BREAKING NEWS

GJKKO merr vendimin për drejtorin e Kadastrës, u arrestua pas hetimit prej 9 muajsh nga SPAK në bashkëpunim me Policinë

GJKKO merr vendimin për drejtorin e Kadastrës, u arrestua pas hetimit
x

Opinion / Editorial

Pse po mbahemi ekonomikisht?

Pse po mbahemi ekonomikisht?

Viti i ri ekonomik 2021 filloi me zero taksë mbi fitimin për 110 mijë biznese të vogla. Ndërkaq, 46 mijë prej tyre me qarkullim deri në 15 milionë lekë të reja në vit, e kanë zero Tatimin mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) që nga 1 janari 2021. Edhe pse shifra zyrtare nuk ka dalë, sipas të dhënave paraprake të INSTAT, nuk ramë me 6.5 për qind sa parashikonte qeveria vitin që sapo lamë pas. Jemi, me konsumin e rritur disi të muajit dhjetor 2020, diku tek 6.2 për qind e prodhimit kombëtar më pak. Ose 730 milionë euro më pak se viti 2019. Po nga 1 janari 2021, pra tetë ditë më parë, bluzat e bardha nisën të paguhen 40 për qind më shumë çdo muaj dhe paga e mësuesve jo-universitare është 15 për qind më e lartë. Janë së bashku 65 milionë euro më shumë këtë vit, nga rrogat e këtyre dy kategorive thelbësore për shoqërinë tonë, që i shkojnë konsumit. Dhe konsumi sjell rritje ekonomike. Në regjistrimin e nëntorit 2020 ishin 2,965 biznese të vogla më shumë sesa në janar, para fillimit të pandemisë. Vitin që shkoi u mbyllëm dy muaj të plotë si të gjitha shtetet e tjera në botë. Në mars-prill 2020. U rrit varfëria. Ra tatëpjetë konsumi. Mbi 24 mijë sipërmarrje të vogla aplikuan tek Qendra Kombëtare e Biznesit (QKB) për të pezulluar aktivitetin (kalimi në status pasiv), për të mos paguar taksat. Por nuk u mbyllën qepenat në mënyrë masive. Rezistuam. Sikurse po rezistojmë edhe tani. Muaji nëntor 2020 u mbyll me pagesat për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) në nivelet e vitit të kaluar. Muaji dhjetor 2020 është edhe ai në këto ujëra. TVSH është një taksë pasive që mat konsumin. Dhe rikthimi i TVSH-së në nivelet e vitit 2019 për nëntor-dhjetor 2020 do të thotë se konsumi po e rimerr veten. Po kthehet ngadalë në normalitet. Konsumi është si temperatura në trupin e njeriut, por me efekt të kundërt. Kur temperatura-konsum rritet, ekonomia-njeri fillon e përmirësohet, shëndoshet. Rritja ekonomike tek ne varet në 90 përqind nga konsumi ynë. Konsumi është një shkëmb shpëtimtar ku jemi kapur, për të mos përfunduar në baltërat thithëse të deficitit 10 për qind të prodhimit kombëtar. Si e arritëm këtë? Thjesht nuk u mbyllëm fare, si në mars dhe prill të këtij viti. Vazhduam aktivitetin, me virusin vrasës mes nesh. Tani duhet të shohim si do shkojmë këtë dymujor vendimtar. Këta dy muaj: janar-shkurt 2021, do të jenë më të vështirët që mund të kemi kaluar ndonjëherë në jetën tonë. Vetëm muaji mars 1997 ishte më ogurzi në historinë tonë, nga sa do të jetë ky dimër i shkurtër dhe tejet i lagësht dhe i ftohtë janar-shkurt 2021! Do të detyrohemi të rrimë në mjedise të mbyllura më shumë dhe do të infektohemi më shumë, fatkeqësisht. Do të shohim shtetet e tjera më të fuqishme dhe të zhvilluara se ne, të përmbyten nga lumi i vaksinave shpëtimtare dhe ne do të duhet të presim radhën tonë, me fondet e pakta që kemi. Por do të rezistojmë. Po mbajmë maskat shumë më mirë se disa vende të tjera shumë më të zhvilluara se ne. Nuk ka rëndësi se një pjesë prej nesh i mbajnë maskat nga frika e gjobës së patrullës së policisë që mund të mbijë papritmas në lagje. Rëndësi ka që i mbajmë dhe me to po mbrojmë veten dhe të tjerët. Ekonomia jonë nuk do të gremiset, ndryshe nga sa trumbetojnë jo pak kalorës të Apokalipsit tek ne, për interesa të vogla partiake. Financat publike i kemi disi më të disiplinuara dhe më të përgjegjshme në dy vitet e fundit. Ministria e Financave i nxori vetë përgjegjësitë dhe të metat e strukturave të saj, në auditimin e brendshëm për detyrimet e prapambetura. Besoj në struktura që “i hapin telashe vetes”, duke mos rendur pas ditirambeve, në emër të një ideali reformues të financave të shtetit tonë. Nuk ishte asgjë e keqe që për vitin 2020 paguam vetëm gjysmat e pagesave të planifikuara për koncesionet e partneritetet publik-privat, ose 60 milionë euro më pak. Këto euro shkuan për shpenzimet e rritura për shëndetësinë dhe për pagat e luftës. Do të ishte mirë të përgjysmoheshin pagesat e koncesioneve dhe PPP-ve dhe për këtë vit (janë 118 milionë euro), nëse arrijmë t’iu shmangemi gjyqeve ndërkombëtare. Këto po bëhen makthi i dytë (pas Kovidit) për ekonominë tonë dhe xhepat e gjithsecilit. Po na ngarkojnë jo pak deri tani. Cunami i gjyqeve-gjoba ndërkombëtare shkon plot 455 milionë euro gjoba e sanksione! Tek e fundit edhe ky vit 2021 vit covidi do të jetë, të paktën për gjysmën e parë të tij. Ne duhet të dimë të mos goditemi në rënie konsumi, nga tensioni artificial partiak i afrimit të zgjedhjeve të 25 prillit 2021. Duhet të ndërgjegjësojmë dhe bëjmë përgjegjëse partitë tona politike në sjelljen e tyre pas natës së 25 prillit. Në interpretimin e rezultateve të zgjedhjeve, për të mos bërë Trump-in e situatës. Është domosdoshmëri të mos humbim më aq shumë sa kemi humbur deri tani në ekonomi, nga rivaliteti i ashpër për pushtet i partive tona të papërgjegjshme politike.