BREAKING NEWS

'Iku nga Durrësi se mori vesh se do shkonte Basha', Rama i përgjigjet Sali Berishës

'Iku nga Durrësi se mori vesh se do shkonte Basha', Rama i
x

Opinion / Editorial

Provokacion apo agresion ushtarak

Provokacion apo agresion ushtarak

(71 vjet nga agresioni ushtarak Gusht ‘49)

Mbi zhvillimin e luftës civile në Greqi

Greqia historikisht, e sidomos qysh nga mesi i shek. XIX ka pretenduar dhe synuar për territore shqiptare. Madje edhe pas shpalljes të pavarësisë të shtetit shqiptar, shteti grek ka kryer provokacione, diversione ushtarake dhe ka tentuar të pushtojë forcërisht territore shqiptare. Ato janë intensifikuar sidomos pas shpalljes së Pavarësisë në vitin 1912. Fakti që në vitin 1913 “Konferenca e Londrës” caktoi kufijtë zyrtar të shtetit shqiptar dhe kështu vulosi përfundimisht kapitullin e kufijve mes të dy vendeve, Shqipërisë me Greqinë, krijoi shqetësime serioze. Veprimet luftarake të nisur më 2 gusht 1949 në Jug të vendit, me objektiv pushtimin dhe aneksimin me forcë të tokës shqiptare, që grekët e quajnë “Vorio-Epir”, ishte një nga aktet e organizuara më luftarake greke të kryera kundër Shqipërisë. Ky intensifikim i veprimeve luftarake greke ndaj tërësisë territoriale të Shqipërisë në kufijtë juglindorë e lindorë lidhej drejtpërsëdrejti me përmbajtjen, karakterin dhe zhvillimet e luftës civile në Greqi, ku faktori komunist në vend kishte përballë koalicionin e djathtë të mbështetur nga Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA).

Përballë këtij koalicioni të brendshëm dhe të jashtëm, komunistët grekë dhe Ushtria Demokratike Greke (UDG) ishin të detyruar të kërkonin mbështetjen e Bashkimit Sovjetik (BS) dhe të partive komuniste në rajonin përreth Greqisë. BS qëndroi në dukje i tërhequr nga çështja greke, por në prapavijë ai aktivizoi faktorët komunistë rajonalë në mbështetje të tyre, posaçërisht Shqipërinë dhe Bullgarinë, e fillimisht dhe Jugosllavinë. Kështu, si pa u ndier, në mënyrë të natyrshme faktorët komunistë rajonalë morën anën e komunistëve grekë dhe të UDG-së në konfliktin civil të vendit. Përballë një situate të tillë koalicioni i djathtë grek, me mbështetje të Britanisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), e shtriu goditjen e tij ushtarake njëherazi kundër komunistëve grekë dhe ushtrisë së saj në Greqi, si dhe kundër shteteve komunistë fqinj që e mbështesnin atë në rajon, si Shqipëria. Kulmin e saj, kriza shqiptaro-greke e pati në të ashtuquajturat provokacionet e gushtit të vitit 1949. Ajo shpejt mori pamjen e konflikti frontal ushtarak midis dy ushtrive të të dy vendeve.

Lufta civile greke ishte në etapën përfundimtare të saj. Ushtria monarko-fashiste greke, me mbështetjen e specialistëve ushtarakë dhe me armatimin anglez, forcat partizane greke i kishin shtyrë drejt kufirit verior të saj me Shqipërinë e Jugosllavinë. Forcat partizane greke kishin kaluar në pozicione mbrojtje dhe u grumbulluan në malin e Gramozit, që ishte zona e fundit e tyre. Trupat monarko-fashiste greke, për të bllokuar furnizimin dhe goditur nga shpina forcat komuniste greke shkelën territorin shqiptar. Njëkohësisht sulmi grek synonte jo vetëm të fusnin zjarrin e luftës edhe në Shqipëri, por edhe të masnin pulsin e aftësisë mbrojtëse të RPSH dhe, po të kishin mundësi, të realizonin politikën e tyre shoviniste për aneksimin e Korçës dhe të Gjirokastrës. Konflikti midis Shqipërisë dhe Greqisë nuk kaloi thjeshtësisht vetëm në plan dypalësh, si shqetësim ai u shtri deri në Kombet e Bashkuara, në Këshillin e Sigurimit dhe në Fuqitë e Mëdha. Greqia, e mbështetur nga mjaft shtete e akuzoi Shqipërinë dhe bashkë me të dhe Bullgarinë si vende që nxisin luftën civile në Greqi, duke mbështetur forca politike dhe ushtarake guerrilase e antikushtetuese.

