Lajme të tjera
BREAKING NEWS

‘Ilir Meta kërcënon kryeministrin me vrasje’, Frrok Çupi lëshon ‘bombën’: Presidentit t’i hiqet …

‘Ilir Meta kërcënon kryeministrin me vrasje’, Frrok
x

Opinion / Editorial

Pse u shkatërrua organizimi i pyjeve? Pasojat që erdhën më pas

Pse u shkatërrua organizimi i pyjeve? Pasojat që erdhën më

Sado larg që mund të ngjitemi në të kaluarën e shoqërive njerëzore e shohim pyllin të lozë një rol me rëndësi në historinë e njeriut. Stërgjyshërit tanë të parë thuhet se nga gjahu dhe frutat spontane të pyjeve nxirrnin bazën e ushqimit të tyre. Ajo që është e sigurt është se të vjetrit kishin një respekt për pyllin, e cila e kishte origjinën në ndjenjën e thellë të dobisë së tyre. Qysh kur u pa gjatë historisë fillimi i prishjes së faunës dhe florës u vendosën ligje të shkruara dhe të pa shkruara. Që në kohën e qytetërimit babilonas kanë ekzistuar ligje të pashkruara për mbrojtjen e florës dhe faunës. 240 vjet para erës së re në Indi ekzistonte ligji që ndalonte vrasjen e kafshëve të egra pa mbushur 6 muajsh. Në Francë në shekullin e VII kishte ligje që dënonte me vdekje gjuetinë e drerit, lepurit dhe derrit të egër. Nga eksperienca e së kaluarës kemi mësuar se asnjë qytetërim nuk përparon po të mos përmirësohej pa pushim ambienti në të cilën zhvillohej, çdo keqësim i klimës është një e keqe drejt degradimit dhe zhdukjes.

Pyjet sigurojnë ekuilibrin klimatik, ruajtja e tyre është një zbatim themelor i parimit të detyrës shoqërore dhe i ligjit të solidaritetit që lidh tërë gjeneratat njerëzore.

Besimi instiktiv, adhurimi fetar i popujve primitive për pyllin ja ka lënë vendin respektit që rrjedh nga arsyeja dhe shkenca.

Në të vërtetë, shpyllëzimet (qoftë nga prerjet pa kritere sidomos zjarret) janë nga më të këqijat e më të rrezikshmet që i kërcënohen njerëzimit, pyjet janë harmonizimi i natyrës dhe i jetës.

Pyjet kanë një rëndësi të madhe ekonomike jo vetëm në ndërtime, por edhe në industrinë kimike e farmaceutike, në çdo qelizë të jetës.

Sa për njohuri, sado që është shtuar shumë përdorimi i metalit për ndërtimin e anieve, konsumi i drurit është më i madh se ai kohës së anieve me vela, ka të dhëna se për ndërtimin e një vapori Trans-Oqeanik përdoren deri në 3000 m3 lëndë druri.

Nga të dhënat e vitit 1998 për prodhimin e letrës, që tani konsumi ka arritur 12000000 ton që barazohet me 72000000-84000000 m3 lëndë drusore e klasit të parë halor, kryesisht e bredhit të zi dhe plepave hibride cilësore.

Gjendja e pyjeve para vitit 1944 në rrethin e Vlorës:

Sipërfaqja e pyjeve ka qënë 44500 ha, të vendosura pothuaj në tërë territorin nga kuota: 15 m mbi nivelin e detit deri në 1500 m.

Ndërmjet grykës së Vjosës dhe detit Adriatik, në ultësira dhe lugina kanë qënë vendosur pyjet fushorë të përfaqësuar nga pishat bregdetare siç është rasti i Pish-Poros me sipërfaqe 1000 ha.

Në veri të saj dhe anës lumit Vjosë pyjet me frashër, verri, vidh duke vazhduar brezi dhe me plep të bardhë e plep të zi dhe shelg. Në kodrat dhe luginat e Mesaplikut dhe të Dukatit ishin vendosur dushkajat që zinin një sipërfaqe prej 27%. Në brezin bregdetar deri në lartësinë 300 m ishin vendosur makjet përfaqësuar nga marrja, shqopa, prralli dhe bashkë me to shtrihet brezi i valanidhit, dru industrial shumë i vlerësuar në atë kohë. Mbi lartësinë 700 m ndodhen formacionet e pishës së zezë që në shumë raste janë përzier me panjën dhe mëllezën, më lart ndodhet bredhi, mbi këtë kufi, shtrihen kullotat alpine jugore.

