Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Pse do të bëhet ’97 e dytë z. Vasili?

Postuar: 07/12/2017 - 07:03

“Kryeministër, kurseja Shqipërisë një ’97 të dytë” - bëri kohët e fundit një deklaratë disi të çuditshme kryetari i grupit parlamentar të LSI, Petrit Vasili. Nuk di si ta marrësh këtë deklarim të Vasilit, si kërkesë dashamirëse e një ish kolegu kandidat për kryeministër, si kërcënim për intimidim të një mazhorance legjitime, apo si ndjenjë patriotike e keqardhje në të mirë të kombit. Nuk ka shqiptar që të mos e dijë se ç’ishte e se çfarë i solli popullit ’97 e zezë. Duke u nisur nga qëndrimet e fundit shumë të ashpra të z. Vasili ndaj mazhorancës qeverisëse dhe sidomos ndaj kryeministrit Edi Rama, duke e quajtur atë “shkollëpakët”, “kryenarkoman” e “kryekanabizues” të vendit, deklarata e mësipërme është më tepër një kërcënim. Pra sipas Vasilit, ai dhe opozita që përfaqëson, nëse qeverisja e Edi Ramës dhe e mazhorancës vazhdon në këtë rrugë që ka nisur, qenkan të përgatitur për të bërë përsëri ’97.

Nuk e dimë se ku ka qenë Petrit Vasili në ’97 dhe nuk e dimë se ç’rol ka luajtur ai si politikan për të mos ndodhur ‘97 dhe për eliminimin e pasojave të saj. Por unë them me bindje se ‘97 e bëri një njeri i pangopur me pushtet, me emrin Sali Berisha dhe pasojat e saj i vuajti dhe i përballoi vetëm populli. Edhe pse kanë kaluar 20 vjet, pasojat e ’97 ne po i vuajmë të gjithë, edhe qeverisja e Edi Ramës, edhe opozita, edhe populli, edhe vetë z. Vasili, për faktin se autori i asaj tragjedie, Sali Berisha është krejt i lirë, e i pandëshkuar dhe me ndikim tepër negativ në gjithë jetën politike e shoqërore të vendit. Por një gjë është krejtësisht e sigurt; Petrit Vasili me shokë nuk mund ta bëjë më dot ’97, sepse jemi në një situatë krejtësisht tjetër. Nuk e di se çfarë qëndrimi e vlerësimi do të mbante ndaj ’97, z. Vasili, sikur ai vetë për pak të ishte bërë kryeministër siç pretendoi,dhe a do ta kishte “shkopin magjik” për të bërë mrekullira për 3-4 muaj. Them kështu se deri para katër muajsh z. Vasili ka qenë pjesë e qeverisjes dhe është bashkëpërgjegjës për gjithçka që nuk ka shkuar mirë në qeverisjen “Rama 1”. Nëse Vasili e partia që ai përfaqëson, kanë si alternativë e opsion përsëritjen e një ’97 tjetër, atëhere nuk kemi përse të quajmë fajtor vetëm Berishën për atë kasaphanë që u bëri shqiptarëve. Të pretendosh për një ‘97 të dytë, nuk është thjesht një etje për të marrë pushtetin me çdo kusht, por edhe tregues i një koncepti totalitarist e diktatorial që ekziston përgjithësisht në kokat e disa liderëve të partive opozitare, natyrisht edhe në të z. Vasili. Po ta përsëris edhe njëherë se ’97-ta nuk mund të bëhen kurrë më, z. kryetar i grupit parlamentari të LSI, sado mllef të kesh mbledhur e sado dëshirë të kesh ti, sepse tani jemi në një situatë krejtësisht tjetër, jemi vend anëtar i NATO-s, një vend me lëvizje të lirë, vend me një hap larg hapjes së negociatave për anëtarësimin në BE. Jemi në një kohë kur demokracia dhe shteti ligjor kanë bërë hapa kolosalë, të konsoliduar në një rrugë të drejtë e të frytshme, të pranueshme plotësisht nga ndërkombëtarët, pavarësisht nga nxirja e realitetit që bëni ju me keqdashje nga mëngjesi në darkë.

