BREAKING NEWS

Publikohet përditësimi më i fundit i Ministrisë së Shëndetësisë, zbardhet shifra: Ja sa të infektuar me koronavirus u shënuan ditën e sotme

Publikohet përditësimi më i fundit i Ministrisë së
x

Opinion / Editorial

Pushtimi i Rinasit!

Pushtimi i Rinasit!

Është më se e qartë, pothuaj ngjarje e sigurt, aksiomë matematikore që nuk ka nevojë për vërtetim se ndërprerja e punës në objektin më strategjikë të Shqipërisë, Aeroportin Ndërkombëtar të Rinasit, të vetmin aeroport funksional, porta hyrëse kryesore ajrore, atje ku zbresin pasagjerët dhe në momentin e tanishëm edhe vaksinat anti kovid, si dhe nga fluturojnë udhëtarët për në shtetet e huaja, është atentati më i rëndë që i bëhet shtetit, institucioneve, shqiptarëve, qytetarëve në nevojë që presin për të udhëtuar për tek të afërmit e tyre. Shumë prej tyre edhe për mjekim në spitale të specializuara që kanë prerë biletën dhe kanë paguar për destinacione të ndryshme. Pushtimi i Rinasit, është vepër e politikës, marrëveshje e fshehtë, tinzare e atyre që duan me çdo kusht të përsërisin atë që kanë bërë gjatë tërë këtyre viteve me veprat e rëndësishme në tokë, nëpër territor, ku janë dashur vite të tëra beteje pa sens për të nisur punët, atyre që kanë ndalur punimet në nyjet më nevralgjike si “Unaza e Madhe” në Astir deri tek këndi i lojërave për fëmijët në Parkun e Madh të Tiranës. Është dashur përleshje trup më trup dhe zvarritje të pajustifikuara të punimeve, vetëm për kapriço dhe penguar zhvillimin e vendit. Pasi mbaruan me veprat në tokë, tani i erdhi radha okupimit të qiejve mbi territorin e Republikës së Shqipërisë. Betejë qiellore, mund të quhet pa frikë. Është pak të quhet atentat kundër sigurisë kombëtare dhe shkelje e rëndë e dinjitetit të shtetit. Është absurde, si mendje të sëmura, individë të çartur, ata që paguhen sa paga e Presidentit, Kryeministrit dhe Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë së bashku në një muaj, paga që shkojnë në total më shumë se treqind mijë euro për çdo muaj dhe në tre muaj një milionë që të merren vesh në heshtje dhe të bëjnë një puç kundër shtetit dhe vetë popullit. Në historinë e aviacionit shqiptar që nga momenti kur në pistën e Rinasit është ulur avioni i parë në atë pistën e thjeshtë që dëgjoheshin fërkimet e gomave të avionëve deri në Tiranë, të veprohet në këtë mënyrë, ku nën petkun e mospagesës së pagës së plotë prej katër mijë euro për çdo kontrollor ajror, të ndërmerret një akt i tillë që nuk është ligjor, pa le më patriotik as i justifikueshëm. Pezullimi i veprimtarisë së ushtrimit të kontrollit ajror, është një aksion që ka në themel, jo interes ekonomik, po vetëm politik. Jemi në një kohë kur pak ditë na ndajnë nga zgjedhjet e përgjithshme parlamentare dhe shteti është i tyri në këmbë për të përmbushur detyrat në interes të qytetarëve. Jemi në kohën kur pandemia është ulur këmbëkryq në vendin tonë dhe nga ajri priten të zbresin në Rinas vaksinat aq shumë të nevojshme për të luftuar virusin vdekjeprurës, i cili po merr jetë njerëzore dhe këndet e njoftimeve të vdekjeve nga kjo sëmundje e rëndë mbushen përditë nga jugu në veri. Është koha kur veprimtaria e aeroportit për vetë kufizimet nga pandemia ka rënë nën pesëdhjetë për qind dhe puna e secilit prej kontrollorëve që vrojtojnë qiejt është gjysmë punë dhe pothuaj secili prej kontrollorëve është në relaks, jo në stres edhe pse jo për faj të tij. Po ndërprerja e paparalajmëruar, jo përmes grevës pasi dihet sipas ligjit dhe Kodit të Punës, greva në objektet strategjike, ku dëmet janë të pallogaritshme dhe cënohet siguria kombëtare, është zgjidhur forma