BREAKING NEWS

Gati të fundoset grupi organizator i biznesit të armëve në Gërdec, prokurorët pritet të marrin në duar faktet nga Drejtësia Amerikane, nisen letër-porositë në SHBA, informacione do të merren edhe për Patrick Henryn, ja lidhja e tij me Delijorgjin dhe S...

Gati të fundoset grupi organizator i biznesit të armëve në
x
BREAKING NEWS

Daut Gumeni: Ja pse socialistët dhe Gentiana Sula bllokuan hapjen e dosjes së spiunit të Ilir Metajt, presim që ‘shiringa me ujë deti’ që u injektoi zyrtari i lartë i DASH prokurorëve të SPAK të sjellë arrestimin e ‘peshave të rënda’

Daut Gumeni: Ja pse socialistët dhe Gentiana Sula bllokuan hapjen e dosjes
x
BREAKING NEWS

Plas skandali, Kuvendi i Shqipërisë vihet nën akuzë për votimin pa kuorum të ligjit për Investimet Strategjike, ja si u shkallmua Kushtetuta nga mazhoranca, zbardhet mashtrimi

Plas skandali, Kuvendi i Shqipërisë vihet nën akuzë për
x
BREAKING NEWS

Pasuria e dyshimtë e “sheikut” të Kuvendit Laert Duraj që sfidon “ujqërit” e vjetër në politikë, banesë 200 mijë euro, 11 llogari bankare, fitime marramendëse nga qeratë, 180 mijë euro shitje pasurish, si i ka justifikuar milionat nga puna si emigrant,...

Pasuria e dyshimtë e “sheikut” të Kuvendit Laert Duraj
x
BREAKING NEWS

Ja pazaret e PS dhe Rithemelimit, si po mbrojnë korrupsionin e Klodian Allajbeut dhe Vilma Nushit, vjedhjet me “Hemodializën”, “Check Up”-in, “Laboratorët” dhe “Sterilizimin” janë të faktuara, priten arrestimet nga SPAK

Ja pazaret e PS dhe Rithemelimit, si po mbrojnë korrupsionin e Klodian
x
BREAKING NEWS

Rama-Berisha ngrenë komision për të shkatërruar SPAK dhe Reformën në Drejtësi, ja pazaret e reja të “non-gratës” me kryeministrin për të bllokuar arrestimet

Rama-Berisha ngrenë komision për të shkatërruar SPAK dhe
x
BREAKING NEWS

Plas skandali i Portit të Vlorës, ja si iu falën Samir Manes 57 mijë metra katror tokë, të implikuar 2 ministra, SPAK merr në dorëzim padinë për megaoligarkun e qeverisë

Plas skandali i Portit të Vlorës, ja si iu falën Samir Manes 57
x
BREAKING NEWS

Gazetarja e njohur paralajmëron arrestime të bujshme në ditët në vijim, ja disa nga dosjet “përvëluese” që po heton SPAK dhe skema që ndoqën agjentët e BKH për të arrestuar Jorgo Goron, kryebashkiaku në detyrë i Himarës u përgjua 4 muaj rresht me metod...

Gazetarja e njohur paralajmëron arrestime të bujshme në
x

Opinion / Editorial

Pse e anashkalojnë historianët tezën mbi origjinën mirditore të Kastriotëve?

Pse e anashkalojnë historianët tezën mbi origjinën mirditore

 Duket se në këtë vit të “Gjergj Kastriotit” debati për vend-origjinën e fisit legjendar të Kastriotëve ka marrë flakë. Tanimë duket se nuk kemi tri, po katër “çeta studiuesish e historianësh” shqiptarë që “luftojnë” për ta “privatizuar” këtë truall të Heroit tonë Kombëtar. Matjanët në Mat, Dibranët në “Dibrën e Poshtme”, Hasjanët në Kastrat dhe mirditorët e rizgjuar në Kastër të Vigut legjendar.

