Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Punët e mbetura "varr zbuluar" nga shteti!

Postuar: 12/11/2019 - 07:13

...Nikoqir i mirë për familjen e vet është ai që atë çka merr përsipër e çon deri në fund dhe nuk merr përsipër atë që nuk e realizon dot, pavarësisht nga qëllimet e mira. Kështu edhe shteti. Atë çka ai merr përsipër duhet ta çojë deri në fund dhe jo të marri përsipër ato që nuk i realizon dot dhe më keq akoma kur i lë ato "varr zbuluar" në mes të rrugës. Një shtet i mirë, nuk duhet të trembet nga "Klevisët" e opozitës përderisa është i bindur që për atë çka vendos është i mbështetur në ligj, atje ku ai e merr edhe forcën edhe trimërinë e tij. Në të kundërt, kur nuk merr parasysh të gjitha faktorët, koston e investimit, objektet që do të prishen apo e thënë shkurt kur i bën hesapet pa "hanxhinë" jo vetëm do të trembet nga një "Klevis" që i del përpara dhe e "ndalon" "makinerinë" e tij, por ndalet edhe nga një "gjysmë Klevis"! Shteti, dihet që do të bëjë për qytetarët, atë që ata nuk kanë mundësi ta bëjnë. Fjala është për ndërtimin e Unazës së Re dhe jo vetëm kjo, që po bëhen "gangrenë" dhe më shumë po bëhen sherre e shamata sesa po bëhet punë në interes të shoqërisë. Shteti, niset nga qëllimi i mirë për të bërë diçka të mirë për shoqërinë, për trafikun në kryeqytet që është bërë më shumë se një "lemeri" e vërtetë. Ka më shumë se dy vjet që po dëgjojmë vetëm sherr e shamatë. Nga njëra është Klevisi i cili përfaqëson opozitën dhe në anën tjetër, është shteti. Kush prej tyre ka të drejtë? Secili ngul këmbë në të drejtën e tij. Shteti, duhet të dijë që ne kemi një opozitë, e cila nuk ka asnjë alternativë për të përmbushur misionin e saj, as nuk bind e as nuk argumenton, por vetëm kundërshton gjithçka që merr përsipër qeveria për të realizuar. Kemi dëgjuar përditë e për orë gjatë tërë këtyre viteve akuza të ndërsjellta qeveri-opozitë. Më mirë se kushdo tjetër akuzat do t'i vërtetojë "gjykatësi" kohë! Edhe në rastin konkret, ka diçka që nuk shkon që projekti i shpallur me bujë të madhe është "venitur"! Duket që qeveria nuk i ka marrë parasysh tërë faktorët për realizimin e këtij projekti, siç janë dëmshpërblimi, njëqind për qind i ndërtimeve që do të prishen, kostoja e investimit e shumë faktorë të tjerë që projekti të mbetet në mes të rrugës "varr zbuluar"! Qytetarët, protestojnë me ose pa të drejtë dhe kërkesat e tyre duhet të zgjidhen sipas ligjit. Nëqoftëse ata i kanë të legalizuara banesat e tyre, atëherë duhet të shpërblehen qind për qind, ata që i kanë në proces legalizimi t'u jepet një zgjidhje e arsyetueshme, të tjerët që i kanë ndërtime pa lejë të veprohet si për çdo ndërtim tjetër pa leje sepse në fund të fundit ligji është ligj dhe demokracia e vërtetë është zbatimi me korrektësi i ligjit. As më shumë e as më pak, shteti, në rastin konkret, ka bërë atë që duke mos e çuar deri në fund këtë projekt të nisur ka bërë atë që qytetarët të humbasin besimin tek ai dhe të mendojnë që jo çdo gjë shteti e ka seriozisht. Na është bërë e modës që edhe shteti nga ana e tij, në vend që të ndërtojë në interes të shoqërisë e të qytetarëve, krijon pengesa artificiale që pengon edhe qytetarët edhe vetveten. Edhe shteti në këtë rast i ngjan atyre ndërtuesve që e fillojnë me bujë të madhe ndërtimin e një objekti dhe nuk kalon shumë kohë dhe lënë për muaj e vite të tëra në mes të rrugës për... mungesë fondesh. Jo vetëm kaq, por edhe rërën dhe çimenton i lënë në mes të rrugës derisa era të bëjë punën e saj e t'ia c

