BREAKING NEWS

Koronavirusi drejt zhdukjes në Shqipëri, ja sa persona kanë rezultuar të infektuar me Covid-19 në 24 orët e fundit, asnjë humbje jete

Koronavirusi drejt zhdukjes në Shqipëri, ja sa persona kanë
x
BREAKING NEWS

Mjekësia në zi/ Ndahet nga jeta mjeku i njohur shqiptar, kolegët e tij japin lajmin e trishtë: Humbje e madhe! (EMRI+FOTO)

Mjekësia në zi/ Ndahet nga jeta mjeku i njohur shqiptar, kolegët
x

Opinion / Editorial

Profesorët e PD-së “Mark-mostra” në Parlamentin e ri

Profesorët e PD-së “Mark-mostra” në Parlamentin e ri

Jo gjithmonë është adekuate me realitetin shprehja filozofike se arsimi është fytyra e mendjes. Shkolla dhe edukimi i zhvillon aftësitë, por nuk i krijon ato. Arsimi nuk ta ndryshon sjelljen sado që të ngjitësh shkallët e tij. “Sjellja është një pasqyrë ku secili tregon fytyrën e vet”, shkruan Gëte. Sjellja arrogante e dy profesorëve lezhjanë gjatë konkurrimit për deputet të markave Mark Marku dhe Agron Gjekmarkaj, treguan se thelbi i shfaqjes së vulgaritetit dhe banalitetit është synimi për sensacion, për t’u bërë protagonistë me çdo mjet, qoftë edhe me rebelizëm. Zgjedhja e këtij prezantimi mund të jetë pjesë e modelit që kërkon të implementojë Partia Demokratike në politikë, por mund të jetë dhe refleksion botëkuptimor, shpirtëror, karakterial i individëve të ndryshëm,që e trashëgojnë këtë cilësi morale. Çdo njeri në jetë formohet nëpërmjet dy edukatave që i përfiton në dy drejtime. Së pari edukata fillestare fitohet nga prindërit duke reflektuar sjelljen e tyre ndaj fëmijës dhe transmetimin e përvojës jetësore dhe atë më të rëndësishmen,dominuesen, potencialen, e merr vetë çdo individ në procesin jetësor, aty ku mëson dhe punon, në mjedisin e gjerë shoqëror. Partia Demokratike, qysh me lindjen e saj, nën drejtimin e liderit Berisha, ka futur filozofinë e shkatërrimit, gjuhën e përdhunimit dhe sjelljen e përçmimit ndaj kundërshtarit, si tregues për të bërë karrierë në politikë. Jashtë këtij Kodi Etik, nuk fiton vëmendjen e drejtuesve të PD-së. Çfarëdo cirku politik që të luash, është provuar që nuk del me sukses. Këtë filozofi e kanë të njohur esencialisht militantët e PD-së. Ata militantë që e pranojnë dhe reflektojnë, fitojnë, të tjerët dështojnë. Këtë dukuri të shëmtuar, kandidatët për deputetë të Qarkut të Lezhës Mark Marku dhe Agron Gjekmarkaj, arritën që ta manifestojnë në perfeksion, se dinë të shkatërrojnë, ofendojnë, mohojnë çdo arritje të mazhorancës dhe të bëjnë rezistencë qoftë dhe fizike, për të ngjitur karrierën e tyre. Por nuk janë të vetëm, e gjithë klasa e deputetëve dhe kandidatëve për deputetë e PD-së në mbarë vendin, tregojnë agresivitet, se ndryshe shkon për “skrap”, nuk shkon dot në Parlament. Kjo dukuri e shëmtuar u shfaq dhe te një deputet, djalë i ri që fitoi në Qarkun e Vlorës, Arbi Agalliu, që gjatë fushatës zgjedhore premtoi elektoratit të vet: “se kur të vijmë ne pushtet, të parën gjë që do bëjmë, do ta shkatërrojmë Lungomaren”. Ta dëgjosh këtë marrëzi nga një djalë i ri, të duket çudi, pabesi, por është fatkeqësi për këtë shoqëri. E këto mostra, unë i kam quajtur papagajtë e politikës, që imitojnë liderët e tyre me mentalitet bajraktari. Një pjesë e mirë e elektoratit të Partisë Demokratike, nuk pajtohen me sjelljen arrogante të frymës që ka pushtuar klasën politike të kësaj partie. Një miku im lezhjan, intelektual, me disa përgjegjësi të larta gjatë qeverisjes së PD-së, duke biseduar për sjelljen e dy “pordhesorëve” siç i quante një lider i kohës së monizmit, më tha se ata kanë lënë shije të keqe në popull, me qëndrimin dhe fjalorin e tyre ekstremist gjatë fushatës zgjedhore. Natyrshëm lind pyetja, se ku e gjejnë kurajën që deklarojnë qëndrime kaq ekstremiste përfaqësues të popullit në një sistem demokratik?! Përgjigjja