BREAKING NEWS

Ja se si nobelisti Montagnier po hedh në erë Big Farmën dhe po zbardh veprimet kriminale me covid 19

Ja se si nobelisti Montagnier  po hedh në erë Big Farmën dhe  po
x

Opinion / Editorial

Pse shteti bëhet palë me ndërtuesit e liq?!

Pse shteti bëhet palë me ndërtuesit e liq?!

Përpara pak ditësh, në pothuajse të gjitha ekranet e televizioneve shqiptare u dhanë sekuenca filmike se si dy ndërtues, dikur ortakë me njëri-tjetrin grindeshin live dhe njëri prej tyre, mbështetur edhe nga forcat e sigurisë së kompanisë së tij kopaniste për bukuri ortakun tjetër. Vetëm dy ditë më vonë acarimi u thellua dhe shkoi deri në përdorimin e armës dhe pati edhe të plagosur. Aty të pranishëm ishin edhe hallexhinjtë e vërtetë, ata që kishin paguar mijëra euro për të marrë në atë pallat një apartament dhe nuk po munden ta marrin dot. Ndonëse këta të fundit kanë plotësisht të drejtë, rrinin aq urtë sa të ndillnin ndjenjën e keqardhjes. Nuk është skena e parë që shikojmë dhe duke mos bërë orakullin e të keqes, nuk do të jetë e fundit. Nëse njihesh me problematikën e marrëdhënieve ndërtues-qytetarë, mbartur ndoshta 10, 20 apo edhe 30 vjet dhe që unë falë profesionit e njoh mirë dhe më mirë se unë e njeh Artan Lame, falë postit që mban aktualisht, atëherë pohimi im i mësipërm nuk është hiperbolik, por shumë real. Aktualisht dhe sidomos në Tiranë, por edhe në qytetet e mëdha si Vlora, Durrësi, Korça, Fieri, Elbasani e Shkodra ka patur dhe ka aq mosmarrëveshje midis ndërtuesve dhe qytetarëve sa që kanë çuar edhe në eliminime fizike. Nuk kanë qenë eliminime në gjaknxehtësi të çastit, por kanë ardhur pas një lodhje për të mos thënë stërlodhje të qytetarëve për të gjetur një zgjidhje në të mirë të të dy palëve, por edhe këmbënguljes së ndërtuesve për të qëndruar stoikë në gabimet e tyre. Do të respektoj të ikurit dhe absolutisht nuk kam qëllim të keq dhe dua që kjo praktikë të vazhdojë me këtë mënyrë zgjedhjeje përkundrazi, po e prek këtë problem që shteti të ndërhyjë për t’i zgjidhur këto mosmarrëveshje sa më shpejt dhe sa më butë. Artan Lame përpara se të na bëjë moral për ngjarje historike apo koleksione armësh të vjetra (këtë pasion ta vazhdojë kur të ketë mbaruar punën si drejtues i një prej institucioneve me problematike e më të ndërlikuar këtë moment) dhe përpara se t’u japë me pompozitet dhe duke u mburrur përpara kryeministrit tonë certifikata pronësie atyre që kanë ndërtuar në tokë të huaj, le të bëjë një analizë të atyre që kanë dhuruar pronën e tyre për një ndërtim me leje apo që kanë harxhuar të ardhurat disa vjeçare të emigracionit për të qenë pronarë të një apartamenti dhe nuk kanë arritur të jenë të tillë. Nuk kam shifër të saktë (këtë e di me siguri Lamja), por jam i bindur se në qytetet që përmenda më lart janë me qindra për të mos thënë me mijëra familje që kanë problem me ndërtuesit, ndonëse kanë harxhuar qimet e kokës. Kjo edhe për faj të shtetit tonë ku institucionet bëjnë shejtan budallanë, ja lënë fajin njëri-tjetrit dhe fshihen pas nenesh e ligjesh që vetë i kanë miratuar. Mosmarrëveshjet nuk lindin në momentin kur njihen ndërtuesit me qytetarët. Absolutisht jo. Në këto njohje të dy palët kanë të njëjtin qëllim, të bëjnë një ndërtesë të madhe dhe të sigurtë dhe të fitojnë të dy palët. Qytetari jep