BREAKING NEWS

Këshilli Politik ul siparin, Basha bën lëvizjen e radhës, zbulohet se çfarë do të ndodhë nesër në orën 11:00

Këshilli Politik ul siparin, Basha bën lëvizjen e radhës,
x

Opinion / Editorial

Pse KLSH rezulton më i besuari nga qytetarët

Pse KLSH rezulton më i besuari nga qytetarët

Dje u bë publik një vrojtim (sondazh) i kryer nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim, një ndër organizatat joqeveritare më serioze dhe me përvojë tek ne, me mbështetjen e Programit të Zhvillimit (PNUD) të Kombeve të Bashkuara. Sondazhi i opinionit, i titulluar "Besimi në Qeverisje 2019", është në vitin e shtatë radhazi të realizimit. Ai u krye gjatë muajve nëntor-dhjetor 2019, duke përdorur një kampion përfaqësues kombëtar prej 2500 të intervistuarish. Nëse besimi i qytetarëve shqiptarë ka rënë gjatë viteve të fundit (mbi 85 për qind e të anketuarve e perceptojnë korrupsionin e nivelit të lartë si fenomen të përhapur ose shumë të përhapur në shoqërinë tonë), vlerësimi dhe besimi i qytetarit tek institucioni i Kontrollit të Lartë të Shtetit ka ardhur në rritje nga vrojtimi në vrojtim. Për vitin 2019, 63.7 për qind e të intervistuarve e konsiderojnë KLSH si mekanizmin më efektiv të llogaridhënies së qeverisë dhe institucioneve publike. Në vendin e dytë renditet Kuvendi me 53.4 për qind. Po pse qytetarët e rendisin KLSH si institucionin më të besuar në vend, në nivel të transparencës dhe llogaridhënies institucionale? Ky institucion ka tashmë mbi nëntë vite që ka shpalosur të plotë pavarësinë dhe profesionalizmin, mbështetur fort mbi standardet ndërkombëtare të fushës, ISSAI-t, në radhë të parë në Deklaratën e Limës (ISSAI 1) dhe në Deklaratën e Meksikos (ISSAI 10). Ligji i ri i miratuar në fund të vitit 2014, pas një beteje epokale me interesat e segmenteve të ndryshëm të qeverisjes, për t’i cënuar pavarësinë këtij institucioni kushtetues, u vlerësua nga Delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë si një “hap domethënës në integrimin e vendit në BE” (nga prononcimi i Delegacionit një ditë më vonë miratimit të ligjit, më 28 nëntor 2014). Avancimi i institucionit në nivel të kapaciteteve të audituesve të tij është realisht mbresëlënës. Nga 2.1 ditë trajnimi në vit që institucioni kishte për periudhën 2001-2011, ka kaluar në 29 ditë trajnimi për çdo auditues në vitet 2012-2019, tregues ky i ngjashëm me institucionet më të zhvilluara europiane të auditimit publik. Kontrolli i Lartë i Shtetit, me gjetjet në raportet e auditimit dhe kallëzimet e tij penale (në vitet 2012-2018, ka realizuar nga një kallzim penal në javë) kundër qindra abuzuesve me pronën publike dhe paratë e taksapaguesve, me denoncimet e tij për dëme impresive ekonomike ndaj Buxhetit të Shtetit në nivele qindra milionë euro çdo vit, ka sjellë shpresë në zemrat e qytetarëve të thjeshtë se korrupsioni mund të zbulohet dhe dënohet. Janë me qindra rastet e denoncuara nga KLSH për abuzimet me tenderat publikë të zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve tanë të lartë. Ky institucion nuk ka kursyer dorë, duke denoncuar zyrtarëve të lartë të të gjitha partive kryesore. Të Partisë Demokratike në vitet 2012-2013, kur kjo ishte në pushtet dhe më vonë të Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim. Pikërisht ky distancim ndaj fuqisë politike të momentit në pushtet dhe respekti e përkushtimi ndaj standardeve ndërkombëtare të profesionit, ato të organizatës botërore të 194 institucioneve supreme të auditimit, INTOSAI-t, përbën fuqinë e vërtetë të gjetjeve dhe denoncimeve të KLSH. Institucioni ka denoncuar pa pushim abuzimet në tenderat e qeverisë qendrore dhe njësive vendore. Më 26 prill 2020, me njoftimin e fundit për shtyp, KLSH i ra me të fortë kambanës për mundësitë e larta të abuzimit dhe korrupsionit me tenderat publikë të kohës së pandemisë, për shkak të thjeshtimit të detyruar të procedurave dhe mos-respektimit të rregullave të kontrollit dhe monitorimit efektiv të tyre. Janë me miliarda euro në formën e dëmit ekonomik, të parasë shtetërore të shpenzuar keq, ose të të ardhurave të munguara në Buxhetin e Shtetit, të zbuluar dhe denoncuar në tashmë 9 vite nga KLSH. Të gjitha të përmbledhura në dosje-denoncime për prokurorinë. Nëse sot abuzohet më pak në nxjerrjen e naftës shqiptare, nëse Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore është në ristrukturim pozitiv më në fund, kjo ndodh edhe falë denoncimeve të KLSH. Sot kemi prapa hekurave ish-drejtues dhe drejtues të Autoritetit Rrugor Shqiptar, kur KLSH i ka denoncuar ata që në vitin 2013 e më tej në vijimësi. Nga ana tjetër, të gjitha Progres Raportet e fundit të Bashkimit Europian për Shqipërinë të viteve 2014-2019 kanë rekomanduar se duhen ndërmarrë hapa edhe më të fuqishëm e konkretë për forcimin e pavarësisë dhe veprimtarisë së institucioneve kushtetuese si KLSH, në një proces gjithëpërfshirës reformash. Ato kanë vënë në dukje nevojën për të garantuar zbatimin efektiv të legjislacionit në fuqi, si dhe profesionalizmin, funksionimin dhe pavarësinë e këtyre institucioneve. Përparësitë e sotme të reformës në drejtësi në asnjë mënyrë dhe kohë nuk do të anashkalojnë apo sjellin në plan të dytë misionin, vlerat dhe arritjet e institucioneve të tilla të pavarura të Shqipërisë, si KLSH, ILDKPKI, etj. Ato përbëjnë shtyllën kurrizore të besimit publik se ky vend mund të bëhet. Puna e tyre, e inkuadruar natyrshëm në punën dhe rezultatet e strukturave të reja të reformës në drejtësi, do të sjellë shtetin e së drejtës tek dhe do të kthejë besimin e humbur të qytetarëve shqiptarë tek institucionet e tjera themelore shtetërore.