Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Pse SHBA vlerësojnë dorëheqjen e Haradinajt?

Postuar: 21/07/2019 - 07:35

Dje Departamenti Amerikan i Shtetit (ministria e Jashtme e SHBA-ve) kumtoi vlerësimin dhe mbështetjen e tij për aktin e dorëheqjes një ditë më parë të kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj. Haradinaj dorëhiqet për herë të dytë (të parën e ka bërë 14 vite më parë, më 2005-ën), për t’u paraqitur si qytetar i thjeshtë përpara Zyrës së Prokurorit të Posaçëm të Dhomave të Posaçme për Kosovën, strukturë e Gjykatës Speciale të Krimeve të Luftës në Hagë. Vetë Gjykata nuk ka komentuar për natyrën e akuzave të kësaj radhe në drejtim të ish-kryeministrit të Kosovës. Dy herë ai është marrë i pandehur, si i dyshuar për krime lufte në periudhën 1998-1999, në kohën kur Haradinaj ka qenë komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. SHBA-të veprimin e tij e vlerësojnë si një akt përgjegjshmërie. Ndryshe nga cinizmi i disa analistëve tanë nga këtej dhe andej kufirit, që dje disa orë pas vendimit nxituan të thonë se është një lëvizje e llogaritur mirë e tashmë ish-kryeministrit. Të dalë fitimtar nga dorëheqja e parë. Në të vërtetë, tendosja dhe emocionet e forta në kohën kur Haradinaj deklaroi pardje vendimin e tij flasin për mungesë llogaritjesh gjakftohta të një lëvizjeje politike. Emocione të tilla vështirë t’i prodhojë artificialisht edhe një aktor me eksperiencë. Ndërkohë që SHBA-të e vlerësojnë, një dorëheqje e tillë duhet të na nxisë të shikojmë përmes saj përgjegjësinë shtet-formuese të një burri të mirëfilltë shteti në Kosovë. Pavarësisht të gjitha të metave të drejtimit të tij dyvjeçar të qeverisë së Kosovës. Pavarësisht ekzaltimit të disa mediave fatkeqësisht shovene në Beograd, që e interpretojnë veprimin si pranim faji të ish-kryeministrit. Pavarësisht problemeve që i hapen vendit nga organizimi i zgjedhjeve të jashtëzakonshme 45 ditë më pas, vendimi i tij nuk është shtirje, as folklor shqiptar për një “nder të bërë Kosovës dhe vetes”. Ndjesia e tij se qeveria nuk mund të vijonte funksionimin normal me drejtuesin e saj të thirrur në Hagë dhe të akuzuar për herë të tretë për krime lufte nga e njëjta gjykatë, është syçelëti. Procesi i Gjykatës Speciale të Krimeve të Luftës kundër zotit Haradinaj, ish-komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës filloi më 5 mars të vitit 2007 dhe përfundoi në prill të vitit 2008 me dhënien e pafajësisë për akuzat që i ngriheshin. Zoti Haradinaj u rikthye në rigjykim të pjesshëm në korrik të vitit 2010. Rikthimi i tij përbënte rastin e parë të atij lloji në veprimtarinë e Gjykatës Ndërkombëtare për Krime Lufte në vendet e ish-Jugosllavisë. Më 29 nëntor të vitit 2012, ai sërish u shpall i pafajshëm nga Gjykata e Hagës. Në fillim të muajit gusht të vitit 2015, Parlamenti i Kosovës miratoi me shumicë votash ligjin për Gjykatën e Posaçme, që me emrat Dhomat e Specializuara, do të veprojë në Hagë, nën ligjet e Kosovës dhe me prokurorë e gjykatës ndërkombëtarë. Ideja për themelimin e gjykatës pasoi hetimet mbi pretendimet e të dërguarit të Këshillit të Evropës, Dick Martty për trafikim organesh në Kosovë, përkatësisht përfshirjen e disa prej ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në krime të luftës. Këto hetime nxitën reagime dhe protesta në Kosovë. Shumë qytetarë të Kosovës në disa qytete të saj u ankuan në atë kohë, se në këtë mënyrë po bëhet barazimi me mizoritë e forcave serbe gjatë luftës së viteve 1998-1999 dhe gjenocidit të ushtruar nga regjimi i Millosheviçit ndaj popullsisë kosovare. Gjenocid (i mbiquajturi “pastrim etnik”), i cili mori fund me ndërhyrjen e NATO-s. Haradinaj në vendimin e tij të pardjeshëm deklaroi se partia e tij dhe vetë ai do të garojë në zgjedhjet e jashtëzakonshme që do të zhvillohen së shpejti, të thirrura nga Presidenti i vendit. Të gjithë analistët politikë në Kosovë janë të mendimit se kjo lëvizje e z. Haradinaj do ta forcojë edhe më shumë simpatinë që ai ka kultivuar në mes qytetarëve në këto dy vjet si kryeministër. Për shumë kosovarë ai ka tiparet e një heroi edhe tani në kohë paqeje. Haradinaj ishte ideatori dhe realizuesi i taksës 100 përqind mbi importet e Serbisë, me qëllim që të detyronte këtë shtet të njohë Kosovën. Pavarësisht reagimit ndërkombëtar ndaj vendosjes së kësaj takse dhe përpjekjet e forta të presidentit francez Makron për ta bindur të heqë dorë, Haradinaj ka rezistuar. Megjithë pasojat mbi ekonominë kosovare ndaj kësaj mase të pastër dumpingu tregtar, qytetarët kosovarë në shumicë e kanë vlerësuar lëvizjen dhe rezistencën e Haradinajt. Ndërkohë, Kosova përballet me dëshirën e fortë të të rinjve për t’u larguar në emigrim dhe me pakënaqësinë në rritje për politikën e mbajtjes së regjimit të vizave të Bashkimit Evropian. Vendimi i fundit i Haradinajt për të dhënë dorëheqjen dhe për të shkuar për herë të tretë në Hagë si qytetar i thjeshtë i Kosovës i bën mirë realisht Kosovës (në mos “nder”, sikurse analistët mosbesues të vlerave ende jetike të folklorit tonë e perifrazojnë me përçmim). Sa do të donim që shumë nga këta politikanët dhe shtetarët tanë nga kjo anë e kufirit të bënin një herë në jetën e tyre burrin e shtetit dhe të jepnin dorëheqjen nga postet që i mbajnë me thonj, për shkak të përfoljeve masive në opinionin publik për korrupsionin galopant që kanë kryer. Për t’u rikthyer sërish, po të duan, nëse vota e popullit i thërret prapë (dhe që ata vetë e dinë se është e pamundur të ndodhë).

