Lajme të tjera
BREAKING NEWS

‘Ilir Meta kërcënon kryeministrin me vrasje’, Frrok Çupi lëshon ‘bombën’: Presidentit t’i hiqet …

‘Ilir Meta kërcënon kryeministrin me vrasje’, Frrok
x

Opinion / Editorial

Pse Europa heziton të na pranojë në gjirin e saj?!

Pse Europa heziton të na pranojë në gjirin e saj?!

Para disa vitesh, kur dëshirës së përsëritur të shqiptarëve për t’u anëtarësuar në BE, kjo e fundit iu përgjigj me një qëndrim skeptik dhe dyshues, (dyshim e skepticizëm që po vijon edhe sot), intelektualët tanë të shumë fushave, hapën një debat të zjarrtë, për identitetin tonë kombëtar. Në qendër të këtij debati, u vendosën dy figurat qëndrore të inteligjencës sonë, profesor Rexhep Qose dhe shkrimtari Ismail Kadare, të cilët u përpoqën të argumentonin, secili sipas pikëpamjes së tij, identitetin e shqiptarëve, si shkakun e afrimit ose jo të vendit tonë me Komunitetin Europian.

Debati i mësipërm tashmë ka kaluar, por çështja për të cilën u zhvillua, është sërish në rend të ditës. Tri dekada kërkesa e refuzime për t’iu bashkuar Europës, nuk janë pak, për një popull e një vend, që pretendon se është nga banorët e parë të kontinentit plak. Pse kemi ngecur në këtë rrugëtim tre dekadash? Sa e gjatë do të jetë kjo rrugë?

Po përpiqemi të japim disa konsiderata modeste, pa kërkuar debat me figurat e shquara të vendit, çka do të ishte jashtë mundësive tona

1- Raporti shekullor midis shqiptarëve dhe europianëve

Raporti i marrëdhënieve, midis shqiptarëve dhe europianëve në të gjitha kohërat, është zhvilluar në dy plane: në planin zyrtar dhe atë qytetar. Ky i fundit, raporti qytetar, për nga cilësia, në të gjitha kohërat ka qenë në shkallën më të lartë. Po marrim tri raste pikante: nga historia e lashtë, mesjeta dhe kohët moderne: A nuk ishte mbreti ynë Genti, që pranoi të ulej në bisedime me romakët për paqtimin e luftës njëqind vjeçare iliro-romake, paçka se Roma zyrtare e keqpërdori këtë lëvizje paqësore? A nuk ishin arbrit, që së bashku me kryetrimin tonë Gjergj Kastriotin, jo vetë mbrojtën Europën nga vërshimi otoman, por u shkuan në ndihmë “europianëve” të Italisë së atëhershme, që rrezikoheshin nga princërit dhe kontët e çakërdisur të Mesjetës? A nuk ishin shqiptarët, pasardhësit e drejtpërdrejtë të ilirëve e arbërve, që ushtarët italianë të viteve dyzet të shekullit të kaluar, ndonëse erdhën me urën e zjarrit në dorë, kur falimentuan, i morën në shtëpi për t’i mbrojtur nga rrebeshi nazist i kohës? Të gjitha këto tregojnë se ilirët, arbrit dhe së fundmi shqiptarët, ishin europianë, ndaj dhe në nivel qytetar, e dinin fort mirë se nuk mund të silleshin keq me “si vëllezërit e tyre” të kontinentit. Ndryshon puna me institucionet politike e shtetërore të Europës. Ato, as në kohët e lashta, e as në kohët moderne, nuk janë sëkëlldisur nga identiteti i përbashkët me shqiptarët, por janë sjellë me këta të fundit si agresorë dhe pushtues. Për të qëndruar vetëm në 150 vjetshin e fundit: Duke filluar nga viti 1878 e gjer më sot, Europa zyrtare, përjashtuar vitin 1999 që u “bashkua” me SHBA-në në mbrojtje të shqiptarëve të Kosovës, në të gjitha rastet e tjera ka vepruar në dëm të trojeve tona. Gjatë gjithë kësaj kohë prej 136 vjetësh, ndërsa shqiptarët i prisnin europianët me bukë, zyrtarët e kontinentit të përbashkët suleshin me gurë e bajoneta. 1878-ta me Kongresin e Berlinit; 1913 që na ndau me dhunë gjysmën e trojeve; 1915-ta me Traktatin e Fshehtë të Londrës që e shuante me gomë çeliku hartën e Shqipërisë; 1939-ta, kur pushtuesit nazifashistë të Europës zyrtare, na okupuan si dikur otomanët; për të vijuar me gjysmë shekulli indiferencë totale, ndaj fatit tonë dhe shenjave, që ne u dhamë në 1960-ën, kur përzumë bazën ruse, e cila kërcënonte gjithë Europën. Por kjo e fundit, për të mos prishur aleancat e vjetra, qysh të kohës së carëve, nuk i vuri fare në refene shenjat tona. E megjithatë, shqiptarët kurrë nuk i njësuan sjelljet e qarqeve zyrtare, me qytetarët e thjeshtë europianë, me të cilët kishin jo vetëm afri gjeografike, por dhe rrënjë të përbashkëta në të gjitha fushat e “sendërtimit të jetës”, siç perifrazon profesor Qosja. Mjafton të kujtohet kjo histori dhe të bindemi se identiteti i shqiptarëve është puro europian. Njollat që mund të jenë krijuar në këtë identitet, nuk mund ta errësojnë atë, ashtu siç nuk mund të errësojnë dritën e diellit njollat që ky lëmsh zjarri ka në trup.

