Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Pse sot kemi kaq pak lexues?

Postuar: 07/09/2018 - 07:10

 Nga një studim i bërë kohët e fundit dhe që u bë publik këto ditë në media, rezultoi se rreth një milion shqiptarë nuk kanë kapur libër me dorë për gjatë një viti. Kjo është alarmante, sepse leximi ka të bëjë me informimin dhe edukimin e njerëzve dhe sidomos të brezit të ri. “Fundi i botës do të vijë –shkruante shkrimtari Nobelist Gabriel Garcia Markuez- kur njerëzit të udhëtojnë në vagonët e klasit të parë dhe librat në vagonin e mallrave. “Të lexosh do të thotë të përfitosh dije pa shpenzime, dhe të zotërosh dije do të thotë të duash të bukurën dhe të zbërthesh politikën, të informohesh e të shpjegosh fakte e fenomene që ndodhin në jetë, të bisedosh e komunikosh me të gjitha shtresat e moshat, të kuptosh e të vlerësosh në radhë të parë vetveten dhe pastaj edhe të tjerët. Po pse numri i lexuesve ka ardhur vazhdimisht duke rënë në vendin tonë?

Së pari, vetë politika shtetërore që ndiqet me botimet në përgjithësi dhe librin në veçanti, nuk është nxitëse dhe frymëzuese për lexuesin. Nuk ka një konkurencë të ndershme që të vendosen çmime të arsyeshme e të pranueshme për lexuesin e thjeshtë, që në përgjithësi posedon të ardhura të pakta e mezi përballon nevojat minimale familjare. Çmimet e librit janë rritur shumë dhe nuk e justifikojnë as koston dhe as vlerën e tyre artistike që përcjellin në publikun lexues. A mund të blihet një roman me vlera artistike mesatare, kur ai kalon 1000 lekët! Po jap një shembull të thjeshtë: Romani “Panairi i Kotësive” i Thekerit, sot kushton 10 euro, kur në monizëm ai kushtonte vetëm 4 lekë. Pra çmimi i tij është mijëra fishuar. Po kështu edhe vepra të autorëve shqiptarë, që vërtet kanë vlera të larta artistike, por ama shiten me çmime të kripura. Në tregun e librit, pas viteve ’90 ka vërshuar ajo që quhet letërsi me karakter dëshmues, por që ka përgjithësisht në nivel të ulët artistik, mbushur me lëvdata e vetëmburrje, deklarativizma e skematizëm që nuk u përgjigjet dot shijeve dhe nevojave të një lexuesi serioz të shekullit XXI. E kujt i shërben kjo letërsi, përveç një rrethi të ngushtë farefisnor e familjar.

Arsyeja që në treg qarkullojnë edhe libra pa ide e pa mesazhe fare, me nivel të ulët ideoartistik, qëndron në faktin sepse në përgjithësi sot boton ai që ka para dhe jo ai që ka talent, jo ai që ka ide dhe art, mendime e kulturë letrare. Nëse je i pasur, mund të shkruash dhe botosh çfarë të duash, se botuesi e redaktori para duan, se nuk të kontrollon askush, pavarësisht se futen edhe antivlera në masën e gjerë të lexuesve. Përveç mungesës së ideve dhe mesazheve, vepra të tilla edukojnë keq lexuesin edhe në drejtim të zbatimit të rregullave drejtshkrimore, si nga ana fonetike ashtu edhe nga ndërtimi sintaksor i fjalive. Po t’i shohësh libraritë private në qytete, por dhe ata shkollore, janë mbushur me libra mediokër të autorëve që paraqesin “epopetë” e tyre heroike, pa vlera artistike edukative, me gabime të shumta drejtshkrimore, dhe disa për të justifikuar botimin dhe paranë e hedhur badihava, u bëjnë “nder “ shkollave e miqve duke ua dhuruar libra të tillë! A nuk është momenti që pranë çdo shtëpie botuese të ketë një këshill botues, që të kontrollojë cilësinë dhe anën drejtshkrimore të çdo botimi, i çdo lloji qoftë, duke vendosur censurë të rreptë ndaj çdo antivlere dhe abuzimi me rregullat e drejtshkrimit? Të botoje dikur një libër, ishte jo vetëm talent, vlerë, por edhe meritë e gjithanshme krijuese dhe sakrificë e madhe. Kurse sot disa mediokër, bosa parash, botojnë libra, sikur me nxjerrë simitet nga furra.

