BREAKING NEWS

Deklarata BOMBË/ E zbulon gazetari i njohur ç’ka ndodhur mes toneve të larta dhe të ashpra: BASHA debatoi ASHPËR me Yuri KIM. Nëse vazhdon të jesh palë me RAMËN...

Deklarata BOMBË/ E zbulon gazetari i njohur ç’ka ndodhur mes
x

Opinion / Editorial

Prokurimi publik dhe ndikimi social

Prokurimi publik dhe ndikimi social

Procesi i blerjes së punëve, mallrave e shërbimeve, është një detyrë e vështirë për bashkitë dhe institucionet e tjera, veçanërisht kur bëhet fjalë për ta lidhur atë me arritjen e përfitimeve më të gjera lokale, ekonomike, sociale dhe mjedisore. Procesi i prokurimit mund dhe është parë si burokratik, i ndërlikuar ligjërisht, i izoluar nga funksionet e tjera dhe me mangësi për t'u përfshirë në të ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, të cilat në shumë raste janë konkurruese.

Ashtu si disa profesione të tjera si kontabiliteti dhe marketingu, etj., profesioni i prokurimit duhet të rrisë përgjegjësinë për të forcuar rrolin e tij në Autoritetin Kontraktor. Roli kryesor i secilit zyrtar të prokurimit është të ekzekutojë funksionin e tij të prokurimit sipas standardeve më të larta të profesionalizmit dhe në respektimin e vlerave, objektivave dhe interesave të organizatës. Kjo nënkupton që zyrtari i prokurimit duhet t'i përmbahet parimeve të drejtësisë, paanësisë, transparencës, të shmangë konfliktin e interesit dhe të ndonjë padrejtësie tjetër si dhe të respektojë dhe zbatojë politikat, rregullat dhe procedurat përkatëse të organizatës.

Zyrtarët e prokurimit duhet të udhëhiqen nga fryma e ligjit ose koncepti më i gjerë që ka për qëllim të shprehet në një kod. Është e nevojshme që zyrtarët e prokurimit të kuptojnë se çfarë ligji apo rregulli synon të arrijë. Kjo do të thotë se prokurimi duhet të shihet si një profesion që duhet të kryhet nga stafi profesional, pasi prokurimi i cili bazohet në praktika të shëndosha etike ndikon në ekonominë e çdo vendi. Prokurimi në fakt është një nga levat kryesore që autoritetet kontraktore kanë në dispozicion të tyre, për të stimuluar zhvillimin ekonomik lokal dhe për të trajtuar çështjet sociale dhe mjedisore, përfshirë zhvillimin ekonomik dhe varfërinë. Aktiviteti i prokurimit duhet të jetë në pararojë të të gjitha aktiviteteve të politikave, ku faktorët ekonomikë, socialë dhe mjedisorë kanë një rëndësi thelbësore. Kjo përfshin shpërndarjen e projekteve të infrastrukturës, shpenzimet e institucioneve që prokurojnë si dhe shpërndarjen e projekteve, duke u bërë një nga mjetet më të fuqishme, për të arritur një qasje të integruar sociale. Integrimi i prokurimit është udhëhequr nga aktet ligjore e nënligjore të fushës si dhe aktet ligjore e nënligjore që lidhen me fusha të ndryshme që kanë lidhje me prokurimin publik, të cilat duhet të njihen mirë nga zyrtarët e prokurimit, si aktet ligjore për ndërtimin, për kontabilitetin, për tatimin, për sigurimet shoqërore, për licencimin, për certifikimin etj.

Ligji “Për prokurimin publik” duhet të plotësohet nga tri konsiderata kryesore: Ai duhet të inkurajojë më shumë fleksibilitet në prokurim - kjo përfshin aftësinë për t'u angazhuar me furnizuesit e mundshëm përpara se një mall ose shërbim të shkojë në treg; Ligji duhet të kërkojë rritjen e pjesëmarrjes së ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme dhe jashtëzakonisht konkurruese në procesin e prokurimit - duke i bërë ata më të vetëdijshëm për mundësitë, duke i inkurajuar ata të bëjnë oferta dhe përfundimisht të fitojnë kontrata; Si dhe duhet të inkurajojë blerësit që të konsiderojnë se si mund të përdoret prokurimi për të adresuar qëllime më të gjera sociale dhe mjedisore. Në nivel kombëtar më shumë rëndësi është gjeografia e shpenzimeve për të identifikuar sektorët ku ka shumë shpenzime, sektorët ku ka rrjedhje jashtë ekonomisë lokale apo sektorë ku ka shumë pak shpenzime lokale, si dhe ndikimi social i këtyre faktorëve. Gjithashtu e njëjtë për nga rëndësia është edhe natyra e shpenzimit e cila ka lidhje me analizën gjeografike për të identifikuar shkallën e furnizuesve. Ndarja e këtyre të dhënave me të gjithë aktorët lokalë ndihmon në rritjen e të kuptuarit të ndikimit të shpenzimeve publike dhe gjenerimin e vetëdijes më të mirë për prokurimin si një mjet për të arritur qëllimet e politikës në fushat e caktuara duke patur në konsideratë ndikimin social. Kjo për faktin se në bashki periferike transfertat nga pushteti qendror janë shumë të ulëta, fonde minimaliste në krahasim me nevojat e tyre për një jetë sociale normale.

Një nga qëllimet kryesore të ligjit të prokurimit është maksimizimi i përfitimit nga prokurimi nëpërmjet procesit të ndërmarrjes së analizës së shpenzimeve të tyre dhe vendosjen e kontekstit më të gjerë për veprime të integruara. Maksimizimi i përfitimit përmes prokurimit arrihet vetëm pas bërjes së një analize duke parashikuar që zgjedhja e ofruesit të shërbimit të bëhet mbi bazën e ofertës që paraqet raportin më të mirë çmim-cilësi dhe qëndrueshmërisë për shërbimet sociale. Nisur sa më sipër ka shumë rëndësi që në parimet e përzgjedhjes në prokurim, duhet të jetë pajtueshmëria dhe zbatimi i detyrimeve të përcaktuara në fushat e legjislacionit mjedisor, social dhe të punës.

Auditimi i prokurimit është një sfidë e punës audituese të Kontrollit të Lartë të Shtetit, e cila ndikon në përmirësimin e performancës së prokurimit, veçanërisht në lidhje me rezultatet e prokurimit. Në vazhdim të punës së tij audituese, KLSH-ja së fundmi i është drejtuar edhe Komisionit për Ekonominë dhe Financat, mbi disa problematika në fushën e prokurimeve publike dhe drejtimet kryesore të përmirësimeve ligjore. Kjo në lidhje me ndryshimet ligjore në vlefshmërinë e procedurave të prokurimit në jo më pak se dy operatorë ekonomikë pjesëmarrës që plotësojnë kriteret e kualifikimit; vendosja e garancisë së ofertës në të gjitha llojet e procedurave të prokurimit; përcaktimi i qartë, ligjor, transparent dhe ezaurues për përllogaritjen e fondit limit sipas tipit të kontratës; si dhe hartimi i një kuadri rregullator të veçantë në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë kombëtare duke u bazuar në direktivën përkatëse të BE-së.

*Kryeaudituese në Kontrollin e Lartë të Shtetit