ka zënë paragrafi me titullin “Pavdekshmëria biologjike si vazhdim i plakjes së njeriut”. Këtë koncept të ri, të padëgjuar, të adoptuar rishtazi në shkencë, e kemi në fokus të debatit, si me qenë “mollë sherri”, se del i huazuar, apo i induktuar nga teologjia. Ç’na qenka kjo pavdekshmëri biologjike, që na ardhka si vazhdim i pleqërisë sonë?

2. Qofsha unë i gabuar, po me futjen e termit “pavdekshmëri biologjike”, të afishuar që në titull, këtu nis dhe hallakatja kryesore, këtu gjejmë pleksjen, gërshetimin e konfondimin e dy koncepteve krejt të ndryshëm: të jetëgjatësisë dhe të pavdekshmërisë. Këto dy koncepte nuk janë të një linje, të një natyre, por e përjashtojnë njeri-tjetrin, ashtu siç nuk pajtohen midis tyre dhe shkenca me fenë. Për më saktë, jetëgjatësia është koncept real, në veprim, funksionon me mbështetjen e shërbimit shëndetësor, të laboratorëve dhe eksperimenteve shkencore të parreshtura e të pashtershme. Përkundrazi, pavdekshmëria, është dogma e adoptuar nga teologjia, që i atribuohet vetëm “shpirtit”, i cili jetoka pa trupin dhe jashtë tij, kur çlirohet nga ai fare burgu. Është trillimi më skandaloz dhe mashtrimi shekullor më i paprecedent. E përjetshme dhe e pafundme është bota materiale në tërësi dhe jo sende, objekte shfaqje apo forma të veçanta të saj. Në këtë kontekst, ç’kuptim i mbetet shprehjes pavdekshmëria biologjike, që përdoret nga autori? Edhe nëse kjo shprehje, ka hyrë kështu tekstualisht si hipotezë pune, për të cilën, siç shprehet ai, “po bëhen përpjekje të shumta për t’u realizuar në një të ardhme të afërt”, përsëri ha diskutim. Të flasësh për “pavdekshmëri biologjike”, është njëlloj si të quash kripën “të patretshme”. Nuk është argument në favor të këtij togfjalëshi as fakti që disa kafshë rrojnë deri në 700 vjet. Nuk i shërben ai togfjalësh as hulumtimit shkencor, por përdoret arbitrarisht, i huazuar nga teologjia. Pra, duke lexuar me kënaqësi autorin mbi këtë temë jetësore e joshëse, duhet të ndajmë mirë shapin nga sheqeri, të përqendrohemi shkencërisht tek faktorët e jetëgjatësisë dhe ta lëmë fenë në shenjtërinë e saj me tërë dogmat antijetësore, antishkencore, çoroditëse e mendjempirëse. Shprehja autoriale: “ndoshta, mund të arrihet dhe pavdekshmëria e njeriut”, ka hyrë në këtë shkrim kontrabandisht, mbetet si pykë, se në tërë strukturën e komentit në fjalë, mbetet analiza vetëm e jetëgjatësisë.

Ç’na qenka kjo “pavdekshmëri biologjike”, kur edhe vetë autori thekson se “nuk ka asgjë të përbashkët me ringjalljen” fetare?Ky term, në s’ka gjë të përbashkët, nuk ka arsye as pse të huazohet nga teologjia. Të pohosh se procesi i plakjes pasohet me një fazë të pavdekshmërisë. se “zbulimet e mahnitshme të shkencave biomjekësore, kanë arritur deri atje sa të deklarohet se njeriu i sotëm, po arrin të zëvendësojë perëndinë, nëpërmjet arritjeve të shoqëruara me vizione imagjinare, një pjesë e të cilave kanë të bëjnë shpesh herë edhe me kërkimet për arritjen e pavdekshmërisë”, ky është një montim eklektik frazash racionale dhe irracionale. Nuk është pavdekshmëri as i ashtuquajturi transhumanizëm, dmth, ndarja e mendjes nga trupi biologjik dhe ngarkimi i saj në një sistem elektronik, në kompiuter, apo trup mekanik të robotizuar, siç e përshkruan autori këtë lloj risie të pritshme të shkencës. Pavdekësia njerëzore realizohet jo biologjikisht, por në mënyrë simbolike, konvencionale, vetëm nëpërmjet veprave të mira,që lë pas, e mishëruar si portret në pikturë, në bust a statuje, i rrënjosur në kujtesën e historisë e të brezave. Titulli “hulumto jetëgjatësinë, harroje pavdekshmërinë”, është sugjerimi dashamirës që i bëjmë kolegut të ri, i cili ka përqafuar misionin më human dhe premton.