truallin apo ndërtesën me dëshirë dhe nënshkruan një aktmarrëveshje me firmën ndërtuese për të përfituar në ndërtimin që do bëhet në bazë të % që bien dakord. Ndërtuesi bie dakord duke u angazhuar se ndërtimi do të mbarojë zakonisht në 2 vjet dhe gjatë kësaj kohë ai do t’i paguajë dhuruesit të banesës lekët e qerasë ku do të rrijë dhuruesi. Madje në këto çaste fillim njohjeje janë ndërtuesit që u luten pronarëve për të bashkëpunuar, lutje që hera herës shkon deri në përulje. Problemi lind pas atij dy vjeçari. Ndërtuesit (gjithmonë flasin në përgjithësi dhe në shumicën e rasteve sepse ka ndërtues që janë korrektë dhe nuk janë aktore të këtij shkrimi) nuk arrijnë ta mbarojnë ndërtimin brenda afatit për shkaqe që ata vetë i dinë. Por pasojat bien mbi qytetarët që ose kanë dhuruar truall ose kanë paguar për të marrë një apartament. Sapo ata fillojnë të ngrenë zërin dhe të kërkojnë të drejtën e tyre pranë këtyre firmave ndërtuese marrin një përgjigje shabllone në çdo qytet: drejtohuni gjykatave. Pra qytetari që ka në dorë një aktmarrëveshje që detyron firmën ndërtuese t’i japë apartamentin qytetarit pas dy vjetësh duhet të bredhë dyerve të gjykatave tona që dihet se si janë, të harxhojnë edhe disa miliona të tjerë dhe nuk e dinë nëse janë të sigurtë që fitojnë apo jo. Këta drejtues firmash duke u thënë qytetarëve “drejtohuni gjykatave” janë të sigurtë se dalin fitimtarë. Këtë nuk e kam supozim. Kam ndjekur nga afër disa seanca gjyqësore në Vlorë dhe Tiranë dhe kam parë se si gjyqtarët tanë përdridhen e spërdridhen ndaj ca neneve e ligjeve që vetëm ata e kuptojnë dhe hiqen si të pafuqishëm në dhënien e të drejtës qytetarit. Kam ndjekur nga afër dhjetëra seanca të tilla dhe në asnjë rast nuk ka fituar qytetari. Të thuash se jam unë këmbëtersi nuk e pranoj sepse jam njohur edhe me dhjetëra raste të tjera ku unë nuk kam qenë i pranishëm dhe përfundimi ka qenë i njëjtë. Jam i gatshëm që të më thërrasë prokuroria e kujtdo rrethi gjyqësor për t’i dhënë dhjetra kontrata për këtë problem me qytetarë që kanë vite që kërkojnë zbatimin e aktmarrëveshjeve të firmosura nga të dy palët dhe që nuk janë zbatuar. Por mendoj që më e sakta që do jetë që vetë prokuroritë, me iniciativë, e drejtë që ia jep ligji të fillojnë të kërkojnë llogari dhe të marrin masa administrative jo ndaj meje dhe qytetarëve që ngrenë problematikën por ndaj firmave që nuk respektojnë afatet e përcaktuara në aktmarrëveshjet. Sa mirë bëjnë këta prokurorë dhe gjyqtarë që marrin masa ekstreme ndaj qytetarëve që nuk janë zbatues korrektë ndaj detyrimeve ligjore që kanë ndaj shtetit dhe i çojnë pas shtatë penxhereve. Sa mirë këta prokurorë dhe gjyqtarë janë të pamëshirshëm kur këto firma ndërtuese nuk janë korrekt ndaj detyrime në shtet. Të bëjnë të njëjtën gjë edhe ndaj këtyre firmave kur nuk janë korrekt me qytetarët. Vërtet marrëdhënia midis qytetarit dhe ndërtuesit është private por deri në mbarimin e ndërtimit kjo firmë duhet të marrë vulën në disa institucione që nuk duhet ta japin këtë firmë nëpër klube, por së pari të vërë interesin e qytetarit. Janë disa institucione shtetërorë që mund të bëhen digë e pakalueshme për këta ndërtues që nuk pyesin për asnjë vlerë morale apo ligj. Është kadastra që me autoritetin që ia jep ligji dhe nuk ia privatizon këto