BREAKING NEWS

Rrëfimet e Spartak Brahos: Berisha e quante UÇK-në marksiste dhe të formuar nga UDB-ja, ja si “gjeneralët” e tij takuan Arkanin

Rrëfimet e Spartak Brahos: Berisha e quante UÇK-në marksiste
x

Opinion / Editorial

Qeshni zotërinj kur shahet Shqipëria!

Qeshni zotërinj kur shahet Shqipëria!

Qeshni zotërinj, kur shahet Shqipëria, gëzohuni, bini daulleve dhe trumbetave, hidhni valle, dehuni nga gëzimi, po përçmohet Shqipëria, nuk po lejohet të hyjë në Europë! Qeshni, përplasni duart nga gëzimi, bashkë me serbët, grekët, rusët se- Shqipëria ka probleme! Pushteti juaj është më i ëmbël dhe më i rëndësishëm se atdheu ynë. Të them të drejtën të çudit gëzimi i këtyre njerëzve, që shpesh bërtasin dhe ulërasin se e duan Shqipërinë! Zgjedhja e kryeministrit si drejtues i OSBE-së, ishte një nder, respekt dhe vlerësim, që po i bëhej Shqipërisë. Për çudi, opozita e baltosi këtë ngjarje vlerësuese për Shqipërinë dhe për shqiptarët. Në një artikull të saj ajo do të trumbetonte se: OSBE me Ramën kryetar të saj, përbën një vetëvrasje për të edhe se gjoja OSBE me Ramën kryetar, kishte vendosur të hynte në një cikël vetëshkatërrimi dhe se ardhja e Edi Ramës në krye të saj ishte gjetja e duhur për t’i dhënë asaj goditjen dërrmuese. Ajo citon: “Pas kësaj njolle të zezë në CV, kush mund ta shohë më si të besueshme OSBE-në? Kredencialet e saj kanë rënë në tokë”. Kjo opozitë mohon punën e një drejtuesi shteti, të një shqiptari, të një bashkëkombësi të vet dhe me qëllimin e keq, vlerëson punën e suedezëve të një jo bashkëkombësi të vet, të cilët do të marrin drejtimin e OSBE-së pas Ramës. Prapë citon: “Të bëjnë një punë titanike, që mund të rikuperojnë nderin e humbur të këtij institucioni në një vit. Një pastrim kimik, një kirurgji, një sterilizim me themel, do të lypset për të rikthyer imazhin e ndotur”. E çuditshme është se edhe grekët dhe serbët nuk e pritën mirë dhe e përfolën: si një zgjidhje jo e duhur vendosjen e Edi Ramës, kryeministrit shqiptar në krye të organizatës europiane për zgjedhjet dhe krizat OSBE, duke qenë në rezonancë me opozitën shqiptare. Është i turpshëm ky deklarim, pasi ka ardhur koha që edhe ne shqiptarët, t’i bashkohemi Europës dhe specialistët tanë të talentuar, apo politikanët tanë të marrin pjesë në të gjitha organizatat europiane dhe botërore dhe bile të jenë drejtues të saj. Kjo është një meritë që tashmë njerëzit tanë të të gjithave fushave e kanë merituar me shkollimin edhe eksperiencën e tyre. Por ja! Nuk qenkan vetëm grekët dhe serbët, ata që nuk e duan Shqipërinë në Europë, që dashkan vetë drejtues në këto organizata të mos jenë shqiptarë, por na qenkan edhe vetë shqiptarët e marrosur që nuk e duan këtë gjë! Edhe këtë qëndrim dashakeq ndaj pjesmarrjes dhe vendosjes së personaliteteve shqiptare në vende drejtuese në institucionet europiane, mban edhe vetë Presidenti i Republikës. Atij i takonte të shprehte një mesazh urimi, për këtë gëzim të gjithë shqiptarëve, por me heshtjen e tij: as mish as peshk, të lë të kuptohet që edhe ai nuk është fare i kënaqur me këtë zgjedhje europiane në vlerësim të Shqipërisë. Opozita dhe njerëz dashakeq të Shqipërisë, u gëzuan dhe trumbetuan- nisjen e procedurave të Parlamentit holandez për kthim të regjimit të vizave me Shqipërinë për zonën Schengen. Me kërkesë të Parlamentit holandez u kërkua: pezullimi i