Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Që të mos themi më, po ky ç’pati xhanëm?

Postuar: 17/03/2019 - 07:35

Është një pyetje që qarkullon dendur në këtë qerrata demokraci. Nuk do të dijë njeri kush je e ku je. Ka nisur një farë shoqërie, brenda së cilës loz interesi. Të bën shok e mik tjetri në mes të rrugës dhe pa e kuptuar të lë në mes të rrugës. Ke ngrënë bukë me një lugë me tjetrin, ke ngrënë dhe një barrë kripë, pastaj të bëhet krejt i huaj. Më tregonte një miku im për një kapter në një repart ushtarak në qytetin e Krujës, i cili nuk kishte njeri dhe komanda i kishte thënë të hante gratis me ushtarët, edhe pse jashtë rregullave. Por një ditë kishin harruar t’i linin për të ngrënë dhe ky farë kapteri vuri alarmin duke harruar që hante kontrabandë në repart. Ai vajti u ankua te komandanti, po kur ja kujtuan si ishte e vërteta, u zemërua dhe nuk i fliste më komandantit. Aty u dëgjua pyetja e shokëve: “Po ky ç’pati?” Kjo ngjarje i takon një periudhe të hershme, por me ndryshimin e sistemit, është bërë e pritshme. Le ta fillojmë nga politika. Kryeministri Edi Rama i kërkon bashkëpunim Lulzim Bashës, por ai nuk pranon asnjë kontakt me të! Dhe njerëzit thonë: “Po ky ç’pati, xhanëm? Nga ç’ kontinent të panjohur të ketë ardhur Rama e nga cilat shkretëtira Lulzimi? Janë dy figura që do të rrezatonin kulturë e miqësi për të gjithë shqiptarët, por bëjnë të kundërtën. Nuk na dolën 50 e ca vjet, që me një pjesë të mirë të popullit ndenjëm me koka mënjanë, po duhet të ecim ende në atë rrugë. Demokracia është kulturë e konkurencë jo inat. Ne e ndryshuam sistemin që të mos i ndërrojmë rrugën njëri-tjetrit kur të ishim përballë, as të shtrembërojmë kokat. Vijnë në Shqipëri delegacione e personalitete të fushave të ndryshme dhe takohen me udhëheqjen tonë, kurse opozitarët nuk flasin e takohen me kundërshtarët politikë në Shqipëri! Ulërin opozita se kryeministrin do ta heqim zvarrë. Po e dinë ata, se ai është zgjedhur nga një milion e ca votues shqiptarë? I bie që të heqësh një milion e ca votues tok me të, ose të përleshen shumica me pakicën e të vriten me njëri-tjetrin. Ne mezi e hoqëm luftën e klasave, opozita ngul këmbë që ajo të bëhet më keq se atëherë. Ku po vemë kështu? A nuk po i drejtohemi një lufte civile?

E keqja është se kjo mëri e krerëve të partive ka zbritur në të gjithë shtresat e shoqërisë. Në Skrapar e bënë copë kryetarin e një partie për motive politike. Në sistemin që lamë pas kishte qejfmbetje se nuk pranoheshin në parti njerëz me formim të plotë profesional e kulturor, po atëherë një parti ishte, tani ka parti për të gjithë, që i ndryshojnë sipas stinëve, atëherë përse të grinden. Këto ditë kanë hyrë në Kuvendin e Shqipërisë ligjërisht disa deputetë që kanë dalë kundër vendimit politik të partive opozitare dhe është ngritur një re e zezë mbi ta duke i quajtur tradhtarë! Po ne jemi në pluralizëm dhe nëse nuk përshtatesh dot me programin e partisë që ke vajtur ashtu si ke vajtur, kalon në partinë tjetër. Tani na ka filluar një marifet tjetër. Konflikti ka hyrë në familje. Djemtë venë e bëjnë dallavere me pronat dhe i nxjerrin pa pronë e pa shtëpi prindërit. Çiftet nuk e kanë për gjë dhe e ndan gruaja burrin dhe e nxjerr jashtë shtëpisë. Këto ditë po vjen vërdallë e kërkon strehim një miku im, se me dallavere e ka përzënë gruaja dhe fëmijët! Dhe njerëzit zënë e pyesin: “Po ky qe njeri i mirë, ç’pati?” Kam njohur dy njerëz, që thuajse ishin si vëllezër. I kishim zili të gjithë. Një ditë ata e prishën atë miqësi fare pa pritur. Njëri i kishte kërkuar ca lekë tjetrit dhe i kishte caktuar një afat të shkurtër për t’ia kthyer. Mirëpo kaluan disa afate dhe borxhliu nuk po dukej më. Me që Skrapari ishte i vogël dhe i takonte të kalonin dhjetë herë në ditë te ura e vetme e qytetit, ai kërkoi transferim dhe u largua nga rrethi! Miku i tij nuk po qante më lekët, por humbjen e një miku, që kishin vite me atë miqësi. Banorët e qytetit, që i njihnin si model miqësie, po pyesnin: “Po ata ç’patën që u prishën?”