çojë "peshqesh" çdo familje dhe çdo qytetari. Vallë, kështu do të ecet? Po të jetë shteti në rregull me ligjin duhet të jetë edhe i vendosur për të çuar deri në fund një shtet serioz jo nga fakti që është shtet, por nga fakti që në çdo veprim duhet të bazohet në ligj. në të kundërt do të trembet edhe nga një Klevis, që bën "të fortin"! Nuk shtrohet pyetja se kush është më i fortë, shteti apo Klevisi i Balliut. Mbi çdo shtet e çdo Klevis është ligji! Por duke mos qëndruar askush në pozicionin e tij, ndodh ajo që më shumë prishim punë se sa ndreqim. Kjo, pastaj bën atë që "Sançua" Klevis bën roje se mos shteti vjen natën "pa lejën" e tij dhe ky i fundit e “ndëshkon”! Ka ikur koha kur edhe një shtetar i vetëm thoshte "Shteti jam unë"! Secili në punën e tij është një "shtet" kur vepron sipas ligjit dhe kur përpara vendos logjikën, kur në punën e tij niset për të bërë atë që është në interes të të gjithëve dhe jo atë që i shërben individëve të caktuar... Ja p.sh, kur Bashkia e Tiranës vendosi të bëjë një park lojërash tek liqeni Artificial, nuk u tremb nga "taborët" e president Nishanit, të armatosur edhe me kobure e ushtarë, por ndërtimin e atij parku, e çoi deri në fund. Sot, në atë park, vetë Nishani shkon e argaliset me nipat e mbesat e tij dhe mirë bën. Ja, kështu edhe Unaza e Re do të ndërtohet nga shteti duke plotësuar të gjitha detyrimet që ka ndaj banorëve që preken nga ai projekt që të bëjë të mundur ndërtimin e Unazës e për të eliminuar trafikun e bezdisshëm në kryeqytet. Nesër, kur ai të ndërtohet, edhe Klevisin do ta shohim duke e marrë edhe Fahriun për dore e t'i tregojë këtë Unazë të bukur që nuk i ngjan rrugëve të dikurshme të Mokrës, kur Fahriu ecte me orë të tëra për t'i dhënë dorën Pali Miskës e të vinte në redaksinë e "Zërit të Popullit" e të thoshte duke u mburrur: "A e gjeni dot se cilin kam takuar me këtë dorë", apo kur ecte rrugë pa rrugë për të takuar Sekretarin e Parë të Pogradecit, Belulin, për të ngrënë një paçe me të e të tjerët ta shihnin se me cilin shoqërohej! E për cilën "gropë" të flas tjetër? Të flas për teatrin? Sa kohë ka që shteti thotë "Do ta prishim" kurse disa artistë thonë "Jo"! Kush ka të drejtë? Ka të drejtë shteti apo disa artistë që bëhen "qyqe" në atë klubin përballë e qëndrojnë rroje ditë e natë se mos kush e di vjen ndonjë fadromë nga lart dhe e prish teatrin që aq shumë e kanë për "zemër" ata pak artistë? Jo, jo, jo, kurrë nuk jam as për atë që të prishet. Nëqoftëse prishja e tij do t'i shërbente ngritjes së gradaçelave për oligarkët, kurrë të mos prishet. Në qoftë se është për ngritjen e një teatri të ri, duhej të ishte prishur pavarësisht disa protestuesve aktorë të opozitës që shkojnë sipas "berihait" që meqë kundërshton opozita, të kundërshtojmë edhe ne. A do të vijë një ditë që përparimin ta shohim pa "ngacmimet" partiake? Siç duket edhe në rastin e parë të Unazës së Re edhe në rastin e