Lajme të tjera
BREAKING NEWS

Kapet 'mat' Ilir Meta (VIDEO)

Kapet 'mat' Ilir Meta (VIDEO)
x

Opinion / Editorial

Pse të rinjtë (s)duhet t’i përgjigjen thirrjes së klikave të tranzicionit pa fund

Pse të rinjtë (s)duhet t’i përgjigjen thirrjes së

Ishte e bukur në ditën e rinisë, kur u kujtuan dy ish-kryeministra dhe dy presidentë njëri në fuqi dhe tjetri në shtëpi. U kujtuan për rininë dhe sidomos ai në pushtet i bëri thirrje të veçantë. Kurse Kryeministri i Shqipërisë sot, as që u kujtua. Mirë bëri, sepse çfarë do që t’iu thoshte apo t’iu drejtohej apo t’i sqaronte, sepse do të ishte një grotesk, por dhe cinizëm fatkeq. Në kohën e tij kemi rininë më të pakënaqur se kurrë, përjashto marrëzinë e fundit të diktaturës dhe atë të vitit 1997-të. Presidenti i vendit i vendosur në atë post nga Rilindja e Ramës, i votuar nga PS-ja e tij e dikurshme dhe nga LSI-ja pronë e tij tha: Sot në Ditën Ndërkombëtare të Rinisë, apeli im për të gjithë ju të rinj e të reja kuq e zi është: bashkohuni dhe merrni në dorë fatet tuaja dhe të atdheut tonë. Është koha të mbroni të ardhmen e Shqipërisë dhe unë besoj në vetëdijen dhe përgjegjshmërinë e madhe që do të merrni për ta ushtruar me vendosmëri dhe shqiptari këtë detyrë të lartë. Koha që zëri juaj të dëgjohet. Po, Shqipëria do bëhet nga rinia. Nëse jo nga ju, kush tjetër? O sot, o kurrë. Kurse Sali Berisha shkruante: Më në fund: “Fajin nuk e ka Saliu, por e kanë të rinjtë”. Stop fajësimit të të rinjve nga Edvin Hajduti. Ata janë sot më të braktisurit në Shqipëri. 90 për qind e tyre nuk përfituan asnjë lloj ndihme gjatë karantinës 60 ditore. Të rinjtë nuk janë shkaku i përhapjes, por viktima kryesore sociale e Covid-19. I pari ka patosin e një revolucioni imagjinar rinor me qëllim - fatet e atdheut. Po pra mbas 30-të viteve që ky President, dikur dhjetorist që ka provuar të gjitha postet e larta të këtij vendi dhe ka qenë drejtues në tre dekada i politikës shqiptare - është i bindur se atdheu është fatkeq dhe bëhet fat mirë vetëm nga rinia. Një person si Presidenti pranon që tridhjetë vitet e tij të politikës e kanë sjellë sërish në pikën e fillimit apo në nëntorin e vitit 90-të. Po pra Ilir Meta ishte i ri (snuk i kishte librezë pune dhe e nisi me ministër e kryeministër) kur mori fatet e atdheut në dorë dhe përfundimi?? Ja pra ky i sotmi. Kurse SB-ja po i mbush vetes mendjen se sikundër thotë ai "Edvin Hajduti" nuk e fajëson më. Po pra po lavdëron Ramën se ka humbur betejën me fajësimet ndaj tij. Tani e ka me rininë që përhap koronën sipas Edvinit. Këta të tre, por dhe shumë në pozitë dhe opozitë janë "klikat" apo pleqtë e tranzicionit tonë tridhjetë vjeçar. Kur kalojnë tridhjetë vjet në politikë nuk je më i ri, por plak. Praktikisht dhe Meta, ose Majko apo Rama dhe të tjerë dhe pse me moshë të re, janë pleqtë e rrufjanosur të tranzicionit korruptiv shqiptar. Janë ata që kanë stërzgjatur me qëllim tranzicionin që të sundojnë dhe grabisin. Babagjyshi me moshë është Berisha, por ai tashmë ka filluar të dekompozohet politikisht dhe pse mundohet të jetë një akuzator koherent ndaj Ramës, ose njeriut që i ka rrahur shpatullat për Gërdecin. Apo njeriun që i premtoi ta dënonte dhe çonte përpara drejtësisë për krimet (SB-së) dhe që e pasoi me po të njëjtën marrëzi korruptive dhe shkatërruese të demokracisë dhe ekonomisë në Shqipëri. Dallimi është se tenderat e SB-së ishin kopukllëqe shpesh pa projekt, kurse këto të Ramës, janë vjedhje të projektuara deri në detaje pa skrupuj dhe ligje anti demokraci dhe rregull në investime. Po për çfarë duhet rinia apo të rinjtë t’iu shkojnë pas apo të dëgjojnë thirrjet e të tillë njerëzve? Dallkaukët tridhjetë