2- Keqkuptimet (moskuptimet) midis shqiptarëve dhe europianëve

Keqkuptimet, ose më saktë moskuptimet, kanë zotëruar më shumë tek europianët për ne shqiptarët dhe jo e kundërta. Po të shikojmë me vëmendje dhe jo për t’i bërë qejfin vetes, ne shqiptarët kemi disa karakteristika e tradita themelore, shumë më të bukura e më të zhvilluara se europianët. Le të trajtojmë disa prej këtyre ashtu shkarazi: Cili europian i kohës së vjetër apo moderne qoftë, do t’i shtronte udhëtarit të rastësishëm darkë dhe shtrat falas, siç bënte shqiptari i shekullit të 18-të, kur i jepte udhëtarit anglez, francez apo austriak, copën e bukës së fëmijëve dhe shtratin e vetëm të shtëpisë, pa i marrë asnjë kacidhe edhe kur i huaji i zgjaste stërlinat?

Cili europian i mesjetës e vriste kundërshtarin (hasmin) dhe nuk largohej pa e ndritue viktimën e tij, duke i mbyllë sytë e vënë armën pranë trupit, siç bënte shqiptari? Në cilin vend të Europës, përveçse në Shqipëri, nuk u shit për stërlina apo dollarë asnjë hebre, dorëzimi i të cilëve tek gjermanët do të kishte privilegje, ndërsa e kundërta rrezikonte jetën e familjes? Nga të rrallët populli shqiptar, i cili nuk ka asnjë rast të luftës civile brenda vendit dhe asnjë rast sulmi apo gjenocidi kundër fqinjëve. Përkundrazi, edhe pushtuesit që e kanë gjakosur, kur kapitulluan, i mori në shtëpitë e tij e i mbrojti nga rrebeshet e kohës. Por keqkuptimi më i madh i europianëve ndaj shqiptarëve lidhet me besimin fetar: Shifra 70 % e myslimanizmit, i vë europianët në dyshim për identitetin tonë. Mirëpo europianët, zyrtarë apo të thjeshtë qofshin, nuk arrijnë të kuptojnë thënien reale të Vaso Pashës se “feja e shqiptarit është shqiptaria”. Kjo thënie nuk ka qenë e nuk është slogan propagande, por një realitet. Ajo është vërtetuar në të gjitha rastet kur rreziku ka kërcënuar kombin dhe vatanin. Nga ana tjetër, le të bëjmë një llogaritje të thjeshtë: Sot, nga 70 përqind myslimanë, një e treta janë bektashinj. Dhe bektashinjtë, siç dihet, janë më europianë se edhe vetë katolikët. Shumica e Rilindasve tanë kanë qenë bektashinj, por veprimtaria e tyre orientohej nga Perëndimi. Por në llogarinë e mësipërme duhet të veçojmë dhe ateistët. Dhe në këtë mënyrë myslimanizmi ynë i vërtetë, bie nga mazhoranca. Nga ana tjetër, ne e dimë shumë mirë se, edhe myslimanizmi që mbetet, nuk mund të barazohet me islamizmin e vërtetë.

