BREAKING NEWS

E rëndë/ Të shtënat me armë që lanë tre të plagosur mes tyre dhe dy efektivë Policie, Ardi Veliu dhe Tonin Vocaj bëjnë lëvizjen urgjente. Blindohet zona, zbarkojnë RENEA dhe FNSH

E rëndë/ Të shtënat me armë që lanë tre
x

Opinion / Editorial

Programin për petullat apo petull programet?

Programin për petullat apo petull programet?

Risitë e të bërit fushatë nga forcat tona politike në këto tri dekada të ekzistencës së tyre, janë të ndryshme. Secila parti, pavarësisht nga pesha, parti e madhe, e mesme, minore, me kryetarë, pa anëtarë, me seli, pa deputetë, me vulë, pa anëtarë në Parlament, rreket të shpalosë idetë dhe skemat që i duken më të përshtatshme për të prekur sensibilitetet qytetare, për t`i joshur, t`iu marrë votën. Format edhe pse duken si ambalazhim rastësor, shumë herë fosforeshente, të ndriçuara, brenda kanë përmbajtje, ide, tharmin, që duan të përçojnë liderët përmes platformave të përgatitura me kujdes. Qëllimi të fitojnë kredo politike dhe mbështetjen e qytetarëve. Politika synon me mënyrat e veta të përçojë mesazhet tek elektorati. Përpiqen që idetë të bëhen më të kapshme, të kuptueshme, themelorja të pranueshme nga ata që u kërkojnë votën. Kësaj logjike, këtij qëllimi i shërbejnë spektaklet, parakalimet, sfilatat, marshimet, siç ishte edhe ai në sheshin “Nënë Tereza”, fare pranë korpusit të dijes, ku makinat luksoze u ranë borive, zhurmuan si për të zgjuar Tiranën dhe për t’u thënë: Mbërritëm ne, titanët! Skenat e makinave me bori të ndezura, u shoqëruan nga fjalime dhe thirrjet:Vdekje dhe ik! Oratorët u çorën dhe u ngjyrën. U bënë njësh në fjalor, aktorët e regjisorët, njerëz të letrave dhe aktrimit. Karvani i makinave të militantëve kontrastonte me autokolonën e autoambulancave të bardha që mbartin me vete shpresën dhe fitoren mbi vdekjen. Çfarë kontrasti i madh! Mbi mjetet e shëndetësisë vaksina për të shpëtuar jetë. Në shesh makinat për t`i dhënë vrull virusit. Po mesazhet përmes shpalosjes së shifrave, rritjet në dhjetëfish të premtimeve janë të destinuara të rrudhen dhe në fund të përfundojnë në ca pika uji mbi liqen. Përpjekjet për t`u mbushur mendjen votuesve shqiptarë, ndjekin forma të stërholluara në këtë prag zgjedhjesh. Kudo gëlon propaganda. Në shumicën e rasteve duket si jashtëtokësore. Më së shumti është ndezur fantazia. Skenarët shpërthejnë me të papritura, jo pak herë fluturake, fluide, të pakapshme, të paperceptueshme nga mendjet e njerëzve të zakonshëm, ai që cilësohet publiku i gjerë. Edhe më të pakuptueshme shpalosen këto mani kur shoqërohen me gjeste dhe forma që në thelbin e tyre nuk thonë asgjë dhe nuk ngacmojnë askënd. Një prej tyre më e përdorshmja janë telefonatat pafund. Diku në selitë e partive politike, janë instaluar koncentrat, të cilat kanë në dispozicion tërë numrat e telefonave celular dhe fiks për çdo individ në shkallë vendi. Bëhen mijëra telefonata në minutë. Në mëngjes të zgjon zilja e celularit. Është partia. Në drekë, para buke, në kohën e çajit dhe gjysmëgjumit të pasdites, të atyre që e ndajnë ditën me ca minuta pushim, duke dremitur dhe pritur natën për një gjumë më të plotë, u bie zilja e celularit. Alo jemi partia x! Në mbrëmje, thua se je duke shijuar menunë e ditës, jo me supë, qumësht, vezë apo biftek, dikush edhe me bukën thatë. Të gjithë janë të detyruar të presin telefonatat me pyetjen standarde dhe përgjigjen brenda. Zërat melodiozë nga selitë e partive vërshojnë bezdisëse. Duket si lavazh