Së dyti, ’97 nuk mund të ndodhë kurrë më, se qeverisja me gjithë të metat dhe dobësitë e natyrshme që ka, ashtu si çdo qeverisje në botë, është në rrugë të mbarë, ka progres në të gjitha fushat, ka rritje ekonomike, ka thellim reformash, ka rritje pagash e pensionesh. E gjithë Shqipëria është kthyer në kantier gjigant ndërtimi, si në kryeqytet dhe deri në njësinë administrative më të largët të vendit. Punohet e ndërtohet si në malësitë e Tropojës, ashtu edhe në zonat e thella të Sarandës, si në Zavalinë të Elbasanit, ashtu edhe në Shkallnuer të Durrësit. Pavarësisht se ju si opozitë, bashkuar me PD nga halli dhe nga humbja e privilegjeve, vetëm nxini e nxini me qymyrin e propagandës, aq sa keni nxirë e bërë sterr edhe vetveten. Vetëm ju që gëzoni malet e privilegjeve, që nuk u mungon asgjë në vilat tuaja luksoze, u shqetësuakeni për “drogën, kriminalizimin, taksat e rënda të shqiptarëve, degradimin e arsimit, dhënien e koncesioneve”, ndërkohë që partnerët tanë ndërkombëtarë, jo vetëm që nuk i kanë patur asnjëherë shqetësime të tilla, por e kanë përshëndetur, mbështetur dhe inkurajuar qeverisjen e Edi Ramës dhe si shembull për këtë po citoj vetëm një deklaratë të kohëve të fundit të Sekretarit Amerikan të Shtetit: “Ne përgëzojmë qeverinë shqiptare për zbatimin e reformave kyçe, përfshirë Reformën në Drejtësi, për betejën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”. Më qartë se kaq nuk ka se si të shprehet mbështetja për qeverisjen “Rama”, pavarësisht se si e kuptoni ju si opozitë “e merakosur” për popullin, por që nuk u kuptoi dhe nuk u votoi asnjëherë!

Nuk bëhet ’97-ta dhe qeveria nuk rrëzohet z. Vasili as se u kapën ca kriminelë me drogë e as se shpërtheu tymi i një kaldaje në një shkollë, as se mungoi një ditë në një lagje drita e uji dhe as se u bënë dy aksidente në rrugë me makinë, as se disa persona ikin jashtë atdheut për një jetë më të mirë dhe as se dy rrugaçë të velur nga prapësitë vrasin njeri- tjetrin. Se ngjarje të tilla ndodhin përditë edhe në vendet me demokraci tejet të konsoliduar e me standarde ekonomike shumë e shumë më të larta se tek ne. A ke dëgjuar për vrasje masive në shkolla e në vende publike nga njerëz të droguar e për veprime terroriste fondamentaliste në vende me shtet ligjor shumë të fuqishëm si SHBA e Angli, dhe askush nuk ka fajësuar për këto as policinë dhe as qeverinë, z. Vasili, e askush s’ka pretenduar të rikthejë anomalitë e rrëmujat në këto vende.

 Populli bën vërtet ’97-ta, por ama kur qeveria e tij e vret, kur e djeg, kur i merr djersën e ndershme e kur i grabit pronën, kur i merr paratë nëpërmjet mashtrimeve e i cënon interesat e kombit, siç ka bërë partia me të cilën ju jeni aleatë kur ishte në qeverisje dhe jo kur bën reforma se ai e kupton se çdo reformë do të kthehet në të mirë të tij. Ju opozita e degraduar, jo një herë keni dashur të bëni ‘97-ta. E provoi Luli me çadrën që mbajti disa muaj në bulevard, ku edhe pse kërcënoi e bëri thirrje për luftë, edhe pse shpifi e akuzoi qeverinë “Rama”, përsëri populli jo vetëm që s’e dëgjoi, por për karagjozllëqet e Lulit, e ndëshkoi atë më ashpër me votën e tij. Shpresa juaj me sytë nga qielli se ndoshta po ndodh ndonjë mrekulli e po bie qeveria sepse “i hahen ariut gorricat” do të mbetet vetëm ëndërr, sepse ju deri tani keni treguar se jeni opozita e turpit, që nuk keni kurajon të përballeni me të kaluarën tuaj të pistë e të turpshme. Dhe për këtë një i ditur thotë: “Ai që nuk mund të përballet me turpin që i ka ndodhur, nuk mund ta riktheje më kurrë krenarinë”.

Nga Ramazan SHERJA

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 11

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 10/12/2017 - 09:41

Shoqëria shqiptare po emancipohet, po civilizohet, po del nga kornizat e një bote të mbyllur, ku nuk hynte as drita, as mjeku. Ndoshta nuk është në ritmin e duhur, por e rëndësishme është se ecën në drejtimin e duhur.

Postuar: 10/12/2017 - 09:37

Nuk ma merr mendja se e kanë ditur në vitin 1990 studentët, por dhe profesorët, që ishin mbledhur për të kujtuar John Lenon-in për kunj të diktaturës, se ai ka një batutë të til

Postuar: 10/12/2017 - 09:18

Duket se në arenë kanë zbritur “Titanët”.

Postuar: 09/12/2017 - 07:13

Thirrja “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, ishte në themel të lëvizjes së dhjetorit 1990.

Postuar: 09/12/2017 - 07:08

Sigurisht që me largimin nga mbarimi i kohës reale të pushtetit të Llallës, Partia Demokratike, por më shumë se ajo, lidershipi i vogël mbi të – do të shqetësoheshin rëndë

Postuar: 09/12/2017 - 07:04

Në harkun kohor prej 27 vjetësh, po të vlerësosh gjithë ndryshimet që kanë ndodhur në jetën politike dhe shoqërore, në kuadër të pluralizmit demokratik, standardet e deri më sot

Postuar: 09/12/2017 - 07:00

Ekonomia informale është vrasëse për financat e shtetit, burim për tregtinë e paligjshme, sfidë për shtetin ligjor dhe ajo që na dhëmb më shumë, është një rrezik i shtuar për sh