Për të prishur ne marrim notën maksimale në gjithë botën. Në Skrapar nuk lanë gjë pa prishur ata që sot ulërijnë pse s’kemi institucione e kanale vaditëse. Të parën dogjën bibliotekën e rrethit. Zaten Skrapari, nga urrejtja që kishin për pushtuesit, kur u çlirua Çorovoda, të parën dogjën arkivën e fashizmit, pa menduar se ato do të duheshin si dëshmi për ato masakra që kishte bërë fashizmi në Skrapar. Po e keqja jonë më e madhe është se po prishim veten, familjen dhe miqësinë mes nesh, që i kemi patur të shenjta. Në kohë të vështira kemi mbajtur njëri- tjetrin mbi supe e me bukë. Kjo ishte një traditë që ne po e shkallmojmë çdo ditë nga pak. Ne e dimë që në kapitalizëm secili punon për vete, po ne po instalojmë një kapitalizëm që po na ndan nga njëri -tjetri. Mirë pasurinë, që secili e ka për vete, po miqësinë e dashurinë për njëri-tjetrin përse ta kufizojmë. Opozitar do të thotë të korrigjojmë njëri-tjetrin, jo të gëzohemi kur gjitoni ynë ecën drejt greminës. Ai që ikën është shoku ynë që nesër do të na duhet të na hedhë një lopatë dhe tek varri. Po na ndodhin ngjarje tepër tronditëse në marrëdhëniet me njëri-tjetrin. Para ca kohe në Durrës vdiq babai i dy djemve, njëri prej të cilëve ishte në Angli. E lajmëroi vëllai të vinte ta varrosnin, se nuk kishte lekë, po ai nuk iu përgjigj. Babai mbeti pa varrosur tri ditë, sa erdhi një kushëriri i tij nga Devolli, që e mori dhe e varrosi në Devoll! Ikin të rinjtë jashtë shtetit dhe harrojnë ç’kanë lënë pas. As kanë marrë mundimin të ulen një copë herë e të pyesin veten, se kush i ka bërë e rritur ata. Në qytetin e Çorovodës është një djalë që dimër behar fle përjashta. Pranë i rri një qen, që i bën shoqëri edhe ditën ngado që ikën ai. Ai nuk i ka prindërit, po ka njerëz të tjerë në familje e fis. Qeni është më human se disa njerëz. I ndjeri Zylyftar Veleshnja kur ishte gjallë gjeti një fëmijë në rrugë, që endej gjithë ditën dhe e morie në shtëpi. E rriti tok me dhjetë fëmijët e tij dhe ai djalë sot është kryetar i organizatës së familjeve të dëshmorëve në Berat. 

Nga Enver CAKAJ

 

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 16/06/2019 - 10:55

Dekretimi, çdekretimi dhe sërish dekretimi i datës së zgjedhjeve, çdo ditë e më shumë po kthehen në një melodi tallavaje të cilat të japin ndjesinë e një  miksazhi erë qoftesh, bërxol

Postuar: 16/06/2019 - 07:41

Sa herë nis të shkruaj për dëshmorët, mendja më shkon edhe te familja Zherdi me Katër Yje të Pash

Postuar: 16/06/2019 - 07:38

Është jo e habitshme, por është jashtëzakonisht e turpshme në vitin 2019-të kur forca politike që

Postuar: 16/06/2019 - 07:35

Nuk është hera e para që presidenti aktual Ilir Meta merr vendime që dëmtojnë më shumë figurën e

Postuar: 15/06/2019 - 07:15

Ka një dallim esencial midis protestave qytetare, lëvizjeve popullore nga protestat e turmave, të

Postuar: 15/06/2019 - 07:14

Për një kohë jo të shkurtër, Shqipëria kishte dy parlamente.

Postuar: 15/06/2019 - 07:12

Frika dhe interesi janë dy forca që i bashkojnë njerëzit.