BREAKING NEWS

“Po e ndaj me ju këtë ngjarje shokuese”, Sazan Guri zbulon bisedën e ‘frikshme’: Funeral falas dhe mbi 1 milion lekë nëse e regjistron vdekjen me COVID-19

“Po e ndaj me ju këtë ngjarje shokuese”, Sazan Guri zbulon
x

Opinion / Editorial

Pse nuk është i besueshëm presidenti ynë?

Pse nuk është i besueshëm presidenti ynë?

Kohët e fundit presidenti Ilir Meta ka dendësuar daljet në konferenca shtypi, duke bërë thirrje për grumbullimin e shqiptarëve pa dallime partiake për të protestuar në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” kundër grushtit të shtetit që po përgatitka sipas tij mazhoranca! Madje aq i irrituar është presidenti nga mazhoranca e majtë që i dhuroi kolltukun presidencial, saqë ka ngjitur vetë personalisht shkallët e organit të akuzës, duke ngritur aktpadi ndaj një ministreje të kësaj qeverie. Nuk e di sa do ta dëgjojë populli Ilir Metën në shqetësimet që ka shtruar dhe sa do të jetë numri i protestuesve që do ta ndjekin atë si president e si ish-politikan i vjetër me 2 mars, por për mua Presidenti ynë është tepër i pabesueshëm dhe shumë larg asaj joshjeje që ai pretendon. Vërtet ka shqetësime në popull, vërtet ka gabime në qeverisje, ka neglizhenca në shërbimin ndaj qytetarëve e ka korrupsion në administratën shtetërore, gjëra këto që i ka pranuar edhe kryeministri Rama, e për të cilat po bëhet edhe reforma në drejtësi, por ama Ilir Meta, si politikan dhe shtetar i vjetër, është bashkëpunëtor dhe bashkëpjesëmarrës qoftë i sukseseve, qoftë edhe i fajeve dhe gabimeve të arritura në këtë vend gjatë periudhës së demokracisë. Nëse dikush pretendon sot, se Shqipëria nuk duhet të ishte këtu ku është, të gjithë jemi nga pak fajtorë, por kryesisht klasa politike që na ka udhëhequr për afro 30 vjet. Sali Berisha, kur mori frenat e pushtetit në marsin e vitit ‘92 nuk pati asnjë meritë, përveçse i gënjeu shqiptarët me sloganin joshës se për të kaluarën diktatoriale “jemi të gjithë bashkëvuajtës dhe bashkëfajtorë” dhe shqiptarët i besuan. Por, sapo Sala i futi në kularin e tij shqiptarët me imazhe pseudo-demokratike, jo vetëm harroi çfarë u pati premtuar, por u bë një diktator edhe më i ashpër i kohëve moderne. I dhanë shumica e shqiptarëve me protesta e greva ta rrëzonin diktatorin e ri me kostum demokrati, por nuk ia arritën dhe Saliu u largua nga pushtetit duke e kryer mandatin të plotë sipas afateve kushtetuese. Realiteti ynë i këtyre 30 viteve ka treguar se asnjë opozitë, përveç ‘97, kur populli rrëmbeu armët, nuk e ka marrë pushtetin me protesta, me dhunë e me bllokime institucionesh. Edhe thirrjet përgjëruese të Ilir Metës drejtuar popullit shqiptar për të rrëzuar mazhorancën socialiste, se ajo gjoja ka kapur të gjitha institucionet, duke miratuar ligje antikushtetuese, vështirë se mund të bindin shumicën e shqiptarëve, të cilët e njohin mirë Ilir Metën. Ilir Meta vetëm një herë shfaqi me të drejtë kundërshtitë dhe revoltën e tij, atëherë kur u bënë ndryshimet kushtetuese në vitin 2008. Por edhe nga kjo qëndresë, ai u tërhoq shpejt dhe bëri kompromise të pista me koalicione pragmatiste dhe e shijoi ëmbëlsinë e pushtetit duke u hedhur herë në krahët e së djathtës dhe herë në krahët e së majtës. Këta veprime pragmatiste dhe programi politik i LSI pa asnjë alternativë qeverisëse, si dhe metodat makiaveliste të Ilir Metës me pushtetin, e kanë bërë atë tepër irritues dhe të pabesueshëm në sytë e popullit shqiptar, i cili di t’i ndajë mirë politikanët e ndershëm nga sharlatanët e përfituesit e privilegjeve të pamerituara. Ndaj dhe thirrja e tij drejtuar popullit për të mbushur bulevardin me 2 mars, nuk do të zërë vend. Së pari një presidenti që përfaqëson unitetin e popullit dhe është mbi palët e politikës, nuk i takon të bëjë thirrje për protesta, e të marrë rolin e opozitës kundra qeverisë, sado gabime që të ketë, se është absurde që presidenti të luftojë shtetin e vet. Së dyti Ilir Meta bën thirrje, sikur të kishte zbritur nga një planet tjetër dhe të ishte futur