BREAKING NEWS

Kryebashkiaku Erion Veliaj zbulon për herë të parë pse u anulua takimi me kryeministrin Kurti

Kryebashkiaku Erion Veliaj zbulon për herë të parë pse u
x

Opinion / Editorial

Prokurimet publike, risqet për korrupsion përballë auditimit të KLSH

Prokurimet publike, risqet për korrupsion përballë auditimit

Prokurimet publike janë domosdoshmëri dhe një praktikë normale e tenderimit të kryerjes së investimeve, lëvrimit të fondeve, qofshin në shkallë kombëtare, lokale, ndërmarrjeje apo institucione, mbi bazë bashkish, ministritë e linjës deri tek qeveria e Republikës së Shqipërisë. Në vendin tonë, aktualisht është krijuar një traditë dhe është përfituar përvojë në lidhje me prokurimet publike, të cilat janë një vazhdimësi pasi sipas kërkesave të ekonomisë. Për organizimin e procedurave në prokurimet publike, ka rregullator ligjore dhe nënligjore e VKM, të cilat përfaqësojnë një kornizë të gjerë për praktikat që duhen ndjekur dhe të mundshme për t`i ballafaquar me realitetin, si bëhen kur dhe sa janë të përputhura me kërkesat e ligjshmërisë.

Edhe pse ka ligje të miratuara në jo pak raste, haset një vështirësi, jo e vogël në zbatimin korrekt e me përgjegjësi që venë si nga mosnjohja, por edhe nga neglizhenca, pa përjashtuar këtu manovrat ekstra ligjore për të përvetësuar, apo orientuar prokurimet tek operatori fitues i paracaktuar, të cilët mund të jenë klientë të preferuar abuzivisht. Në jo pak raste, nuk mbeten mënjanë edhe ndryshimet e vazhdueshme në ligjin e prokurimit publike, në të shumtën e rasteve kanë patur ndikim në uljen e konkurrencës ndërmjet OE konkurrues, apo kanë krijuar vakuume në zbatimin e referencave ligjore në realizimin e procedurës së prokurimit. Në procesin e prokurimit të fondeve publike, Autoritetet Kontraktore i përmbahen kuadrit rregullator në fuqi dhe sipas kërkesave dhe kritereve të tij, i organizojnë në pjesën më të madhe nëpërmjet sistemit elektronik të APP. Në këtë drejtim është orientuar auditimi i jashtëm publik i kryer nga KLSH, i cili është pas përfundimit të praktikave pa efekte në ndryshimin e gjendjes për rastet e përfunduara, mbështetur në evidencat përkatëse dhe të dhënat nga sistemi elektronik i APP. Për auditimin e procedurave të prokurimit, tre kritere bazë shërbejnë për evidentimin e risqeve për korrupsion dhe shpërdorim të fondeve nëpërmjet prokurimit nga Autoritetet Kontraktore:

-së pari: niveli i uljes së ofertës ekonomike fituese më pak se 5 për qind nga fondi limit, e cila jep impakt pozitiv në arritjen e sigurisë së mjaftueshme prej 9 për qind të përcaktuar në standardet e KLSH-së; -së dyti: nëse janë skualifikuar nga gara OE me ofertë më të ulët se ajo e shpallur fituese; -së treti: diferencë e madhe e mesatares së ofertave të paraqitura nga fondi limit, e cila përmban riskun e përcaktimit të fondit limit më shumë nga sa kërkon projekti me qëllim fryrjen fiktive të tij; -së katërti: ndryshimet e vazhdueshme në ligjin e prokurimit publik, në shumicën e rasteve kanë pasur ndikim në uljen e konkurrencës ndërmjet OE konkurrues, apo kanë krijuar vakuume në zbatimin e referencave ligjore në realizimin e procedurës së prokurimit.

Në pamje të parë të krijohet përshtypja se sistemi parandalon rastet e shkeljeve me qëllim korrupsionin për të përcaktuar fitues operatorin ekonomik të paracaktuar, por ligji i APP dhe aktet normative nënligjore në zbatim të tij, kanë parashikuar komisione për vlerësimin e ofertave ekonomike konkurruese, si dhe njësi që përgatisin dhe ndjekin procedurën nga fillimi deri në fund. Mbështetur në këto përcaktime ligjore, KLSH gjatë auditimit logjikisht dhe ligjërisht adreson përgjegjësinë tek këto struktura që me ligj vendosin dhe miratojnë procedurën e prokurimit publik.