lëvizjes së lirë të qytetarëve shqiptarë nëpër Europë, si dhe kemi kërkesën për nisjen e “Frenave të dorës”, si masë emergjente gjoja të aktivitetit kriminal të mafias shqiptare në Holandë. Ata deklaruan: se në Shqipëri ka një rritje të krimit të organizuar! Në fakt autoritetet europiane sidomos ato gjermane e kanë refuzuar me forcë këtë vendim të njëanshëm të parlamentit holandez. Edhe kreu i misionit të BE në Tiranë z. Luigi Soreka ka mohuar të ketë një vendim të tillë nga BE dhe se Shqipëria ka plotësuar kriteret sipas KE, për lëvizjen e lirë në zonën Schengen. Autoritet europiane gjithashtu kanë deklaruar se: Parlamenti holandez nuk mund të ndryshojë rregullat e lëvizjes në zonën Schengen. Është e çuditshme, që për çdo lajm jo të mirë që dëgjojmë në Shqipëri, jemi ne vetë shqiptarët dashakeq që reklamojmë me shpejtësi të parët të keqen që mund të ketë ndodhur. Ne jemi vetë që bërtasim fort, për gjoja rritje të drogës së prodhuar në Shqipëri, duke ua paraqitur europianëve si qeveri që nuk kontrollojmë dot situatën me drogën. Zotërinj! Europa dhe Amerika e di shumë mirë se kush e luan drogën në botë dhe nuk beson se është Shqipëria vendi që e prodhon, vendi që e konsumon më shumë dhe vendi që e shpërndan më shumë se vendet e tjera. Droga është një fenomen mbarë botëror dhe europian dhe nuk është vetëm një fenomen shqiptar. Është e çuditshme, se për çdo gjë pozitive apo arritje të popullit shqiptar, kërkohet të gjendet ndonjë kleçkë, apo mangësi, për ta mohuar apo për ta njollosur atë! Për opozitën apo edhe për disa kritizerë të sëmurë, çdo gjë është negative, nxin dhe nuk ka asnjë gjë pozitive apo arritje! Ndërsa europianët pohojnë shumë arritje të popullit shqiptar gjatë kësaj periudhe që po jetojmë. Edhe emigracioni po përdoret si një levë e këtyre njerëzve dashakeq, për të njollosur qeverinë dhe politikën shqiptare, si rrjedhim Shqipërinë. Rritja e shifrave të emigracionit shpjegohet me hapjen e kufijve me Europën dhe krijimi i lehtësirave në lëvizje. Sot një emigracion i ligjshëm për arsye politike, ekonomike apo të tjera po zhvillohet pothuajse në të gjithë vendet e Ballkanit, të cilët po emigrojnë për një jetë më të mirë. Situata e sotme në Shqipëri dhe problemet që ekzistojnë nuk janë pasojë e viteve të tanishme, por pasojë dhe shkak i ngjarjeve historike qysh në kohën e Skënderbeut dhe më tej. Nuk mund të fajësohen vetëm qeveria e tanishme për emigracionin, por të gjithë klasat politike qysh herët. Edhe pandemia është një epidemi mbarë botërore, që po krijon probleme ekonomike, politike në shumë vende të botës, po opozita shqiptare e paraqet si një “fenomen shqiptar” dhe duket se është e kënaqur me rritjen e numrit të të infektuarve nga Kovidi. Ata po ja hedhin fajin vetëm drejtuesve të shtetit, duke mos kontribuar vetë në këtë drejtim. Ata japin receta për të mos mbajtur maska me arsyetimin se: populli është i varfër dhe bile disa deputetë të opozitës i heqin maskat në mënyrë demonstrative. Bëjnë thirrje për tubime në këtë periudhë, gjë e cila është shumë e rrezikshme për shëndetin e protestuesve dhe shkak për përhapjen e infeksionit. Për hir të karriges së tyre këta njerëz janë gati të “baltosin” Shqipërinë në sy të opinionit europian dhe botëror, duke mohuar çdo gjë të bukur që bëhet në Shqipëri, duke mërzitur jetën e të rinjve shqiptarë dhe të popullit të saj.