Lajme të tjera
BREAKING NEWS

“3 programe të reja nxitjeje të ...”, kryeministri Rama bën publik vendimin më të fundit të qeverisë dhe jep lajmin e mirë

“3 programe të reja nxitjeje të ...”, kryeministri Rama
x

Opinion / Editorial

Që anti-KÇK-ja të anulojë shprehjen "qeni që leh s'kafshon"!

Që anti-KÇK-ja të anulojë shprehjen "qeni që leh

Para shumë vitesh, po ecnim buzë një pllaje të mrekullueshme diku mes malesh në aksion për mbjelljen e fidanëve të pishave. Ishte dhjetor, por kohë e bukur. Nga maja e një kodre të vogël dëgjojmë një lehje qeni dhe pamë disa bagëti, të cilat po i shoqëronte një bari, por në moshë. U përshëndetëm dhe pasi na pa se ishim thjesht aksionistë na thotë "ju lumtë djem" se kështu ju "do partia" dhe i tha qenit- pusho se janë tanët. Një shok imi i thotë si me tallje: Poooo çfarë qeni paske, ky vetëm leh e nuk të bën asgjë. Bariu i moçëm i kthehet: Po ky është vetëm me leh, jo "me kafshue", kurse ai që të kafshon është "qi ki ktu". E realisht mes deleve ishte një alamet qen stani me ca sy të tmerrshëm, që kishte marrë urdhër nga i zoti të mos na sulmonte sepse do të na kishte bërë copë-copë. E ai nuk dinte me leh, ai vetëm sulej dhe të bënte....! Bariu na e shpjegoi pse i mbante të dy dhe na porositi të ishin vigjilentë për kur të kalonim afër tufave apo staneve të zonës, sepse kishte plot prej atyre qenve të mëdhenj të staneve që turreshin menjëherë pa lehur fare. Ku e kam fjalën? Edhe presidenti i PE-së Sassoli ose ish-gazetari italian, falënderoi iniciativën për anti -KÇK-në dhe biles tha se ishte diçka - gati si italiane. Pra në një farë mënyre anti-KÇK-ja u aprovua dhe nga ndërkombëtarët, por ka diçka te ne që i "zbyth", i sfumon të gjitha iniciativat dhe kjo nuk është vetëm pabesueshmëria në shoqëri dhe shqiptarët në përgjithësi. As te sulmet e opozitës për çdo gjë që ndërmerr mazhoranca apo Rilindja, apo më mirë vetë Rama. Pra nuk është vetëm mërzitja e madhe me gjithë iniciativat për të pasur sukses kundër korrupsionit dhe krimit dhe që në përgjithësi kanë përfunduar në një hiç, në kosh të plehrave dhe akoma më keq krimi ka marrë një lloj revanshi për tu transformuar dhe ai me "kërkesat e reja të kohës". E ky është problem i madh. Prandaj solla në kujtesë atë punën e qenit "që nuk leh, por kafshon" ose zhgënjimi i madh me institucionet që janë bërë që të mos lehin, por të kafshojnë! Ndjesë për krahasimin, por sigurisht kështu është. Pra institucionet dhe organizmat e përndjekjes ndaj krimit dhe pasurive të tij, që nuk duhet të "lehin" që të largojnë kriminelët, por të kafshojnë dhe mos tju lënë kohë as të riorganizohen! Duket sikur është një krahasim pa vend, por më pa vend janë trumbetat e mëdha, "show" i madh me anti-KÇK, i cili kur vonon si punë konkrete apo dështon si zakonisht, e bën një shoqëri jo thjesht mosbesuese, por "besuese" se krimi dhe politika janë një. Ose janë bashkë dhe luajnë në sy të njerëzve sikur po ndjekin njëra-tjetrën. E kjo është gjëja më e keqe që ka ndodhur në Shqipëri. Kush nuk e di, se kemi pasur gjyqtarë kriminelë po aq të poshtër sa dhe ata kriminelët e drogës dhe të trafikut. Por po