Në të vërtetë, pavarësisht se në aspektin juridik, vendimet i marrin këto struktura, në realitet ato zbatojnë urdhrat dhe orientimet e titullarëve të Autoriteteve Kontraktore, të cilët në fund nuk ngarkohen me asnjë përgjegjësi reale ligjore. Kjo përbën një sfidë për KLSH, pasi pavarësisht se krijojmë bindjen se përgjegjësia është e titullarit të AK, këtë nuk mund ta atribuosh për shkak të përcaktimeve ligjore në fushën e PP. Nisur praktika e derisotme dhe rastet që janë konstatuar për gjatë procesit të auditimit, KLSH ka propozuar dhe ka bërë përpjekje të vazhdueshme për miratimin e ligjit mbi përgjegjësinë materiale, i cili ndoshta edhe për shkak të korrupsionit dhe interesave të errëta nuk po iniciohet e miratohet në Kuvendin e Shqipërisë. Pavarësisht nga rekomandimet e vazhdueshme të KLSH, megjithëse me hapa të ngadaltë, procesi i prokurimit të fondeve publike është transformuar në vazhdimësi përgjatë dekadës së fundit, si nga pikëpamja rregullatore, po ashtu edhe nga logjistika, kryesisht sistemi elektronik i prokurimit të fondeve publike, i cili konsiderohet si risi dhe hap përpara. Procedurat e prokurimit, sidomos ato me ndjeshmëri, si në veprat publike të infrastrukturës, monitorohen njëlloj sipas kuadrit rregullator, si për çdo prokurim tjetër, përfshi dhe ato me vlerë të vogël. Monitorimi është lënë në kompetencë të autoriteteve kontraktore dhe mekanizmave të parashikuar në ligj, si Agjencia e Prokurimit Publik, Komisioni i Prokurimit Publik dhe Gjykata.

Po siç ka treguar përvoja e këtyre viteve, lind pyetja se sa monitorimi dhe kontrolli kanë qenë efiçentë dhe të pavarur? Shqipëria synon dhe aspiron të çelë negociatat me BE dhe në këtë kurs duhet të ishte imediate reformimi i sistemit të monitorimit dhe kontrollit të prokurimit publik dhe veçanërisht të realizimit të investimeve publike, kryesisht veprat e mëdha të infrastrukturës. Dhënia e kontratave publike në emër të autoriteteve shtetërore, duhet të jetë në përputhje me parimet e Traktatit të Funksionimit të Bashkimit Evropian (TFEU) dhe në veçanti të lëvizjes së lirë të mallrave, lirisë së veprimtarive dhe lirisë për të ofruar shërbime, si dhe parimet që rrjedhin prej saj, të tilla si trajtimi i barabartë, mosdiskriminimi, njohja reciproke, proporcionaliteti dhe transparenca. Megjithatë, për kontratat e punëve publike mbi një vlerë të caktuar, dispozitat duhet të hartohen në koordinime procedurat kombëtare të prokurimit për tu siguruar kështu se këto parime kanë efekt praktik dhe prokurimi publik është i hapur për konkurrim.

Prokurimi publik luan një rol kyç në strategjinë “Evropa 2020”, të përcaktuar në Komunikatën e Komisionit të 3 marsit 2010 “Europë 2020, një strategji për rritjen e zgjeruar, të qëndrueshme dhe përfshirëse”, si një nga instrumentet e bazë të tregut që do të përdoret për të zgjeruar investime të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse, duke siguruar përdorimin më efikas të fondeve publike. Për këtë qëllim, rregullat e prokurimit publik, miratuar në përputhje me Direktivën 2004/17/EC dhe 2004/18/EC të Parlamentit Europian dhe Këshillit, duhet të rishikohen dhe modernizohen me qëllim rritjen e efikasitetit të shpenzimeve publike, duke lehtësuar në veçanti pjesëmarrjen e shoqërive të vogla dhe të mesme (NVM) në prokurimin publik, dhe për ti mundësuar autoriteteve kontraktore përdorimin sa më të mirë të prokurimit publik në mbështetje të qëllimeve të përbashkëta shoqërore.

Aktualisht në fushën e prokurimit publik dhe të kontrollit të investimeve, impakt në drejtim të përmirësimit të procedurave dhe rritjes së monitorimit e kontrollit ka luajtur vetëm auditimi i jashtëm publik, Kontrolli i Lartë i Shtetit. KLSH në veprimtarinë audituese, ka evidentuar jo vetëm shkeljet dhe kundërvajtjet me pasoja financiare, njëkohësisht edhe ka rekomanduar masa deri në drastike, duke i referuar në institucionet ligjzbatuese, prokurori, por parësore është evidentimi i dobësive të sistemit si në prokurim, edhe në monitorim e kontroll të realizimit të investimeve me fondet publike me qëllim eliminimin e praktikave abuzuese. Në këto kushte, ka filluar reformimi i kuadrit rregullator sipas strategjisë së mësipërme për draftin e të cilit KLSH ka parashikuar përfundimet profesionale nga eksperienca e auditimit të prokurimeve publike. Dobësitë thelbësore për të cilat disa herë KLSH ka rekomanduar përmirësime ligjore, është vendosja e mekanizmave parandalues në sistemin elektronik të prokurimit në lidhje me bashkëpunimin korruptiv të KVO dhe rrjedhimisht të autoriteteve kontraktore me operatorët e tregut, ndarja e procedurës në fazën e kualifikimit dhe në fazën e vlerësimit të ofertave.

