BREAKING NEWS

Infektohet me COVID-19 mjeku kirurg në Berat, në gjendje të rëndë niset me urgjencë drejt Infektivit

Infektohet me COVID-19 mjeku kirurg në Berat, në gjendje të
x

Opinion / Editorial

Pse opozitës i duhen urgjentisht fytyra e ide të reja për të larguar "Rilindjen"?!

Pse opozitës i duhen urgjentisht fytyra e ide të reja për të

Lulzim Basha duhet ta kuptojë njëherë e mirë, se nuk do të mund të largojë PS-në nga pushteti, jo se ajo është e fortë dhe se është "komuniste", po sepse në krye të saj dhe në pushtet është "Rilindja" e Edi Ramës. E kjo e fundit është një zgjatim i vetë PD-së dikur. "Rilindja" është një trup "alien" që ka gjetur një organizëm të madh dhe shëndoshë si PS-ja e tani e ka transformuar në një diçka që nuk ka lidhje as me të majtën dhe as me demokracinë në Shqipëri. Por Lulzim Basha sigurisht duhet të dijë se ai që ka bërë atë paktin e 17 majit (dhe që hodhi teatrin në 17 maj 2020) kur Basha ishte i vogël në ’90, ishte me pardesy të bardhë dhe tentoi të largonte Sali Berishën ose më mirë tentoi të kishte të vetën PD-në e asaj kohe! Kjo ishte ëndrra e tij!  Lulzim Basha duhet të dijë se "Rilindja" e sotme është PD-ja e Edi Ramës në vitin 1990, por e instaluar (ka marrë me koncesion gjallesën politike PS) në trupin e Partisë Socialiste. Është (Rilindja) me njerëz dhe formatim ideor, por marrëzisht e pangishme për pushtet e para, shumë më tepër sa ato që i bënë keq PD-së së dikurshme të pushtetit të qelbur! Lulzim Basha sot mes disa zjarresh dhe mosbesimi tragjik, mes bashkëpunimesh të hapura dhe nëndheshme që ai vetë dhe po ashtu shpirtrat e PD-së kanë bërë me Rilindjen ( jo socialistët) ndodhet në një pozitë jo të favorshme edhe ndaj ndërkombëtarëve. Po pra, atyre që dashje pa dashje, duan njeriun që "zapton vendin" e mban atë nën një farë regjimi dhe jo se përçon demokraci dhe shtet ligjor. E për këtë gjë, ka faj të madh dhe ai vetë, e opozita e shthurur anti demokraci në Shqipëri. Ajo që mirë se doli në 2013-ën e konsumuar nga pushteti, por vazhdoi konsumimin edhe në opozitë. Ajo që nuk kërkoi njëherë të falur dhe pse denigroi plot demokratë dhe demokrate, që kritikonin rrugën e fajshme të saj me tenderat, administrimin dhe përballjen me demokracinë. Kjo opozitë që ka humbur rrugës së saj politike dhe në përballje me "Rilindjen", e cila është (hologramë) e saj në forma dhe sabotim të plotë, duke i zënë PD-së vendin në të djathtë të spektrit dhe duke e zhvendosur me dhunë në të majtën revolucionare ekstreme dhe shpesh herë idiote anti-demokraci. Nuk do apo e urdhërojnë zotin Basha të mos e kuptojë këtë gjë kjo është në diskutim, por sot është imediate që ky kurs i panevojshëm dëmtues i demokracisë të largohet nga lidershipi demokrat. As parullat, as marrëdhëniet e shëmtuara me "oligarkinë" e përbashkët me "Rilindjen" dhe as batutat e rënda që rrahin djathtas dhe përkëdhelin majtas, nuk shkojnë më! Mjaft më me dyzimin Berisha-Basha dhe pse tashmë ky dyzim është bërë një diçka banale që nuk e do askush nga njerëzit normalë në PD. Mjaft me prurje të ngjashme për nga forma e kokës dhe llafet në lartësitë e PD-së si "vëllezër siamezë" me Taulant Ballën, Spiropalen dhe të gjitha "lidershipet femra në Rilindje" që i shërbejnë "fyhrerit" më keq se sa meshkujt jo kaq shumë "maço" në drejtim të qeverisë. Ky imitacion nuk shkon më në PD-në e sotme, sepse njerëzit janë mërzitur kaq shumë sa pastaj lind ideja që këto parti janë e njëjta gjë! Mjaft me këshillat e të vjetërve zullumqarë dhe të rinjve "imitues të Rilindjes" në PD-në e Lulzim Bashës! Mjaft me raportet opozitare të të njëjtës markë tip Mediu, Ndoka, Shehu, e sidomos Dule! Partia Demokratike duhet të kthehet djathtas, djathtas në humanitetin e partive popullore europiane pa ndikime të ish-sekretarëve të partisë dhe ish-anëtarëve të saj të shumtë në kohëra. PD-ja e Bashës vjen në