Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Pushtetin ta jep vota e popullit, jo makinacionet politike!

Postuar: 17/11/2018 - 07:18

 Disa veprime dhe angazhime politike të kohëve të fundit të opozitës e kanë bindur plotësisht shumicën e elektoratit shqiptar, se ajo mundohet të vijë në pushtet me makinacione politike e skenare mafiozësh, më shumë po e kërkon pushtetin në tavolinë, se sa ta marrë atë nëpërmjet votës së lirë të popullit. Edhe veprimi i fundit i Presidentit të Republikës, Meta, për mos dekretimin e ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshi, të propozuar nga Kryeministri Rama, përpiqet ta çojë ujin në mullirin e prishur të opozitës. Këtë veprim antikushtetues të presidentit e kanë dënuar jo vetëm specialistët e ligjit, politikisht të paanshëm, por edhe opinioni i shëndoshë shoqëror që respekton institucionin e votës. Vendi ynë është Republikë parlamentare dhe Presidenti i Republikës nuk ka asnjë të drejtë ligjore të dekretojë propozimet e Kryeministrit, të cilit ia ka dhënë të drejtën e qeverisjes së vendit vota e popullit. Sidomos në këto zgjedhje, fitorja ishte plebishitare pa asnjë koalicion parazgjedhor, se Kryeministri Rama arriti ta bindi shumicën shqiptarëve me programin dhe alternativat që shpalosi para tyre. Këtë e provoi edhe vetë Ilir Meta, që udhëhoqi fushatën zgjedhore edhe si kryetar partie edhe si president i sapozgjedhur.

Veprimi i fundit i Presidentit të Republikës, duke qenë antikushtetues kërkon të shkaktojë artificialisht krizë politike. Kryeministri ka dalë me votë të lirë nga zgjedhjet e përgjithshme, ka një mandat politik të veprojë në emër të shumicës së elektoratit që e ka votuar në bazë të programit të paraqitur. Rotacioni politik bëhet në bazë vullnetit të popullit, e jo me skenare të kurdisura prapa kuintave apo me dekrete presidenciale. Të mos dekretosh propozimin e Kryeministrit në një republikë parlamentare, do të thotë të deformosh votën e popullit dhe të cënosh rëndë vullnetin e tij. Presidenti Meta, duke rrëzuar propozimin e Kryeministrit ka shpërfillur parlamentin që është përfaqësuesi legjitim i popullit, pra dashje pa dashje i kundërvihet popullit, unitetin e të cilit ai e përfaqëson juridikisht. Mosdekretimi i një ministri të propozuar nga kryeministri nuk ka ndodhur asnjëherë në historinë pluraliste të Parlamentit Shqiptar, ndaj ky akt i Presidentit Meta është karshillëk dhe sfidë e hapur ndaj votës së popullit. Me veprimin e tij, Presidenti tregoi qartë se nuk e do këtë qeveri dhe si rrjedhojë as popullin që e ka votuar qeverinë.

Në këto kushte, kur Kryeministri ka shumicën në parlament, dy rrugë ka presidenti Meta, ose të dekretojë ministrin e propozuar nga Kryeministri, ose të japë dorëheqje. Duke mos dekretuar një propozim të Kryeministrit të nxjerrë nga një mazhorancë e ligjshme, Presidenti i vendit bëhet palë me opozitën, sidomos kur ai ka edhe gruan kryetare të një partie opozitare, ndërkohë që kushtetuta kërkon të jetë mbi palët. Presidenti duhet ta ketë të qartë juridikisht se nuk është pushtet i katërt, por mbikqyr punën e tre pushteteve që ekzistojnë tek ne, në përputhje me Kushtetutën e vendit. Presidenti është një “noter shteti” në një kuptim të gjerë, i cili shpall dekrete, por gjithmonë duke iu përmbajtur parimit të sigurisë juridike dhe kushtetutshmërisë, përsa i përket origjinalitetit të dokumentit që i referohet. Juridikisht në republikat parlamentare ekziston dhe instituti i kundërfirmës ministeriale, fakt që e zhvesh Presidentin nga përgjegjësia politike në dekretimin e ligjeve. Ligjet i nxjerr legjislativi i zgjedhur nga populli, sipas projekteve që paraqet ekzekutivi i mazhorancës qeverisëse, dhe marrin fuqi kur miratohen nga shumica parlamentare, kurse Presidenti sa i shpall formalisht me dekretin përkatës. Presidenti nuk administron, nuk qeveris, as nuk e kontrollon dot qeverinë se këtë të drejtë nuk ia jep Kushtetuta. Është parlamenti ai që kontrollon qeverinë, përcakton politikat e brendshme dhe të jashtme të qeverisjes. Më e keqja është se Presidenti ynë, i votuar nga kjo mazhorancë që i del kundra, as që do të bindet për aktin antikushtetues që ka kryer, duke deklaruar me tone sfiduese: “Iku koha, kur vendi drejtohej nga Sekretari i Parë”. Opinioni e kupton qartë tani se kush sillet si Sekretar i Parë, presidenti që shkel Kushtetutën, apo Kryeministri që në çdo propozim të tij shpreh vullnetin e sovranit.