Ende KVO kur hap procedurën e vlerësimit të ofertave ka në dispozicion si kualifikimin e operatorëve, po ashtu edhe ofertat ekonomike konkurruese. Pasi ka informacion të plotë, qëllon të hyjnë në bashkëveprim me operatorë të paracaktuar nga autoritetet, duke ekspozuar dhe informacione të operatorëve të tjerë, me qëllim krijimin e bazës për ankimime me qëllim skualifikim të operatorëve ekonomik, në favor të operatorëve të paracaktuar. Nëse sistemi do të ndante në fillim vlerësimin e kritereve të kualifikimit dhe pas kësaj procedure të shfaqte ofertat ekonomike do të parandalohej bashkëpunimi korruptiv midis autoritetit kontraktor dhe operatorëve ekonomikë në treg, në drejtim të shmangies së konkurrencës së ndershme dhe sigurimit të efektivitetit të fondeve publike. Nga auditimet e KLSH-së, ka rezultuar shpesh që kjo dobësi krijon premisa për zgjerim të bashkëpunimit korruptiv deri në hallkat e kontrollit me ligj, siç është APP, KPP dhe gjykatat. Një dobësi tjetër e evidentuar nga KLSH është procesi i mbikëqyrjes dhe kolaudimit të veprave publike, të cilat janë liberalizuar dhe aktualisht, kolaudimet kryhen nga operatorë privatë të licencuar për këtë qëllim. KLSH ka evidentuar raste kur kolaudatorët paraqiten në prokurim për kolaudim të veprave publike me shuma qesharake, deri dhe në 1,000 lekë. Shtrohet pyetja, për çfarë interesi si mbikëqyrësi, apo kolaudatori privat do të japin garancinë e kryerjes siç duhet të punëve publike, kur 1,000 lekë nuk arrijnë as për transportin deri në destinacion ku është vepra e ndërtuar? Natyrisht që ka një interes dhe ky interes është shpërblimi që ndërtuesit japin për mbikëqyrësit dhe kolaudatorët, të cilët i përpilojnë aktet e kolaudimit në më të shumtën e herës edhe jashtë Autoritetit Kontraktor, duke rritur fiktivitetin dhe mbuluar abuzimet e shpërdorimet në ndërtimin e veprave publike.

KLSH ka rekomanduar për penalizim shumë operatorë të kësaj natyre dhe ka rekomanduar vënien në ngarkim dhe të shpërblimit të dëmit ekonomik të evidentuar dhe është i vetmi institucion që ushtron presion në këto drejtime. Sipas ligjit, Autoritetet Kontraktore pranojnë veprat publike në bazë të aktit të kolaudimit të këtyre operatorëve dhe përveç auditimit të jashtëm publik, nuk i nënshtrohen asnjë lloji tjetër monitorimi, apo kontrolli dhe në shumicën e veprave publike, sidomos ato të infrastrukturës, nuk janë efektive, degradojnë në një kohë të shkurtër, biles dhe brenda periudhës së garancisë. Ka ardhur koha, bile ka kaluar dhe është imediate të reformohet ky shërbim, duke krijuar instrumente me përgjegjësi shtetërore të pavarura, si psh. institute, të cilat të marrin në dorë me kompetencë mbikëqyrjen dhe kolaudimin e punimeve për veprat publike dhe sidomos ato të infrastrukturës dhe të mos lihet në dorë të autoriteteve kontraktore, marrja në dorëzim vetëm mbi bazën e një akt-kolaudimi, fiktiv në më të shumtën e rasteve, nga operatorët privat të licencuar, të cilët nuk kanë asnjë përgjegjësi ligjore dhe shtetërore të certifikojnë punimet sipas interesit të ndërtuesve, apo furnizuesve të mallrave, ku një pjesë e mirë e fondit të investimit edhe shpërdorohet. Shoqëria shqiptare, qytetarët dhe publiku, janë të ndjeshëm ndaj çdo praktike që bie ndesh me ligjin dhe praktikat më të mira bashkëkohore. Përvoja e fituar, po në radhë të parë rastet e konstatuara që nuk janë të pakta, kërkojnë harmonizim të tërë faktorëve që janë përcaktuese në kontrollin rigoroz të investimeve publike.

Është koha që prokurimet publike të vihen mbi bazë të rrepta ligjore të kontrollueshme, të verifikueshme jo vetëm nga auditimi i jashtëm, por edhe mekanizmat e tjerë të mbikëqyrjes dhe parandalimit të abuzimit dhe korrupsionit, që nuk ka munguar tek ne. KLSH mbetet i angazhuar plotësisht për të ushtuar tërë kompetencat e tij ligjore në kontrollin e rreptë të çdo hallke, ku mund të ndodhin abuzime, korrupsion, vjedhje e shkelje ligjore me qëllim përfitimin e fondeve publike. Dhe ushtrimi i kontrollit në fushën e prokurimeve mbetet objektiv themelor për sot e në të ardhmen e KLSH-së.