rishtazi në politikë. Vështirë të besojë kush se e ke ndershmërisht luftën për mbrojtjen e Kushtetutës, pasi ke qenë në politikë prej 30 vitesh, madje në poste të larta si kryeministër e kryetar Parlamenti, zv.kryeministër e ministër, pra të kesh provuar të gjitha hallkat e pushtetit dhe të gëzosh të gjitha privilegjet e një pushteti të shfrytëzuar deri në palcë dhe të jesh pasuruar në mënyrë marramendëse brenda një periudhe kaq të shkurtër në kurriz të këtij populli fukara. Populli shqiptar e njeh fare mirë luftën oportuniste dhe pragmatiste të Ilir Metës qoftë si ish-kryetar i LSI dhe tani si President i Republikës. Ka disa analistë që e quajnë si ditë të fitores së madhe 2 marsin, si “ditën e rikthimit të institucioneve popullit”, duke bërë një analogji me organizimin që bëri presidenti rumun Klaus Ioanis, i cili në gushtin e vitit 2018 mblodhi mbi 100 mijë veta në shesh dhe rrëzoi qeverinë e korruptuar të kryeministres Dancila, e cila më parë kishte shkarkuar drejtuesen e Zyrës e Antikorrupsionit, Laura Kovesi, e cila dërgoi në burg kryebashkiakë, ish-deputetë e ish-ministra, një ish-kryeministër dhe dhjetra gjyqtarë e prokurorë të korruptuar. Në këtë aspekt populli rumun u bë shumë ndjeshëm, se u prek plaga që duhej shëruar, ndaj e dëgjoi dhe e ndoqi presidentin e tij. Nuk mund të bëhet asnjë analogji midis presidentit Meta dhe atij rumun Ioanis, se përveç atyre që theksova më lart, ka edhe shumë arsye të tjera që i distancon shumë. Së pari presidenti rumun ishte i zgjedhur nga populli dhe kishte shumë kompetenca, ndryshe nga presidenti ynë që në këtë drejtim është thjeshtë honorifik. Së dyti, dy presidentët ndryshojnë edhe nga mbështetja e simpatia që gëzojnë në popull. Presidenti rumun, jo vetëm që ishte i ndershëm e vinte në pushtet me duar të pastra, me vullnetin për të luftuar vërtet korrupsionin dhe mbrojtjen e Kushtetutës së vendit, por ishte bërë i besueshëm sepse kishte dhënë prova konkrete në këtë drejtim. Me akrobacirat e tij politike, me maninë për t’i shërbyer më shumë vetes se popullit, presidenti ynë është shumë i pabesueshëm. Gjer më tani presidenti ynë është shfaqur si lider opozite se sa një burrë shteti që qëndron mbi palët, ndaj më kot përpiqet të bëjë thirrje për protestë nga pozitat e të pavarurit. “I pavarur është ai që kërkon të nxjerrë politikën jashtë politikës”- shkruan Adlai Stivenson. Ilir Meta nuk arriti të bëhet kurrë i tillë. Së treti presidenti ynë ndryshon edhe nga ai rumun edhe nga mbështetja që gëzon nga ndërkombëtarët. Koha ka treguar se pa mbështetjen e faktorit ndërkombëtar, qeveritë e vogla e kanë vështirë të vijnë në pushtet dhe liderët, sado potenciale kombëtare e shoqërore të kenë, nuk mund të luajnë kurrë një rol të pavarur. Dhe Meta këtë e provoi mirë, kur rrëzoi 30 qershorin si datë zgjedhjesh,dhe nuk ia fërshëlleu kërkush e u bë gazi i botës. Së katërti ankimet e presidentit në veçanti dhe të opozitës në përgjithësi, nisën pas mbështetjes së madhe që mori kryeministri Rama nga mbi 100 vende donatore për të eliminuar pasojat e tërmetit. Kjo që irritoi Ilir Metën dhe Sali Berishën, irritoi akoma më shumë popullin ndaj këtyre të dyve. Së fundi qeveria e drejtuar nga kryeministri Rama vërtet ka gabime, por janë gabime të natyrshme për çdo qeveri në botë. Në vendin tonë nuk është ajo situatë si në Rumani, ndaj nuk duhet marrë goma e të fshish gjithçka të shkruar në arritjet e kësaj qeverie. Duke ndjekur deklarata e presidentit, i cili kërkon të pastrojë të tjerët duke qenë vet i njollosur, më kujtojnë atë mësuesin tim të fillores, i cili kontrollonte nxënësit nëse i kishin prerë thonjtë, duke u drejtuar gishtin e tij me thonj të paprerë. Vërtet asnjë nxënës nuk ia thoshte këtë fakt, por ama askush nuk kishte respekt për të. Ilir Meta ka shpërndarë ftesa për një dasmë të madhe, tej çdo mundësie e potenciali të tij, por ndoshta masat për mbrojtjen nga rreziku i koronavirusit, ashtu siç e nderoi tërmeti i 26 nëntorit, do ta nxjerrin edhe këtë herë faqebardhë…