dytë, atë të teatrit, shteti nuk është edhe aq "i larë" sepse po të ishte do të ishte po aq i vendosur sa është edhe për prishjen e ndërtimeve pa leje. Deri kur vallë do të ecim kështu si e kemi nisur, duke i treguar njëri-tjetrit "muskujt"? Sikur të ishin vetëm këto dy raste edhe do t'i kishim falur, por janë edhe shumë e shumë të tjerë që më shumë se ndreqim, prishim. E njëjta gjë është edhe për ndërtimin e HEC-eve edhe për landfillet e shumë e shumë investime të tjera që presin të marrin "udhë" të ndërtohen apo të mos ndërtohen. Të gjitha kanë mbetur si "varr zbuluar" ose për kundërshtimin që i bëjnë banorët, ose për mungesën e fondeve, ose për "maratonën" e gjyqeve për të vendosur e kujt është prona apo toka mbi të cilën do të bëhet investimi. Siç shihet janë me shumicë projektet që presin zgjidhje, por që vazhdojnë në pafundësi. Diçka nuk ecën, diçka nuk shkon. Ja të marrim edhe rastin e prokurorit që iu bë atentat, sepse "bëmat" këtu nuk kanë të sosur. Thuhet që prokurori kishte mbi njëzet apartamente e shumë pasuri të tjera të luajtshme e të paluajtshme. Thuhet që ai ishte i lidhur me njerëz të krimit. Por, pyetja shtrohet: Mirë ai që ishte i tillë po organet përkatëse, pse e lejonin këtë mbrojtës të ligjit të bënte matrapazllëqe me ligjet? Kush ja jepte këtë të drejtë këtij punonjësi të drejtësisë që t'i shërbente "padrejtësisë"? Të tjerë, punonjës të drejtësisë apo të sektorëve të tjerë, mbasi "majmen" mirë e mirë, në fund japin dorëheqjen për të mos iu nënshtruar vetingut? Kjo vallë është rruga? Ç'është ai njeri që kërkon të qëndrojë akoma në punë mbasi ka vënë mënjanë miliona euro pasuri? Me këtë metodë pune nuk ecet. Duhet shkuar thellë që të eliminohet e keqja nga rrënjët dhe jo nga "gjethet"! Mos vallë ka ardhur koha që duhet "turbulluar" që të qartësohet? Kjo është më e mundshmja përderisa kjo e keqe po "mahiset" dhe të keqen e kërkojmë duke iu hakërryer njëri-tjetrit, e cila kjo, nuk është zgjidhja e mundshme.... 

Nga Pandeli Bardhi

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 13/12/2019 - 07:10

Ka debat dhe diskutime sot mbi atë që quhet nga KM si ligji mbi "anti shpifjen".

Postuar: 13/12/2019 - 07:10

Mbrojtja me çdo çmim e të vetëve, militantëve, të zgjedhurve, funksionarëve, ish-administratorëve

Postuar: 13/12/2019 - 07:09

Siç dihet poetit racist, austriakut Handke iu dha çmimi Nobel në letërsi për meritën e “për

Postuar: 12/12/2019 - 07:07

Sigurisht që koha e sotme ka nxjerrë në pah dhe iniciatorë dhe emra të rinj "fantastikë të p

Postuar: 12/12/2019 - 07:06

Mendojmë se forcat politike në pushtet duhet të përcaktojnë dualitetin shtet-pushtet, në zbatim t

Postuar: 12/12/2019 - 07:05

Përmbysja e sistemit komunist në 1990-ën ishte vepër e shumicës së shqiptarëve, në radhë të parë

Postuar: 12/12/2019 - 07:04

Mbas tërmetit shkatërrimtar të 26 nëntorit që pllakosi dhe tronditi zemrat e shqiptarëve të kudon