BREAKING NEWS

“Meta si oktapodi”, shpërthen Frrok Çupi dhe lëshon paralajmërimin ‘bombë’ për Presidentin: Çështja e floririt do të...

“Meta si oktapodi”, shpërthen Frrok Çupi dhe lëshon
x

Opinion / Editorial

Që Pogradeci, të blerojë në të gjitha stinët!

Që Pogradeci, të blerojë në të gjitha stinët!

Duket sikur Zoti u plotësoi edhe kërkesën e fundit pogradecarëve atë, që të kenë përfaqësuesen e tyre në organin më të lartë legjislativ, Blerina Gjylametin, vajzën e tyre të ëndërruar prej kohësh. Blerina, ua di hallet dhe u përshtatet zakoneve të tyre, shijes dhe gustos së tyre për të patur gjithçka të bukur ashtu si “dhuratat” e shumta që u ka falur natyra e që i meritojnë këta njerëz punëtorë, të ditur, të aftë, zemërbardhë, mikpritës si askush tjetër. U ka falur Zoti bukuritë natyrore, pasuritë e shumta mbi e nëntokësore, liqenin, vlerat historike. Bukuritë natyrore të pleksura me bukurinë shpirtërore të pogradecarëve, shprehet edhe nëpërmjet syve të Blerinës, shqetësimeve të saj fjalëve që asnjëherë nuk i ka bërë dysh, këmbënguljes dhe vendosmërisë së saj për vepra të bukura ashtu si Pogradeci i meriton. “Tani po, tani jemi dakord me juve znj. Blerina, i thotë midis të tjerave një nga banorët e fshatit të saj, Pleshisht. Juve jeni vajza jonë dhe duke ju njohur që juve nuk e bëni fjalën dysh, kemi edhe ne të drejtën që në të ardhmen të kërkojmë më shumë për zgjidhjen e halleve tona, të themi edhe një llaf më shumë sepse në fund të fundit e dimë që ia themi vajzës tonë, ia themi motrës tonë dhe jemi besimplotë që ajo do të dijë se si do të veprojë”. Kuvendon shtruar Blerina, me të moshuar, me të rinj e të reja në çdo fshat e në çdo shtëpi, me çdo biznes, me gra e vajza. Të gjithë i shprehin shqetësimet, i tregojnë edhe rrugët për të përmirësuar gjendjen, për të ecur përpara. Me asnjë përfaqësues të forcave të tjera politike, nuk i kanë shprehur kaq qartë dhe prerë qytetarët pogradecarë sa ia shprehin Blerinës. “Blerina e di ku na “dhëmb” neve prandaj edhe “ilaçin” e kërkojmë prej saj, sepse kemi besim që vetëm Blerina e gjen atë dhe kjo është zgjedhja më e mirë që ka bërë Partia Socialiste, thotë një grua që ka një biznes të vogël në Zonën e Trebinjës, Mokra e Sipërme. Bashkia nga ana e saj na ka ndihmuar megjithë kohët e vështira që kemi kaluar prej pandemisë, duke na falur tarifat e duke na krijuar lehtësira në punën tonë. Ne, dimë kujt t’ia japim votën, kujt t’i hapim zemrën”! I hapin portën në çdo shtëpi, i hapin zemrën e mbushin me mirënjohje. Janë të bindur sepse e njohin vendosmërinë e saj, këmbënguljen e saj për t’i bërë realitet edhe ato që deri dje dukeshin si ëndrra. E kanë këtë besim qytetarët pogradecarë tek kjo forcë politike, ashtu si e kanë parë të konkretizuar besimin e tyre tek Ilir Xhakolli, aktualisht kryetar i bashkisë, i cili e mori në dorëzim këtë institucion me pesë milionë euro borxhe... Vizita e parë e Blerinës bëhet në lagjen e Vjetër të qytetit, atje ku ndodhen shtëpitë e dy mendjeve të ndritura të Pogradecit, Lasgush Poradeci dhe Mitrush Kuteli. Këta kolosë të dijes e kulturës, akoma qëndrojnë ashtu “të përgjumur” sepse dikush duhet t’i “zgjojë” dhe jo vetëm kaq, por të bëjnë atë që ata të “flasin” e të “tregojnë” vetë. Këto mendje të ndritura që kanë bërë epokë, janë të gjysmës së dytë të shek të kaluar, por ka edhe shumë më të hershëm qysh nga thellësitë e lashtësisë, që edhe ata kanë shumë për të treguar, po duhet që të “zgjohen