BREAKING NEWS

Lëvizje e BUJSHME në politikë! Surprizon Arben Malaj, merr pozicionin e rëndësishëm në partinë e Agron Dukës

x

Opinion / Editorial

Programi Basha ose politika me pesë pika

Është vlerësuar korrekt qëndrimi i Lulzim Bashës pas tërmetit të 26 nëntorit. Në distancë sjellje dhe veprimi nga liderë të tjerë në opozitë, ish-presidentit Bujar Nishani, ish-kryeministrit Sali Berisha, kryetares së LSI-së Kryemadhi dhe shumë prej funksionarëve të partive opozitare dhe skalioneve të dyta të tyre, Paloka, Manjani, Oketa, grupit të analistëve pranë tyre, nuk zgjodhi rrugën e sulmit kundër qeverisë që i ka rënë barra për të përballuar fatkeqësinë më shkatërrimtare të Shqipërisë moderne. Të tjerët rreth tij nuk reshtën së akuzuari dhe etiketuari fatkeqësinë natyrore të paparashikueshme deri sot nga asnjë qendër sizmologjike botërore apo shkencëtar i fushës për kohën që do të ndodhi aq më pak për ta ditur individë që nuk kanë lexuar një rresht për këtë fenomen natyror dhe bëjnë qejfmbeturin që nuk u morën seriozisht paralajmërimet e tij. Për këtë qëndrim pjesa me agresive e opozitës, ata që kërkojnë t`ia faturojnë Ramës tragjedinë që shkaktoi tërmeti, i ka kërkuar Bashës të ndërrojë urgjent strategji dhe të shfrytëzojë situatën në të cilën ndodhet vendi për të përfituar politikisht dhe për t`i dhënë nxitje revoltave, pakënaqësive e sulmeve kundër mazhorancës. Për ta denigruar tërë veprimtarinë e saj, për ta armiqësuar me popullin, Berisha e etiketoi tërmetin si krim shtetëror pa qëllim, një akuzë që nuk dihet nga cili Kod Penal është huazuar. Në të vërtetë, duke bërë detyrën, institucionet që në momentin e parë sa ndodhi tragjedia në orën 04:00, duke u gdhirë 26 nëntori, u gjendën në krye të detyrës. Krahas përdorimit të shëmtuar dhe pa sens të mbushur me intriga e disinformimeve të shumë portaleve dhe analizave televizive dhe reklamimit të mungesave që janë të natyrshme, pasi do të çuditeshim nëse nuk do kishte të tilla në një territor që banohet nga mbi gjashtëdhjetë për qind e popullsisë i kanë kërkuar Bashës të ndryshojë sjellje. Ndryshe, siç paralajmërohet nga analistë e politikanë nuk do vijë kurrë në pushtet. Veprojnë në këtë mënyrë ata që busull orientuese kanë vetëm pushtetin, paranë, privilegjet, punësimin në administratë dhe as ia ndjejn për dhimbjen dhe hallet e popullit të sakatosur nga tërmeti. Nisur nga logjika se në situata të tilla nevojitet kontributi i të gjithëve. Se bashkimi bën fuqinë, lënë amanet nga të parët. Se bashkë mund t`ia dalim, mësuar që në klasë të parë me këshillën e Skënderbeut për princat me tufën e shufrave, provuar me mijëra herë në historinë tonë shekullore në luftën për liri, përballimin e fatkeqësive që na kanë ranë mbi krye, Basha është ftuar të bëhet pjesë e zgjidhjes,opozita të japi kontributin e vet njerëzor. Ftesa nuk bëhet për politikë. As për të bërë figurë të mirë para opinionit shqiptar. Shqiptarët janë të prirur që të shikojnë politikanët të afruar, të përqendruar në zgjidhjen e shqetësimeve të jashtëzakonshme që përjeton vendi. Duan që në shembullin e qytetarëve anë e kënd botës dhe solidaritetin mahnitës që shfaqën kudo, që janë bashkëkombësit tanë, të veprojë edhe politika. Të ulë armët qoftë edhe përkohësisht. Të qetësohet dhe të presë të vijnë koha normale për të vijuar secili në llogoren e vet. Në këto ditë të rënda qytetarët kanë nevojë për ngrohtësi dhe kontributin e të gjithëve. Nisur nga solidariteti i qytetarëve nga vende të skajshme që i lidh me ne, vetëm qenia në të njëjtin glob, që në emër të humanizmit dhe dhimbjes kanë shfaqur mbështetje të fuqishme nga fushat e futbollit, deri në ekranet e skenat e mëdha të koncerteve dedikuar ndihmës për të prekurit nga fatkeqësia. Kur veprojnë kështu qytetarët larg Shqipërisë si mund të mbeten statik në sjelljen e tyre faktorët politikë