Veprimet luftarake

Edhe pse të shkëputura e si provokacion veprimet luftarake kryheshin prej shumë kohësh më përpara vazhduan me intensitet më të lartë nga 2 gushti deri në 5 shtator 1949. Me ndërprerje ato u shtrinë në zonat e Bilishtit, Kapshticës, Leskovikut dhe Konispolit. Shqipëria pësoi dëme në njerëz, ushtarë dhe civilë të vrarë, si dhe dëme materiale në fshatrat pranë kufirit. Forcat monarko-fashiste greke, lanë mjaft ushtarë të vrarë në territorin shqiptar, si dhe rob lufte. Shteti shqiptar i ndoqi me vëmendje zhvillimet politike e sidomos ushtarake mes dy vendeve. Ai e kishte mësuar lajmin për sulmin e forcave monarko-fashiste greke në fillim të korrikut 1949. Ushtria shqiptare ishte e gatshme në raport të drejtë me intensifikimin e veprimeve dhe në gatishmëri, pasi forcat monarko-fashiste greke kishin rreth 8 muaj në “shënjestër” kufirin shqiptar në zonën Leskovik-Korçë. Forca të shkëputura monarko-fashiste greke sajonin dhe nxitnin provokacione ndaj kufitarëve shqiptarë, përdorën agjentë të shërbimit sekret gjatë kufirit, krijonin konflikte provokuese me forca ndaj banorëve të zonës kufitare.

Në këto provokacione ngaqë synimet greke nuk kishin mundur të shkaktonin acarim të palës shqiptare për nisje konflikti, kaluan në veprime luftarake në masë, të koordinuara. Pala greke, duke u dhënë një përmbajtje të re veprimeve të saj, kaloi në veprime më masive. Mësymjen nga toka, po e mbështeste jo vetëm me zjarrin e artilerisë, por edhe të aviacionit. Veprimet luftarake midis dy palëve, duke tejkaluar përmasat e provokacioneve, të shkëputur po merrnin gjithnjë e më shumë karakterin e luftës me front të rregullt. Të dëshpëruar dhe të acaruar, në 2 gusht 1949, në orën 04:30, në zonën e Bozhigradit (Mirasit) filloi përgatitja me artileri e forcave ushtarake greke, të dislokuara përgjatë kufirit me Shqipërinë. Predhat ranë deri 300-400 m në thellësi të territorit shqiptar. Në orën 05:00 filloi sulmi i fanterisë greke me 3 batalione të Br51F dhe Br52F të D1F, të mbështetur nga një Regjiment Artilerie dhe një skuadrilje aeroplanësh gjuajtës, të tipit “Spitfiter”, me bazë në aerodromin e qytetit Kastoria. Kështu ka nisur agresioni ushtarak kundër Shqipërisë në Gusht 1949.

Luftë e armatosur me të gjitha format

Analiza e veprimeve luftarake të FA greke të gushtit 1949, tregon qartë se nuk kemi të bëjnë me një incident, as provokacion, por me një luftë të armatosur me të gjitha format, metodat, qëllimet, karakteristikat dhe elementet e një agresioni ushtarak për pushtim, ku vihen përballë dy shtete dhe Forcat e tyre të Armatosura. Nuk ka rëndësi se u zhvillua në një pjesë të kufirit e territorit të vendit, por qëllimet ishin të plota, kapja dhe mbajtja e territorit të përcaktuar prej tyre. Veprimi ushtarak i armatosur grek i 2 gushtit 1949, ishte vazhdim i idesë së kahershme aneksioniste për pushtimin e të ashtuquajturit “Vorio-Epir”.