e paaftësisë për punë, ku për çudinë e të gjithëve, brenda një dite u paaftësuan rreth gjashtëdhjetë kontrollorë, të cilët për një ditë shpallën paaftësinë. Në këto rrethana me të drejtë shteti, ministria e linjës kërkoi rifillim të menjëhershëm të detyrës. Dhe denoncoi prapavijën politike të një veprimi të tillë të pashpjegueshëm, vetëm me një qëllim, paralizimin e shtetit dhe një eksperiment si të bllokohen portat hyrëse ajrore të Shqipërisë, vend antar i NATO-s dhe kandidat për konferencën ndërqeveritare për fillimin e negociatave për në BE. Pezullimi i veprimtarisë së kontrollit ajror është jo pezullim, po pushtimi i atdheut tonë, jo në kuptimin figurativ, po edhe në realitet pasi hapësira jonë ajrore është e pavrojtuar dhe në aeroportet shqiptare mund të ulen avionë të mëdhenj të vegjël pa i verifikuar askush. Pra është, jo vetëm një pushtim figurativ, po edhe fizik. Derisa aeroporti më i madh dhe i vemi ndërkombëtar, porta nga fluturojnë në udhëtime të gjata apo të shkurtra qindra avionë të kompanive të ndryshme, që përshkojnë korridoret qiellore drejt Parisit, Bostonit, Milanos, Mynihut, Ankarasë e gjetkë dhe ku pritet të vijnë drejt Tiranës avionë të kompanive që u shërbejnë pasagjerëve shqiptarë dhe të huaj, është jo dëmtim ekonomik, po së pari strategjik, paralizim i jetës dhe shkatërrim i dinjitetit të shtetit dhe njëherësh atentat ndaj integritetit të atdheut tonë. Cilët janë këta veprimtarë të politikës që politizojnë një strukturë të tillë në të cilën presupozohet të jenë rekrutuar individ që duhet t`i shërbejnë Shqipërisë me devocion dhe ndershmëri, pa e ngatërruar punën, shërbimin dinjitoz me politikën? Nga raportimet në media të ndryshme disa prej tyre janë veprimtarë politikë, drejtues të shtabeve të kandidatëve të PD-së që kërkojnë me çdo kusht trazira. Është interesante që pezullimi ndodhi menjëherë pas vizitës virtuale të zyrtarit të lartë amerikan, zotit Palmer, i cili bisedoi me krerët më të lartë të vendit për mbarëvajtjen e zgjedhjeve dhe zbatimin me rigorozitet të reformës në drejtësi. Ndodhi fiks sapo u shuan mikrofonat dhe pamjet nga këto bisedime, të cilat janë në interes të Shqipërisë pasi është një marrëdhënie mes vendit tonë dhe partnerit strategjik SHBA-së. Ndodhi vetëm pak ditë para se të nisi stërvitja më e madhe e NATO-s në Shqipëri. Dhe fluturimi i parë në aeroportin e ri të Kukësit. Ishte një rrufe në qiell të pastër. Dhe kontrollorët, gjetën fiks një ditë të tillë të njoftonin pezullimin, duke vetëngrirë në postet që ata duhet të zbatojnë detyrat e tyre dhe të vrojtojnë hapësirën qiellore të Republikës së Shqipërisë. Nuk është vetëm paga e lartë që i detyron të jenë punonjësit më të përkushtuar në kryerjen e kësaj detyre të shenjtë, po edhe sepse kanë në dorë sigurinë tonë kombëtare, janë syri dhe veshi i ruajtjes së integritetit të Shqipërisë. Ndërprerja e punës nga kontrollorët ajrorë, është vërtet një histori që duhet t`i shkohet deri në fund. Kjo nga të gjitha anët që ta analizosh edhe me dashamirësinë dhe paanshmërinë më të madhe, një puç i mirëmenduar, grusht shteti brenda shtetit. Është pushtim nga brenda dhe ka vetëm një dallim se kryhet nga ata që e kanë detyrë ligjore të na ruajnë ne dhe trojet tona, qiejt tanë për t`i bërë të paprekshëm nga çdo veprimtari antishqiptare që vjen nga ajri apo nga çdo portë tjetër. Është detyrimi i këtyre punonjësve të mirëpaguar, me paga astronomike që të çudisni për vlerën e tyre, të cilat janë baras me pensionet e dyqind pensionistëve në një muaj apo sa marrin dhjetë nëpunës të strukturave ushtarake që veprojnë si të jenë, jo shërbëtorë të