BREAKING NEWS

Publikohet përditësimi më i fundit i Ministrisë së Shëndetësisë, zbardhet shifra: Ja sa të infektuar me koronavirus u shënuan ditën e sotme

Publikohet përditësimi më i fundit i Ministrisë së
x

Opinion / Editorial

Pse nuk ka as njerëz as “yje” të rinj kjo fushatë elektorale?!

Pse nuk ka as njerëz as “yje” të rinj kjo fushatë

Tanimë shqiptarët kanë marrë vesh, se kush është fushata elektorale e Lulzim Bashës. Po, e dinë se ai nuk shan, as nuk është cinik apo grotesk. E kanë kuptuar se ka premtime dhe angazhime të mëdha shpesh herë financiarisht jo kaq të arsyetuara. Kanë kuptuar se ka prekur disi ndjenjat e shqiptarëve sidomos për mirëqenien dhe në drejtim të një arrogance të kuptueshme dhe për faj të tyre - të Ramës dhe Rilindjes e mbetur vetëm kudo në pushtete politike dhe vendore. Kanë kuptuar se do të përvijojë sa mundet me këtë trend dhe mbase kjo është dhe zgjidhja më e mirë e tij. Por njerëzit kanë kuptuar dhe se Rama ka bazuar fushatën në batutat e vazhdueshme të tij ndaj Bashës që fle dhe iu shërben Berishës dhe Metës. Kanë kuptuar se tërmeti dhe vaksinat do të përdoren nga Rama, sepse në fund të fundit, atij i ranë për hise si për keq dhe për mirë. Kanë kuptuar se grotesku i shpeshtë i tij, shoqëruar me cinizëm i pëlqen gjysmës dhe më shumë të shoqërisë shqiptare, sepse sigurisht ajo (shoqëria) është cinike dhe groteske absolutisht si Rama. Kanë kuptuar se Rama nga miqtë perëndimorë ka tashmë të sigurtë në veprim ata lindorë dhe se Erdogan është një mbështetje e madhe për të. Kanë kuptuar se vaksinimi është pikë e fortë e tij.

Por një pjesë e madhe e njerëzve dhe shoqërisë, kanë kuptuar gjithashtu se këto zgjedhje nuk kanë propozime të rëndësishme dhe të qarta njerëzore. Shqiptarët e mesëm (si shtresë) dhe të edukuar kanë kuptuar se si PD dhe PS, por dhe LSI, nuk iu kanë propozuar as njerëz të rinj të fuqishëm dhe të mendimit politik të ri e modern e sidomos nuk kanë lejuar as “Yje” të lindur nën kohën moderne të pandemisë dhe të zhvillimit të ri që pret Shqipëria politikisht. Jo, nuk kanë propozuar asnjë. Partia Socialiste, por Rilindistët kanë përveç lojës absurde dhe shpesh herë groteske të Ramës me Luljetën dhe Çomon si figura të stërdjegura politikisht (të djegura pa filluar politikën) dhe tani të djegura fatkeqësisht dhe profesionalisht. Kurse të tjerët kush janë të rinj dhe “Yje”? Kush është “Yll” zonja Bilali e Shkodrës? Çfarë ka “yllëzuar ajo në politikë”? Po është zoti Beci, por ai është “Yll realisht” i administrimit dhe sipërmarrjes dhe drejtimit, kurse në politikë në fakt, ka këtë fushatë që e bën sërish si një menaxher publik po them: Kush janë yjet e rinj? Gjiknuri, Manastirliu, Ahmetaj, Balluku, Çuçi apo Kumbarica, apo Braçe dhe Majko? Hë pra kush? Kush shkëlqeu i ri dhe bëri “prokopi”. Nuk ka, se si jashtë Ramës dhe lali Fikut të shkëlqejë kush është e pamundur dhe pse i marrin dhe i lartësojnë, i katapultojnë dhe pastaj i rrëzojnë dhe pastaj i periferi-largojnë. Po Lulzim Basha kë ka “njeri të ri dhe yll që ka lindur”? Në politikë dhe politikisht them në PD? Kë zonjën Duma? Apo Gjekmarkajn? Mos vallë Mark Markun? Apo cili “Yll” të ri, ka që njerëzit të thonë po - ka dalë një person fantastik i palakuar për keq dhe se është realisht i ri dhe sjell frymë të re, apo që ka mendime të reja dhe që është lejuar t’i shprehë apo lartësojë ato? Kush? Askush? Pse: Sepse nuk duan të jetë në këto pozita një parti. Të jetë e lirë dhe demokratike që “yjet dhe njerëzit” e rinj elitarë të dalin dhe vetë katapultohen me aftësi. Jo është parti e mbyllur që sigurisht nuk lejon të tillë – yje të shkëlqejnë. Apo mos vallë LSI? Këtu pastaj kemi të bëjmë me “eufemizëm” dhe është e kotë ta vazhdoj këtë diskurs me një parti e shpallur pronë. Mirë po kjo e metë, shpjegon pse pastaj të tre partitë kryesore dhe ato poshtë tyre, janë njësoj të jo demokratizuara, njësoj pothuaj të korruptuara, përveç faktit që ajo në pushtet “lan lesh me mundësitë që ka për korrupsion” dhe që sigurisht është në kulmin e përdorimit të tij në administrim. Janë njësoj që nuk lejojnë mendim të ri dhe të përparuar. Po jashtë establishmentit të sotëm dhe të kalcifikuar në lidership. E kanë gjithë klasa politike këtë gjë, por kulmin e ka Rilindja në majë të PS dhe LSI-ja e në vend të tretë është PD akoma e pareformuar e Bashës. Kjo është një nga të metat e klasës politike shqiptare, e cila pastaj i imponohet shoqërisë me mentalitete prej 30-të vitesh njësoj. I imponohet me mediokritete fantastike. I imponohet po me zhargonin e Ramës, cinizmin e tij dhe citatat elektronike të Berishës dhe ndonjë gafë të Bashës, por dhe me lajthitjet e Monikës e shumë e shumë ndodhive të tjera jashtë standardit normal në Europë. I imponohet kësaj shoqërie me mos riciklim të cinikëve dhe sundimtarëve tiranokratë kudo në PS dhe PD e pa dyshim në LSI. I imponohet shoqërisë me gangsterë përreth partive dhe i imponohet me të korruptuar që thërrasin – kapeni hajdutin. E tillë klasë politike mashtron dhe gënjen, se asnjëherë nuk lartëson një individ jashtë cilësive të tyre. E sigurisht nuk e kam fjalën për cilësitë pozitive, por për veset. Lartësojnë vetëm mediokër, cinikë dhe mashtrues ordinerë pa parime dhe ideale. Lartësojnë dembelë dhe gënjeshtarë të shkallës së parë. Po këta janë “Yjet” e këtyre tre partive dhe sidomos të “dashurit” e lidershipeve të partive që shpesh herë zënë vendet e para në lista si të jenë meshkuj dhe femra. E kjo është arsyeja pse nuk ka “njerëz të rinj dhe Yje në politikë” kjo fushatë elektorale që do të konkludojë më datën 25 prill.