Deri në krijimin e shërbimit pyjor, pyjet dhe kullotat, janë administruar sipas ligjeve të pleqësisë, si ato private dhe ato kolektive, kurse sipërfaqet shtetërore nuk prekeshin duke respektuar thënien “Mall Belik”.

Në 27 janar të vitit 1923 është dekretuar ligji i pyjeve dhe kullotave, duke krijuar një administratë qëndrore pranë Ministrisë së Punëve Botore dhe Bujqësisë duke e kompletuar me ligjet dhe të drejtat e tyre, njëkohësisht dhe me kuadër të Policisë Pyjore.

Përsa i përket pyjeve komunalë dhe privat personeli zgjidhej nga bashkia, komuna, mbasi organizimi ishte në bazë prefekture, bashkie e komune.

Në rrethin tonë kujtohen si pylltarë të parë qysh nga viti 1927 Avdul Zaimi në Vlorë, kurse në zonën e Dukatit dhe kryesisht në Llogora si qendër shfrytëzimi ka qënë Baba Aliu me Isak Zenelin, që kanë pasur zyra të përbashkëta me xhandarmërinë.

Me ardhjen e Italisë u vendos De Lluka një specialist italian, i cili tentoi të bënte dhe pyllëzimet e para në vitin 1942.

Në rrethin e Vlorës në këtë periudhë kanë punuar Mahmut Veliu dhe Micol Koka, me kurse.

Të moçmit kujtojnë rigorozitetin e zbatimit të ligjit qoftë për kullotje, qoftë edhe për prerje, që përveç gjobës kishte dhe dënim me burg.

Shfrytëzimi i pyjeve ka filluar qysh në vitin 1920 me vendosjen e një sharre uji në Rodhinë, Llogora nga Avram Muzaka me origjinë shkodran, lënda e prerë transportohej me teleferik, në stacionin e përpunimit.

Në Llogora kanë qënë të vendosura një grup sharrash shirit, punonin me naftë dhe njihej si pronar Petraq Kedhi dhe më vonë Dhimitër Konomi, i cili ka ngritur dhe një sharrë në Shata.

Transporti i lëndës bëhej me dekovil në Gjikspiro, më poshtë lënda tërhiqej me qe, që ishin të mbathur me patkonj në formë U-je, gjithashtu ishte instaluar dhe një teleferik.

Megjithatë duhet pranuar se shfrytëzimi është bërë më herët, mbasi ka ekzistuar një grup sharrash me qendër në Kozor (Dukat) që punonin me ujë, i cili merrej nga Rodhina me anë të një kanali jo më pak se 20 km, në një teren të vështirë dolomiti. Me tërmetin e vitit 1930 thuhet se u zhduk uji, si rezultat u ndërpre dhe aktiviteti i sharrave.

Para çlirimit në Shqipëri kanë qënë 6 kuadro të lartë dhe ata ishin të gjithë nga Korça. Mbas çlirimit gradualisht sektori i pyjeve u organizua dhe mori perfeksionim të plotë mbas vitit 1964 që mbaruan dhe kuadrot e para të lartë brenda vendit. Kurse kuadrot e mesme u vunë në shërbim të ekonomisë pyjore që në vitin 1952 nga të cilët mund të përmendim: Gjikë Baka, Arshi Rama, Avni Hysa, Rami Dyrmishi, Muhamet Kojani, Çobo Mehmeti, duke vazhduar më von Mustafa Dedenika, Xhafer Roka, Kajtaz Laze e Sehit Vangjeli.

Drejtimin e sektorit pyjor mbas çlirimit e kanë drejtuar njerëz me kurse: në Llogora Enver Ruci, në Himarë Ciko Marashi dhe Nasho Garo, të cilët kanë bërë dhe pyllëzimet e para me selvi e valanidhe qysh në vitin 1951 në Parasporë, në zonën e Myzeqesë Sami Lazaj, Neki Llanaj, në Treblovë-Selenicë Veliko Shameti, në grykën e Mesaplikut dhe të Kotës Haredin Resuli, Sherif Bajrami, Boco Zotaj, Zeman Ferra etj.

