Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Pse kaq të dashuruar pas krimit?

Postuar: 18/09/2018 - 07:15

Askush tek ne nuk i shpëton dot politikës. Si gjithë të tjerët jemi kureshtarë e të ngacmuar nga ngjarjet e ditës. Debatojmë e mbrojmë idetë tona, grindemi e bëjmë sherr se kush ka të drejtë. Kam unë? Ke ti? Ka ai? Militanti, antari i partisë, kryetari, ai që ikën e vjen përsëri nga një koalicion tek tjetri, apo politikanët e partive të vogla e të mëdha në Shqipëri? Ai që ngre zërin në qiell dhe i lë vendin e parë krimit e kriminelëve, propagandon të keqen orë e çast, nxin e sterros gjithçka, apo ata që përpiqen të bëjnë disa punë të nevojshme edhe pse të vogla, një rrugë, një shkollë, një trotuar a një shkallë për qytetarët tanë, të cilët në fund të ditës, në tavolinat e shtëpive nuk shtrojnë menynë politike për darkë, mëngjes apo drekë, po ushqimin e përditshëm pa të cilin nuk ka asnjë veprimtari tjetër? Nuk ka as jetë. Pikërisht kjo ishte dhe tema e bisedave tona. Meraku i bashkëbiseduesve tanë, ashtu si dhe shumë të tjerëve, ku do që ndodhen është pse kaq shumë vend krimit dhe situatave kriminale? Pse kaq shumë dashuri për të trumbetuar krimin e kriminelët? Dhe a ka në këtë vendin tonë ndonjë temë tjetër për të debatuar, për të evidentuar arritje, gëzime, lumturi, zhvillime, përparime në fusha të ndryshme të jetës? Pikërisht kjo pyetje bëhet gjithandej nga shumë qytetarë të zakonshëm të këtij vendi. U ngopën dhe u vjen për të vjellë kur dëgjojnë që pa gdhirë deri në mesnatë për vrasje, vjedhje, mashtrime, trafikantë, arrestime, etiketime, kriminelë, superkriminelë, mafie, simbolizim me Palermon, barazim me bandat, banditë, hajdutë e gjithfarë etiketimesh, të cilat e kanë thelluar dozën e pesimizmit në tërë shoqërinë tonë. Dëgjon këto komente fëmija që ende nuk ka mësuar fjalën “faleminderit”, një tjetër që sapo ka nisur të shkojë në kopësht, në klasën e parë, në shkollën fillore e 9-vjeçare, për të vijuar me ata që ulen në bankat e shkollës së mesme apo në auditorët e universiteteve.

Krimi dhe kriminelët, kriminalizimi dhe dekriminalizimi, janë bërë jeta jonë e dytë. Si ajri që thithim. Si drita që na ndriçon. Si dita e nata. Si familjari i shtëpisë tonë. Gati është jeta jonë e dytë. Një jetë virtuale që jetojmë paralelisht. Zgjohemi në mëngjes, sapo hapim televizorin nga ekrani vërshojnë krismat. U vra atje. U goditë me katër plumba. U var në pemë. U vetëvra në kasolle. U hodh nga kati i pestë. U vetëdogj. E vrau kunati. E mbyti vjehrra. E vrau konkurenti. U lanë hesapet. Krim në veri. Krim i rëndë në jug. E njejta situatë në lindje, më keq në perëndim. Dhe mendjet më inteligjente çoroditen dhe bien në depresion të thellë pasi njihen me menunë kriminale të ditës. Në këtë mënyrë, krimi dhe historitë kriminale të amplifikuara e të lartësuara njëqindfish, kronika e zezë, citimi pa fund për krim e kriminelë zënë padrejtësisht kryet e vendit. Bëhen qytetari i parë në vendin tonë. Këto histori i japin tonin tërë jetës së vendit. Janë kryefjala dhe ushqimi më i zakonshëm, aq sa po humbet vlerën dhe brendinë edhe vetë kjo fjalë e rëndë, e cila ngulet si thikë mbi mendjet dhe jetët tona. Dhe ashtu si epidemia që shtrihet me shpejtësi dhe infekton mijëra njerëz, edhe historitë kriminale, kjo fjalë e ditës mbështjell psikikën tonë, mbërthen dhe mbyt moralin shoqëror, i hapin shtegun rritjes dhe amplifikimit të tij. Dhe në këtë atmosferë të rënduar, krimi gjen shtrat për t’u rritur e zmadhuar. Dashuria për të, citimi pafund e krenaron dhe e burrëron. Kriminelët realë marrin zëmër pasi vetë mjedisi i favorizon.

