BREAKING NEWS

Nuk gjen qetësi toka, 3 lëkundje të njëpasnjëshme tërmeti në Korçë, ja ku ishte epiqendra dhe sa ballë

Nuk gjen qetësi toka, 3 lëkundje të njëpasnjëshme
x

Opinion / Editorial

Pushtetarë, ktheni pllakën nëse doni të jetoni pas dy marsit!

Pushtetarë, ktheni pllakën nëse doni të jetoni pas dy

Kudo dëgjohet, alt, këtu mos kalo!Ti, hesht, pusho! Jeni hajdutë, jeni kriminelë. Lepuj, qenë, hardhuca, këpusha e gjithfarë etiketimesh nga bota e kafshëve nga toka deri tek yllësit. Ngado dëgjohen thirrjet: Të gjithë ju që ia keni bërë popullit jetën zeher, ju që shpopulluat Shqipërinë. Ju hajdutët qeveritarë dhe gjithë të tjerët të puçit të drejtësisë. Dhe kamxhiku i fjalës së “lirë” godet pa mëshirë, këtej në Shqipëri dhe andej në hapësirën shqiptare, pa lënë mënjanë median kosovare. Në resht janë vënë, si në gijotinë, gjyqtarë e prokurorë, KLP, KLGJ, ata që duan të “zaptojnë” drejtësinë. Kudo ultimatumi final, ti politikan, me apo pa parti, do japësh llogari, një për një nëse do t`u të gjejë dy marsi gjallë në Shqipëri. Kudo parulla, deklarata, kërcënime, porosi, udhëzime, ultimatume, mesazhe, lutje, kulaçi në dorën e majtë dhe kërbaçi në të djathtë, betime, hetime, shtrëngime, ndaj të gjithëve që thonë një fjalë të vetme për grusht-shtetin dhe besëlidhjen e madhe presidenciale të dy marsit 2020, ku Presidenti në selinë më të re, atë të bulevardit të “Dëshmorëve” do nënshkruajë dekretin më të veçantë, të parin e llojit të vet, në asfalt, pa skrivani, kolltukë, pa simbolet e republikës, pa seriozitetin e godinës presidenciale, si dikur partizanët në male. Duket si një akti madhor që do ketë rrezatim mbarëbotërorë. Do vulos dekret fitoren për popullin shqiptar, pse jo edhe për ata ndërkombëtarë. Nuk ka një moment të vetëm që mos sulmohet një pushtetarë dhe e gjithë qeveria, të vihet përballë. Që nga momenti kur presidenti Ilir Meta, shpalli dy marsin, si miting mbarëkombëtar çdo ide, mendim, qëndrim, kundërshtues, mospajtues apo çfarëdo ideje ndryshe, duke mospranuar politikën presidenciale, menjëherë nisin goditjet për cilindo që guxon të shfaqë një qëndrim apo mendim ndryshe. I pari që sulmohet është kryeministri Edi Rama. Ai llogaritet si kryepuçisti që përgatit grushtin e shtetit kundër qeverisë së vet. Në realitet, kjo vishet me pelerinën e mbrojtjes së Kushtetutës nga uzurpatori i qeverisë dhe përpjekja kundër kështjellës së vetme të demokracisë, atje ku jeton e punon, Presidenti i Shqipërisë. Çfarë nuk thuhet për kryeministrin. Ai trajtohet si individi që ka rrëmbyer tërë pushtetet në një dorë. Pasi ka rrëmbyer tërë institucionet me aktin normativ të Kuvendit për mundësimin pas hezitimit të presidentit për mos thirrjen për betim të gjyqtarëve, t`i drejtohen noterëve, u akuzua se kërkon të rrëmbejë edhe Presidencën, të vetmen kala që mbron demokracinë, siç thuhet në konferencat e përditshme. Kryeministri dihet që do sulmohet më shumë, ai është kreu i qeverisë që mbetet synim i opozitës për ta përmbysur dhe për ta larguar nga froni në emër të kërkesës mbarëpopullore, por që nuk ndiqet rruga e zgjedhjeve ligjore. Këtu është i gjithë kontradiksioni, mes qeverisë dhe presidentit, Ramës dhe Metës. Nga gjithë shqiptarët, është e njohur se qeveria është fryt i votimit nga shqiptarët. Presidenti është rezultat i kompromiseve dhe votës së deputetëve. Pra është delegim nga deputetët, nga të zgjedhurit e popullit. Siç dihet në Kushtetutë, presidenti është kreu i shtetit. Garanti i unitetit kombëtar. Është ai që duhet të pajtojë të papajtueshmit. Të bëjë kompromise të mëdha në interes të demokracisë dhe zbatim të Kushtetutës. Në asnjë rresht të Kushtetutës shqiptare nuk parashikohet që Presidenti të thërrasë në mitingje shqiptarët. Në realitet në vendet me demokraci të konsoliduar, qytetarët i thërrasin në tubime apo protesta sindikatat dhe shoqëria civile. Po ja që tek ne ende i thërret politika. Kjo është një nga plagët më të rënda të shoqërisë shqiptare. Nëse kundër thirrjes së mitingut presidencial, shfaqet një qëndrim ndryshe, si zëdhënësja e qeverisë, veç Metës i vërsulen një varg zëdhënësish. E përgojojnë, e demaskojnë, e bëjnë copë me deklarata të cilat