ndërtime kur ka shkelje. Është pastaj edhe drejtoria e tatim taksave që mbajnë në sirtar borxhet që këto firma kanë pa paguar aty dhe nuk kërkojnë o lekët o falimentimin e tyre. Më tregojnë në drejtorinë e tatim taksave në Vlorë se njëra prej këtyre firmave të ndërtimit kanë një borxh prej 400 milionë lekësh të vjetra pa paguar dhe vazhdon ende ndërtime pallatesh. Përse këto institucione bëhen palë me ndërtuesit e pasur dhe të poshtër e gënjeshtarë dhe asnjëherë më qytetarin? Sepse ka disa forma abuzive nga këto firma dhe këtu është rasti për të thënë se ndoshta duhet ndërhyrje dhe në kodet përkatëse për t’i prerë rrugën këtyre abuzimeve. Ndërtuesit mbarojnë pallatin dhe nxitojnë të marrin firmën e shfrytëzimit në bashki. Pastaj lidhin kontratat e energjisë dhe të ujit në emër të qytetarëve, sepse kjo e drejtë është e tyre dhe lejojnë familjet të futen në apartamentin që u takon. Qytetarët, të mbetur jashtë dhe pa asnjë ndihmë janë të detyruar ta pranojnë këtë kusht. Por për të marrë certifikatën e pronësisë duhet të kalojnë disa vjet për të mos thënë shumë vjet. Kjo sepse firma mund të ketë probleme të ndryshme me një apo disa qytetarë që kanë prenotuar aty dhe me këtë rast penalizohen të gjithë. Jam njohur me një rast në qytetin e Vlorës ku në një pallat të stërmadh prej gati 240 apartamentesh, nuk jepen certifikata pronësisë sepse një fis i tërë që ka dhënë tokën për ndërtimin e këtij pallati nuk bie dakord për ndarjen e apartamenteve që u takojnë. Dhe tani, për dhjetë apartamente që nuk ndahen dot dënohen 230 familje të tëra pa marrë certifikatën e pronësisë. Janë me dhjetëra familjet e këtij pallati që duan të shesin apartamentin e tyre për interesa imediate, por nuk mund të bëjnë asnjë transaksion sepse ndonëse kanë më shumë se dhjetë vjet që jetojnë aty dhe paguajnë rregullisht dritat, ujin dhe taksat e tjera ndaj shtetit ky nuk i pajis me certifikatë pronësie. Ka edhe një fenomen tjetër në marrëdhëniet ndërtues – qytetarë. Është rënë dakord për X kate ndërtim. Për këtë është marrë edhe leja përkatëse në bashki. Por ndërtuesit, në makutërinë e tyre bëjnë shtesë një apo dy kate. Në aktmarrëveshjen me qytetarët përcaktohet qartë që për çdo ndryshim në projekt, firma është e detyruar t’i përgjigjet qytetarit që ka dhuruar truallin me përqindjen përkatëse. Firma bën kërkesën për shtesën e pallatin pranë Kadastrës dhe paguan që ky legalizim të vonohet sa më shumë dhe qytetarit i thotë si gjithmonë “shko në gjykatë”. Shkon qytetari në gjykatë, paguan tarifat përkatëse, zgjat gjyqi deri në 15 seanca, paguhen edhe specialistët përkatës që duhet të bëjnë matjet e domosdoshme dhe në fund gjykata shprehet se meqë de fakto është bërë shtesa, por de jure nuk është miratuar, ajo nuk mund të shprehet. E kam lexuar këtë në dhjetra raste të zezë mbi të bardhë në vendime të ndryshme gjykate. Pyetja e thjeshtë logjike në këtë rast është: gjykatësi apo gjykatësja, kur e shikon dosjen në fillim dhe konstaton se ndërtimi është ende pa u bërë de jure, përse vazhdon serinë e seancave? Problematikat midis ndërtuesve dhe qytetarëve janë të shumta dhe vazhdojnë prej vitesh, por ndërhyrja e shtetit në këtë rast do të shuante shumë prej tyre dhe do të qetësonte gjakrat që në disa raste e kanë kaluar kufirin e logjikës. Qoftë me kaq.