Nuk kuptojmë pse kaq dashuri për të evdidentuar e për ti dhënë kryet e vendit kudo krimit dhe kriminelve? Pse duhet të etiketojmë kaq ashpërsisht cilindo që nuk është në radhët tona si kriminel? Pse duhet të shenjojmë çdo krim sikur të jemi baballarë të krimit? Kopshtarë që rrisim krimin. A është normale që fjalimet e liderëve tanë të fillojnë e mbarojnë me krimin dhe kriminelët? A keni dëgjuar ndonjë fjalim, diskutim, debat, kontakt me të huajt, takim të forumeve partiake pa nisur me etiketimin e gjithçkaje pa i lënë kreun e fjalimeve krimit? Më thoni një lider të politikës shqiptare, që të mos ketë në majë të gjuhës krimin dhe kriminelët. Thua se këtu jemi, jo vendi i njerëzve të lirë, burrave dhe grave, të dashuruar me jetën e punën, po vetëm kopshti që prodhon e lulëzon krim e kriminelë?! Nuk ka fjalim të Lulzim Bashës e Monika Kryemadhit, Petrit Vasilit e Alibeajt, Nokës e Ndokës, Manjanit e Vokshit, secili në llogoren e vet dhe radhazi tërë politikanët tanë të mos citojnë brenda një fjalie katër e pesë herë krimin dhe kriminelët. Krim në qeveri. Krim tek mazhoranca. Parlamenti kriminal. Administratë krimi. Biznes krimi. Trafikantë të krimit. Bandë kriminale. Qeveri e kriminalizuar. Krim në parlament. Kriminelë të tenderave. Mbushur me krim shtypi i shkruar. Nga çdo ekran kullon histori me krim e gangsterë. U kap në Itali krimineli “X”. U vra në Spanjë krimineli “Y”. U godit në kokë në Itali krimineli trafikant “Z”. Nuk ka minutë që të mos afishohet me gërma të mëdha krimi dhe kriminelët. Me motiv krimin debatohet nëpër opinione. Me tematikë krimin, bëhen analiza në ekranet e televizioneve. Me këtë fjalë nisin debatet në sallën e parlamentit. Ngrenë zërin deputetët e partive politike. Secili sjell detaje dhe shpalos histori. Nga deputetët. Te gjyqtarët e prokurorët. Vritet një bari në Rabie të Tepelenës, vërshojnë analistët e politikës pa dhënë variantin përfundimtar drejtësia. Ngre variantin e vet Tritan Shehu. Bën hetuesin e prokurorin. Anashkalon policinë. Vë në pikëpyetje dritësinë. Përplasen dy mjete në një rrugë të vendit, paraqitet si një krim i shëmtuar. Digjet një makinë para një ndërtese, bëhen komente nga më të egrat se është krim i pastër, hakmarrje e bandave që luftojnë për zona influence. Qëllon njëri me armë në një lagje në periferi të Tiranës. Menjëherë gati lajmi. Tirana u trondit nga breshëri automatiku. U qëllua me armë në një cep të Vlorës, lajmi bombë ” Vlora goditet nga plumbat”. Një i ri vjedh një dyqan në Korçë, gjëmojnë televizionet. “Korça në terrorin e hajdutëve” Dhe kulmi gjatë këtyre ditëve është Shkodra, që nga shumë lajmës dhe së pari nga politika opozitare etiketohet si qytet në kthetrat e mafies. Dhe bëhet paralelizëm me Palermon. – “U marshua si në Palermo kundër mafies! Të fortët e qytetit kanë nënshtruar Shkodrën. Të shpëtojmë qytetin, kryeqendrën e veriut. Shteti në bashkëpunim me bandat po kriminalizon qytetin. Populli nën terror”. Dhe vargu pafund i njoftimeve fillon dhe nuk mbaron as ditë as natë. Kudo të njejtat fjalë. E njejta parullë. Një pamje. Shto e shto lajme, ngri në qiell njoftimet me vrasje, bëj sa më shumë zhurmë për të krijuar idenë se këtu nuk jetohet si qytetar, po sikur të jemi në emergjencë kombëtare, sikur Shqipëria është në një betejë të ashpër me krimin. Sikur të mos kemi mes nesh qytetarë, punëtorë, intelektualë, nxënës, turistë të shumtë nga anë e mbanë botës, këngëtarët e sportistët tanë, filozofët e shkrimtarët, poetët, ndërtuesit e arkitektët, fermerët e lulishtarët. Po si të jetojmë në prehër të krimit. Si të varemi prej tyre e jo si të jemi një vend i zakonshëm që dimë të shkollohemi, argëtohemi, arsimohemi. Se jemi qytetarë si gjithë bota. Jetojmë e punojmë. Dalim shëtitje dhe ulemi në kafe. Bëjmë dasma e fejesa. Gara noti e organizojmë evente ndërkombëtare të bukurisë. Shkojmë në teatër e në stadiume. Që presim e përcjellim miq nga tërë bota. Që kemi një shtet dhe veprojnë institucionet. Shkurt jemi një vend si gjithë të tjerët. Natyrisht kemi plagët tona. Kemi halle e mungesa. Ka edhe krim. Po si kudo ku jetojnë njerëz me botëkuptim të ndryshëm. Edhe shoqëria jonë ka pjellën e vet kriminale. Kemi një pozitë e një opozitë në luftë për jetë a vdekje dhe që kërkojnë të nxijnë tërë jetën e vendit. Që duan të na shesin si të ishim hiena e jo njerëz që dimë të jetojmë në paqe e qetësi. Që kërkojmë nga jeta jonë më të mirën. Po krimi ngihet në piedestal. Duket sikur disa shpërthejnë nga vetëkënaqësia. Liderë në delir. Dhe pse liderët tanë politikë nuk bëhen më të pranueshëm nëse nxijnë Shqipërinë. Nëse dashurohen me krimin dhe i japin përmasa hiperbolike bëmave të kriminelëve. Ata nuk bëhen më interesantë nëse ulin e ngrijnë kudo brenda e jashtë vendit krimin dhe etiketojnë kriminel, cilindo përballë.