Deri në vitin 1961 pyjet kanë qënë të ndarë në shtetërorë dhe kolektivë (komunalë).

Pyjet komunalë administroheshin nga seksioni i Bujqësisë. Si më i parë në këtë sektor ishte Ahmet Gjata, kurse pyjet shtetërorë nga Drejtoria e Pyjeve Vlorë, me zyra pyjesh në bazë qarku dhe rrethi, më vonë u bë unifikimi i tyre dhe u krijuan drejtori në çdo rreth, duke shënuar vitin 1970 me një aktivitet më kompleks.

Drejtoritë pyjore nuk merreshin vetëm me mbrojtje e mbarështimin e pyjeve dhe faunës, por dhe me sistemimin e shfrytëzimin e pyjeve. Ato u shndërruan në ndërmarrje me veprimtari ekonomike-prodhuese me rëndësi në jetën ekonomike e shoqërore të vendit deri në vitin 1990. Jepte prodhime pylli për eksport: gjethe dafine 250kv, bimë mjekësore 30 kv, esenca 3000 litra, rrëshirë pishe 1050 kv, thupra shelgu bruto 1200 kv, bimë eterovajore të kultivuara 1200 kv.

Në Pish-Poro u ndërtua një qendër rezervati për rritjen e fazanit për eksportë me sipërfaqe 10 ha e rrethuar me 4000 cop bandiera me rrjet teli 900 ton, rrjet najloni 300 ton, një magazinë (depo) dy katëshe për mbajtjen e ushqimeve të fazanerisë me sipërfaqe 200 m2, një godinë për qëndrimin e personelit me sipërfaqe 100 m2 ku ishte vendosur dhe inkubatori për prodhimin e fazanëve blerë me valutë në Francë, jepeshin çdo vit 6000-7000 copë për eksport e 700 copë konsum i brendshëm. Kishte 4500 bagëti të imta që jepnin 2500 kv qumësht e 350 kv mish.

Në sektorin e pyjeve punonin e drejtonin 550 punonjës kurse në kullota 250 punonjës.

Drejtoritë funksiononin me degë plani e llogarie, me degë teknike ku përfshiheshin disa seksione si: pyllëzime, sistemime, kadastra, shfrytëzim e gjueti, bimë industrialo-mjekësore dhe mbrojtja (sektori i zonave të mbrojtura), shumë herë kanë pasur dhe degën e kullotave, e cila nuk ka patur një qëndrueshmëri (mbasi shumë herë dilte më vete). Drejtoria administronte gjashtë sektorë ku kishte dhe gjashtë qëndra të organizuara, me godina pyjore.

Ka patur dy fidanishte qëndrore me 22 ha tokë në Xhyerinë dhe në Bishan dhe katër fidanishte provizore në bazë sektori.

Ka administruar dy rezervate gjuetie: Pish-Poro për fazanin dhe rosën e egër me sipërfaqe 1650 ha nga e cila 650 ha janë sipërfaqe ujore, Karaburuni - për rritjen e derrit të egër me sipërfaqe 5800 ha nga këto pyje 1200 ha, kurse pjesa tjetër kullotë dhe sipërfaqe bosh inproduktive.

Gjithashtu administronte parkun e Llogorait me sipërfaqe 950 ha i vlerësuar i tillë për pozicionin që ka, larminë e llojeve të bimëve dhe kontrastet e bukuria që krijonte me prioritetet për turizëm ekologjik.

Mbas çlirimit u bënë shumë shfrytëzime për ndërtimin e vendit e sidomos shfrytëzime që dhe dëmtuan kryesisht dushkajat për shtylla miniere. Nga këto dushkaja mund të përmendim të Shalës, Mesaplikut, Tërbaç-Vranisht, Mazhar-Lapardha, Qafë Dushku Buallare, Trubull etj. Por me ricungimet e bëra u rimëkëmbën.

U shpyllëzuan për tokë buke shumë sipërfaqe në zonën fushore si në Poro, Dëllënjë, Novoselë, Petë dhe Valltua e Dukatit me sipërfaqe 600 ha.

Si rezultat shumë lloje kanë ngelur si monument natyre (vidhi, frashëri i fushës, vërriu etj.) mbasi ju ndryshua stacioni. U prish dhe një ekuilibër biologjik dhe klimatik sidomos në Vallton e Dukat.