kështu i kemi akoma sot dhe në politikë. Ka dhe në Kuvendin e Shqipërisë dhe kryebashkiakë që dalin përditë dhe të fortë të tjerë të mbështetur politikisht. Afër tyre i kemi dhe sot në polici dhe rreth e rrotull organeve të rëndësishme anti-krim. Sigurisht që është bërë një punë e madhe dhe kjo nuk mohohet, por nuk kemi pasur dhe akoma nuk kemi prova për ndryshe të prokurorisë, që ka frikë, që zbythet para krimit dhe akoma më keq i shërben. KM-ja i Shqipërisë ka të drejtë për KÇK-të sepse ashtu janë kriminelë dhe tani ju ka mbetur të veprojnë me çfarë ju ka mbetur në kurriz të shtetit dhe shoqërisë, por në anti ligj të qartë dallueshëm duke mos ju hyrë asnjë ferrë në këmbë. Mirëpo të tillë gjyqtarë dhe prokurorë kanë pasur një mbështetje si te krimi dhe te politika. KÇK-të në Shqipëri kanë dy litarë ku janë mbajtur fort. I pari është litari i politikës dhe i dyti ai i krimit në rrugë, trafikut dhe drogës. E gjithë puna sillet te paratë dhe bota e biznesit, e krimbur me të tillë "valutë" që gjyqtarët e prokurorët bashkë me politikën, e kanë bërë të ligjshme në prona, në bregdet, në resorte dhe në pasuri të mëdha në të gjithë Shqipërinë. Kush dreqin nuk e di këtë mynxyrë që ka gjetur këtë vend të mjerë?! Po si ka mundësi të besosh që vetëm me një forcë policore dhe me një ligj anti-KÇK do të shkulësh një të keqe të madhe, e cila është me tentakula dhe metastaza të jashtëzakonshme që kryesoren kanë kolonën mbajtëse të shtetit ose – politikën?! Pra KÇK-të nuk luftohen pa ju prerë lidhjen me dy litarët e qartë kur varet dhe mbahet që janë krimi dhe politika. Kurse me "show" dhe paralajmërime - se tani që po vjen anti-KÇK-ja do tju... kështu dhe do tju... ashtu, janë marrëzi dhe fjalë në erë të thëna gati gati për lajmërim, që të fshihen, ose transformohen, sipas nevojës në këtë kohë. Janë fjalë në erë dhe janë pikërisht si ai qeni që leh, por nuk kafshon. Askush nuk ka nevojë për të tillë "roje" tufe. Nuk ka nevojë për "kalina" (qenushë të vegjël) që lehin ham ham ham dhe hënës kur del. Në të vërtetë, ka nevojë për atë që të kafshon, që të ha - shkurt problemi. Kur bëhet kaq shumë shfaqe dhe kaq shumë publicitet, kaq shumë lojëra fjalësh dhe premtimesh apo kërcënimesh ka shumë mundësi që të fryhemi sërish me "lehje kaline" që nuk kafshon, por lajmëron. Akoma më keq, kur i bëjnë dhe kryepolicët show, sepse me politikanët dhe qeveritarët jemi mësuar dhe askush deri sa të bëhet ndonjë goditje, kurrë nuk ka për t’i besuar. E kanë plotësisht të drejtë, sepse janë të pabesueshëm dhe të dyshueshëm. Por kryepolicët dhe njerëzit e uniformës - sëpaku ata të mbyllin gojën, të shtrëngojnë dhëmbët dhe të veprojnë pa paralajmërim dhe pa asnjë shfaqe spektakolare premtimi, që do të bëjmë kështu dhe ashtu prandaj - dridhuni o ju... Sa më shumë me shfaqe dhe sa më shumë me televizione e kamera, aq më shumë ka fushë të lirë krimi dhe KÇK-të dhe aq më pak gëzim dhe besim publiku. Kurse në fakt, institucionet nuk trumbetojnë, as nuk japin show. Ato ju dalin përpara krimit dhe parave të tij, KÇK-ve që po bëjnë edhe sot namin dhe i kafshojnë. Përndryshe edhe kësaj herë - si gjithherë.