Shikoni me ç`zell përpiqet Lulzim Basha të na injektojë se është ai që ka marrë në dorë fatet e politikës për të luftuar krimin dhe pastruar politikën nga krimi. Dëgjoni fjalimet e tij patetike në “Parlamentin paralel” në hotele e motele luksi, se si krimin dhe kriminelët i evidenton vetëm tek pala kundërshtare. Se si nxjerr të pastër tërë ata që deri dje kanë fyer e sharë, po sapo i bashkohen partisë së tij, bëhen engjëj, burra dhe gra të fisëm që nuk kanë asgjë me krimin dhe kriminelët. Sapo i hynë në stanin opozitar pastrohen sikur të kenë kaluar Purgatorin. Filtri është brenda PD dhe LSI-së. Nuk mund të ndodhë që të kalosh në radhët e opozitës dhe të mbetesh me cene në biografi. Jo, kurrsesi. Krimi është tek kundërshtarët. Lulzimi dhe të tijtë shkëlqejnë në pastërti. Janë vetë e mira dhe e ndershmja. Pikërisht kjo është arsyeja që sot kërkohet ligji për vettingun në politikë. Jo se duan vërtetë të pastrohet politika. Po të trazohet edhe më shumë. Të bëhen të pamundura reformat në drejtësi. Kërkesa për vetting në politikë është shumë zhurmë për asgjë. Qëllimi? Të dështohet reforma në drejtësi me alibinë se politika është e gjitha e inkriminuar. Dhe zhurma e stërmadhe e partive në opozitë, po jo vetëm, tërë zërave të shoqërisë tonë që i fryn me të madhe sensacionit dhe hiperbolizon çdo lajm që ka brenda krim dhe kriminelë, ka për qëllim ta paraqesë tërë shoqërinë tonë të mbërthyer dhe mbytur nga krimi dhe kriminelët. Aq entuziaste është politika, aq shumë është e dashuruar me propagandimin e krimit me mbajtjen ndezur të kësaj kauze dhe evidentimin e lavdisë së kriminelëve, sa sikur luten që këtu në vendin tonë të kemi për çdo minutë nga një krim. Dhe t’i lërë krimit kryet e vendit në debate, diskutime, propozime, etiketime e tërë politikën e ditës. Çuditërisht, politika hesht kur goditet krimi. Shikoni sa mbarojnë aksionet e policisë në zbatim të strategjisë të luftës kundër krimit nga “Forca e ligjit”. Nuk ka asnjë koment. -Do ta shikoni, tha Lulzim Basha se arrestimet në Nikël ishin sa për shou. Asnjëri prej tyre nuk do dënohet. Të gjithë do dalin, siç dolën pesë të parët. Po ku e gjen tërë këtë informacion Lulzimi? Nga i merr tërë këto të dhëna në një kohë kur çështja është në konspiracion të thellë dhe hetim nga prokuroria? Këtë përgjigje, ai nuk na e thotë. E mban sekret. E ruan për vete. Dhe ne nuk mund të shpifim e të akuzojmë se dikush nga Nikla informon kryetarin e PD-së. Jo, nuk kemi asnjë të drejtë. Ai ka synim të luftojë krimin me metodat e veta. Po jo vetëm kryetari i PD-së, të gjithë liderët struken, fshihen, u humbet zëri sa goditet një bandë apo kriminel, që mbush muret me armë e municione. Kur duhet të ndodhte ndryshe dhe ata duhet të ishin të parët që të mbështetin veprimtarinë kundër krimit. Të jenë në krah të policisë, larg fyerjeve dhe denigrimit të saj ashtu siç bëri Salinjani e Murrizi pas aksionit në Lushnje. Policia në gijotinë, edhe kur është në pritje, edhe kur është në sulm. Po pse kjo diferencë dhe heshtje pas goditjes së grupeve kriminale? Këto aksione i gëzojnë, apo i hidhërojnë të dashuruarit me ngjarjet kriminale? Dhe si e justifikojnë këta të dashuruarit me kriminelët? Duket sikur krimi i ngazëllen e i kalon në ekstazë disa liderë politikë. Dhe duket pas propagandimit të krimit, sikur luten: Vallë, a do ketë sot ndonjë krim të rëndë? Kur do ndodhi? U mërzitëm me këtë qetësinë! Dhe luten për të ndodhur krimi i radhës. Mundësisht sa më sensacional. Të ketë fuqi tronditëse në popull. Të jetë i frikshëm e me peshë. Me krimin, politikanëve tanë u duket sikur luajnë, rriten e fuqizohen! Po me krimin nuk mund të ketë dashuri. Për të ka vetëm urrejtje! Përbuzje! Luftë pa mëshirë, për ta çrrënjosur nga çdo pore e shoqërisë!