Megjithatë po të kemi parasysh thënien e njeriut të shquar amerikan: “Prerja e pyjeve solli zhvillimin, zhvillimi do të mendoi për krijimin dhe ruajtjen e tyre”. Nën kujdesin e vazhdueshëm të qeverisë, para 90, u arritën rezultate të mëdha.

Në 40 vjet të punës sonë në këtë sektor ka një bilanc të kënaqshëm, deri në vitin 1956 pyllëzimet kanë qënë të pakta të përqendruara në Kume, anës lumit Vjosë dhe Himarë, kurse përmirësimet kanë qënë më të shtrira duke aplikuar ricungimet në dushkajat e shfrytëzuara.

Deri në vitin 1953 u bë dhe inventarizimi i parë i pyjeve, sigurisht jo i plotë, për mungesë të kuadrit teknik; u bë inventarizimi një për një i drurëve industrialë sidomos i valanidhit, që për vlerën krahasohej me ullirin.

Mbas vitit 1956 punonin dhe dy inxhinierë pyjesh, zotërinjtë Vasil Shqau dhe Selfo Çakërri, në këtë periudhë punonin dhe 7 teknikë të mesëm, mbi këtë bazë filloi mbarështimi i zonave kryesore pyjore: Pish-Poro dhe Llogora.

Gjatë vitit 1960-1990 janë pyllëzuar me investime 6500 ha, kurse me kontributin e fshatarësisë 2200 ha. Pyllëzimet janë bërë në vende ekstreme të varfra sidomos pyllëzimi i brezit bregdetar me rreth 1500 ha, me teknik të zgjedhur nga vetë personeli teknik dhe që ua kalonte dhe treguesve të vendeve që hiqeshin me eksperiencë në botë. Kanë vazhduar pyllëzimet e sipërfaqeve dolomite në Dukat, veshja e përrenjve të Kotës, Hotimes e Treblovës në Selenicë si dhe fusha e Selenicës. U pyllëzuan me shkurre industriale Himara (me agavie), me plep u pyllëzua zona e Beshishtit deri në derdhje të Vjosës me sipërfaqe 800 ha dhe shumë rrugë e kanale nëpër fshatra.

Nga viti 1969 mori zhvillim agro pylltaria, e cila dha rezultate të kënaqshme pyllëzimi me plepa hibridë e kombinuar me bimë leguminoze.

           

Pyllëzimet anës lumit Vjosë viti 1968-1971 

Gjendja pas viteve 1990

Përmirësimet gjatë viteve 1956-1990 u kryen me investime 7000 ha dhe me kontributin e fshatarësisë rreth 3000 ha.

Sistemime malore me investime janë kryer rreth 40000 m3, sidomos në zonën e Himarës dhe Qeparoit ku rezultatet kanë qënë më të kënaqshme dhe veprat e artit dhanë rezultate të mira për mbrojtjen e fushës së Qeparoit. 25 vepra arti të tilla janë bërë dhe në përrenjtë e Ujit të Ftohtë, të cilat mbronin lagjen dhe rrugët kryesore përfund tyre, këto u kombinuan dhe me vepra biologjike. Vepra të tilla ka patur në të tërë rrethin po me intensitet më të vogël. Rreth 30000 m3 sistemime janë bërë dhe nga fshatarësia me mjete të thjeshta.

Nga 33000 ha pyje që kishim është marrë mesatarisht çdo vit rreth 60000 m3 dru zjarri dhe 2000 m3 lëndë ndërtimi (të dhëna për vitin 1990).

Në kullota nga 37000 ha sipërfaqe produktive janë ndërtuar mbi 60 lera të shpërndara në tërë territorin, të cilat kanë evituar shtegtimin e bagëtisë si dhe kanë ndihmuar faunën. Janë kryer dy inventarizime në tërë sipërfaqen pyjore e kullosore si dhe mbarështimi i parkut Llogora dhe dy rezervate. Përmirësime në kullotë në mijëra hektarë përmirësim kullote si heqja e barërave të këqija e shkurreve të dëmshme si dhe plerime.

Si është gjendja pas vitit 1990

Gjatë këtyre viteve pyjet janë goditur shumë rëndë dhe po të gjykojmë funksionet e tyre higjeno-sanitare, klimatike e shplodhëse, estetike e mbrojtëse, dëmi është tepër i madh. Në këtë periudhë prerjet pa kriter bënë kërdinë, zjarret shkrumbuan sipërfaqe të tëra pyjesh duke u përsëritur dhe 3-4 herë në të njëjtin vend. U shkatërrua pothuajse 70% pylli i Pish-Poros me prerje e zjarre.