pushtet kur të ketë fytyra të reja dhe ide të reja djathtas, duke larguar në mënyrë të menjëhershme, rrufeshme Rilindjen e Ramës, e krijuar pikërisht për të pasur të dy krahët e politikës në duart e tij. Pra djathtas me "Rilindjen dhe majtas me PS-në"?! Ose përndryshe Lulzim Basha duhet të thotë qartë se nuk mund të luajë njeriun e qartë si lidershipi i vendosur për të kthyer të djathtën në pushtet, jo për hatër të pasurimit të tyre, por për këtë mashtrim kolosal, korruptiv që klika e Ramës i ka bërë politikës shqiptare. Sepse po kështu, ky mashtrim ka qënë qartë dhe haptas në politikën shqiptare prej shumë vitesh, kryer me talentin folklorik të Berishës që nga një i majtë ekstrem, anëtar leverdie i PPSH, por i kuq i qartë në organizim politik akoma më keq se ajo - përfaqësoi të djathtën shqiptare, aristokracinë e humbur të saj, borgjezinë e pushkatuar dhe rrahur nga diktatura dhe shtresën e mesme të kulturuar si në qytetërim perendimor edhe në kohë të pikërisht diktaturës! Mashtrim me Berishën dhe mashtrim me Ramën e sot Shqipëria ndodhet në një nga udhëkryqet e mëdha të historisë me anulimin e demokracisë me përkrahjen e opozitës fajtore dhe ndërkombëtarëve që i çojnë dorën atij që mban stabilitetin e shtetit e që nuk rrëzohet me protesta. Lulzim Basha duhet ta kuptonte ose është plotësisht i fajshëm se vetëm të majtët dalin nga Parlamenti! Vetëm e majta ekstreme (jo socialdemokracia) hyn me dhunë në Kuvend dhe del po ashtu me marrëzi. Kështu bënte partia që kishte Berisha, por ajo nuk ishte e djathtë. Si ka mundësi që e djathta të përkulet deri në atë pikë sa të durojë uljet me "b..thë" në bulevard dhe të bëjë gam gam gam para kamerave në imitim të Kryemadhit?! Ose imitim të PS-së që urdhërohej nga Rama dikur, kundër pushtetit të Berishës! Kujt elektorati duan t’i mbushin mendjen për nesër në pushtet me këtë formë dhe përmbajtje?! Lulzim Basha duhet të hapë listat dhe të kthejnë partinë drejt demokracisë, e cila ka kryetar alternativash dhe jo fyhrer! Një të tillë kanë të majtat si nacionale dhe ato internacionale! PD e Lulzim Bashës dhe vetë ai, mund të vijnë në pushtet po të jenë të djathtë dhe demokratë! Kur të jenë alternativë dhe të jenë superiorë në përmbajtje dhe formë me Rilindjen! Përndryshe njerëzit nuk do t’i sjellin në pushtet po imituan ata që erdhën në pushtet, sepse Edi Rama nuk mundi në ’90-ën dhe mori hak në 2013 si ndaj socialistëve të Nanos dhe PD-së së Berishës! PD ka nevojë për fytyra të reja, që nuk kanë damka, as në pozitën e dikurshme dhe as në opozitën kote dhe fajtore e po ashtu të dështuar sot. Por përpara tyre ka nevojë për ide të reja dhe njerëz që këshillojnë mirë dhe qartë. Që bëjnë analiza dhe nxjerrin konkluzione të drejta dhe të guximshme!. Që krijojnë ose më mirë themelojnë alternativën e djathtë shqiptare! Pa populizëm, por me kombëtaritet të shprehur fort, i cili përjashton marrëzitë tragjike korruptive si të Rilindjes dhe të djathtës marrëzisht të shëmtuar si e majtë budallaqe e Sali Berishës. Do të fitojë atëherë kur të lejojë protagonizmin intelektual dhe të largojë militantët që grushtojnë më fort njerëzit e tyre (partisë së tyre) se sa Rilindjen. Kur të largojë biografinë dhe lançimin politik brenda partisë shpesh herë në shërbim të Rilindjes. Kur të largojë nga afera, njerëzit në parti që janë fytyra bordesh dhe të punësuarish që i shërbejnë Rilindjes korruptive dhe janë në listat e hetimit të nesërm nga ana e drejtësisë. Të të punësuarve në dy apo tre vende nga Rilindja, e cila pastaj i ka "kuaj Troje" dhe që natën shkojnë te Berisha, nesër të pinë kafe me Metën dhe në një fund dite pune firmosin për Rilindjen! E kam të qartë se pothuaj po shkruaj kot! Por në fund të fundit, kjo është detyra e një njeriu që ka ideal (edhe pse pothuaj utopik) demokracinë! Sëpaku dikush dhe shumëkush mos të thotë : Po ti ku ishte o gazetar?!