BREAKING NEWS

Spastrimet në PS, Rama fut në lista ministrat jo deputetë, zv/ministra, drejtorë e ish-anëtarë të LSI, zbulohen emrat që spostojnë veteranët

Spastrimet në PS, Rama fut në lista ministrat jo deputetë,
x

Opinion / Editorial

Pushka e partizanëve të Shqipërisë u dëgjua edhe në ish-Jugosllavi

Pushka e partizanëve të Shqipërisë u dëgjua edhe

Shqipëria u çlirua! Nazistët që mbetën gjallë do të ndiqeshin këmba-këmbës edhe përtej kufijve, të shkonin në vendin e tyre, nga kishin ardhur. Në Shqipërinë e lirë flakëronin: gëzimi, entuziazmi, uniteti popull-parti, rindërtim i vendit, kënga, vigjilenca. Me urdhër të Komandantit të Përgjithshëm Enver Hoxha, Divizionet V e VI Sulmues marshonin përtej kufijve shtetërorë. Në ato ditë gazeta e Shkodrës “Jehona”, ndër të tjera shkruante: “Përse e kapërceu kufirin ushtria jonë”. Dhe përgjigjej: “Në këtë luftë të pashembullt në historinë e njerëzimit, popujt janë vëllezër, kanë vuajtur dhe janë shtypur të gjithë. Prandaj ne të vendosur gjer në fund të rrugës luftarake që kemi nisur, kapërcyem kufijtë shtetërorë për të ndjekur këmba-këmbës pushtuesin nazist, Korparmatën XXI gjermane, prapavija e ushtrisë hitleriane”. Me sulm e nisëm, me sulm e bitisëm. Pesë vjet luftë kundër fashizmit italiasn dhe katërmbëdhjetë muaj luftë kundër nazizmit gjerman. Partizanët çlirimtarë të pajisur me një përvojë të pasur ishin në gjendje të jepnin ndihmë efektive edhe në çlirimin e Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë, popujve të ish-Jugosllavisë. Por sa vështirë ishte të veproje në një terren të panjohur! Megjithatë shpirti patriotik dhe internacionalist i partizanëve shqiptarë do të përballonte sakrifica, deri dhe me jetën e tyre. Fundi i vitit 1944. Palcë e dimrit. Udhëtim në këmbë. Male me dëborë. Këtu në kolonë për një, aty në formacion luftarak. Periudhë me luftë dhe fitore. Me një varg aksionesh të përgjakshme e pengesash të shumta.

Me vëllezërit shqiptarë të Hotit e të Grudës

Nga shqiptarët përtej kufijve shtetërore forcat tona priten kudo krahë-hapur. Brigada e VI Sulmuese kalon lumin Cem dhe qëndron në banorët shqiptarë të Hotit e të Grudës. Me kërkesën e vëllezërve shqiptarë ngrihet flamuri kombëtar shqiptar! Në shenjë nderimi për simbolin kombëtar shqiptar, të gjithë ulen në gjunjë. Emocione, lot! Çaste prekëse! Gëzim, duartrokitje, entuziazëm, buzëqeshje në fytyrat vëllezërve shqiptarë. Komisari i Brigadës Haki Toska mban një fjalim të zjarrtë. Në fshatrat Prifti, Pikal, Semisht etj., brigada qëndroi dy ditë. Takime e biseda me banorë. Në sytë e tyre shfaqet vendi i shqiponjave. Pas spastrimit të zonës nga armiku, partizanët zhvillojnë konferenca, biseda, veprimtari të përbashkëta kulturore me popullsinë. Luftimet e forcave tona partizane kundër nazistëve zhvilloheshin përditë. Kalohej nga fshati në fshat, nga mali në mal. Dhjetori i ‘44-ës dhe janari, shkurti e muajt në vijim të ‘45-ës janë plot me luftime të përgjakshme. Vetëm në Podgoricë kishte 400 mijë nazistë, që tërhiqeshin drejt Gjermanisë, por me luftë, me humbje. Neve me fitore, me vështirësi të mëdha. Municion të pamjaftueshëm. Mungesa në ushqime e në veshmbathje. Duheshin bërë qindra e qindra km. rrugë këmbësore maleve me dëborë. Armiku në mbrojtje, me sulme e kundërsulme. Kudo partizanët shqiptarë me luftën, qëndrimin dhe sjelljet vëllazërore, fitonin respekt e nderim të banorëve.