Duke e ndjekur me vëmendje këtë “betejë”, ca kohë më parë, në shkrimin tim me titull “Nga Mirdita e Kastriotëve e kanë prejardhjen edhe Kastratët e Hasit”, sikur, me argumente të shumtë, e rrëzova “hipotezën” e Profesorit Muhamet Bela, sipas të cilës vend-origjina e Kastriotëve duhet kërkuar në Has të Kukësit. Po ja që këto ditë dy “luftëtarë të “Çetës së Dibrës”, Skënder Muçaj dhe Suela Xhyheri bënë përpjekjen e radhës për ta “privatizuar” Çidhnën e Dibrës si “tokë të Kastriotëve”.

“Argumentet” për këtë “privatizim” ata i kishin hedhur në shkrimin “Arkeologjia duhet të ndihmojë t’i jepet fund debatit për origjinën e familjes së Skënderbeut”, botuar në gazetën “Shqiptarja.com”, të datës 18 gusht 2018. Dhe, siç konstatohet edhe nga titulli, këta dy autorë shtrojnë idenë se “Arkeologjia duhet të ndihmojë t’i jepet fund debatit për origjinën e familjes së Skënderbeut”, duke deklaruar që në hyrje të këtij shkrimi se banorët e Çidhnës, “krenarë për lidhjet e tyre me familjen e Kastriotëve (?!), e sjellë më shumë nga trashëgimia gojore se sa nga burimet e shkruara,… (?!) kanë besuar dhe shpresuar se arkeologjia do të ndihmojë për t’i dhënë fund debatit për origjinën e familjes së Skënderbeut (Dibra, Mati apo Hasi)”.

 Dhe, duke e lexuar me vëmendje këtë frazë të këtyre dy autorëve, studiuesi e historiani nuk e ka të vështirë të dallojë mendimin apriori, të pa provuar ende nga shkenca e historisë së Shqipërisë, se Çidhna “lidhet me familjen e Kastriotëve” dhe se lidhjet e Çidhnës me këtë familje janë “sjellë më shumë nga trashëgimia gojore (?!) sesa nga burimet e shkruara”.

 E çuditshme është se, sipas këtyre studiuesve, “sot çdo banor i Çidhnës është jo vetëm një udhërrëfyes për në qendrat arkeologjike të fshehura në shpellat apo kanionin e Setës, por edhe një shoqërues i mirinformuar për historinë e çdo gjetjeje arkeologjike”. (?!) Dhe duket, sipas këtij gjykimi, se çështja tanimë është, pothuaj, e mbyllur: Historinë e Gjergj Kastriotit e dinë vetëm banorët e Çidhnës! Të tjerët kot merren me debate për vend-origjinën e Kastriotëve! (?!)

 Por duket se, që në hyrje të këtij shkrimi, këta studiues bëjnë dy gabime të dallueshme lehtësisht: E para, se, sipas mendimit të tyre, historia mund të shkruhet sipas gojëdhënave të banorëve të kësaj apo të asaj krahine, se ata i dinë mirë të vërtetat historike. (!?)

 Së dyti, këta studiues, ndoshta nga padituria, përmendin vetëm tri vend-origjina të mundshme të Kastriotëve: Matin, Dibrën dhe Kastratin e Hasit dhe nuk përmendin tezën e historianit austriak Jakob Falmerajer dhe të historianit shqiptar Athanas Gega, sipas të cilës “Kastri në Vig të Mirditës është vend-origjina e Kastriotëve”, tezë që është artikuluar shpesh gjatë dhjetëvjetëshit të fundit nga studiues të ndryshëm shqiptarë.

Sidoqoftë, nëse këta studiues nuk janë njohur me tezën e mësipërme, duhet shtruar pyetja: Po historianin e shquar Fan S. Noli a e njohin? Dhe këtu përgjigja nuk ka si të jetë negative! E, pas kësaj, lind pyetja e ligjshme, si për shumë studiues e historianë të tjerë shqiptarë të ditëve tona: Si guxoni t`i anashkaloni parashtrimet e Fan S. Nolit për vend-origjinën e Kastriotëve, të cilat, disi indirekt, na çojnë tek teza e historianit austriak Jakov Falmerajer dhe ajo e historianit shqiptar Athanas Gega për vend-origjinën e Kastriotëve?!