3. Deduksioni botëkuptimor e metodologjik, që nxjerrim nga shkrimi në fjalë, është se disa realizime të shkencës, edhe në shekullin e 21, nuk na jepen me semantikën, terminologjinë dhe konseguencën e mirëfilltë shkencore, nuk ndahen prerazi nga fryma, termat dhe dogmat teologjike, por bëhet një pleksje pakuptim me lëshime të paprincipta hamendësive primitive, produkte të fëmijërisë së mendimit të njerëzimit. Përjetojmë paradoksin, që dogmat më absurde, rrugëtuan nëpër shekuj, vazhdojnë të mbeten ende të rrënjosura, edhe pse shkenca i ka zbërthyer brinjë më brinjë. Penetrimin në jetë e diversionin frontal, teologjia e ka mjet mbijetese, por feve nuk i ka munguar dhe shtrirja e dorës “intelektualiste”, siç nuk i gjenden, si mbështetje e fuqishme, edhe “patericat politike”. Në botë ende ka të kredhur në këtë lloj dualizmi të papriciptë, që e vënë forcën dhe autoritetin e shkencës në shërbim të fesë, nuk e lënë atë t’i bien pendët natyrshëm. Po nëseedhe ateizmi po shtrihet triumfalisht në botë, këtë e kemi prej rritjes së racionalitetit, iluminizmit e shkencës, ndaj dhe duhet t’ja respektojmë atyre këtë produkt e atribut të vyer. Si rrjedhim, duhet të mbajmë dhe qëndrim kritik ndaj literaturës shkencore, kur shfaq dhe reminishenca teologjike, që krijon iluzionin se ekzistojnë ura shkencë-fe. Le të jetë amerikan, gjerman, japonez apo kanadez shkencëtari që vë në përdorim shprehjen “pavdekshmëri biologjike”; kushdo qoftë, i duhet thënë, “ndalu beg, se ka hendek!” Shkurt, në një shkrim shkencor, që bëhet fjalë për jetëgjatësinë, si ky që po replikojmë, nuk ka fare vend për të ashtuquajturën pavdekshmëri, biologjike, jo se jo, po as shpirtërore, siç përrallis feja. Lindja dhe vdekja në botën e gjallë i përkasin ligjit absolut të natyrës. Termi i pavdekshmërisë, i futur opinionit nëpërmjet shinave të shkencës, mbetet po aq fiktiv, pa përmbajtje, çoroditës e mendje-mpirës, sa është dhe kur predikohet si dogmë fetare. Ç’ti bësh, jemi ende në një epokë kur nuk është bërë orientuese, udhëheqëse dhe fuqiplote ideja perlë e Gëtes: kush ka shkencën, nuk ka nevojë për fenë.

Nga Prof. Dr. Hulusi HAKO

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 19/07/2019 - 08:58

Sistemi bankar në Shqipëri është në ditën e vet më të zezë, duke u kthyer në institucion jokredibël dhe aspak transparent për publikun shqiptar dhe grupet e interesit.  Kjo bankë sot drejtohet nga një guvernator

Postuar: 19/07/2019 - 07:12

Sigurisht që shumë janë me "parullën" se "politika është arti kompromisit" dh

Postuar: 19/07/2019 - 07:09

Sot ne shqiptarët edhe pse jetojmë në mjerim e skamje e shohim qartë se, ky vendi ynë është kthye

Postuar: 19/07/2019 - 07:05

Problemet e papunësisë janë sa sociale, aq komplekse, sa të pazgjidhura, aq me pasoja, kryesisht

Postuar: 18/07/2019 - 07:15

Kjo farë demokracie, që s’po hyn ende në brazdë, ka sjellë një çoroditje, që fjalën e lirë

Postuar: 18/07/2019 - 07:13

Nuk do të rrinte pa bërë demagogji dhe llafollogji prej somnambuli politik dhe të pa afti të meri