Greqia nuk kishte dhe madje nuk ka abroguar edhe sot e kësaj dite ligjin e luftës, nuk ka hequr dorë prej synimit të saj. Tërë dokumentacioni ushtarak i ngjarjeve konkrete nga të dy forcat luftuese, i dëshmitarëve, i shkrimeve dhe kronikave të kohës tregojnë për agresion ushtarak të forcave monarko-fashiste greke kundër vendit tonë. 2 gushti 1949 ishte fillimi, por sulmet vijuan gjatë gjithë muajit gushtit. Dokumentet faktike të forcave monarko-fashiste greke që u përdorën kundër Shqipërisë, tregon se në ushtrinë e tyre kishin topa, avionë, ushtri tokësore e gjithçka që përdor një Forcë e Armatosur e një vendi që synon të pushtojë një vend tjetër.

Ushtria Kombëtare Shqiptare, iu kundërpërgjigj sulmit pushtues grek, me luftë të armatosur, në mbrojtje të kufijve e trojeve të sulmuara. Forca monarko-fashiste të Greqisë sulmuan Shqipërinë me mbi 70 mijë ushtarë, 50 avionë, 80 tanke dhe një skalion artilerie me afro 400 gjuajtës, kryesisht topa. Ushtria Kombëtare shqiptare mobilizoi dhe futi në luftimet aktive mbrojtës rreth 10 mijë ushtarë, ndërkohë kryen rigrupim e përqendrim pranë rajonit të veprimeve luftarake rreth 30 mijë trupa të tjerë, në gatishmëri për të vepruar në fushën e betejës.

Agresion me përmasa dhe objektiva të kufizuara ushtarake

Më 2 gusht 1949 në zonën kufitare në Juglindje të Shqipërisë me bazë në rajonin e Korçës, të Leskovikut dhe deri në Konispol të Sarandës e në Likojan, u kryen veprime ushtarake në shkallë të gjerë nga shteti i Greqisë. Këto veprime të armatosura ushtarake nuk ishin thjesht provokacion apo provokacion ushtarak (i armatosur) siç është cilësuar nga shteti shqiptar në vitin 1949, e që vazhdon të trajtohet nga historia zyrtare shqiptare, si dhe nga studiues civilë dhe ushtarakë, por agresion ushtarak.

Natyrisht, më tipiku për nga përmasat dhe kohështrirja janë “provokacionet” e forcave monarko-fashiste greke, në Gusht 1949. Këto provokacione, parë nga qëllimi, shtrirja territoriale, intensiteti i goditjeve e pjesëmarrja e forcave, pavarësisht motiveve publike të shpallura nga udhëheqja e lartë greke, sipas studiuesve të ndryshëm ushtarakë, përbëjnë një agresion mirëfilli ushtarak me përmasa dhe objektiva të kufizuara ushtarake ndaj RPSh. Këto “provokacione” nuk u shtrinë në pika apo objekte të veçanta, që janë tipike për provokacionet, por në gjithë kufirin e Jugut, nga Kapshtica, Bozhigradi, Leskoviku e deri në Konispol (2 gusht-5 shtator 1949). Objektivi ishte kryesisht pushtimi i qarkut të Korçës, ku dhe përpjekjet ishin më të ashpra e me pjesëmarrje shumë të gjerë forcash ushtarake, sikurse dhe pushtimin mundësisht të Gjirokastrës, nën petkun kundër lëvizjes partizane greke e rrugëve të furnizimit nga Shqipëria.

Në rezultat të ballafaqimeve të dy forcave ushtarake, por dhe të shpjegimit të fjalorit të gjuhës shqipe del se nuk ka qenë provokacion, por agresion ushtarak. Këtu kemi parasysh qëllimin, objektivat politikë, forcat pjesëmarrëse (ku greku i kishte të organizuar të tre llojet e FA në sulm), grupimi i forcave dhe mjeteve, pjesëmarrësit në agresion, kohështrirja që është jo tipike për incidente dhe provokacione, por për një agresion, në rastin konkret me synime dhe objektiva të kufizuara (jo e përfshirë në të gjithë territorin e vendit), por të një pjese të tij dhe posaçërisht në atë që greku e quan “Epiri i Veriut”.

Agresioni ushtarak i ndërmarrë nga forcat monarko-fashiste greke ishte një agresion ushtarak me objektiva të pjesshme, por po të kishin arritur ato objektiva, në përfundim do të ishte agresion ushtarak me objektiva vendimtare.