Nga Fatos Çoçoli

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 22/08/2019 - 07:22

Në sistemin e ekonomisë të tregut, për sa kohë "liria ime fillon aty ku mbaron liria jote", jo zoti Edi Rama, por edhe "perëndia" e tij të jetë në krye të vendit, kurrë qytetarët nuk mund të "

Postuar: 22/08/2019 - 07:19

Shpesh herë, në zallamahinë e një politike që kërkon ta zvetënojnë mazhorancën që qeveris vendin,

Postuar: 22/08/2019 - 07:17

Shtatori është muaji i nëntë i vitit në kuptimin fizik e kalendarik.

Postuar: 22/08/2019 - 07:16

Asnjë qeveri shqiptare këto 29-të vite post diktaturë, nuk ka mundur njëherë të vetme të ketë zba

Postuar: 22/08/2019 - 07:15

Tashmë, si për të na mbushur mendjen se hale - klasa politike është krejt e hallakatur, ky gjysmë

Postuar: 21/08/2019 - 07:47

Partia Demokratike trashëgoi nga zgjedhjet e pushtetit lokal të vitit 2015, një numër jo të vogël

Postuar: 21/08/2019 - 07:45

Nuk më kishte ndodhur ndonjëherë që, në shtëpinë time, një vizitor i huaj të shprehej me superlat