Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Pse një nga autorët e Deklaratës së Limës vlerëson KLSH?

Postuar: 23/08/2018 - 07:18

Dr. Hubert Weber, ish-Drejtor i Përgjithshëm në Sekretariatin e Përgjithshëm të INTOSAI-t dhe ish-President i Gjykatës Europiane të Audituesve (ECA), është sot një nga personalitetet më të spikatura të auditimit të jashtëm publik modern. Ai renditet ndër autorët kryesorë, ndër hartuesit e Deklaratës së Limës dhe firmosës i saj. Më 13 gusht 2018, Dr. Weber i dërgon një letër falënderimi Kryetarit të KLSH dhe vlerëson shumë institucionin e auditimit më të lartë publik në vendin tonë. Po përse?

Për të kuptuar cilësimet e tij, duhet të kthehemi tek Deklarata e Limës dhe çfarë përfaqëson ajo. Deklarata e Limës është akti që ndryshoi botën e auditimit më të lartë shtetëror. Për këtë arsye, ajo është quajtur me të drejtë si Magna Carta, Kushtetuta e institucioneve të auditimit publik. Që nga koha kur u miratua në Kongresin e 9-të të INTOSAI-t në tetor 1977 në Lima, Peru, Deklarata u konceptua mbi bazën e një bashkëpunimi ndërkombëtar real mes institucioneve supreme të auditimit publik (SAI-ve). Deklarata e Limës i inkurajoi të gjitha SAI-t për të zhvilluar auditimet e tyre, duke përdorur parime uniforme bazuar në eksperiencën e përbashkët. Prej këtej ka ardhur moto e INTOSAI-t “Experentia mutua Omnibus prodest (Nga eksperienca e përbashkët fitojnë të gjithë)”. Libri "Deklarata e Limës 1977-2017" i Kryetarit të KLSH, Bujar Leskaj, pjesë e kolanës “Botime KLSH”, përshkruan pikërisht rëndësinë e saj historike dhe aktuale. Kjo, pse sot kjo Deklaratë është më aktuale se kurrë. Dobia dhe rëndësia e jashtëzakonshme e saj u ngjiz nga disa gjetje të autorëve të Deklaratës. Së pari, ajo jo vetëm deklaron pavarësinë e Institucioneve Supreme të Auditimit (SAI-ve), por gjithashtu cilëson se përse kjo pavarësi është e domosdoshme, duke tërhequr vëmendjen në natyrën relative të pavarësisë dhe duke përcaktuar kushtet më të rëndësishme (personale dhe financiare) të sigurimit të saj. Deklarata përkufizon përmbajtjen e pavarësisë, duke përcaktuar marrëdhëniet e SAI-ve me institucionet përkatëse shtetërore. Së dyti, ajo vendos kufijtë mbi aktivitetet e SAI-t dhe përcakton fuqinë e vendimeve të SAI-t, që do të thotë se përshkruan pritshmëritë në lidhje me aktivitetet e SAI-t dhe rezultatet e këtyre aktiviteteve. Së treti, Deklarata e Limës ofron udhëzime të detajuara metodologjike për përmbajtjen dhe fushat e veprimtarisë së SAI-t, duke parashtruar parimet e sigurimit të cilësisë në auditim. Së katërti, ajo i pozicionon aktivitetet e SAI-t në nivel ndërkombëtar, në lidhje me shkëmbimin e përvojës dhe marrëdhëniet me organizatat ndërkombëtare.

Më 25 qershor, me ftesë të Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, Dr. Hubert Weber vizitoi Shqipërinë dhe KLSH. Dy muaj më pas, më 13 gusht 2018, në letrën e falënderimit drejtuar Kryetarit të KLSH, Dr. Weber,shprehet”Krahasuar me vizitën time të mëparshme, kam gjetur një Tiranë në mënyrë të konsiderueshme më moderne, pa humbur sharmin e saj… KLSH është pjesë e kësaj përpjekjeje për modernizim. Unë gjeta në terren arsyet pse në qarqet e auditimit suprem publik, sidomos në Organizatën Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit (INTOSAI), KLSH është një SAI shumë e vlerësuar”. Ky cilësim i referohet standardit që KLSH arriti me miratimin e ligjit të tij organik në vitin 2014, tërësisht në përputhje me standardet e INTOSAI-t dhe si hap konkret përpara në integrimin e vendit për në BE. Beteja e KLSH për të ruajtur pavarësinë e tij funksionale dhe qasjen e pakufizuar në informacion, me rastin e miratimit të ligjit të vet të ri, merret si shembull dhe përmendet në takimet e punës për rritjen e pavarësisë së SAI-ve në forumet e EUROSAI-t. Kjo betejë u mbështet plotësisht dhe mori fuqi nga Deklarata e Limës. Ja përse Dr. Weber e vlerëson institucionin e KLSH-së, pse ky institucion e ka ndjerë në praktikë, në përpjekjet për të ruajtur pavarësinë reale, jo vetëm në letra të tij, rëndësinë e pamatë dhe peshën e Deklaratës së Limës. Roli i Deklaratës edhe sot është unik. Ajo në mënyrë efiçiente promovon qëllimin që institucionet supreme të auditimit kanë të auditojnë Qeverinë dhe organet shtetërore kombëtare, në bazë të parimeve dhe metodave të harmonizuara, duke ofruar siguri dhe besim të qytetarëve në qeverisjen publike dhe në transparencën e llogaridhënien qeveritare. /Nga Fatos Çoçoli

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 9

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 15/11/2018 - 07:12

Edhe pse çështja e përkatësisë fetare të një Heroi Kombëtar, në fund të fundit, nuk ka aq rëndësi, në këtë vit jubilar të Gjergj Kastriotit, kjo çështje ka qenë ndër më të debatuarat në mesin e studiuesve dhe të histo

Postuar: 15/11/2018 - 07:11

Është e sigurtë se diktaturat krijojnë siguri dhe rend publik!

Postuar: 15/11/2018 - 07:09

Teknologjia ka ndryshuar mënyrën se si punojmë dhe mendojmë në shumë drejtime përfshirë dhe audit

Postuar: 14/11/2018 - 12:25

Prishja e shtepive te banoreve te Unazes se Madhe eshte antikushtetuese, jo thjesht e paligjeshme

Postuar: 14/11/2018 - 07:06

 Protestat e opozitës tonë ngjajnë shumë me informacionet që jepeshin përditë në seksio

Postuar: 14/11/2018 - 07:05

 Shteti, duket se është e kundërta e asaj që thotë kënga për të dashurën.

Postuar: 14/11/2018 - 07:03

 Më thanë se edhe tre njerëz të kulturës, intelektualizmit kishin aplikuar për llotarinë ame