3- Identiteti kulturor, bërthama e identitetit të vërtetë

Profesor Kristo Frashëri, në gjykimin e tij për identitetin, na kumton se “identiteti në thelb është shumatore e gjuhës së përditshme, e trashëgimisë historike, e kulturës popullore, e mentalitetit shoqëror, e së drejtës së pashkruar, e mënyrës së jetesës, e aspiratës politike dhe historike, e besimit fetar etj”. Të gjitha këto “pjesë” të shumatores, që thotë profesor Frashëri, në shumicë janë në kahun europian. Pavarësisht nga mballomat që janë munduar të vënë në këto “pjesë” shekujt me kahe e zhvillime shpesh herë regresiste, ato në thelb kanë mbetur në tabanin e gjenezës sonë të kahershme europiane. Në këto vlera, më të dukshmet janë ato kulturore, të cilat janë evidentuar gjithnjë në kahun europian. Le të cekim disa detaje që vërejmë në jetën e përditshme, detaje të cilat duken si arkaike, por kanë vlerë kulturore të rëndësishme për çështjen që diskutohet. Dihet botërisht se folklori ynë, me shumëllojshmërinë e tij, është ndër më të pasurit e më të bukurit, jo vetëm në rajon, por edhe më tej. Marrja e gjerdanit të artë në vitet shtatëdhjetë në Dizhon të Francës, e vërteton këtë. Ose, le të marrim kostumet tona popullore, në jug, në veri, në lindje apo në perëndim të trojeve tona; kush dominon në ngjyrat e tyre? E bardha dhe e kuqja. Po forma? Pothuaj të gjitha kanë në bazë flatrat e shqiponjës. E shqiponja rritet në Alpe. Dhe Alpet janë europiane. Po kënga? Tingulli i saj nuk ka asnjë ngjashmëri me tingujt që vijnë nga Azia, apo Afrika. Dhe kjo ndodh edhe falë gjuhës tonë shqipe, që ka shkronjat dhe vokacionin e kontinentit europian. Shqiptarët, siç argumentojnë mjaft studiues, jo vetëm janë banorët e parë të Europës, por dhe “aristokratët” e parë të saj. Për të konkretizuar këtë “aristokratët” që shënuam, po japim një detaj: Po marrim kostumin popullor, atë të nuses në krahinën e Mirditës. Një kostum i jashtëzakonshëm për nga bukuria dhe paraqitja, por njëherësh edhe shumë i shtrenjtë nga kostoja. Megjithatë, mirditori, edhe pse ishte më i varfëri qytetar i trojeve shqiptare të shekujve XVII – XX, nuk hezitonte të shiste, gjer dhe “pendën e qeve”, me të cilën mbillte tokën, për të blerë e përgatitur kostumin e nuses që do të merrte për djalin. Si shpjegohet kjo sakrificë për një të varfër, që kishte siç thotë Kolë Jakova “Tre pëllëmbë tokë varur përbri / Tre muaj bukë më e mira shpi/”? Shpjegimi i thjeshtë është ky: Mirditori, që në lashtësi quhej fisi i Pirustëve, punonte hekurin dhe ishte shumë vite para Europës në zhvillim. E ai që përpunonte metalin, doemos ishte aristokrat në krahasim me romakun, i cili dinte të përdorte heshtën, por nuk e prodhonte dot përveç bishtit prej druri të saj. Pushtimet e egra të shekujve të mëpasshëm, ia ulën mirditorit (pirustëve, enkelejve, ardianëve, dardanëve, molosëve e fiseve të tjera ilire) kurrizin ekonomikisht, por nuk ia përkulën e zhdukën dot krenarinë dhe aristokracinë, që e pati fituar më punën e tij paqësore e të zgjuar.

Vijon në numrin e radhës...