Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Pse në Shqipërinë tonë drejtësia edhe po vonon, edhe po harron?

Postuar: 26/08/2018 - 07:05

Në fillimin e startit të demokracisë ne shqiptarët besonim se, “e drejta vonon, por nuk harron”. Por tani kur kanë kaluar afro 30 vjet dhe ne ende vazhdojmë të notojmë në ujërat e një tranzicioni të pafund, po shohim se, vonesa na është kthyer në një realitet, ndërsa harresa në një dukuri për sot e për nesër. Në të vërtetë jo vetëm në drejtësi, një sistem i ngordhur prej vitesh në këtë Shqipërinë tonë, por që po përpiqemi ta ringjallim përmes një reforme që po zvarritet me hapin e breshkës dhe pa ditur ende se ku po shkon dhe ku duhet të shkojë.

Vënia në jetë dhe me hapa të përshpejtuara i vetingut është ndoshta dëshira më e madhe e shqiptarëve. E shohin atë si hapin e parë për të shpëtuar nga hajdutët e plaçkitësit që edhe sot i kemi ende të shumtë nëpër këmbë e nuk na lënë një çast të marrim frymë të lirë. E vlerësojmë si hapin e parë të pastrimit të llumit të madh të mbledhur gjatë afro 30 viteve të rrugëtimit të kësaj gjysmë-demokracie albaneze. Edhe pse e ëndërrojmë, pastrimin radikal nuk e presim nga kjo mender klasë politike që na qëndron mbi kokë e na shtyp çdo ëndërr për afro 30 vjet. Kësaj klase politike asnjë prej shqiptarëve nuk i beson më. Shpresojmë në përshpejtimin e ritmeve të vetingut, pse ai po drejtohet nga ndërkombëtarët. Dhe mund të na sjellë diçka më shumë se një ëndërr.

Kjo klasë politike, më thjesht, kjo zabërhanë po i mbush poturet nga frika që e ka zënë nga vetingu. I trembet aq sa sot nuk po pranon as të ndryshojë kodin zgjedhor, edhe pse e kemi ndër kushtet kryesore për të nisur bisedimet për hyrjen në BE. E ka zënë frika aq shumë sa e pranojnë dy krahët e politikës se, përcaktimi i popullit është shumë I saktë, se janë “njëra m… e tjetra k….”. E pranojnë se, janë të tillë, sa ndotin gjithë dynjanë, po vetëm karrigen të mos e lëshojnë. Me të tillë monstra nuk mund të vemi askund. Sepse të tillë politikanë, hajdutë 24 orë në 24 vetëm këlthasin: kapeni hajdutin e votës së lirë. Edhe pse e dinë se ata janë hajduti i vetëm në këtë gjysmë-shtetin tonë. Nuk pranojnë asgjë për ndryshimin e kodit zgjedhor. Sepse “mbretërit” kryetarë që drejtojnë 129 të ashtuquajturat Parti sot i shohim të bëjnë çmos të vrasin vetingun. Të lemerisur se vetingu mund t’ua nxjerrë shumë nga të palarat që i kanë groposur thellë në tokë. Ndaj kanë qëllimin final: vrasjen e vetingut.

Është bash kjo arsyeja që ne shqiptarët e mbetur këtej kufirit, pasi më shumë se 1,5 milionë kanë ikur për t’i shpëtuar kësaj mender klase politike, jemi rënduar nga mashtrimet e pafund të kësaj klase politike dhe nuk kemi si t’i besojmë kur nis e broçkullit fjalë të pakuptimta. Aq sa ka nisur të ëndërrojë edhe për ndërprerje të vetingut. Duket sikur i kanë fluturuar ato pak mend që i kishin ngelur këto vitet e fundit, kur broçkullit për mbrojtjen e lukunisë së gjyqtaro–prokurorëve, që populli i ka mbiquajtur “plazhistët e Durrësit” edhe pse janë autorët e shkatërrimit të drejtësisë, të psikologjisë së shqiptarit. Është një nivel i lartë i paturpësisë së kësaj klase politike, kur shohim se asaj i ka shkuar mendja vetëm te zvarritja e vetingut, si një mundësi shpëtimi për veten e saj. Sepse për të pastruar gjithë llumin e mbledhur, do të duhen edhe shumë reforma të tjera për të pastruar gjithë administratën nga moria e personave të inkriminuar e plaçkitës, nga moria e gjysmë analfabetëve me 2–3 diploma të blera në tregun e lirë. Është për turp të Zotit që ende Shqipërinë e drejtojnë gjysmanalfabetë, anëtarë të një familjeje. Për turp të Zotit sot ne shqiptarët kemi një gjysmë-shtet krejtësisht familjar. Sot ne shqiptarët, për turp të Zotit, as nuk dimë të votojmë, pasi edhe deputetët na i emërojnë “mbretërit”, kryetarë të partive. Sepse janë të tillë gjysmë idiotët që na kanë sjellë acik një pushtet nepotiko–familjar të pranishëm në të gjithë strukturën shtetërore nga baza në majë. Sa të kemi një pushtet të tillë në shqiptarët e dimë mirë se nuk mund të shkojmë askund, ndërsa Evropa do të na mbajë sa më larg.

