BREAKING NEWS

Përfundon takimi Hoti-Vuçiç, i dërguari i BE zbardh prapaskenat: Marrëdhëniet u normalizuan pas 20 muajsh, ja për çfarë ramë dakord!

Përfundon takimi Hoti-Vuçiç, i dërguari i BE zbardh
x

Opinion / Editorial

Propozimi i SHBA është “gracka” ku politikanët shqiptarë mund të bien si “laraska”!

 

Propozimi i SHBA është “gracka” ku politikanët

Nuk jam i pari që bëj plagjiaturë me batutën e Hamletit të Shekspirit, por më nevojitet të artikuloj parashikimin e mëposhtëm të situatës “interesante” që po kalojmë:

 1- Afati i përmbylljes së reformës zgjedhore, njërës prej kërkesave të BE po shkon drejt fundit. Kërkesa nga brenda dhe nga jashtë për ndryshim të Kodit Zgjedhor ishte artikuluar, diku hapur, e diku në surdinë. Këtë ndryshim, asnjëra nga partitë kryesore nuk e dëshironin dhe nuk e dëshirojnë. Maxhoranca jo e jo, por as opozita: Pse? Nëse “hyjnë” në Kod listat e hapura dhe proporcionali, “trio” PS, PD, LSI, nuk e kanë të sigurtë marrjen e kuotave të nevojshme në zgjedhjet e ardhshme. Kjo kuotë e nevojshme do të arrihet me koalicione paszgjedhore, koalicione që nuk dihet se si mund të realizohen: PS-PD, PS-LSI, apo PD-LSI. Për t’i shpëtuar këtij sikleti, u përshpejtua sulmi mbi Teatrin Kombëtar, i cili kishte dy qëllime tashmë të dukshme: Të realizonte “planin” disa vjeçar të KM për kullat fitimprurëse, njëherësh të sabotohej tavolina e bisedimeve për reformën zgjedhore.

 2- Ambasadorja amerikane, që me sa duket nuk ka rënë ende në kurthin e politikës bizantine shqiptare, para apo pas “betejës me teatrin” (kjo mbetet për t’u vërtetuar), lëshon propozimin për një Kod Zgjedhor të modelit danez. Fillimisht, propozimi u mbajt konfidencial, ç’ka i dha dorë si Ramës, ashtu dhe Lulit e Monikës, të cilët është e pakonceptueshme të mos e kishin dëgjuar këtë propozim amerikan. Por heshtja e politikanëve shqiptarë, e detyroi ambasadoren ta nxjerrë “propozimin” e saj nga konfidencialiteti.

 3- Kjo gjë e tërboi “trio”-n tonë: Luli u hoq sikur nuk e kishte dëgjuar këtë propozim amerikan, ndërsa Gjiknuri, përfaqësuesi i mazhorancës në “tavolinën e bisedimeve për r. zgjedhore”, duke u përdredhur si ngjalat e Lalëzit, tha se “ndryshimi i tanishëm i Kodit Zgjedhor është i pamundur, sepse po e hapëm këtë lojë, do të na duhet të prishim shumë nene të Kushtetutës”. Është fjalë për Kushtetutën aktuale, të cilën që nga 2008 e gjer tani e kanë bërë me vrima më të shpeshta se shosha që përdorin plakat për sitjen e miellit të misrit.

4- Por më keq e ka ndjerë goditjen Kryeministri. Kjo u duk sot me datën 21 maj në seancën parlamentare, ku si kurrë ndonjëherë fjalimi i tij ishte mbi parametrat “intensivë” e “ekstensivë” të fjalimeve të tij të shumta e të zakonshme.

Nëse ambasadorja amerikane Yuri Kim, përfaqësuesi i BE Soreca, dhe ata të OSBE (ODIHR), do t’i qëndrojnë këtij propozimi për Kodin Zgjedhor, atëherë shpresohet në një farë dalje nga bataku, ku ka rënë politika dhe shteti shqiptar. Sigurisht as kjo nuk është një zgjidhje e plotë për popullin shqiptar, por të paktën do të realizohet batuta justifikuese e disa intelektualëve, që thonë se: “Kur nuk ke pulën, le të hamë sorrën”! A do të funksionojë batuta e Hamletit për “grackën dhe laraskën”?! Të shohim!