shtetit, po sundues të tij. Shteti, organet ligjzbatuese që nga qeveria e prokuroria, gjykatat, drejtësia e reformuar nëse kanë këllqe duhet ta zhbirojnë këtë lojë të pistë dhe ta hetojnë për të nxjerrë përgjegjësitë. Nëse Ministria e Infrastrukturës është fajtore se nuk i ka paraprirë, të shkojë para togave të zeza. Po nëse kontrollorët janë në lojë politike që ka shumë të ngjarë të jetë e vërtetë, të denoncohen dhe të largohen me urgjencë nga një pozicion që e kanë përlyer me papërgjegjshmërinë e veprimeve të tyre që iu bie ndesh interesave madhore të shtetit. Organet e drejtësisë nuk kanë pse të presin. Ato duhet të veprojnë me maturi dhe seriozitet nëse vërtetë këtu jetojmë në shtetin e së drejtës, në demokraci dhe jo në shtetin e bananeve në një republikë parashtetërore. Justifikimi me paaftësi, stres, është alibia për të fshehur qëllimin dhe realitetin. Asgjë nuk justifikon veprimin e militantëve të politikës. Është turp për institucionet që kanë lejuar të penetrojnë në të tilla pozicione individë që e shesin vendin për një euro. Ka njëmijë forma për të gjetur të drejtën. Ka një mijë mënyra për të zgjidhur ngërçet dhe nuk është rruga e faktit të kryer që pezullohet puna e një aeroporti, të vetmit që ne kemi sot për sot. Kontrollorët nuk janë autonom. Ata nuk mund të bëjnë aventura të këtyre përmasave dhe të lënë shqiptarët në mëshirë të fatit sepse u ka zbritur paga e muajit. Pagat le t`i kërkojnë në rrugë normale dhe të mos fshihen pas lojërave të politikës për të krijuar vatra të rënda të shkatërrimit të ekuilibrave shoqërorë dhe institucionalë. Askujt nuk i lejohet të eksperimentojë të tilla akte që janë vërtetë ogurzeza dhe të papranueshme. Aeroporti nuk është pronë e kontrollorëve. Ata nuk janë maliqët që bëjnë ligjin dhe çfarë t`u thotë mendja në një moment të caktuar. Aq më tepër që janë të politizuar dhe të gatshëm të bëhen theror në emër të idealit politik në një kohë kur duhet të jenë avangarda e zbatimit të ligjit, individë me integritet që shoqëria, taksapaguesit i paguajnë katër herë më shumë se paga e kryeministrit dhe vetë presidentit. Është zgjedhur, shtatë prilli që njihet si dita e pushtimit fashist, koincidencë natyrisht për të pushtuar të vetmin portë hyrëse e dalëse nga vendet e tjera dhe këtej nga ne për të udhëtuar drejt vendeve të tjera. Pushtimi i aeroportit është vepër e paramenduar. E llogaritur aq më tepër që ushtarët e zgjedhur, shumica janë kontrollorë që në vend të shërbimit dhe zbatimit të ligjit, zgjedhin t’i vënë traun qiellit blu dhe të kthejnë pas avionët që kërkojnë të zbresin në Rinas. Është një pushtim i trishtë që mbyll një nga portat më të mëdha të Shqipërisë. Sa pasagjerë nuk mbërritën nga destinacionet e largëta këtë shtatë prill në Tiranë! Sa bileta mbetën në xhepat e udhëtarëve që prisnin për të ardhur në atdhe! Sa fëmijë nuk udhëtuan për në spitalet ku kishin lënë rantevu për ndërhyrje të specializuara dhe që u rrezikohet jeta. Pushtim pa paralajmërim. Kyçje e qiellit pa arsye dhe pa asnjë shkak. Ajo që e bën më tragjike këtë veprim është qëndrimi i politikës. Menjëherë u gjet fajtori, si për gjithçka ndodh në këtë vend. Kandidati për kryeministër, Lulzim Basha, deklaroi se Edi Rama e ka bërë vet këtë akt se e di që do humbasës zgjedhjet! Me fjalë të tjera, Rama lufton kundër Ramës. Basha gjithçka e lidh me korrelacionin humbje-fitore. Ku llogarit gjithnjë vetëm fitore me sa duket i entuziazmuar nga parullat e tri dekadave: O, Lulzim, o hero, gjithë Shqipëria ty të do! Parulla e dëgjuar nga gjithë drejtuesit nga e majta në të djathtë, si një slogan i korit të militantëve. Megjithatë, Basha