Opinion / Editorial

Pushteti i tiranit nga marrëzia e "sovranit"!

Pushteti i tiranit nga marrëzia e "sovranit"!

Po na kanë mësuar prej kohësh, ose që nga Revolucioni Francez dhe më këtej, që nga koha e perceptimeve moderne për demokracinë se "populli votues" është dhe "sovrani". Në fakt, është pranuar kështu në demokraci. Por "sovrani" nuk ka lindur si terminologji e praktikuar dhe filozofikisht kështu! Sovran është një individ që rri më lart nga kushdo person tjetër. Sovran në atë deduksion historik dhe frazeologji politike dhe filozofike prej shekujsh, është një individ që ka pushtet të plotë dhe të pavarur. Kjo terminologji ka pasur parasysh një mbret, faraon dhe perandor. U transformua te ligjet dhe autoritetet që kanë fuqi të plotë dhe supreme dhe në kohët moderne te populli apo shoqëria votuese, që delegon përfaqësuesit e saj në pushtetin politik. Sot ne e dimë këtë të fundit dhe "besojmë" se turma, populli, ne si shoqëri demokratike jemi pikërisht sovrani. E nuk besojmë vetëm ne, por kanë besuar më përpara dhe popuj të tjerë duke bërë përpara në demokraci. Me anën e kësaj fuqie të sovranit kanë ardhur në pushtet individë dhe mazhoranca të mira dhe të duhura, por pikërisht nga kjo fuqi kanë ardhur në pushtet klika dhe individë që janë kthyer ose në diktatorë ose në tiranë të vërtetë. Po pikërisht me anën e "sovranit popull". Mussolini dhe Hitleri kështu kanë ardhur. Mirëpo Blaise Pascal thotë: “Pushteti i mbretërve bazohet mbi arsyen dhe marrëzinë e popullit, por më shumë mbi marrëzinë”! Ne nga viti 1990-të realisht kemi fituar një diçka të qartë që është: "mund dhe të mos shkojmë të votojmë" dhe të mos dënohemi. Sepse dikur dënoheshim dhe pse nuk votonim e jo më të kishim mundësi të zgjidhnim. Duke besuar të delegimi i "sovranitetit" dhe shpallur "sovran" popullin fillon justifikimi shpesh herë i tiranisë aplikative dhe në demokraci. Te një turmë apo masë e paqartë jo vetëm për ngritjen e shtetit dhe perceptimin e lirisë, por sidomos për rëndësinë e demokracisë - sovraniteti i tillë, i bën jo vetëm mirë tiranëve të vegjël dhe më të mëdhenj, por sidomos bën keq për mbajtjen nën vargonjtë e varfërisë dhe jo kulturalizmit e qytetarisë, të pikërisht të ashtuquajturit sovran popull. E Montesquieu thotë: “Tirania e një princi në oligarki nuk është e rrezikshme për të mirën publike se sa apatia e qytetarit në një demokraci”! Pra kur në demokraci krijohet sistemi i apatisë së qytetarit, rreziku është më i madh se sa sundimi dhe pushtetërimi i një mbreti, princi apo sundimtari në oligarki. Prandaj edhe dikur turmën kanë dashur ta përdorin, ta bëjnë sa më të "referueshme" sepse mbi këtë turmë dhe marrëzinë e saj të injorancës dhe jo arsyes mbi lirinë dhe demokracinë kanë sunduar tiranë. Po, por edhe sot kanë eksperimente të "ngjizjes" së demokracisë me pak, apo shumë - tirani! Sigurisht kjo arrihet nga marrëzia e turmës. Asaj kryesisht jo qytetare apo të zënë ngushtë nga varfëria dhe injoranca. Diogjeni ose "ciniku" thotë: “Turma është nëna e tiranisë”! Ne kur na thërrasin sa herë vijnë zgjedhjet për të na veshur petkat e qelbura të "sovranit", për të na thënë titullin e pamerituar "sovran" nuk na bëjnë asgjë tjetër, përveç se do të na