Është kjo arsyeja që detyrohemi t`u kujtojmë autorëve të këtij shkrimi, po edhe të tjerëve si këta, se historiani ynë i madh nuk bënte shaka kur shkruante se “Mirditën dhe Hasin i kishte Gjon Kastrioti, po Barleti s’ua përmend emrat fare dhe i përmbledh me emrin e përgjithshëm Aemathia”, duke shtuar se “Aemathia e Barletit ka qenë, që nga koha e tij e gjer sot, një burim lajthitjesh, se me këtë emër quhej në kohët e vjetra Maqedonia Jugore dhe, shpesh, tërë Maqedonia”.

Për “lajthitje” të tilla na rrëfen edhe Atë Zef Valentini, kur sjell dëshminë se “Sipas Barletit, projë e Sfetigradit kanë qenë ndër duar të një abati të kishës së Shën-Lleshit në zonën e Matës (?!), i cili ishte prej familjes së zotnive të Përlatit”, ndërkohë që dihet se kisha e Shën-Lleshit ndodhet në Orosh të Mirditës dhe jo në Mat, ashtu si edhe fshati Përlat nuk ndodhet në Mat, por në Mirditë!

Dhe “lajthitjet” e disa studiuesve e historianëve në këtë rast duket se kanë ardhur për dy arsye: Ose sepse këta nuk e kanë kuptuar, ose nuk kanë dashur ta kuptojnë historianin Marin Barleti. Se ai, me emërtimin “Mat” ose “Aemathia”, tregon jo krahinën e Matit të sotëm, por territoret në brigjet e lumit Mat e më gjerë, që i përkasin Mirditës etnografike.

Këtë e zbulon qartë edhe një fragment i shkëputur nga libri “Antologjia e re e shkencave, e letërsisë dhe e arteve”, volumi 33, botuar në Firence më 1876, në të cilin thuhet se“Mati…shtrihet jo larg nga Drini dhe përbën një vend pjellor dhe të populluar, të banuar nga mirditorët e famshëm, njerëz të bukur, të guximshëm dhe të rreptë, të panënshtrueshëm ndaj çdo autoriteti. Në këtë vend lindi Gjergj Kastrioti i famshëm, i quajtur Skandërbeg”.

 Këtë të vërtetë sikur e shpalos edhe një dëshmi që sjell vetë Marin Barleti, i cili, duke bërë fjalë për përgatitjen e një beteje kundër turqve në qytetin e Lezhës, shkruan: “Këtë ushtri Skënderbeu e ndau më dysh. Në krye të njërës vuri princin Lekë Dukagjini,…kurse në krye të tjetrës vuri Nikollë Monetën, fisnik prej Shkodre… Këta, duke drejtuar forcat, prej Lisit, përmes fushave të Matit dhe pyllit të Jonimëve, do ta sulmonin armikun nga një anë, ndërsa ai vetë do ta sulmonte nga ana tjetër”. Dhe duket se këtu edhe emrat e personazheve historikë, edhe emrat e vendeve, na çojnë në trojet e Mirditës etnografike dhe jo në Mat! Se Lisi dhe fushat përreth tij, si edhe pylli i Jonimëve janë territore të Mirditës etnografike dhe jo të Matit!

Ndoshta ka qenë kjo arsyeja që Fan S. Noli ynë i madh i ka vënë në dyshim që herët tezat që i bën Kastriotët me origjinë nga Mati, nga Dibra apo nga Kastrati i Hasit a i Shkodrës. Këtë e bënte kur shkruante se“Në Dibër të Poshtme ka një katund të quajtur Kastriot, por nuk dihet a e ka marrë emrin katundi nga Kastriotët, apo Kastriotët nga katundi”. Këtë e bënte edhe kur, si gjuhëtar, shtonte se “Etimolgjikisht, është shumë e rëndë të dalë llagapi Kastriot nga një Kastrat”.