nuk mbajti as një qëndrim kritik qoftë edhe sa për të larë gojën sepse nesër si do ta vlerësonte një akt të tillë të papaprecedentë nëse do t`i ndodhte atij në krye të qeverisë, si do të ndihej dhe si do e interpretonte këtë pezullim nga humbja e aftësisë për të punuar? Sigurisht që do hidhte akuza kundër palës tjetër. Burrat e shtetit në këto moment bëjnë diferencën. Qofshin në pozitë apo opozitë. Tek e fundit, Shqipëria nuk është e njërës palë, është e të gjithëve dhe na takon të gjithëve nga më i vogli tek më i madhi, ta mbrojmë nga gjithë ata që duan ta poshtërojnë. Se vetëm poshtërim është ky akt. Nëse një veprim i tillë do bëhej pa asnjë paralajmërim diku tjetër, ashtu siç ka ndodhur në drejtimin e Presidentit Ruzvelt në SHBA, të gjithë do dërgoheshin në shtëpi dhe drejtësia le të vepronte ndaj atyre që meritojnë të vihen para përgjegjësisë ligjore. Sipas organizatorëve dhe aktorëve të bllokimit të radarëve, fikjes së prozhektorëve dhe sinjaleve, radiove, formave të komunikimit që lexojnë rrugët e trafikut ajror që nuk u frynë bilbilave, po ndjekin koordinatat e lëvizjes së “pallateve” fluturuese nëpër qiejt e botës, kur e gjitha kjo është për arsye parash, eurosh më shumë pasi kontrollorët janë si ditifry dhe nuk mund të paguhen me para shqiptare, po me euro sepse i takojnë tokës neutrale dhe u duket vetja se janë në tokë tjetër, atje ku shkëmbimet bëhen me euro. Vetëm Meta na kuptoi, deklarojnë kontrollorët e bllokimit të aeroportit. Vetëm ai në dëgjoi. Askush tjetër. Dhe si për çdo lojë me veprime të tilla, siç ka ngjarë kurdoherë në Shqipërinë e këtyre tri dekadave, gishti vihet mbi njëshin e ekzekutivit. Ai përgjegjësohet edhe për veprimet e kontrollorëve që jo pak prej tyre janë politikë dhe jo të depolitizuar. Me të drejtë, kryeministri kërkoi nxjerrjen e përgjegjësive dhe rifillimin e menjehershëm të punës. Po nuk mjafton kjo kërkesë. Është urgjente që të nxirren përgjegjësitë dhe shkaktarët të shkojnë para drejtësisë. Nëse edhe drejtësia nuk e kryen punën e vet, atëherë kryetari i qeverisë shqiptare duhet të veprojë në kushtet e emergjencës kombëtare, ku rrezikohet integriteti i vendit dhe atdheu është në rrezik. Ka shumë specialistë të tjerë që janë të gatshëm të punojnë edhe me një euro, siç kanë punuar prej vitesh shqiptarët idealistë në interes të Shqipërisë dhe atdheut tonë. Dhe kontrollorët meqenëse janë në paaftësi kolektive, le të marrin pushimet deri sa të riaftësohen. Dhe në mungesë të tyre kontrollorë të tjetër të specializuar, burra dhe gra të sakrificës, shqiptarë të dinjitetshëm të marrin në duar fatet e Aeroportit Ndërkombëtar të Rinasit. Duke i dhënë fund pushtimit të Rinasit nga papërgjegjshmëria. Dhe pastaj sipas ligjeve në fuqi, kontrollorët aktualë le të rivlerësohen sipas kritereve të rekrutimit të nëpunësve civilë të një sektorit të rëndësisë së veçantë siç është aeroporti, i cili nuk mund të mbetet në mëshirë të fatit. Shtet vepro! Ndryshe do gjendemi para eksperimenteve të tjera të këtij lloj dhe radha do jetë e doganave, porteve, rrugëve, autostradave kudo që janë nyjet nevralgjike të shtetit dhe ekonomisë tonë kombëtare. Me sa duket, Rinasi është prova e parë për të vijuar me një zinxhir të gjatë të paralizimit të vendit me synim e diskreditimit të Shqipërisë dhe rrëzimin e qeverisë pa zgjedhjet që janë në prag. Përballë aventurës së ca kontrollorëve është shteti, forca e ligji dhe Kushtetuta e Shqipërisë, e cila duhet mbrojtur me të gjitha format demokratike. Ndryshe, fajtorët konvertohen në viktima dhe institucionet do humbin legjitimitetin dhe do mbeten pa asnjë vlerë.