BREAKING NEWS

Maturantët çohen në protestë para Qendrës për Shërbimin Arsimor, reagon 'flakë për flakë' ministrja Evis Kushi, tregon vendimin që pritet

Maturantët çohen në protestë para Qendrës për
x
BREAKING NEWS

Priten zhvillime të rëndësishme! Socialistët mbledhin sot Kongresin e jashtëzakonshëm në stadiumin “Air Albania”, rizgjidhen strukturat. Zbardhet e gjithë axhenda

Priten zhvillime të rëndësishme! Socialistët mbledhin sot
x
BREAKING NEWS

“Për të gjithë ata që i japin PS diçka sado të vogël”, Rama del me mesazhin e fuqishëm për të gjithë socialistët

“Për të gjithë ata që i japin PS diçka sado
x
BREAKING NEWS

PS mbledh sot Kongresin, paralajmërohet furtunë në parti dhe në administratë, emrat me më shumë vota drejt katapultimit në qeveri

PS mbledh sot Kongresin, paralajmërohet furtunë në parti dhe
x
BREAKING NEWS

Shantazhet e Berishës ndaj SHBA për të marrë PD, blof për të rritur pazarin, deputetët demokratë kundër rikthimit të tij

Shantazhet e Berishës ndaj SHBA për të marrë PD, blof
x

Opinion / Editorial

Pse Berisha shpallet tani “non grata” nga SHBA?

Pse Berisha shpallet tani “non grata” nga SHBA?