nga gjumi”. Ata presin e janë të gatshëm të “dëshmojnë”. Ajo ç’ka është më kryesorja, u shpreh një intelektual në Lagjen e Vjetër Topolec, “duhet që këto vlera historike t’i bëjë që të “flasin” me gjuhën e tyre, me gojën e tyre dhe që të bëhet kjo, ato duhet të “gërvishten” me investime, me projekte”. Pogradeci përveç vlerave në fushën e dijes, ka edhe pasuri të mëdha mbi e nëntokësore, ka një klimë të mrekullueshme për të gjitha llojet e bimësisë, ka potenciale turistike si rrallëkund tjetër. Ato që janë bërë në këta vitet e fundit, janë të dukshme, të prekshme. E tillë është rruga nga fshati Lin në hyrje të qytetit. “Krahasuar me të kaluarën është bërë shumë, por krahasuar me të ardhmen, atje ku duhet të synojmë, kemi shumë për të bërë dhe ne, do t’i bëjmë shprehet Blerina, sepse projektet tona, janë ambicioze, janë përpjekje për të bërë më të mirën e mundshme në interes të qytetarëve që të rinjtë e të rejat ta shohin të ardhmen këtu në vendin e tyre, në fshatin e tyre, në qytetin e tyre. Si gjithë Shqipërinë edhe Pogradecin natyra e bëri një “perlë” me bukuri të rralla natyrore me male e fusha pjellore, me liqene. Sa shumë “xhevahire” ka Pogradeci, sa shumë vlera historike presin që dikush të kujdeset Lungoliqeni apo Lungogjoli siç e quajnë pogradecarët, do të vazhdojë gjatë gjithë buzës së liqenit deri në fshatin Tushemisht me një investim prej më shumë se tridhjetë milionë euro, përfshi këtu edhe rikonstruksionin e katër vilave në Volorekë. Ish-vilat qeveritare, do të kalojnë në pronësi të bashkisë ku njëra prej tyre do të bëhet “shtëpia e artistëve”, tjetra qendër rinore, e treta muzeu i qytetit dhe tjetra do të jetë në varësi të bashkisë. Dinë pogradecarët se si të pleksin dijet e dijetarët, artin dhe kulturën, traditën, perspektivën… Këto do t’i bëjnë gjeneratat e reja. Janë të gjitha mundësitë që “pranverë” të ketë edhe në dimër në vargmalet e Valamarës, atje ku buron lumi Shkumbin, atje ku ndodhen liqenet akullnajorë në lartësi mbi 2000 m mbi nivelin e detit. Është publikuar Plani rregullues i qytetit dhe tërheqja e investitorëve të huaj në fushën e turizmit, në fushën agroushqimore, hoteleritë dhe punësimin. Brenda një kohe të shkurtër do të ndërtohen gjashtë ujësjellës të rinj dhe të gjithë fshatrat brenda më pak se një vit do të furnizohen me ujë të pijshëm për njëzet e katër orë. Kryesore është që turizmi në Pogradec të jetë në të katër stinët e tij, duke i dhënë prioritet turizmit familjar, ngritjes së bujtinave turistike dhe zhvillimit të blegtorisë si më e mundshme kjo për vetë vështirësitë që paraqet zhvillimi bujqësor për mungesën e krahëve të punës nga emigrimi i të rinjve në vende të tjera. Nuk kanë qenë të pakta edhe pengesat për përfundimin e projekteve të nisura dhe investimet si pasojë e tërmetit dhe pandemisë. E megjithatë ato do të vazhdojnë duke përqëndruar vëmendjen në përmirësimin e infrastrukturës rrugore, e cila është pothuaj e gjitha e degraduar në të gjitha degëzimet e rrugëve që të çojnë në objektet e kultit, si varret e Mbretërve Ilirë, Kisha e Shën Morenës etj., që më pas këto degëzime të lidhen me aksin kryesor atë të rrugës Qukës Qafë Plloçë, që pritet të përfundojë vitin e ardhshëm, e cila kjo, do t’i japë frymëmarrje të gjithë zonës së Pogradecit e në mënyrë të veçantë zonave malore siç është Mokra e Sipërme. Që edhe Pogradeci, të mos e shohë veten më prapa Korçës, ky mandat do të jetë mandati i Pogradecit, në të gjitha fushat