Po mbaron nga ndërtimet dhe prerjet barbare e zjarret mushkëria e qytetit, pylli i Kumes. Është dëmtuar me ndërtime pa kriter pylli i Llogorait duke ja ulur funksionet e tij. Vlen të theksohet se Llogoraja po mbrohet mirë deri më sot nga vetë banorët e zonës. Janë djegur zona të tëra të pishës së zezë natyrale dhe të kultivuara, mbi 500 ha në Dukat dhe Çipini i Smokthinës, gratë smokthinjote vajtojnë për këtë katastrofë. Po humbasin funksionin pyjet e krijuara dhe në ato pjesë që kanë mbetur në Selenicë dhe Kotë. Si përfundim po e çojmë rrethin në një katastrofë ekologjike. Ka një sjelle vandale karshi pyjeve duke mos përfillur asnjë ligj. U shkatërrua organizimi i sektorit pyjor, tërë qendrat e sektorit pyjor u shkatërruan ose u zaptuan: Kallarati, Kota, Selenica, Novosela, Llogoraja dhe Himara. U prishë organizimi i Drejtorisë Pyjore duke u ndarë në 2-3 pjesë, personeli pyjor erdhi në qytet, pyjet s’mbrohen me kompjutera, pylltari duhet të jetojë me drurët e kafshët e pyllit. Sa më pak qëndresë në kompjutera e sa më shumë qëndresë në pyje. Shumë nga personeli pyjor humbi respektin për profesionin dhe u tërhoq pas fitimit, një cilësi e lulëzuar këto 30 vjet, fitimin e shikoni në rrugë të gabuar. Është për të ardhur keq se si në vitin 1997 qëndra e fazanerisë në Pish-Poro me treguesit e cituar më lart, në një kohë të shkurtër u shkatërrua, u përvetësua. Lind pyetja si nuk u bë një analizë nga personeli pyjor? Që për përvetësimin e saj kanë punuar shumë njerëz dhe mjete. Po 4500 bagëti të imta çu bënë, po dy destilatorë dhe 3 makineri që përdoreshin për ambalazhimin e bimëve eterovajore?

Në vitin 1996 një grup inxhinierësh me eksperiencë të zgjedhur nga treva të ndryshme të vendit punuan me tre katër specialistë të ardhur nga Europa për organizimin e sektorit pyjor. Pse su zbatua por erdhi drejt çorganizimit? Pushtetarë të ruajmë atë organizim që ka qënë rentabël në ekonomi e të mos vrapojmë qorrazi pas strukturimit.

Duke përfunduar duhet të citoj një letër të fiseve indiane, banorë të dikurshëm të territorit të Uashingtonit, drejtuar Presidentit Amerikan në vitin 1854 (Fraklin Piris), mbasi u kishte kërkuar që të braktisnin hapësirën që jetonin dhe të mblidheshin në një rezervat për arsye se do të bëheshin kërkime për naftën. Letra është shkruar nga kryetari i fisit: “Si mundet të blihet e të shitet qielli, ngrohtësia e tokës, freskia e ujit, çdo pjesë e kësaj toke është pjesë e popullit tim, ne jemi pjesë e tokës, ajo është pjesa jonë. Nëse e shesim tokën tonë do parashtrojmë një kusht: njeriu i bardhë domosdo të sillet mirë ndaj kafshëve në këtë tokë, t’i mësojnë fëmijët e tyre sikurse ne i kemi mësuar tanët, se toka është nëna jonë. Çdo gjë që do t’i ndodhë tokës do t’u ndodhë dhe bijëve të saj. Nëse njerëzit e pështyjnë tokën ata pështyjnë veten. As njeriu i bardhë s’do mund të largohet nga fati i përgjithshëm dhe ai do shkatërrohet ndofta më shpejt nga të gjitha racat e tjera”.

Shënim: Materiali është përgatitur me rastin e 80 vjetorit të shërbimit pyjor, me ndonjë plotësim të vogël më vonë. Ky material ndoshta ngacmon pushtetin për problemet e trajtuara në këtë material, se na brejti politika e injoranca.