është e thjeshtë: “te pandëshkueshmëria e të gjitha akteve shkatërruese dhe pushtuese të pasurisë së popullit”. Nuk bëhet fjalë vetëm për ato që u krijuan me djersën e sakrificën e popullit për 50 vjet, por dhe në vitet e demokracisë, që siç dihet u shemb mbikalimi te Zogu i Zi dhe s’u penalizua njeri. U shkatërrua piramida dhe ju mor mermeri, e kaloi me deklarata butaforike të Partisë Socialiste, pa dalë shkaktari konkret, në një kohë që dihet. Anatemohet edhe sot nga Partia Socialiste me metafora qesharake, PD-ja e SHQUP-it, por vetëm premtime se do ketë ndëshkime dhe s’ka lëvizur një qime. Partia Socialiste i ekspozon shkeljet e kundërshtarit si një dukuri propagandistike, por s’ka penalizuar asnjë rast nga ato që ka evidentuar, ndaj është bërë e pabesuar nga opinioni shoqëror. “Shembulli i keq nuk vdes, përkundrazi, frytet e tij shumëzohen”, shkruan Mark-Orllan. Në Partinë Demokratike, kjo filozofi nuk është një shfaqje individësh të markave: Mark Marku, Agron Gjonmarkaj, apo Arbi Agalliu, por një frymë e mbjellë qysh në krijimin e kësaj partie dhe e kultivuar në vite nga lideri historik i kësaj force politike Sali Berisha. Në këtë situatë vetëshkatërruese dhe vetëdisfatuese të kësaj force politike, lind nevoja si një domosdoshmëri historike, që të reformohet Partia Demokratike me një filozofi tjetër nga ajo e derimësotmja, ku të sundojnë fryma e liberalizimit demokratik mbështetur mbi parimet dhe konceptet që të ndërtojmë dhe jo të shkatërrojmë, të komunikojmë dhe jo të shantazhojmë, ta shohim kundërshtarin politik si një aleat për ta bërë Shqipërinë të begatë dhe jo si një armik që duhet asgjësuar me çdo mjet, qoftë dhe me dhunë. Partia Demokratike mund të dalë në një terren të ri, vetëm atëherë kur mos të drejtohet de fakto nga patriarku i bajrakut Berisha dhe “biri i tij politik”, fanatik Basha, që zbaton verbërisht mësimet dhe porositë e ustait të vet. Kryetari i PD-së Basha, pësoi humbjen e tretë radhazi dhe i bie fyellit në një vrimë, mi kanë vjedhur votat, ose siç i quan ai, Rama i masakroi zgjedhjet. Këtë justifikim tani nuk ia besojnë më as të vetët, pa le kundërshtari politik, ndaj ka dalë një grup reformator nga Partia Demokratike,që i kërkon dorëheqje të parevokueshme për disfatat e njëpasnjëshme. Ai, nuk e prish qetësinë, se duket e ka fituar garancinë te patriarku Berisha, që e ka mashën e vet për të ruajtur pushtet. Rama i fitoi zgjedhjet si një strateg largpamës, duke treguar aftësi, vizion, shkathtësi, siguri, zotësi, duke u përballuar me dinjitet me dy fatkeqësi, që erdhën njëra pas tjetrës, tërmeti dhe pandemia, që u trondit bota, pa folur më Shqipëria. Basha, besoi shumë te koalicioni turli gjithëpërfshirës me partitë vemje, anonime, me kryetar pa anëtar. Duke dëgjuar premtimet butaforike të liderëve klloun dhe korin e bretkosave dule, shkule, ngule, nokër, palokër, idrizër e të tjerë mediokër, iu duk traseja e zgjedhjeve një fushë me lule, ku ligjëronte sloganin surrogat të Berishës “qeveria ime”, që thua t’ia kish lënë pronë si trashëgimi paraardhësi i tij besnik. Partia Demokratike është një aset i çmuar i demokracisë, që nuk ka thjesht nevojë të ndryshojë apo këmbejë kuajt e karrocës, siç i ka synimet grupi reformator, por e ka të domosdoshme të bëjë një apokalips në filozofinë, botëkuptimin dhe konceptimin e partisë me një orientim të vërtetë demokratik perëndimor, ku të zëvendësohet kultura bajraktare e dhunës, shkatërrimit, të njollosjes së vendit dhe mohimit, me kulturën demokratike të bashkekzistencës. Shqipëria ka nevojë sot më shumë se kurrë, për të gjetur gjuhën e komunikimit, solidaritetit dhe përgjegjësisë së përbashkët pozitë-opozitë, për ta çuar vendin drejt përparimit dhe integrimit europian. Çdo qëndrim tjetër jashtë këtij konteksti, është antikombëtar.