Dhe autorët e shkrimit për të cilin bëhet fjalë, duhej ta dinin se Fan S. Noli i madh sikur i orientonte historianët e të ardhmes në kërkim të të vërtetave historike për vend-origjinën e Kastriotëve, kur u kujtonte atyre se “Thaloc dhe Jeriçek e quajnë përrallë skllavërinë e Kastriotëve dhe shtojnë se llagapi i tyre…tregon se i kishin rrënjët nga një fshat i quajtur Kastri”, tezë që e kishte hedhur me kohëedhehistoriani austriak Jakob Falmerajer.

Këta autorë nuk duhej të anashkalonin as pohimin e historianit më të madh të gjysmës së dytë të shekullit XX- Aleks Buda, sipas të cilit “Tokat që iu përkisnin zotërimeve të Gjon Kastriotit nisnin në perëndim, në bregdet, në rrethinat e qytetit të Lezhës dhe arrinin deri në rrethinat e Prizrenit, d.m.th, përfshinin trevën në jug të lumit Drin, Mirditën e Lumën”, duke pohuar, disi indirekt, se trojet e Mirditës etnografike ishin trojet e Kastriotëve legjendarë. Këtë ide sikur e miraton edhe historiani francez Serge Me`tais, kur shkruan se “Në fillim të shekullit XV, Gjon Kastrioti ishte një prej feudalëve më të mëdhenj shqiptarë. Zotërimet e tij shtriheshin në Veriun e Shqipërisë së sotme, deri në krahinat e Dibrës dhe të Prizrenit”.

Por Skënder Muçaj dhe Suela Xhyheri duhej ta kishin kuptuar se drejt Mirditës etnografike, si vend-origjina e Kastriotëve, na ka çuar edhe akademiku dibran Kasem Biçoku, i cili, duke iu referuar edhe burimeve osmane e evropianoperëndimore, pohonte se “Ky lumë (Mati) shërbente si kufi ndarjeje me një tjetër njësi administrative, të ndarë në vilajete, të përfshirë në një regjistër të veçantë të emëruar “Defteri i emrit të Gjonit”. (Gjon Kastriotit), ku gjendeshin të shënuara edhe fshatrat e vilajetit të Dhimitër Jonimës, që shtriheshin nga Lezha në Rubik”. Dhe këtë ide akademiku e bën edhe më bindëse kur dëshmon se “Sipas një dokumenti të fillimit të shekullit XV, Peshkopata e Arbrit shtrihej në zotërimet e Kastriotëve” 18), tezë e pranuar edhe nga historianë të tjerë.

Dhe, sikur ta dinte se ç`do të përrallisnin ca studiues e historianë pas tij për “prejardhjen dibrane” të Kastriotëve, ky akademik do të shkruante se “Nevojat e drejtimit të principatës kërkonin që Gjon Kastrioti dhe familja e tij të mos banonin në viset ekstreme lindore, siç ishin ato të Dibrës, por në një nga qendrat kryesore të saj, prej nga Gjoni mund të drejtonte e administronte principatën e tij, siç u bë Kruja në kohën e Skënderbeut”.

Dhe që Kastriotët nuk e kanë origjinën nga “Dibra e Poshtme” e marrim vesh edhe nga një pohim i vetë Marin Barletit, i cili, duke rrëfyer për një vizitë të Gjergj Kastriotit në krahinat e zotëruara prej tij, në vitin 1451, shkruan se “Duke shëtitur kështu me kalë dhe duke këqyrur me kujdes gjithë vendin me radhë, Kastrioti erdhi në Dibër të Poshtme, në prag dhe gati mu në kufi të mbretërisë së vet…”. Se, po të ishte nga këto anë fisi i Kastriotëve, ky historian, me siguri, do ta kishte përmendur këtë fakt kaq të rëndësishëm për një historian serioz.

