BREAKING NEWS

Albin Kurti gjatë konferencës merr vendimin e menjëhershëm për taksën ndaj Serbisë, ja çfarë u vendos dhe kur do hyjë në fuqi

Albin Kurti gjatë konferencës merr vendimin e menjëhershëm
x

Opinion / Editorial

Protesta e pushtetit kundër pushtetit, është "luftë për pushtet"!

Protesta e pushtetit kundër pushtetit, është "luftë

Shumë e thjeshtë ta interpretosh 2 marsin e presidentit si thirrje për të mbrojtur "Kushtetutën", e cila në historinë e saj që nga 1998-ta është shkelur dhe stërshkelur me qindra herë nga kjo klasë politike që bën antagonisten e vetes, për të mbajtur pushtetin. "Mbrojtjen e Kushtetutës" thonë - kur po fillon drejtësia e re, e sabotuara prej tyre. E këtë gjë sigurisht duhet t’ua tregojnë fëmijëve që nuk intereson për asgjë përveç "Iphone", por jo njerëzve që dinë qartë se kush janë thyerësit e Kushtetutës ndër vite në këtë Shqipëri të shkretë. Por ka diçka të qartë dhe për fëmijët. Protesta po thirret nga pushteti. Institucioni Presidentit është pushtet dhe në këtë pushtet, e ka vendosur mazhoranca që është sot dhe po ashtu partia e tij personale e trashëguar dhe e lënë nën kujdes të familjes së tij, ose bashkëshortes së tij. Në këtë koncept, protesta nuk ka lidhje me idealin protestues të shoqërisë kundër pushtetit të sotëm ose qeverisë apo kryeministrit, sepse po të ishte kështu, ajo nuk ka nevojë për thirrje nga askush, as nga vetë presidenti. Protesta po thirret nga njerëzit në "demokraci" gjithmonë me pushtet në Shqipëri që nga fillimi i hyrjes së saj. Po përkrahet dhe po mbështetet nga njerëz dhe klika pushtetërore kundër një pushteti që dikur e kanë pasur aleat dhe akoma më shumë që kanë bërë marrëveshje politike të shumta deri në kushtetutshmëri. Por po kërkohet ndihmë dhe te opozita, që është jashtë institucioneve, e cila ka provuar një vit rresht në kauzat e saj ta përmbysë pushtetin përballë dhe nuk e ka arritur kurrë këtë gjë. Pushteti kundër pushtetit në Shqipëri është keq edukata jonë demokratike dhe shitet si një model demokracie i "përkorë". Ju shitet masave që akoma nuk e përtypin mirë jo vetëm demokracinë dhe rregullat e lojës së saj, por dhe vetë lirinë. Por nuk mund tju shitet gjithë shoqërisë shqiptare si një "heroizëm" demokracie, një tentativë e fundit për të mbajtur dhe rrëzuar pushtet, e cila nuk është asgjë tjetër veçse "luftë për pushtet". Çfarë modeli të mirë mund të ofrojë pushteti i sotëm që proteston kundra pushtetit në qeveri dhe maxhorancë? Sepse dhe Presidenca është pushtet dhe opozita është pushtet dhe media e tyre është pushtet dhe lidhjet e tyre me biznesin është pushtet dhe për më tepër kanë qenë në pushtet dhe janë sjellë në mos si këta sot, akoma më keq kur ishin në pushtet. Çfarë kanë më mirë këta? Çfarë kanë bërë mirë këta që duhet tju besojmë si sistem referimi që të na mbushet mendja të dalim si protestues një pushteti politik, kundër një pushteti po politik në Shqipëri? Nuk kanë qenë hajdutë tenderash vallë? Nuk kanë qenë të krimbur në korrupsion? Nuk kanë ngritur sistem drejtësie të degjeneruar? Nuk kanë bërë “Gërdec dhe 21 janar”? Nuk kanë mbushur drejtoritë dhe vendet e punës me rrufjanë partie? Nuk kanë degraduar sistemin arsimor dhe atë shëndetësor? Nuk janë kapur me zë dhe figurë me afera mijëra e qindra mijëra dollarëshe? Nuk kanë bërë pasuri njësoj si këta sot, e ndoshta më tepër, vetëm në sajë të profesionit të vetëm dhe punës së vetme në jetën e tyre që është - politika? Për këtë duhet të protestojmë, që të ndërtojmë