Janë të shumtë ata që pyesin se pse pikërisht tani Berisha shpallet “non grata “ nga SHBA, ndërkohë që ai ka 8 vjet që është tërhequr nga PD dhe nuk mban më asnjë funksion politik dhe shtetëror? Kontributi i Berishës për demokracinë është i vlerësueshëm, por jo deri sa ai të quhet lider i demokracisë dhe i integrimit të Shqipërisë në organizmat euroatlantike. Apo akoma më keq të shprehesh se “rrufeja amerikane godit lisat e gjatë”, siç u shpreh në një emision televiziv një analist pranë PD. Se SHBA e di mirë kur godet dhe “rrufesë” së saj të mirëpërgatitur, nuk mund t’i shpëtojë askush. Se si lindi demokracia tek ne dhe se si kaloi ajo nëpër shtigjet e 30 viteve të komanduara kryesisht nga Berisha, të gjithë shqiptarët e kanë në kujtesë dhe ndërkombëtarët e kanë të regjistruar në dokumente të sakta, ndaj më kot mundohet ndonjë mbështetës i Berishës të japë leksione glorifikuese për ta inkurajuar atë. Zgjedhjet e 26 majit ‘96, karshillëku bajraktarist ndaj SHBA me tentativën deri për të sulmuar ambasadën e saj, sa herë prekeshin interesat e pushtetit të tij personal, djegia e Shqipërisë në ‘97, organizimi i grushtit të shtetit në 1998, tragjedia e Gërdecit, “21 Janari”, janë dëshmi e zezë në historinë e demokracisë shqiptare, që mbajnë autorësinë drejtpërsëdrejti të Sali Berishës. Po ashtu të gjithë e dinë mentalitetin prej komunisti të Berishës në drejtim të shtetit dhe anarkinë ku e futi ai demokracinë, pasoja të cilat po i vuajmë ende edhe sot shqiptarët. Dhe qëndrimi revanshist i Berishës nuk ka qenë vetëm në kuadrin e llafeve të momentit e deklarimeve emocionale, por ka qenë kërcënues realisht, që ka çuar deri në eliminim fizik të kundërshtarëve të tij politikë që e kanë shkelur atë në kallo. Nuk janë thjesht deklarime emocionale të momentit ato se “do tua ngrijë buzëqeshjen në buzë”, “asnjë shpresë nuk kanë karrigethyerit” për një grup të shquar intelektualësh që u shkëputën fillimisht nga diktati i tij. Po ashtu askush nuk e ka harruar përndjekjet dhe persekucionin që u bënte ai administratës dhe punonjësve për bindjet e tyre politike, duke u interesuar edhe për punësimin e një roje apo pastrueseje nëse ishte apo jo e partisë së tij. Ndaj Berishës ndoshta mund të ketë edhe akuza të pabaza, por disa nga këto janë të dokumentuara me dëshmi të sakta, si vrasja e Remzi Hoxhës, Azem Hajdarit dhe deri tek aludimet për vdekjet misterioze të disa prej bashkëpunëtorëve të tij, si Gazidede, Pashko, Spahia, Zhulali, për të vazhduar me eliminimin e pretenduesve të zbulimit të zullumeve të tij, të avokatit Hana dhe Trebicka. Për të gjitha këto veprime të zeza, Administrata Amerikane grumbullonte informacion dhe mbante shënimet e duhura, të cilat disa prej tyre në momente të caktuara edhe i ka bërë publike. Qëndrimet e Administratës Amerikane ndaj Sali Berishës kanë qenë në përputhje me konjukturat politike brenda vendit dhe ato gjeopolitike jashtë vendit. Është kjo arsyeja që edhe kur institucionet e drejtësisë shqiptare kanë patur provat e nevojshme për ndëshkimin e Berishës, kanë qenë po vetë faktorë të caktuar ndërkombëtarë, midis tyre dhe ai amerikan, që e kanë penguar një gjë të tillë. Dhjetëvjeçari i parë i zhvillimit “alla berishçe” i demokracisë në Shqipëri, amerikanëve u duhej për të çrrënjosur komunizmin, pavarësisht metodat dhe mjetet që përdoreshin. Dhe njeri më të përshtatshëm se një komunist fanatik si Berisha, nuk mund të gjendej, për të shkatërruar çdo gjë komuniste që kishte futur rrënjët thellë në shoqërinë shqiptare. Pavarësisht se Berisha nga mentaliteti që kishte e ktheu gjithçka në anarkizëm, fasadën demokratike diti ta shpalosë mirë. Pas vitit 2001 kur pushtetin e mori PS, amerikanët ende kishin frikën se po ringjallet komunizmi dhe u duhej zhurma çoroditëse dhe fryma konfliktuale që ndiqte Sali Berisha për të krijuar imazhin se në Shqipëri demokracia po ecte. Mbushja e shesheve me militantë të verbër revanshistë dhe çirrjet hakmarrëse për të çuar në litar çdo komunist e veteran, i krijuan botës mendimin se komunizmi nuk ringrihet më dhe se demokracia është e pandalshme në vendin e fundit diktatorial të Europës. Me zgjedhjet kriminale të 26 majit, amerikanët filluan t’ia njohin nuancat diktatoriale Berishës dhe i dhanë atij një goditje të rëndë, por ai e mori veten dhe e riparoi deri diku imazhin e tij, para shqiptarëve dhe botës. Krijimi i KOP-it në 2005, si dhe i një ekipi të ri drejtues në PD, deklaratat për të qeverisur “me duar të pastra”, si dhe një autokritikë edhe pse e cekët për gabimet që kishte bërë, krijuan një farë besimi tek populli dhe tek ndërkombëtarët se PD me Berishën kishin ndryshuar dhe se demokracia do të ecte pa pengesa. Edhe pse Berisha thelloi qeverisjen e