përdorin për pushtetin e tyre të qelbur. Po pra po sepse deri sot këtë punë kanë bërë për tre dekada në Shqipëri. Po këtë punë kanë bërë në 1945-ën dhe përpara nga fillimi i shekullit të 20-të. Kemi tre dekada që me votat e "sovranit" turmë popullore në Shqipëri dalin tiran-ucë dhe tiranikë nga më të ndryshëm, që janë thjesht sundimtarë dhe që kanë marrë votat e "sovranit". Sipas meje, tanimë pak rëndësi ka pse ja kanë vjedhur votat këtij "sovrani" se sa "kujt ja ka dhënë votat ky i famshmi sovran". Kujt pra kujt? Në Shqipëri, nuk është ndonjë problem kaq i madh se partitë thonë i janë vjedhur votat sovranit sepse kjo ka të bëjë me karriget e tyre, por problemi më i madh është se ky sovran kujt ja ka dhënë këto vota?! Ky "sovran" ka vite e vite, që po të njëjtave fytyra ju jep pushtet. E ka pësuar nga ata, i kanë bërë gropën me zgjedhjet e vjedhura në ‘96-ën, prapë i votoi, e vodhën në ‘97-ën dhe sërish i votoi, e futën në gjak dhe vëllavrasje në ‘97-ën dhe sërish i votoi, e vranë në ‘98-ën dhe e mashtruan për paratë e piramidave dhe i votoi sërish po të njëjtët. E hodhën në erë në Gërdec dhe i votoi dhe e vranë në 21 Janar, prapë i votoi. E vodhën në çdo tender dhe prapë i voton. E kanë varfëruar dhe e kanë bërë një "derdimen" në sy të botës dhe prapë i voton. "Sovrani" i jonë, ose shoqëria shqiptare, turma, populli, është pikërisht ai i marri që ka nevojë tirani. Ai ka vite që e di se nuk mund tju besohet asgjë askujt dhe vazhdon. Vazhdon të dalë në votim dhe t’i votojë! "Sovrani" në Shqipëri është në kulm të dëshpërimit dhe akoma nuk ka kuptuar se ka një faj të madh që është vazhdimi me këmbëngulje te po të njëjtët "tiranë funksionalë në demokraci". Te po të njëjtat fytyra dhe individë që kanë vite që bëjnë tiran-ucët e vegjël të "sovranit" popull! E pikërisht ky pushtet i "tiranit" është model dhe produkt i daljes në ditën e votimit të "sovranit" dhe padyshim apatisë së tij legjendare. Injorancës së madhe politike dhe filozofike, për tu rreshtuar me "besnikëri" gjithsecili tarikat mbas tiran-ucit të vet. Po dhe nganjëherë për tu përdorur si "mish për top" në kohë kur tirani tenton të largojë me "sovranin" tiranin tjetër. Një pjesë e "Sovranit" ka disa kohë që e përdor të vetmen të drejtë të demokracisë që i ka mbetur (mos daljen në votime) dhe që është indiferenca apatike. Sepse dhe kur është bërë i interesuar për të ngritur kauzën e tij, ja kanë marrë nga goja dhe dora, duke e kthyer në viktimë të vjedhur dhe të vrarë njëkohësisht. Pikërisht "ata tiran-ucët" me partitë e tyre prona dhe të formuara me militarë (militantë) që sigurisht djegin vendin për benefitet e tyre idiote dhe marrëzinë e tyre të turmës së keqedukuar. Si përfundim, pikërisht kjo është e gjitha: Pushteti i tiranit është nga marrëzia e sovranit dhe nuk ka nevojë aspak për konkluzione të tjera! Ne në këtë fazë jemi dhe tani si shoqëri problem kemi "sovranin" se sa tiranin. Pa u rregulluar mendërisht dhe politikisht, sovrani as që ka për të lëvizur asnjëherë nga "pushtet tirani" kushdo që të jetë ai, apo dhe në alternim politik. Po sigurisht pothuaj tre dekada rresht në këtë post diktaturë dhe tirani absolute dikur, ose si ajo që prodhoi tiran-ucët e vegjël që kemi sot.