truri. Alo! Alo! Alo. Iu lutem mund t`iu bëjmë disa pyetje? Flasim nga Partia Demokratike, LSI, PR, PBDNJ, PS... Telefonuesja ka incizuar fjalimin e shkurtër, të fton për të votuar këtë parti dhe në fund nis e numëron përparësitë që ofron, avantazhet, arritjet, programin për të ardhmen. Një duzinë programe si një duzinë me petulla dalë sapo nga kuzhinat e politikës. Citohen treguesit që ka shënuar në të kaluarën PD, pranimin në NATO, heqjen e vizave, arterien që lidh Shqipërinë me Kosovën përmes “Rrugës së Kombit” edhe pse mungonin dhjetëra ura. Dhe vërshojnë komentet. Flitet për çudirat që na presin. Sikur në portet e aeroportet e Shqipërisë, në zyrat e vendimmarrjes botërore, bankat më prestigjoze të botës, janë duke u plotësuar çeqet e bardha që do vërshojnë sapo qeveria e re me Lulzimin në krye të kapërcejë pragun e godinës kryeministrore. Një lumare e tërë premtimesh që shfryhen edhe nga era më e lehtë, e cila i copëton në çdo cep që i prek. Sloganet prekin të shkuarën, po më së shumti u bëhet jehonë piketave për të ardhmen e ndritur. Që të nesërmen e zgjedhjeve nis ndryshimi i madh?! Kur fjala shkon tek arritjet, si me magji për një ditë të ndryshimit të situatave ekonomike dhe zgjidhjet e mëdha që normalisht kërkojnë kohë dhe vullnet, reforma të jashtëzakonshme sepse asgjë nuk arrihet me fjalë dhe premtime. Se nga të tilla fjalime edhe zhgënjimi dhe mosbesimi është shumë më i fortë. Sa kundërshton ndonjë nga argumentat që të japin telefonuesit dhe lë të kuptosh se nuk u beson përrallave apo angazhimeve stratosferike, zëri në telefon që flet në emër të partisë, bëhet gati si zë i humbur. Po telefoni është njëra prej mënyrave që kërkohet të kontaktohen individët e ndryshëm në cepat e Shqipërisë nga jugu në veri. U flet moshave nga tetëmbëdhjetë deri në njëqind vjeç. Sa ulet telefoni, hapet Facebooku. Këto janë më të kualifikuara si teknologji. Vërshojnë video lojërat. Shpalosen idetë shumëngjyrëshe. Figurina si në filmat multiplikativ të konkretizuara me mesazhe që të lënë pa frymë. Po nuk mbetet këtu shumëllojshmëria e komunikimit. Jo pak raste, autokolona e makinave, si karvanët nëpër shtigjet e maleve dikur në krye të së cilave emblema e familjeve dhe flamuri, natyrisht para të cilit përkulemi të gjithë, sikur kanë dalë të presin nusen për ta çuar tek dhëndri. Janë jo të pakta rastet kur në karvanin e pafund të makinave dalin dhjetëra individë që mezi presin, shtyhen, kush e kush i pari të rroki duart, t`i preki cepin e xhaketës, t`i dhuroj një lule apo të shkëmbej një buzëqeshje. Paradë e jashtëzakonshme. Zërat njerëzorë përzihen me boritë që frynë papushim. Militantët sillen sikur janë para njeriut të zbritur nga qiejt si të ishte shenjti që për herë të parë zbret në tokën arbërore. Askush nuk mund ta humbi rastin për ta prekur, për t`i thënë një fjalë dhe më fatlumët ta takojnë, t`i japin dorën, t`i urojnë misionin që ka ndërmarrë për ta bërë Shqipërinë perlë buzë Adriatikut. I porsaardhuri në kulmin e emocionit, ngjitet mbi makinën metalizato, i puth pafund pjesëmarrësit që nga distanca. Duket sikur dhëndri kërkon sa më shpejt të mbërrijë në shtëpinë e lumturisë për të gëzuar tërë krushqit, ku muzikantët luajnë valsin e lumturisë. Flasim për një dhëndër të një lloji tjetër. Është dhëndri kryeqeveritar. Është kryedhëndri ynë. Po nuk janë këto të vetmet mënyra për të transmetuar mesazhin dhe për të komunikuar me votuesit. Ka nisur një traditë e re. Botimi i