tij autokratike gjatë dy mandateve të tij qeverisës, ndërkombëtarët përgjithësisht heshtën. Madje ambasadori amerikan e quajti në një moment kritik për vendin, siç ishte “21 Janari”, edhe “burrë shteti”. Por duhet thënë se nuk është vetëm heshtja e amerikanëve apo ndonjë shteti tjetër, që e ka ndihmuar arrogancën, korrupsionin dhe revanshizmin e Berishës në pushtet. Vetë klasa politike shqiptare e ka ndihmuar kulturën e pandëshkueshmërisë, duke mbrojtur herë hapur dhe herë fshehurazi njëri –tjetrin edhe pse pasojat për demokracinë kanë qenë të rënda. Duhet thënë se trazirat me djegie e gjak të ‘97, tragjedia e Gërdecit, vrasjet e “21 Janarit”, korrupsioni galopant i familjarëve të Berishës, kaluan pa asnjë ndëshkim edhe pas rotacionit të pushtetit. Duke e analizuar me logjikë të ftohtë gjithë veprimtarinë e errët të Sali Berishës me pasoja tepër të dëmshme për demokracinë dhe interesat e popullit shqiptar, secili me të drejtë mund të pyesë: Pse DASH u kujtua kaq vonë të marrë një vendim të tillë ndaj Berishës? Natyrisht ena mban aq sa ka kapacitetin dhe vjen një kohë që edhe një pikë e hedhur mbi të e bën të derdhet. Dosja e zezë kundër Berishës e mbushur plot dhe aktualiteti politik në Shqipëri, bëri që ajo të hapet dhe të sjellë edhe shpalljen e tij “non grata”. Së pari shkalla e lartë e korrupsionit në Shqipëri, që lidhet kryesisht me klasën politike që ka ngritur dhe formuar shkolla e Berishës në këto 30 vjet, nuk mund të ishte jashtë vëmendjes së SHBA. Gjatë këtij tranzicioni 30-vjeçar, vërtet ka patur korrupsion, por Amerika dhe Europa nuk e kanë patur shumë mendjen tek trazirat dhe korrupsioni brenda vendit, por kanë ecur me një etikë diplomatike, me një përkujdesje të sipërfaqshme të demokracisë brenda vendit, duke vënë në plan të parë realizimin e synimeve dhe interesave të tyre gjeopolitike në Europë dhe sidomos në Ballkan. Reforma në drejtësi filloi të japë shenjat e para për pavarësi nga politika dhe meqë “gota” Berisha po derdhej, u gjet momenti i duhur jo vetëm për të treguar kush është Berisha, por për t’u dhënë një mesazh të qartë gjithë të korruptuarve, se shënjestrës së drejtësisë nuk do t’i shpëtojë askush. Këtë shpreh në deklaratën e tij Antony Blinken kur e denoncon Berishën për “…ndërhyrje në proceset publike përfshirë përdorimin e pushtetit për përfitime personale dhe për të pasuruar aleatët e tij politikë dhe anëtarët e familjes së tij në kurriz të besimit të publikut shqiptar në institucionet e tyre qeveritare dhe zyrtarët publikë”. Dhe tanimë dihet se kush ishin dhe janë aleatët politikë të Berishës, prej të cilëve disa tani edhe pse kanë bërë krime, janë rizgjedhur deputetë. Së dyti: Për SHBA, si aleati ynë strategjik tani ka ardhur momenti për konsolidimin e demokracisë së vërtetë në Shqipëri dhe për integrimin e saj në Europë. Por që të arrihet kjo duhet medoemos një opozitë e fortë e luajale, që të mos bëjë kompromise me korrupsionin dhe të mos i bëhet pengesë përparimit të vendit. Administratën amerikane e ka shqetësuar realisht fakti se opozita shqiptare me Lulzim Bashën në krye, nuk po bëhet pjesë e integrimit, nuk po krijon frymën e duhur për integritet. Opozita po mundohet t’i mbulojë boshllëqet e drejtimit dhe mungesën e alternativës qeverisëse, ose duke braktisur institucionet ose duke kërcënuar legjitimitetin e funksionimit të tyre. Dhe DASH e di fare mirë se pas opozitës në Shqipëri janë Sali Berisha dhe Ilir Meta. Janë ata që kanë marrë zvarrë PD dhe kanë dobësuar opozitën shqiptare. Së treti: Edhe pse zgjedhjet e 25 prillit qenë të pranueshme,të vlerësuara nga organizmat ndërkombëtare, të cilët i vëzhguan me këmbëngulje këto zgjedhje dhe kur vendi ka nevojë për një bashkëpunim efektiv mazhorancë- opozitë, kjo e fundit, jo vetëm që nuk pranon zgjedhjet, por përpiqet të krijojë konflikte artificiale për të krijuar destabilitet në vend. Disa qëndrime jodemokratike të opozitës si protestat e dhunshme ndaj institucioneve, braktisja e Parlamentit, bojkotimi i zgjedhjeve lokale nga opozita, hartimi i listave për deputetë me elementë të inkriminuar, për SHBA është e qartë se ato lidhen direkt me ndikimin e Berishës që hedh gurin dhe fsheh dorën. Së katërti vendimi i DASH për ta shpallur Berishën “non grata” është mesazh i qartë dhe inkurajim i hapur për organet e reja të drejtësisë që të veprojnë më me ashpërsi ndaj korrupsionit në çdo formë që të shfaqet. Të gjithë pushtetarët dhe politikanët e korruptuar duhet ta kuptojnë këtë vendim të DASH se ka ardhur koha që të gjykohen e të japin llogari. Të gjitha këta qenë pika e ujit që derdhi kazanin e madh të mbushur me prapësitë 30-vjeçare të Berishës dhe ta nxirrnin atë para shqiptarëve dhe botës me fytyrën e vërtetë.