është pak të thuhet se janë gjuhë ordinere. Po nuk është e vetmja. I njëjti qëndrim edhe ndaj kryetarit të Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla. Sapo Balla, shfaqi gjykimin e tij dhe u shpreh kundër mitingut presidencial, iu vërsulën këshilltarët e të parit të shtetit. I bënë radiografinë e biografinë. I treguan sjelljen jo të mirë. Bile u porosit të bëjë kthesë deri në dy mars 2020 kur shqiptarët do gdhihen në bulevardin para kryeministrisë. Po më keq se të gjithë pushtetarët e pësoi nga mllefi presidencial, ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj. Duke lënë mënjanë çdo etikë dhe respekt për një zonjë, një grua, nënë, ministre nga më të rejat, Zoti Meta e kërcënon jo me ndryshim timoni, marrje kthese po me burg. Drejt e në SPAK e dërgoi denoncimin. Veç anës ligjore, kërkoi edhe dorëheqjen. Edhe Gjonaj ka afat deri në dy mars. Pastaj, ah, pastaj të bëjë llogari çdo të thotë kokëfortësi presidenti! Presidenca e di! Po nuk janë vetëm politikanët që paralajmërohen për të bërë kthesë 180 gradë nga mendimet e qëndrimet e tyre që guxojnë të vënë në dyshim madhështinë e drejtësinë e mitingut presidencial. Në grykë të pushkës politike, janë vënë edhe gazetarë, analistë, opinionistë, punëtore të medias. Më keq u sulmua analisti i Kosovës, Baton Haxhiu. Nuk u kursye asgjë kundër tij. Sa turp! Sa keq! Dhe pastaj shajnë e mallkojnë megalomanët dhe pushtetarët se fyejnë gazetarët. Të njëjtin sulm bënë edhe ndaj analistit dhe kryeredaktorit të parë të RD-së, themeluesit të shtypit pluralist. Vetëm se guxoi të kundërshtojë këtë strategji të luftës që është ndërmarrë për të delegjitimuar qeverinë dhe drejtësinë, u vu përballë furisë së kritikave të kritikëve që kanë për shtëpi selinë më të rëndësishme të shtetit, Presidencën. Cili është faji i zotit Çupi? Përse kaq mllef ndaj atij që ka folur hapur dhe në kohët më të vështira që mund të të ikte koka pasi ende regjimi komunist mbahej në këmbë dhe mund të të bënte gjëmën kur i kundërviheshe sistemit që presupozohej se dorëzohej vetëm me gjak. Thjesht, se i quajti këshilltarët gjuhëshqyer, servilë të pushteteve. Kjo është e padenjë për ata që kanë marrë përsipër të punojnë në institucione nga ku populli pret të burojnë qetësia dhe largpamësia. Po jo. Ka humbur edhe dashuria edhe qetësia. Të gjithë marrin përsipër të deklarojnë gjithçka kundër të gjithëve, mjafton t`i shërbejnë të parit të shtetit që u firmos borderonë. Është paradoksale që kundër atyre që kanë një qëndrim dhe gjykim ndryshe dhe bëjnë një analizë të arsyeshme dhe objektive, ndryshe nga Presidenca, po që nuk konvergojnë me idetë dhe mendimet presidenciale, të vihen në tehun e thikës, si individë që i bien ndesh të parit të shtetit. Është paradoksale që në një ditë kur Shqipëria u gdhi me mbështetjen më të madhe financiare dhe politike, kur shtetet skeptike, mbështetin Shqipërinë për rrugëtimin e saj drejt BE-së, kur lufta kundër pasurive të individëve të dënuar apo që kanë vendosur pasuri në rrugë kriminale në një kohë kur formularët u dërgohen derë më derë, atyre që e kanë bërë të keqen mullar, kur është në kulm beteja ndaj krimit dhe atyre që vijojnë të organizojnë lojërat e fatit në rrugë të jashtëligjshme, në një kohë kur po shkon drejt fundit reforma zgjedhore dhe bëhen përpjekje për reformën në drejtësi, vetëm se iu prish presidentit kandari me të përzgjedhurat e tij për Gjykatën Kushtetuese, shqiptarët të ndihen sikur jemi në vitin zero dhe pritet të përmbyset sistemi komunist, siç etiketohet apo diktatorial që paragjykohet. Në balancën e tërë opinionit shqiptar dhe botës, sigurisht, sot është vënë në ballafaqim strategjia opozitaro-presidenciale me shtetin e së drejtës, qeverinë dhe shoqërinë në përgjithësi. Secili kërkon të imponohet se ka me vete të drejtën dhe lufton në mbrojtje të Kushtetutës. Një betejë absurde, zgjedhur në mars, që na kujton marsin e 1997-ës. Besojmë më shumë se Beëslidhjen e Skënderbeut, na kujton rënien e shtetit! Po jemi të bindur se shqiptarët nuk kanë më kohë për të eksperimentuar një mars të dytë, të cilit ia ndjejnë edhe sot fatkeqësitë dhe nuk do lejojnë askënd t`ua prishi jetën, lirinë, Shqipërinë!