BREAKING NEWS

Aksidenti tragjik në aksin Levan-Vlorë/ Viktima është një 18-vjeçar, 4 të rinj në gjendje të rëndë, Policia jep detajet e para  

Aksidenti tragjik në aksin Levan-Vlorë/ Viktima është
x

Opinion / Editorial

Pse u rrit kredia në lekë?

Pse u rrit kredia në lekë?

Sipas Bankës së Shqipërisë, në fund të nëntorit 2020, totali i kredisë së dhënë për ekonominë shkoi pothuajse 600 miliardë lekë ose 4. 88 miliardë euro. Huaja e re regjistroi një rritje vjetore me 5 për qind, në krahasim me nëntorin e vitit 2019, ose 244 milionë euro më shumë. Masat lehtësuese të marra nga banka jonë qendrore krijuan tregje financiare të qeta dhe kushte të parasë nxitëse për sipërmarrjen. Normat e interesit të kredive për familjet dhe bizneset u ankoruan në nivele të ulëta, me një kurs të qëndrueshëm këmbimi të lekut me euron dhe dollarin. Në tërësi, huaja për sektorin privat u rrit mesatarisht me 6. 7 për qind gjatë vitit 2020, e mbështetur nga shtimi i kredisë në lekë. Kredia në monedhën tonë përmbysi raportin negativ të viteve të kaluar, duke kaluar për herë të parë në më shumë se gjysmën e totalit të huasë (50. 2 për qind në lekë). Kjo shtesë jep shenja zemërdhënëse për rritjen e efektivitetit të politikës monetare të Bankës së Shqipërisë. Dhe me të edhe shtimin e qëndrueshmërisë financiare të vendit. Sektori bankar, me të 12 bankat e tij tregtare, ka dhënë kontribut pozitiv në përballimin e krizës. Rritja e kreditimit ka ndihmuar me likuiditet bizneset dhe familjet në vështirësi të përkohshme, si dhe ka mbështetur vijimin e investimeve. Shtyrja e pagimit të kësteve të kredisë për gjashtë muaj rresht (mars-gusht 2020) për kategori të caktuara huamarrësish dhe ristrukturimi i kredive për kategori të tjera, ka zhvendosur një pjesë të barrës dhe stresit të kredimarrësve në bilancet e sektorit bankar. Megjithatë, rritja e numrit të të infektuarve në muajt e ftohtë dhjetor 2020-gjysma e janarit 2021 dhe rivendosja e pjesshme e kufizimeve kanë ngadalësuar disi konsumin dhe aktivitetin ekonomik. E megjithëkëtë, e mbyllëm vitin 2020 me një rënie ekonomike shumë më pak nga sa parashikonte Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim me 9 për qind të prodhimit kombëtar. Ramë 6 për qind, ose 360 milionë euro më pak. Me ardhjen e gjysmë milioni vaksinave të kompanisë Pfizer në muajt e ardhshëm, banka jonë qendrore pret një rritje graduale të konsumit në muajt janar-prill 2021. Dhe prej këtej edhe shtim progresiv të aktivitetit ekonomik. Duke e marrë dora-dorës veten edhe vende kyçe për ekonominë tonë, si Italia dhe Greqia, pritet të rritemi edhe ne ekonomikisht në gjysmën e parë të këtij viti të paktën me 3 për qind, në krahasim me muajt janar-qershor 2020, për të vijuar me një shtim shumë më të fortë në muajt korrik-dhjetor 2021, kur jeta do të fillojë të kthehet dalëngadalë në përmasat e saj normale. Dhe bashkë me të edhe konsumi. Banka jonë qendrore, me politikën e saj të nxitjes së huadhënies në lekë, po e ndihmon konkretisht kthimin e vendit në normalitet. Ajo lehtësoi politikën me paranë dhe shtoi sasinë e parave në qarkullim dhe në kanalet bankare, duke synuar funksionimin normal të tregut financiar. Gjë që ia arriti, edhe pse mes një mijë vështirësive. Stabiliteti financiar i vendit tonë edhe pse po kalojmë periudhën më sfiduese ekonomike pas vitit 1997, nuk është prekur dhe këtë e dëshmon edhe institucioni më konservator në financat botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar. Duke lehtësuar politikën e parasë, Banka e Shqipërisë arriti të lehtësonte edhe koston e pagimit të borxhit publik (një borxh sot mbi 10 miliardë euro), si dhe të ndihmonte shtimin e kreditimit dhe nxitjen e konsumit dhe investimeve. Banka qendrore lehtësoi në mënyrë të përkohshme zbatimin e rregulloreve të funksionimit të sektorit bankar, duke nxitur shtyrjen në kohë të pagesës së kësteve të kredive dhe ristrukturimin e tyre. Nga kjo lëvizje u vendos në moratorium mbi 40 për qind e portofolit të kredive. Pra, për mbi 800 milionë euro kredi nuk u paguan për 6 muaj këstet dhe interesat. Kjo e lehtësoi barrën financiare mbi bizneset dhe familjet në vështirësi të përkohshme me mbi 68 milionë euro. Gjithashtu, nga ristrukturimi i kredisë kanë përfituar mbi 25 mijë klientë bankarë, duke rritur qëndrueshmërinë e plan-bizneseve të tyre afatgjata dhe shëndoshur raportin e besimit me bankat tregtare, për të përfituar kredi të reja në të ardhmen dhe për t’u zhvilluar. Paralelisht, Banka e Shqipërisë pezulloi shpërndarjen e dividendit të sektorit bankar gjatë vitit 2020, në dobi të rritjes së kapitalit dhe qëndrueshmërisë së këtij sektori. Ajo eliminoi kostot e përdorimit të infrastrukturës së sistemeve elektronike të pagesave nga dhe për në bankën qendrore, duke synuar zgjerimin e përdorimit të këtyre instrumenteve dhe uljen e kostos së transaksioneve. Të gjitha këto masa dhe lehtësira sollën rritjen e kredisë në lekë, e cila përbën një garanci për zhvillimin e ekonomisë sonë dhe përçimin më të drejtë të politikave të parasë nga ana e Bankës së Shqipërisë.