BREAKING NEWS

E trishtë! Valentina Leskaj humb njeriun e shtrenjtë nga koronavirusi: Sot është një ditë shumë e vështirë për mua

E trishtë! Valentina Leskaj humb njeriun e shtrenjtë nga koronavirusi:
x

Opinion / Editorial

Pse sulmohet ministri për Diasporën?

Pse sulmohet ministri për Diasporën?

Ministrin e Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko e kam njohur 27 vjet më parë, në një program për ekonominë e Radio Televizionit Shqiptar. Njeri pasionant për idetë që mbron. Nuk është përfolur një herë të vetme për ndonjë aferë apo ndërhyrje në tendera kur ishte kryeministër dhe në postet e ministrit që ka mbajtur. Megjithatë, papritur u kujtuan për të dhe nisën të përgatisin linçim nëpër gazeta dikur serioze, që për fat të keq sot janë kthyer në fletushka. Po përse? Nuk u kujtuan kur në dhjetor 2017 themeloi Agjencinë Kombëtare të Diasporës, një organ shtetëror brenda qeverisë shqiptare, përgjegjës për marrëdhëniet me Diasporën. Nuk u kujtuan në korrik 2018, kur ngriti nga hiçi Qendrën e Botimeve të Diasporës, me një staf prej 15 punonjësish. Kjo qendër ka botuar me dhjetëra tituj librash dhe ka nxjerrë me mijëra libra me tekste dygjuhëshe dhe shumëgjuhëshe për mësimdhënien e shqipes për fëmijët e 1.6 milionë emigrantëve në shkollat shqipe në Diasporë në Itali, Greqi, Gjermani, Suedi, Zvicër, SHBA, Kanada, Australi, etj. Kjo qendër po ashtu ka sjellë botime të kulturës, arteve dhe historisë shqiptare po për shkollat shqipe jashtë vendit. Me mijëra libra nga kjo qendër dje u nisën për në burgjet italiane, me kërkesë të të burgosurve të Diasporës atje, për të lexuar në shqip. Nuk u kujtuan në shtator 2018, kur ngriti po nga hiçi Qendrën për Studime dhe Publikime Arbëreshe, me një staf prej 12 punonjësish, përfshirë 7 studiues të njohur në vend. Qendra ofron studime të specializuara mbi historinë, letërsinë dhe kulturën e komunitetit arbëresh, duke promovuar bashkëpunimin midis studiuesve në terren dhe në diasporë dhe më gjerë. Nuk u kujtuan në tetor 2018, kur themeloi Fondin e Zhvillimit të Diasporës, edhe ky një organ shtetëror brenda qeverisë shqiptare, me një staf prej 22 punonjësish, përfshirë stafin e gazetës "Diaspora Shqiptare" dhe Dhomës së Biznesit të Diasporës. Të gjitha këto struktura shtetërore janë krijuar nga një ministër pa portofol, mbi bazën kryesisht të projekteve me donatorë, ku duhen dalluar Cooperazione Italiana, Bashkëpunimi Zviceran, Organizata Ndërkombëtare për Migrimin IOM dhe Banka Botërore me dy projekte të saj që synojnë Diasporën. Stafi i ministrit të Shtetit për Diasporën edhe pse ministër pa portofol, sot përbëhet nga një komunitet prej 71 punonjësish të aftë me kohë të plotë, të zgjedhur me kujdes për vendin e punës dhe duke punuar në struktura dhe ekipe të koordinuara dhe me sinergji. E gjitha kjo është vepër e vizionit të kryeministrit të sotëm dhe e largpamësisë dhe përkushtimit të përditshëm të ministrit Majko. Po atëherë, përse sulmohet ky i fundit sot? Sepse jemi 66 ditë përpara zgjedhjeve dhe vetëm 800 përfaqësues të Diasporës sonë janë regjistruar në Regjistrin Elektronik për të votuar online. Nga 1.35 milionë mbi 18 vjeç me të drejtë vote! Çfarë po ndodh? Mos ka parti politike tek ne që shprehen me fjalë se janë për votimin e Diasporës dhe e sabotojnë në heshtje? Sikurse ndodhi me reformën në drejtësi? Kujt nuk i intereson të votojë diaspora? Cili politikan/parti është i pasigurtë me votën e saj? Cili politikan ndjen se shashkat që ai përdor t’iu hedhë hi syve dhe t’i shpëlajë trutë qytetarëve të thjeshtë të këtij vendi nuk i ecin me përfaqësuesit e diasporës, që dinë ç’është progresi i vërtetë, kush e sjell atë dhe e shohin çdo ditë praninë e shtetit ligjor aty ku jetojnë? Data 25 prill për ne është një takim me historinë tonë. Edhe nëse arrijmë që të sjellim në votimin elektronik një të dhjetën e atyre 1.35 milionë përfaqësuesve me të drejtë vote. Por për këtë duhet punë e përditshme e ethshme dhe me mbështetjen e plotë të partive kryesore politike. Janë ato që duhet të dalin (madje duhej të kishin dalë tashmë) me apele të forta për përfaqësuesit e diasporës. Nenet 24 dhe 25 të Kodit Zgjedhor, të ndryshuar më 22 korrik 2020, u japin mundësi të gjithë përfaqësuesve të diasporës të moshës mbi 18 vjeç (janë mbi 1.35 milionë të tillë) që të votojnë. Nuk ka asnjë pengesë ligjore. Mirëpo vetë nenet nuk mund të bëhen shkop magjik dhe të shtrojnë udhën e votimit të Diasporës. Nevojitet një infrastrukturë e plotë, të paktën elektronike (Regjistër elektronik i të dhënave të përfaqësuesve të Diasporës: banimi, numri i identifikimit, pasaporta, etj.) dhe nevojitet që vetë këta 1.35 milionë shqiptarë të njoftohen dhe të dinë botërisht se mund të votojnë për zgjedhjet në Shqipëri. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve thotë se po nuk po e ndihmojnë partitë politike në këtë detyrë të re të tij. Cilat parti? Të jetë transparent. Që të shohin të gjithë se kujt i intereson të mos votojë diaspora. Por jo të bjerë përgjegjësia mbi promotorin e marrëdhënieve të ngushta dhe afatgjata me diasporën, sikurse është ministri i Shtetit për Diasporën dhe sikurse duan ta paraqesin ndryshe gazetat-fletushka.