Politika që ndjek shteti ndaj botimit lidhet edhe me shtimin e vazhdueshëm të numrit të bibliotekave dhe pajisjen e tyre me tituj të ndryshëm librash, sidomos me botimet e reja që kanë vlera të gjithanshme. Bibliotekat e lagjeve gati nuk funksionojnë fare, se ata disponojnë një kontigjent librash të vjetër, ngaqë kanë vite që nuk janë furnizuar më me tituj të rinj librash, traditë që ka qenë shumë efiçente në monizëm. Biblioteka Kombëtare, që ka qenë qendra më e madhe e kryeqytetit, ku tërhiqej e lexohej me pasion libri nga mijëra lexues, qoftë ai artistik, po ashtu edhe ai politik e social historik, ka mbi një vit që nuk shpërndan më libra për lexuesit anëtarë me të saj me kartelë, por shërben vetëm për lexime brenda në sallë. Nuk e di përse u ndërpre një traditë e bukur, ku sportelet e saj ishin mbushur plot lexues të rregullt e ata prisnin pa u mërzitur për të dorëzuar apo e tërhequr librin e radhës. Nuk e di se me çfarë merren tani tërë ajo armatë punonjësish të këtij institucioni, ku ka mbi një vit që nuk shpërndan më libra për lexuesit jashtë dyerve të këtij institucioni që mban emrin bibliotekë!

Shkak tjetër që ka ndikuar në uljen e numrit të lexuesve është edhe planifikimi i paktë i fondeve për furnizimin e bibliotekave, qoftë të qytetit dhe atyre të shkollave me libra. Librat e rinj, me karakter metodik, pedagogjik e informues, aq të domosdoshëm për nxënësit e shkollave, nuk shkojnë në duart e nxënësit, se nuk ka fonde! Jo vetëm shteti që nuk planifikon fonde për furnizimin e bibliotekave të shkollave me çdo titull të ri libri të domosdoshëm për nxënësin e mësuesin, por edhe vetë drejtoritë e shkollave nuk lejojnë të përdorin fondet e siguruara nga kontributet e komunitetit për pajisjen e bibliotekës së shkollës së tyre me libra të rinj, biles ka udhëzime penguese sikur të ishte libri drogë e armatim, ndërkohë që këto fonde përdoren për gjëra të tjera të rëndomta. Kur ndiqet një politikë e tillë jo inkurajuese nga shteti, dhe vetë shoqëria në fazën që po kalojmë pak e ka mendjen tek libri, atëhere nuk kemi pse presim të rritet numri i lexuesve as të shqetësohemi që gati gjysma e shqiptarëve nuk kapin libër me dorë”! Libri është ushqim i domosdoshëm për intelektin e njeriut, dhe jo punë angari. Koncepti “libri nuk të jep bukë” vret intelektin dhe ndërgjegjen informuese të lexuesit. Një i ditur thotë se një gram intelekt është më shumë se një tonelatë pushtet.

Së treti lidhjen me librin e ka dëmtuar shumë përhapja masive e celularëve. Pothuajse sot nuk gjen shqiptar që nuk e ka një celular, madje shumica edhe nga dy tre. Mjaft informacione i marrin të gatshme nëpërmjet internetit, por nuk e kuptojnë se janë kthyer në robotë të tij. Sado që “të kullosh sytë “ në celular, kurrë nuk mund të përfitosh atë që merr nga libri. Libri është edhe argëtim, edhe shplodhje syri, edhe punë e gjallë mendore, kurse celulari jo vetëm që të dëmton shëndetin por të bën edhe maniak e dembel, shpërdorues pa dashje i kohës së domosdoshme.

Në mbyllje desha të theksoj edhe një herë me forcë porosinë që të mos heqim dorë kurrë nga leximi, se leximi është dituri dhe dituria është pasuria më e madhe që njeriu e merr me vete në varr. Aty ku nuk ka dije, nuk ka kulturë dhe injoranca bën kërdinë. Ndaj Nikolla Koperniku shprehej: “Dituria dhe arsyeja flasin, injoranca dhe padrejtësia ulërijnë”.

Nga Ramazan SHERJA

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
You voted 3. Total votes: 8

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 23/09/2018 - 07:43

Gjurmët e jetës, punës dhe sakrificës së Qazim Demit janë të gdhendura fort në qytetin e Sarandës, ndonëse ai ka lindur në Filat të Çamerisë, një ndër qendrat kryesore patriotike e kulturore të trevave të Jugut.

Postuar: 23/09/2018 - 07:40

 “Ta bëjmë Shqipërinë si Evropa”, tashmë është një ëndërr që për shqiptarët ësht

Postuar: 23/09/2018 - 07:38

Andri, një miku im, gazetar më dha dorën duke më thënë se ndjehesh i keqardhur për mënyrën si kry

Postuar: 23/09/2018 - 07:37

Andri, një miku im, gazetar më dha dorën duke më thënë se ndjehesh i keqardhur për mënyrën si kry

Postuar: 22/09/2018 - 07:24

Pozita dhe lidershipi i saj, akuzon opozitën për pengesë në reformën e drejtësisë dhe sidomos dy

Postuar: 22/09/2018 - 07:22

Para çdo palë zgjedhjeje, në Shqipëri, klasa politike as nuk ia ka idenë te premtimet ndaj zgjedh

Postuar: 22/09/2018 - 07:19

Shoqëria shqiptare ka shprehur vullnetin e saj të bëhet vend demokratik ashtu si vendet e tj