Ne shqiptarët për të shkatërruar e dimë mirë zanatin. Kështu edhe drejtësinë. Me plazhistët e Durrësit patëm vetëm synimin ta shkatërronim drejtësinë. Aq sa ndër vite të tillë gjyqtaro-prokurorë, plazhistë të Durrësit, ia arritën të kthehen në b..lëpirës të mender klasës politike, aq sa pandëshkueshmëria u vu në themel të gjithçkaje në këtë gjysmë-shtetin tonë. Është shumë qesharake, por një e vërtetë që çudit dynjanë, fakti se çdo vit, KLSH raporton para Parlamentit për miliona euro të vjedhura e të plaçkitura nga lloj-lloj zorzopi që kjo klasë politike e ka vendosur në krye të punëve, po sa herë është heshtur. Ende nuk kemi ndonjë të dënuar, edhe pse të gjithë e dimë se janë të regjistruar miliona e miliona lekë dhe euro të humbura. Është bash kjo arsyeja që sot nuk ka shqiptar që i beson kësaj klase politike që di vetëm të mbrojë hajdutët e maskarenjtë që kanë zënë çdo qoshe të pushtetit në këtë gjysmë-shtet që po shkon dalëngadalë drejt degradimit të plotë.

Pastrimi i sistemit të drejtësisë në një masë të madhe po vlerësohet nga shqiptarët edhe për një fakt tjetër. E gjithë reforma po kryhet nën monitorimin e miqve ndërkombëtarë. Pa pjesëmarrjen e tyre vështirë se do të arrinim ta pastronim një ditë sistemin e drejtësisë. Përderisa, të gjithë jemi të bindur se në këtë gjysmë-shtetin tonë, gjithçka është nën tutelën e një grupi familjar sa ka sjellë mosbesimin e shqiptarëve te të gjitha institucionet shtetërore. Gjithçka, pushteti, klasa politike, drejtësia e gjithçka tjetër është nën tutelën e çuditshme të familjes që vetëm ndërron karrige, po mbetet e njëjta. Kështu edhe drejtësia. E mbushur me plazhistët e Durrësit, tashmë dukshëm duket e përmbytur nga llumi i mbledhur gjatë këtyre afro 30 viteve të pseudo demokracisë që ka mbetur në tranzicion. Sa më shumë na duket një mbrojtëse e mjediseve të krimit se një dhënëse e drejtësisë.

Me ç’po shohim vetingu ka shtruar para shqiptarëve pyetjen: A kemi sot gjyqtarë a prokurorë, punonjës të administratës, deputetë, drejtorë, ministra, zëvendësministra, drejtorë e zëvendësdrejtorë të ndershëm, apo të gjithë në një mënyrë e në një tjetër janë të njollosur e krejt të përbaltur? A ka rëndësi nëse janë hajdutë me çizme apo pa çizme? Sepse sot të gjithë jemi në një mendje: Gjatë këtyre afro 30 viteve askush nuk e di se ç’dreq demokracie po bëjmë përpjekje të instalojmë ne shqiptarët. Sepse deri tani kemi parë nëpër zyrat e gjysmë-shtetit veçse plaçkitës, hajdutë, nëpunës familjarë gjysmë analfabetë me 3- 4 diploma në xhep të blera në tregun e lirë albanez dhe një demokraci të zhytur në errësirë.

Sot nuk janë vetëm gjyqtaro–prokurorët, plazhistë të Durrësit që e kanë të pamundur të justifikojnë pasurinë e pamatë që kanë ngritur brenda pak viteve me dhuratat nga gjyshet e gjyshërit, nga hallat e tezet, nga kunetërit e baxhanakët, nga motrat e vëllezërit. Të tillë i kemi me shumicë edhe ndër deputetët, ndër kryetarët e partive, ndër drejtorët e ministrat, ndër zëvendësministrat e lloj-lloj llumi tjetër që e ka përmbytur Shqipërinë dhe ia ka bërë të parealizueshme ëndrrën “ta bëjmë Shqipërinë si Evropa”. Nuk është qesharake, po nëse do të ushtrohej një kontroll ndër kryetarët e ish-kryetarët e komunave të shumta që kishte Shqipëria do të dilte një llum që do të trembte çdo qenie të shtëpive tona. Apo një kontroll ndër 62 bashkitë e reja që kanë të punësuar afro dyfishin e punonjësve që kishin më parë 387 bashkitë e komunat. Nëse do të kryheshin kontrolle të tilla pyetja që do t’i lindte çdo shqiptari është: A dimë ne shqiptarët të vetëqeverisemi ?

Se shqiptarët e kanë humbur shpresën për një jetë më të mirë, pa ia kanë dhënë vrapit për t’u larguar. Aq sa shumë shpejt këtu në breg të Adriatikut mund të mbesin vetëm pleqtë. Një dukuri e tillë ka nisur të shfaqet në shumë prej fshatrave tona. Së shpejti një dukuri e tillë po bëhet e pranishme edhe në qytete. Në fund të fundit këtë na e ka paralajmëruar edhe OKB-ja ne shqiptarëve.

Nga Riza HOXHA

 

 

 

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 4

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 18/09/2018 - 07:22

Sa herë vjen ndonjë "Konferencë Peze" dhe sigurisht dalin nostalgjikët e Enverit, Partia Demokratike fillon avazin e trajtimit të tyre si nostalgjikë dhe të barazimit të tyre me kundërshtaren kryesore politi

Postuar: 18/09/2018 - 07:19

Ndryshe nga trajtimet e mëparshme, jo të pakta, në lidhje me zbatimin e ligjit, ku është shkruar

Postuar: 18/09/2018 - 07:15

Askush tek ne nuk i shpëton dot politikës.

Postuar: 16/09/2018 - 07:50

Si qytetar i zakonshëm por edhe si vëzhgues i kujdesshëm në kuadrin e gjithë jetës të shoqërisë t

Postuar: 16/09/2018 - 07:46

Nuk është koincidencë që fiks një ditë para 14 shtatorit, datë që ka hyrë në politikën shqiptare

Postuar: 15/09/2018 - 07:22

Ka kohë që Shqipëria është bërë me dy parlamente.