Por autorët e shkrimit “Arkeologjia duhet të ndihmojë t’i jepet fund debatit për origjinën e familjes së Skënderbeut” (?!), sikur mbyten në gotën me ujë, kur, pasi sjellin shumë toponime nga Çidhna, që, sipas tyre, vërtetojnë se këtej e kanë vend-origjinën Kastriotët, theksojnë se “Arkeologët, me gjithë punën e bërë, nuk kanë mundur ta thonë të plotë fjalën e tyre, sidomos për fisnikërinë arbërore të shekullit XII-XV, pjesë e së cilës duhet të ketë qenë (?!) dhe familja e Kastriotëve.

E theksojmë këtë për t`ua bërë të ditur këtyre autorëve, por edhe të tjerëve si këta, se toponimet dhe legjendat, apo gojëdhënat, si rregull, mund të shërbejnë si ilustrime për vërtetimin e tezave të ndryshme historike dhe jo si dëshmi autentike e të vërtetave historike. Se të tilla toponime, gojëdhëna e legjenda, që lidhen me emrin e Kastriotëve në Mirditë, ka sjellë me shumicë edhe akademiku Mark Tirta, bile duke shtuar se “Legjendat popullore (për Kastriotët në Mirditë-shënimi im), jo vetëm nuk bien në kundërshtim me faktet historike, por, përkundrazi, i përforcojnë ato, siç ndodh edhe me… dy legjenda, se kujt i përkiste Mirdita, Dukagjinit apo Krujës”.

Sidoqoftë, po e mbyllim debatin me Skënder Muçajn dhe Suela Xhyherin me një pohim lapidar të historianit të shquar Fan S. Noli. Se ai, duke bërë fjalë për vdekjen e Gjergj Kastriotit, u tregon shqiptarëve se, “Lekë Dukagjini, si i marrosur nga hidhërimi, rendi në sheshin e qytetit (pra, jo të fshatit) dhe, duke rrahur kraharorin, duke çjerrë faqet dhe duke shkulur flokët, bërtiti lajmin… e hidhur”. Dhe historiani e bën më të qartë të vërtetën e madhe historike kur u tregon shqiptarëve se “Klithmat zemër-çjerrëse dhe të mallëngjyera të popullit e mbuluan mandatën e zezë të Dukagjinit, të cilën e vërtetonin oshtimat vajtimtare të kambanave”.

Se, po t`i referohemi logjikës së shëndoshë historike, do të konkludonim që, po të ishte Gjergj Kastrioti nga Mati, nga Dibra, apo nga Kastrati i Hasit, me siguri, ndonjë përfaqësues nga këto treva do të vihej në rolin e princit proverbial Lekë Dukagjini, i cili, si Leka, do të rendte në sheshin e qytetit a në ndonjë majë mali dhe, në mos si Lekë Dukagjini, në një mënyrë tjetër, do ta përcillte lajmin e zi. Se, po të ishte Gjergji ynë nga njëra prej këtyre trevave, “Klithmat zemër-çjerrëse dhe të mallëngjyera të popullit” nuk do të mbulonin “mandatën e zezë të Dukagjinit”, siç na tregon Fan S. Noli ynë, po mandatën e zezë të një krahine tjetër me emrin Mat, Dibër apo Kastrat.

Dhe, për të mos u zgjatur me më shumë se nëntëdhjetë dëshmi e referenca historike, që vërtetojnë se Mirdita është vend-origjina e Gjergj Kastriotit dhe jo Mati, Dibra, apo Kastrati i Hasit, po u përcjell dashamirësve të historisë mendimin e akademikut dibran Kasem Biçoku, i cili, pasi pohon se “Nuk jam në gjendje të them se ku e ka vendlindjen Gjergj Kastrioti”, shton se “jam shumë i sigurt se Dibra nuk është vendlindja e tij”.

Nga Preng Cub LLESHI