Ilir Meta e ka shkelur disa herë Kushtetutën, duke dalë hapur kundër vullnetit të popullit shprehur nëpërmjet shumicës në parlament.

Gjatë fushatës së zgjedhjeve të qershorit, kur ai e pa se partia që kishte ngritur e drejtuar prej vitesh po merrte tatëpjetën, mori frenat në dorë duke bërë një fushatë të egër, edhe pse ishte zgjedhur president e duhej të ishte i të gjithëve, mbi palët politike. Madje bëri në ndonjë rast edhe deklarata ekstreme, të papranueshme, që dënoheshin nëse dilnin nga goja e çdo politikani, e jo më nga një president i zgjedhur nga Parlamenti.

I mësuar prej kaq vitesh me egon politike për të intimiduar kundërshtarët, ku përgjithësisht ka arritur të dalë fitues nëpërmjet penetrimeve e akrobacirave, Presidenti mbajti në sirtar afro prej një viti propozimin e kryeministrit e nuk dekretoi shefin e SHISH-it, dhe vetëm tani nga frika apo kompromisi kreu aktin kushtetues që duhet ta kishte kryer në kohën e duhur. Lind pyetja çfarë ndikoi tani që ndryshoi qëndrim Presidenti!? Mos vallë edhe për këtë dekretim u desh një vit që Presidenti të “krijonte” bindjen e duhur dhe ndoshta mos po kaq kohë i nevojitet edhe për “t’u bindur” për dekretimin e ministrit të Brendshëm!? Po kështu ndodhi edhe kur Presidenti Meta nuk i dha plotfuqishmërinë ministrit të Jashtëm për të filluar negociatat me shtetin grek për çështjen e detit.

Po a e di ky President, se edhe në politikën e jashtme, nuk ka të drejtë vetoje, ai vërtetë përfaqëson shtetin, por ama duke iu përmbajtur asaj linje që ka përcaktuar qeveria e zgjedhur nga parlamenti. Theksojmë së fundi se rrallë ka dekretuar Presidenti Meta ligje pa u kthyer për rishqyrtim në parlament. Edhe në këto raste Presidenti është bërë pengesë kot, pasi përgjegjësinë politike e mban kryeministri, ministri përkatës, dhe nëse janë gabim është populli ai që i ndëshkon me votën e tij. Duke i analizuar me gjakftohtësi, pa pasione politike veprimet e presidentit Meta, bindesh se ata nuk i shërbejnë unifikimit të të gjitha përpjekjeve të forcave politike dhe strukturave të shtetit për konsolidimin e demokracisë dhe prosperitetit të vendit, por nxisin përçarjen e karshillëkun midis institucioneve. Ne në kushtet e sotme nuk na duhen sherret e përçarja, por uniteti, të cilin në radhë të parë duhet ta manifestojë Presidenti i Republikës. Ish presidenti amerikan Xhorxh Bush ka lënë një mësim të madh: “Unë kam mësuar –thotë ai –se askush nuk mund të drejtojë duke përçarë njerëzit”. 

Nga Ramazan SHERJA

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 10

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 09/12/2018 - 07:17

 Përpjekjet për të vënë shenjën e barazimit mes dy dhjetorëve dhe për të përfituar frytet e një lëvizjeje masive studentore, e cila deri tani në thelb ka disa kërkesa dhe që mundet nesër të përparojnë dhe me të t

Postuar: 09/12/2018 - 07:16

 Në ditën e shpallur nga Sali Berisha si "dita e Rinisë" dhe sigurisht e

Postuar: 09/12/2018 - 07:14

 Ka më shumë se një muaj që banorët e unazës se re protestojnë ditë e natë, në mbrojtje të b

Postuar: 09/12/2018 - 07:13

 Nuk është vetëm dufi i studentëve.  Protesta e tyre ka trazuar gjithë shoqërinë.

Postuar: 08/12/2018 - 07:22

Ҫdo vit, miliona njerëz detyrohen të largohen nga shtëpitë e tyre dhe të kërkojnë strehë si refug

Postuar: 08/12/2018 - 07:21

Njohja me një vendim për ngritjen në Shqipëri, të varrezave të ushtarëve grekë të vrarë gjatë Luf

Postuar: 08/12/2018 - 07:20

Një opozitë që nuk frymëzon! Është ky konstatimi që e bën kushdo në këtë vend.