vjeçarë me pushtet, kanë vetëm një qëllim: përdorimin e të rinjve politikisht dhe këtë gjë nëqoftëse nuk e ka marrë vesh rinia atëherë me të vërtetë që sëmundja ka shkuar deri në pa kthim dhe pa shërim. Rininë, klika të tilla banditeske politike e mësuan të veprojë akoma dhe më keq se dikur në organizatat e rinisë dhe pionierit. Sepse ato dje ktheheshin në fole ideologjike, kurse sot në klika politike korruptive. Të tillë elitokratë tranzicionalë pa fund dhe pa kuptim, e kanë mësuar rininë me organizatat tyre më keq se në diktaturë të shfrytëzojnë politikën, të mos mësojnë, mos punojnë, mos kenë kontribute në profesion dhe të mos pranojnë punën si gjënë e parë për të jetuar, apo mbajtur veten dhe familjen. Janë këto tipa tranzicionalë pa fund, që e mësuan rinë të vjedhë për partinë dhe të pasurohet nga partia. Të mos kulturohet apo kulturohet keq dhe pa ndjenjë kombëtare. Në forumet rinore të tyre kudo në shkolla dhe universitete akoma më keq se sa BRPSH dikur. Nga ideologjikë dikur, i kthyen të rinjtë në politikë dhe arrivistë të një jete të lumtur (pasur) pa asnjë kontribut për vendin, por vetëm për lidershipin dhe partinë, duke marrë drejtori, dogana dhe inspektoriate pa fund. Pse duhet të rinjtë të dëgjojnë dhe bashkohen me një pjesë të klikës kundër pjesës tjetër të klikës? Vetëm për pluralizëm? Apo vetëm për alternim pushteti me parimin hiq një m.. dhe vendos një m...tjetër? Kush i mësoi të rinjtë pa punë dhe pa kujdesie që nga çerdhja dhe deri në vit të fundit të shkollës? Kush i mësoi që të mos jenë fare në fakultete? Ose t’i përkulen në mënyrë tragjike parasë, akoma pa nisur mirë jetën e tyre personale në shoqërinë e sotme. Nga kush e mësuan këtë gjë faktike? Po nga partia, nga udhëheqësi dhe nga tarikati i tyre. Pse duhet t’iu përgjigjen klikave politike korruptive, rina e sotme? Pse duhet ta bëjnë këtë gjë? Në cilën pikë janë më mirë njëra pjesë e klikës nga pjesa tjetër? Kush është shembulli i tyre? Ilir Meta? Po për çfarë? Për akuzat për floririn, akuzën me zë dhe figurë për 700.000-shen? Për modelin e partisë pronë dhe punësim militantësh për të lënë pa punë njerëzit normalë apo militantët e tjerë? Për modelin njëherë shtrat dashuror me PD-në dhe pastaj me PS-në dhe pastaj prapë me PD-në? Apo për "ndershmërinë" politike dhe financiare të lartësive politike aty? Çfarë i duhet të përkrahë rinia, ardhjen e atyre që sot opozitojnë? Për "argumentet" e tyre të vjedhjeve të mëdha, aferave me naftën, energjinë KESH, papunësinë e tyre dikur, e cila mund të jetë më e vogël se sot, por që sigurisht ishte një papunësi rinie absolutisht e madhe. Kjo rini të çohet të marrë fatet e atdheut nga duart e kujt? Po pra që t’i ketë në dorën e saj. Po fatin e Shqipërisë sot e kanë kryeministri që vendosi presidentin, Sali Berisha në partinë e tij që ja ka deleguar Lulzim Bashës, Monika që kryeson partinë e bashkëshortit, Mediu përjetshëm, dhe të tjerët parti të vogla që kanë tre dekada në tranzicionin më idiot që ka parë ndonjëherë një shtet europian. Rinia sot ikën jo vetëm se është një shtet i pikturuar nga Edi Rama (me flutura dhe ngjyra), por dhe një shtet i degraduar nga e gjithë klika post komuniste e korruptuar e tranzicionit pa fund. Të rinjtë ikin, se nuk duan të jetojnë me të tillë burra dhe gra që e kanë fyer dhe mësuar si të vjedhë dhe të rrijë pa punë - pikërisht rininë. Po të marrë fatet e saj në duar rinia shqiptare duhet që të çojë lidhur këmbë e duar SB, IM, ER, LB, MK, FM etj. etj. te kazanët e plehrave dhe t’iu mbyllë kapakun që të mos vijë erë akoma më shumë ky vend. Ky është realisht fati në dorë të rinisë, e cila është tradhtuar nga politika dhe ka marrë arratinë.