Nga Bardhyl BEJKO

 

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 7

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 13/12/2018 - 07:12

U desh lëvizja studentore të dilnin në sipërfaqe tërë ata që kërkojnë të riciklohen në politikë në biznes, në pushtet, në karrierë, në drejtësi, në media, në tendera, kudo.

Postuar: 13/12/2018 - 07:11

Nuk ishte ndonjë shfaqje kaq interesante dhe sidomos kaq dobiprurëse ajo e Kryeministrit me Dudus

Postuar: 13/12/2018 - 07:10

Nepotizëm dhe korrupsion ka edhe në universitetet europiane, por kur denoncohen ato hetohen dhe n

Postuar: 13/12/2018 - 07:08

Mbrëmë në emisionin “Opinion” të Blendi Fevziut ishin të ftuar edhe disa analistë, ta

Postuar: 12/12/2018 - 07:21

Bashkohem me të gjithë zërat që konsiderojnë protestën e studentëve si një vlerë të shtuar për de

Postuar: 12/12/2018 - 07:20

Po i japin leksion demokracie pikërisht ato djem dhe vajza që tashmë nuk duan asnjë negociatë, di

Postuar: 12/12/2018 - 07:18

Protestuesit studentë u futën në ditën e shtatë të protestës së tyre dhe do ta vazhdojnë atë deri