e jetës. Për Pogradecin flet historia qysh nga shek IV p.e.s dhe që ajo të “flasi”, duhet të zgjohet. “Zgjimi” fillon me kalanë në hyrje të qytetit ku do të ndërtohet teleferiku për vizitorët dhe krahas këtij do të ndërtohet edhe një rrugë që enkelejtë, si banorët më të hershëm të zonës së Ohrit, t’i jepet mundësia që të “shëtisin” edhe me kuaj mbas të cilëve ata ishin të apasionuar, siç ishin edhe mbas peshkimit. Me fonde dhe projekte do të “zgjohen” e do të tregojnë shumë edhe mbretërit ilirë, të cilët e “panë të arsyeshme” dhe zgjodhën vendin më të përshtatshëm për t’u prehur në përjetësi, fshatin Selcë në Mokrën e Poshtme. Edhe këta, do të “tregojnë” historitë dhe betejat e tyre, ku edhe brenda varreve, kanë hapur edhe kamaret për vendosjen e armëve. Kanë shumë për të treguar edhe piktorët me famë, vëllezërit Anastas dhe Konstandin Zografi nga fisi Vako i fshatit Podgozhan, nga fisi i të cilëve ishte edhe nëna e Tefta Tashko Koços, Elena Zografi (Vako) e shumë të tjerë. Në lagjen Topolec, siç quhet lagja e vjetër është edhe ndërtesa e Shkollës së parë Shqipe, e cila erdhi në Pogradec, vetëm një javë mbasi ajo u hap në qytetin e Korçës, me përpjekjet e tregtarëve të qytetit babait të Lasgush Poradecit dhe Mitrush Kutelit. Në këtë lagje do të ndërtohen edhe shtëpitë muze të Lasgush Poradecit dhe Mitrush Kutelit, të lëna mbas dore deri në ditët e sotme dhe bashkë me pazarin e saj që ngjason me Pazarin e Korçës do të bëhet një investim prej katër milionë euro. Për këtë ka projekte dhe janë parashikuar investime që në të ardhmen të “flitet” me mendimin dhe gjuhën e mendimtarëve të mëdhenj të këtij qyteti, për të mos mbetur prapa nga “shokët” e tjerë dhe sidomos “komshijes” së tij, Korçës. Nuk qëndron më prapa as Gjergji Pekmezi, i cili hapi katedrën e parë të gjuhën shqipe në Austri në gjysmën e dytë të shek të XVIII-të, e cila ka ndihmuar edhe dijetarët e mëdhenj j si Eqrem Çabej, Aleks Buda, Jovan Basho. Pogradeci, është pëllëmbë e histori. Guri i Nikës, është vendi ku mblidheshin kapedanët dhe patriotët e ardhur nga të gjitha trevat, nga Çermenika, nga Shpati, Vërcë –Sulova, Bërzeshta, Opari, Mokra. Mblidheshin atje çdo vit qysh nga viti 1839 për të kundërshtuar reformat e Tanzimatit. Ka shumë për të folur për Pogradecin, por le t’ua lemë radhën votuesve për të folur për të ardhmen e tyre, për perspektivat që i çelen në të ardhmen që për të bërë realitet e për të “shijuar” cilësitë e tyre të vyera. Këtë, qytetarët e të gjitha moshave, ia thonë Blerinës, e cila siç shprehet “për mua dhe jo vetëm, është kënaqësi të punosh me pogradecarët, me këta njerëz të mrekullueshme, për të cilët ne, e ndjejmë veten “borxhlinj” dhe këtë do t’ua shpërblejmë me punë, me projekte konkrete, me investime”. Pogradecarët, dinë kujt t’u besojnë, u besojnë atyre që kanë vizion për të ardhmen, njerëzit që nuk zhgënjejnë dhe këtë e kanë treguar me vepra. Dhe që Pogradeci të jetë pranverë në të gjitha stinët, duhej edhe Blerina, si zgjedhja më e duhur politike, Partia Socialiste për të bërë realitet këtë ëndërr. Të tillë janë edhe njerëzit me vizion si Blerina për të plotësuar atë ç’ka ishte mangësi nga e kaluara, që Pogradeci të eci në rrugën e përparimit e të mirëqenies. Kështu do të realizohet edhe ajo ç’ka ëndërronte Lasgushi tek poezia e tij “Dremit liqeri” kur shkruante: “Po ndizen yjte dal-nga-dal / Plot bukuri plot fshehtësi / Në këtë çast perëndimor / Ndaj po më dehen sytë e mij”…