Nga beteja në betejë me nazistë

Nuk kishte ditë pa luftë. Betejat anti-naziste të partizanëve shqiptarë në territorin e ish-Jugosllavisë ishin të shumta. Pasonin njëra-tjetrën. Por le të vazhdojmë me disa shënime mbështetur në Ditarin e shkrimtarit Resul Bedo. U desh luftë e ashpër derisa u mor kalaja e Medunit dhe Kosor-Bioçës. Batalioni i dytë i Brigadës VI me sulm e detyroi armikun të mbrohej në fshatrat Ratovica e Luhare. Në Bioçe lufta zgjati tri ditë. Ishte 3 dhjetor 1944. Errësirë. Mjegull e dendur. Dimër i acartë. Gjermanët ndodheshin në majë mali. Honet ushtonin nga bombat e dorës, nga breshëria e mitralozave. Një kompani sulmon drejt majës. Gjermanët luftojnë e nuk tërhiqen. Dy aeroplanë nazistë godasin forcat tona partizane. Nga fusha e Podgoricës rrihte artileria e tyre. Në sulm katër batalione të brigadës. Nazistët hodhën në luftë forca të tjera. Lufta ashpërsohet edhe më shumë. Një grup nazistësh po i afroheshin mitraljerit trim Musa Tahiri. E qëlluan befasisht dhe e vranë. E rrëmbeu mitralozin Seit Lesko dhe qëllon mbi armikun. Sharrësi gjerman e vrau edhe këtë. U ngrit në këmbë Astrit Karagjozi dhe tha: Pas meje! Pas tij u sul përpara me mitraloz në dorë italiani Mario Indebroti. Qëllonte me automatik Mukades Hoxha, por automatiku i saj heshti! Ajo u plagos rëndë. Drejt saj u vërsulën gjermanë. Vrapoi me shpejtësi komandanti i batalionit, me dy korrierë. Hodhi 3-4 granada, vrau njërin prej tyre, të tjerët u tërhoqën. Mukadesi shpëtoi, nuk ra në duar të armikut. Batalioni i dytë hidhet i tëri në sulm. Armiku u mund, pati rreth 30 të vrarë e shumë të plagosur.

“Moj Verushë me patate,

njëzetë ditë luftë mbajte”.

 Në malin Deçiç, në lartësinë e Grudës, Blloçe, Bërskut, Verusha e deri në Mateshevo, me luftë të përgjakshme u arrit çlirimi i qytetit shqiptar Tuz nga Brigada XXII Sulmuese. Luftimet zhvilloheshin në luginën e lumit Tara, në akullnajën e Verushës, që u skuq me gjak e për të cilën partizanët këndonin: “Moj Verushë me patate/ njëzetë ditë luftë mbajte/ moj Verushë e Malit të Zi/ natë e ditë borë e shi”. Më 20 dhjetor, batalioni i parë dhe i pestë të Brigadës VI u hodhën në sulm të befasishëm kundër armikut në kodrat rrëzë Ljeva-Rjekës. Gjermanët nuk e prisnin këtë luftë në atë të ftohtë dhe rrinin nëpër çadra rreth sobave me flakë e prush. Kur nisi sulmi partizan, shumica e gjermanëve nuk arrinin dot të shkonin në pozicionet e tyre dhe u asgjesuan. Ndeshja ishte e ashpër. U vranë 200 gjermanë e më shumë sa nuk mund të numëroheshin dot. Këtu ra dëshmore Bukurie Bazo, së cilës iu këndua aty për aty me këngën që u ngrit në çast: “Në Verushë e n’ ato maja,/ Lule lulja Bukuri/ Shoqe të zuri mortaja”. 4 janar 1945. Ditë e ftohtë. Vazhdon të bjerë pa reshtur shi e dëborë. Marshimi nisi nga burimet e lumit Tara derisa futet në detin e largët, që e thith dhe e shuan në gjirin e tij forcën gjigande të lumenjve. Dhe në një skicë letrare shkruar nga një partizan pjesëmarrës në këtë marshim, ndër të tjera lexojmë: “Folna dy fjalë, o lumë, ke rrjedhur në shekuj...Thuaj sa herë nëpër vite je skuqur nga gjaku”. Në këtë lumë e luginën e lumit Lim, armiku la 500 të vrarë dhe 50 kamionë të shkatërruar.