autobiografive. Librave që janë mesazhi i mirëmenduar. Nis me historitë e jetës nga mosha katër vjeç, shoqërohet me bëma pa fund edhe pse fëmijë. Duket sikur mbajnë mbi supe vitet e një përvoje gjysëm shekullore. Pas “Kurbanit” të Edi Ramës, një refleksion i gjerë, publicistikë brilante e mbushur me përshkrime e episode që kanë brenda tërë shoqërinë, një libër tjetër i pretendentit për kryeministër ka thyer rrjetat dhe ka depërtuar në çdo shtëpi. Është libri më i fundit “Misioni im”. Nëpër sheshet e rrugicat e qyteteve të gjithë vrapojnë për ta blerë këtë libër, për të mësuar për jetën e autorit, liderin e opozitës. Kureshtarë dhe të paduruar për të njohur fëmijërinë, rininë dhe moshën e pjekurisë të autorit, Lulzim Basha. Kjo është një risi si liderët vijnë pranë publikut. Nuk flasim këtu për aktet e dhunës, mesazheve që shoqërohen me rrahje. Formave që në vend të politikave dhe logjikës, i kanë lënë ballinën forcës. Këtu nuk duam t`i lëmë hapësirë formave specifike, grushtimeve aq më pak djegieve, shkatërrimit të zyrave elektorale. Tek e fundit sende janë ato nuk derdhet gjak. Nuk duam të propagandojmë skemat e gladiatorëve që japin përparësi forcës, boksit. Kemi parë dhe do shikojmë shumë në këtë fushatë. Risi të padëgjuara. Politikanë të konvertuar në kuzhinierë. Me mullirin e piperit në dorë. Me ballokumet në furrë. Me specat në tigan. Pasarela të modës të ndonjë zonjushe edhe pse nëpër rrugicat e fshatrave veshur shik. Burra që bëjnë si gra dhe gra që trashin zërin. Po perla që na u shfaq së fundi dhe që del sipër tërë formave të tjera të fushatëbërjes, është shpërndarja e programit të LSI-së nëpër rrugët e Tiranës. Një kopje programi e shoqëruar me një petull. Politikogastronomia bashkë me politikën, ideologjia si kopje e gastronomisë. Cilido që merr një program me piketat e së ardhmes të LSI-së i jepet dhuratë një petull. Zakonisht kemi para që programet të shoqërohen me ilustrime nën dritën e prozhektorëve. Shoqëruar edhe me ndonjë dhuratë simbolike, stilolapsa, mbajtëse çelësash, axhenda, ndoshta edhe çanta apo çadra, po kjo një petull për çdo program, është vërtet gjetje origjinale. E pakrahasueshme me tërë fushatat e tjera në këto tri dekada. Është risi prej LSI. Jo vetëm ushqim për trurin, po edhe për stomakun. Programi të ndriçon mendjen, petulla të ngop stomakun. Në një dorë gastronomia në tjetrën politika. Pamë profesoreshën e respektuar, Nora Malaj duke bërë detyrën e partisë e nëpër rrugët e Tiranës me dy çanta. Në njërën dorë petullën në tjetrën programin e LSI-së. Programet petulla në fakt janë të të gjitha partive. Në një lokal buzë detit, atje ku është në përfundim shtrimi i pllakave, mbjellja e pemëve dekorative, vendosja e ndriçuesve, gjerdan i perlave në qafën e bukur të Sarandës, një grup të rinjsh komentonin: Kur do zbresin programet edhe këtu në Sarandë? Të hamë të paktën ndonjë petull dhe të njohim programin. Bashkëbiseduesi i kërkonte tjetrit nëse donte programin për petullat apo petullat për programin? Të tjerët nisën të tregonin histori nga zonat e tyre. Si, ai e hëngri petullën. I ra petulla. I mbeti në dorë petulla. I ka ikur petulla. Dhe ne kur ishim fëmijë na pëlqente të shkonim nga teta të na bënte petulla. Dhe programi politik, u kthye sa hap e mbyll sytë nga ideologjik në gastronomik dhe komik. Nuk thonë kot, gastronomia është politikë mbi politikë. Ndaj LSI si çdo parti me njërën dorë na jep programin politiko-ekonomik me tjetrën atë gastronomik!