një pushtet me një tjetër sepse po vjen dita që dikush duhet të japë llogari para ligjit. Gjithkush dhe shumëkush si majtas, djathtas dhe në qendrën e politikës së pushteteve të tillë në Shqipëri sigurisht duhet të vijë dita që të ketë llogari. Në fakt është një klasë politike në pushtet, një elitokraci politike në pushtet, prej tre dekadash që janë prodhim i institutit dhe idesë së "njeriut të ri", që ka prodhuar nëna e tyre ideologjike që vdiq, duke i lënë "jetimë majtas dhe djathtas" në spektrin politik shqiptar! Po po, ju vdiq "mamaja filozofike" të tillë folk-politikanëve, që si në pushtet dhe opozitë janë në krye të pushtetit që e duan për të korruptuar sisteme dhe institucione vetëm për përfitim. Që ato të jetojnë mirë, që fëmijët e tyre të jetojnë mirë dhe që bizneset e tyre të jenë mirë në sajë të sundimit dhe pushtetit të përjetshëm. Protesta nuk mund të jetë nga pushteti kundër pushtetit, sepse është thjesht "luftë për pushtet" dhe prej kësaj lufte janë të humbur shqiptarët. Protesta sot dhe nesër, duhet të jetë mes shoqërisë shqiptare dhe pushteteve që i bien në qafë shoqërisë dhe demokracisë në Shqipëri. Po kjo do të ishte lufta demokratike pa kompromis mes shoqërisë dhe kësaj klase politike (360 gradë) që e ka tepruar prej tre dekadash në këtë vend. Pushteti kundër pushtetit është një luftë mes llojit të njëjtë korruptiv dhe abuzues me demokracinë. Protesta e pushtetit me dhe kundra pushtetit, mes aleatësh të dikurshëm dhe "armiqsh" të sotëm, është luftë për karrigen dhe pushtetin, që rrezikohet nga tani e më andej, kur ka disa premisa për të nisur punën drejtësia dhe organet e saj që varen kryesisht nga të huajt. Protesta e pushtetit për "sinorët" e pushtetit të tyre personal dhe politiko-korruptiv, për fat të keq e përkrahur dhe nga opozita humbëse e doktorit, përbën dhe fajin e fundit të një PD-je e cila ka humbur përfundimisht kolonën vertebrale dhe idealet e demokracisë. Po kërkohet vetëm pushteti dhe jo krijimi i alternativës. Kërkohet vetëm pushteti dhe detyrimi i pushtetit përballë të ulet për të ndarë pushtete, me këta që protestojnë për pushtet. Faktet dhe letrat e tyre protestuese, janë po ato fakte dhe letra që shoqëria jua ka parë atyre që sot i nxjerrin kundër kësaj mazhorance dhe që kur kanë qenë dje në pushtet, i kanë bërë akoma më keq vetë. Për to nuk është aspak problem që mbasi kanë prishur mendjet e shoqërisë dhe djegur institucione, të ribashkohen për të ndarë sërish pushtetin e tyre që ka tridhjetë vjet që është i tillë. Të tillë pushtete që protestojnë ndaj një pushteti si vetja e tyre, janë kohë e kaluar dhe po ashtu një model që duhet larguar përfundimisht nga mendja e rinisë shqiptare, por dhe njerëzve normalë në Shqipëri. Të tillë individë që kanë tre dekada që bëjnë lëmsh një shoqëri nuk mund të jenë të besueshëm dhe sidomos nuk janë ata që duhet të thërrasin protestë. Protestë bën vetëm shoqëria e pandikuar nga politika dhe jashtë këtij establishmenti të korruptuar e shpesh herë subjekt i ardhshëm i drejtësisë në Shqipëri. Të gjithë thirrjet e tjera që kanë lidhje me pushtete të djeshëm, të sotëm, të ikura dhe të humbura, apo të ngritura dhe të ulura, janë vetëm një marrëzi e luftës për pushtet. Asgjë më shumë dhe aspak më ndryshëm se sa kaq! Thjesht janë lojëra si dikur mes "bolshevikësh dhe menshevikësh" për ato që kanë lexuar sado pak historinë e origjinës nga kanë ardhur filozofikisht të tillë protestues dhe pushtetarë e ish-pushtetarë ideologjikisht dhe realisht.