Me heroizëm çlirohet i pari qytet në Bosnje

Në zonën e lumit Lim veç nazistëve gjermanë ishin grumbulluar edhe 15.000 çetnikë. Këtu armiku kishte këputur urën dhe lumi Lim nuk mund të kalohej më këmbë. Natën grupe sulmi partizanësh u hodhën me not në bregun tjetër të lumit dhe filluan menjëherë goditjen. Me luftë të rreptë u çlirua qyteti Rudo, i pari qytet në Bosnje, i çliruar nga Divizioni VI Sulmues. Kudo borë e bardhë, por vende-vende me ngjyrë të kuqe nga gjaku i partizanëve shqiptarë, që binin trimërisht duke luftuar. Luftë në male mbuluar me akuj. Luftë me urinë duke ngrenë një herë në 24 orë, zbathur e zhveshur. Intendenca nuk kishte këpucë dhe ata prisnin kapotat dhe lidhnin këmbët. Oh, sa partizanë ngrinë nga të ftohtit dhe ashtu shuheshin! Partizanët ndaheshin nga jeta në borë dhe pushkën e mbanin në dorë. Duke luftuar në ish-Jugosllavi, ranë mbi 600 dëshmorë shqiptarë internacionalistë. Me emra një pjesë të dëshmorëve, janë: 32 nga Berati, 25 nga Gjirokastra, 23 nga Vlora, 21 nga Tirana, 12 nga Tepelena e kështu me radhë. Gjithë luftëtarët e Divizionit V e VI i ndoqën forcat hitleriane me luftë heroike në Mal të Zi e deri në Bosnjën Jugore, si dhe me veprime luftarake në Kosovë e Maqedoni... Shumicën e komisarëve e të komandantëve e përbënin djem e vajza, të cilët ishin provuar në beteja dhe kishin energji, dituri, shkathtësi e mbi të gjitha ishin atdhetarë të vendosur, liridashës. Lufta për çlirimin e vendit u bë shkollë e përgatitjes dhe e kalitjes së tyre, që mundën edhe gjeneralë nazi-fashistë me akademi ushtarake. Në artin e drejtimit të forcave partizane, ndriçonte mësimi i Komandantit të Përgjithshëm Enver Hoxha, në letrën dërguar Hysni Kapos: “Roli i udhëheqësve s’është vetëm me luftue, por edhe me komandue. Është lehtë për një udhëheqës të vendosur të kalojë në ballin e çdo përpjekjeje dhe të vdes trimërisht, por është zor të dish të komandosh”.

***

 Malet, këta aleatë të shqiponjave partizanë shqiptarë ku kishin folenë, në dëborë, breshër, shi dhe erën që të priste si brisk, janë dëshmitarë të heshtur të heroizmit të luftëtarëve të lirisë, bënin luftë çlirimtare! Sytë i mbanin tek armiku dhe pushkën gati për shkrepje. Dinin aq mirë të merrnin shenjë në ballë dhe në zëmër të pushtuesve hitlerianë. Ndaj u këndohet: Flisni ju male, fusha e bregore/ Ju livadhe, lumenj, rrugë e pyje/ Ju, që për luftëtarët ishit llogore/ E i patë dëshmorët si mbetën yje!