në vendin tonë? Pikërisht, ky solidaritet mbarë botëror, diku me ndihma, diku me mesazhe e fjalë inkurajuese me të drejtë pyesim: Po vendi i opozitës ku është? Pse kanë frikë liderët opozitarë të bëhen pjesë e zgjidhjes dhe të kontribuojnë me të gjitha forcat për të dalë nga gropa ku gjendemi? Bashkërendimi nuk është baras me dorëzim të opozitarizmit. Është kollaj të dalësh nëpër fshatra, të takosh njerëz në fatkeqësi, të interpretosh kërkesat e tyre dhe të duash zgjidhje të menjëhershme. Po a nuk do ishte më mirë që mazhorancë- opozitë të rakordohen, të flisnin së paku tani me të njëjtën gjuhë, duke lënë mënjanë ndasitë e thella? Kryetari i PD-së, Basha nuk është se nuk e përjeton dhimbjen dhe është indiferent ndaj atyre që vuajnë. Nuk është se flet nga tribuna e PD-së dhe qëndron në hije. Po mënyra e zgjedhur për të bërë politikë është e qortueshme. Nëse ndjek rrjedhën e aksionit politik prej shumë kohësh, Lulzimi është i superdashuruar me planet dhe programet me pika. Fillimisht me tre pika. Më pas me pesë. Ky numri pesë është bërë shifra më e pëlqyer prej tij dhe hartuesve të programeve të partisë. Pesë pika shpalosi në marshimet e protestave. Pesë rekomandoi tre muaj më parë. Pesë pika në dy tetor 2019 për zgjidhjen e krizës për reformën zgjedhore. Lexuar në ekranet e televizioneve. Deklarata me pesë pika, janë mekanizmi më efikas i zgjidhjes së ngërçeve politike dhe krizave të provokuara prej saj. Pesë pikat kanë qenë kamxhiku i radhës mbi mazhorancën. Ose të zbatojë pesë pikat, ose të hapë krahun, kërcënonte Basha para 30 qershorit Ramën. Po planet me pesë pika janë reshtuar për një kohë të gjatë. Pesë pika për reformën në drejtësi. Pesë pika për krizën në zgjedhje. Pesë pika për ekonominë, kaq për PPP-të. Dhe në fund ultimatumi: Ose zbatoni ose largohuni! I fundit plan pesë pikësh ose politika me pesë pika, është kërkesa e shtatë dhjetorit nga Durrësi, ku Basha renditi si urgjente përjashtimin nga taksat e biznesmenëve, përjashtimin nga tatim fitimi, pezullimin e pagesave të sigurimeve shoqërore, përjashtimin nga TVSH, fshirjen e pagesave të energjisë dhe ujit. Ky plani pesë pikësh nuk është as më shumë e as më pak, po një pjesëz e planit kombëtar, parashikuar në detyrat e Shtabit të Gjendjes së Jashtëzakonshme. Një dublim i masave që ka marrë e po merr qeveria nga dita e parë, jo vetëm për bizneset, po për zgjidhje të shumta që janë imediate dhe në radhë të parë ato që janë jetike, strehimi, akomodimi, shërbimi mjekësor, transporti i fëmijëve nëpër shkolla, sjellja në kushte normale e tërë jetës në qytetet, Durrës, Tiranë, Lezhë, Krujë e Fushë Krujë. Kësaj i shërbejnë planet dhe vendimet e njëpasnjëshme që synojnë normalizimin e gjendjes. Parë në këtë kuadër, pesë pikat e Bashës ose politika në pika, janë një pikë e vogël uji në oqeanin e madh të problematikave që kërkojnë zgjidhje emergjente. Po ajo që të çudit është dashuria me numrin pesë, i cili po shndërrohet gati në supersticioz dhe çudibërës. Duket sikur në pesë ditë u krijua bota. Pesë ditë u ndërtuan shtetet. Pesë ditë zgjatën betejat… Pse pesë? Me sa duket në programet e PD-së dhe fjalimet standarde të liderëve politikë në opozitë, pesa ka mbetur si fosile, numri që bën mrekulli dhe duhet të ruhet i pandryshuar. Nëse i referohesh deklaratave të një periudhe të gjatë kohore, gjen se politika me pesë pika e Bashës është një histori e vjetër opozitare. Referuar pesë pikave për çdo detyrë që i cakton opozita qeverisë, jo vetëm Basha, po edhe politikanët e koalicionit të qendrës së djathtë, që edhe ata janë pesë deklarojnë: O zbatoni, pesë pikat e opozitës ose largohuni! Po kur njihesh me planet me pesë pika me të drejtë pyesim: Pse politika ngurtësohet në programe e kërkesa me pika? Dhe sa të vazhdojë politika me pika, popullit i ka rënë në kokë pika!

Nga Bardhyl BEJKO